Saturday, 30 June 2007

GJUHA E FOTOGRAFISË


Nga Fatmir Terziu
Fotografia dhe lajmi pas saj janë dy lidhjet e pashmangshme që mes sensacionit trazojnë dhe çorodisin “lajmin” dhe e mërzisin së tepërmi lexuesin. Andrew Dewdney një studies i mirënjohur Britanik i këtij fenomeni në esenë e tij “Fotografia dhe Fjala e saj” thekson se “fotografia ka gjuhën e vet

Edhe pse s’ka në fakt asnjë lidhje midis “Kameras Luçida” të Roland Barthes-it postulati i ashtuquajtur që lidhet me kamerat dhe mbajtësit e tyre profesionistë, që synojnë të prezantojnë sensacionalen, të fshehtën dhe të “vështirën” për t’u filmuar, prapëseprapë mes emrit real të tyre “paparacë” dhe sensacionit të kamerave të sotme të medias në Shqipëri ka një urë të madhe ndarëse. Fotografia dhe lajmi pas saj janë dy lidhjet e pashmangshme që mes sensacionit trazojnë dhe çorodisin “lajmin” dhe e mërzisin së tepërmi lexuesin. Andrew Dewdney një studies i mirënjohur Britanik i këtij fenomeni në esenë e tij “Fotografia dhe Fjala e saj” thekson se “fotografia ka gjuhën e vet”. Këtë e ka thënë edhe i famshmi Barthes duke sqaruar se gjuha e fotografisë flet më shumë se një lajm ndonjëherë, “ajo (pra fotografia) tejkalon momentin historik ose lajmin kur pushtohet nga lajmi dhe kur lajmi e mbyt fotografinë”.
Shembulli i postuar nga mediat shqiptare duke dhënë për të disatën herë shtrëngimin e rrastësishëm të duarve midis Kryeministrit Shqiptar, Kryetar i PD-së dhe ish Kryeministrit, ish Kryetar i PS-së dhe kandidat për President, padyshim është një rast i tillë. Fotografia në fakt fokuson dy figurat e politikës shqiptare, dikur “opozitarë” në maksimun, sot të moderuar dhe disi më të shtruar dhe më racionalë. Në foto është zoti Berisha që qesh dhe Nano disi ndryshe, por duarshtrëngimi i tyre lexon tërësisht lajmin në këtë situatë kur edhe pas raundit të pestë të bisedimeve pozitë-opozitë, emri i Presidentit ende s’ka dalë në dritë.
Gjuha e kësaj fotoje flet më shumë se lajmi. Lajmi përpos saj është opinion, hamendësi, koment dhe kësisoj ndërton urën ndarëse mes realitetit dhe faktit. Vërtet duhet sqaruar dhe komentuar, pasi shembuj të shumtë kanë treguar se një foto është histori, ajo bën histori, por mënyra “allashqiptarçe” e komentimit të kësaj rastësie të fiksuar në digital përbën plotësisht mungesë profesionalizmi, mungesë respekti për gjuhën e fotografisë, si zhanër më vete. Shikimi drejt e në sy i Kryeministrit të sotëm dhe përqëndrimi i syve të ish – Kryeministrit shqiptar diku në front, për më shumë cigarja e tij e ndezur në dorë, padyshim ka gjuhën më të fortë dhe logjikën dërmuese të lajmeve që u fabrikuan përpos kësaj fotoje. Le ta quajmë shqetësim të fshehur dhe të shprehur, le t’a quajmë lëvizje prapaskenash të çuditshme të politikës shqiptare. Prandaj një foto flet më shumë, prandaj një foto bën dhe shënon histori.
Muaj më parë një duarshtrëngim i tyre, por jo i rastësishëm, për të shuar “krizën”, u fiksua nga kamerat dhe solli lajmin, ndoshta jo të këtij lloji që shpërndau kamera për duarshtrëngimin e “rrastësishëm” të tyre, duke i quajtur “takim i dy liderëve”. Sipas agjensisë shqiptare online “Kreu demokrat dhe ish-kreu socialist shkëmbyen batuta dhe buzëqeshje për disa sekonda në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës për shitjen e Bankës Amerikane të Shqipërisë, Grupit Inteza” (Balkanweb; 30.06.2007). Le t’ja lëmë më mirë gjuhës së fotografisë fjalën e fundit.

No comments: