Monday, 25 June 2007

INTERNETI NUK ËSHTË MEDIUM, POR…


Nga Fatmir Terziu
Por kjo nuk është absurde, kjo është e ndodhur në takëmin e biznesit, në dilemën e tij edhe pse kjo kompani, pra “Yahoo”, bëri gabimin fatal që shumë media e kanë bërë në linjë, duke menduar se interneti ishte një lloj mediumi tjetër. Të njëjtin gabim po përsërit sot media në Shqipëri. Edhe pse ata janë larg opsionit në fjalë, me një fjalë për përkitjet e internetit, janë në të njëjtin gabim që biznesi i “Yahoo”-s është momentalisht.


Interneti nuk është medium. Këtë e vërtetoi taktika e dështuar e Yahoo-s. E vërtetoi opsioni i kësaj kompanie me praktikën e vet tashmë të dështuar, duke i lënë oponentit “Google” padashje hapësirë dominuese. Por kjo nuk është absurde, kjo është e ndodhur në takëmin e biznesit, në dilemën e tij edhe pse kjo kompani, pra “Yahoo”, bëri gabimin fatal që shumë media e kanë bërë në linjë, duke menduar se interneti ishte një lloj mediumi tjetër. Të njëjtin gabim po përsërit sot media në Shqipëri. Edhe pse ata janë larg opsionit në fjalë, me një fjalë për përkitjet e internetit, janë në të njëjtin gabim që biznesi i “Yahoo”-s është momentalisht. Për t’a bërë më konkrete e më të kuptueshme këtë nyje që lidh dy shembujt e mësipërm, me median në Shqipëri, me atë ç’ka në fakt ndodh sot me median shqiptare, unë dua të sqaroj dy fakte në kohë të ndryshme.
Në vitin 1996 vazhdoja të drejtoja të pavarurën “Fjala e Lirë”, një gazetë që bëri emër nga Elbasani, duke u bërë model i një opozite me të gjitha palët politike në Shqipëri, duke sjellë vetëm faktin dhe realitetin, realitet, nëse do t’a pranonim me të vetmin emër, për lexuesit e saj, që u rritën dhe u ulën çuditërisht në kohë rekord. Pa u ndalur në shpjegime të mirëfillta, pa u ndalur në punën e mrekullueshme të Bujar Hudhrit apo Flutura Açkës, pa u thelluar në debatet mes drejtuesve të Pushtetit të asaj kohe dhe punonjësve të policisë me gazetarët dhe drejtuesit e gazetës, as edhe në detaje të tjera që sollën rrotacion në drejtimin e “Fjalës së Lirë”, ajo që dua të sqaroj është analogja e faktit. Para zgjedhjeve të përgjithshme të 1996-ës “Fjala e Lirë”, që kaloi nga njëra dorë në tjetrën dhe polli dy gazeta të tjera për ish drejtuesit e saj, mbeti në mes të rrugës. Mbeti pa asnjë sponsor, pa asnjë reklamë, pa asnjë depozitë në bankë, aq sa arkëtarja, Vali, ngriti supet një ditë dhe më tha: “S’ka para as për rroga!”. Askush nuk donte t’ia dinte më për “Fjalën e Lirë”. Askush nuk pyeste më për të, madje as ata që ajo kish përkrahur për të ardhur në karrige. Të vetmit që pyesnin ishin bashkëpunëtorët dhe ata që vinin për honorare, por jo si në rastin e Feral Tribune, në fakt:

Feral Tribune, një e përjavëshme politike kroate ishte e njohur për tehun e saj satirik dhe pikpamjet e patundura kritike ndaj politikanëve, personaliteteve qeveritare dhe publike si brenda Kroacisë ashtu dhe jashtë. Në kolonat dhe ilustrimet e saj gazetarët e Feral Tribune mbulonin çështje thelbësore. Si rezultat i kësaj ajo edhe duhej edhe urrehej. Këtë javë, për herë të parë në 14 vjet, e përjavshmja nuk doli nga shtypi. Feral Tribune i detyrohet qeverisë 136,000 euronë VAT dhe si rezultat ju desh të mbyllte operacionet. Blogerët kroatë kanë pikpamje të ndryshme.

Kështu, për ata që menduan se gazeta kishte kryer funksionin e kish mbaruar misionin, as që mund të gjendej ndonjë fjalë zbutëse. E vetmja rrugë ishte të “zbusje” misionin e saj ose t’i vishje një kostum nga ato që kishte politika në stolat e saj rezervë, një kostum që në fakt ajo e kishte të paraveshur me misionin e saj, por jo të bërë publik. E krijuar në 1990-ën, duke zëvendësuar “Shkumbini”-n, në fakt ajo s’duhet t’a bënte këtë gabim, pasi kalonte nga njëri ekstrem në tjetrin, por për hir të mbijetesës një zgjidhje duhej menduar. Atëherë as që bëhej fjalë për internet masiv, as që mendohej një mundësi e tillë. Sidoqoftë, edhe pse interneti mungonte, një lidhje tjetër ekzistonte për të realizuar qëllimin; nyja politike. Dhe koha rrodhi shpejt. Në Tiranë edhe ish Kryetari i PD-së, Tritan Shehu, do të nguronte të ndihmonte mbijetesën e saj, edhe pse ish zëdhënësi i PD-së, Arben Çejku, do t’a rendiste gazetën në listën e disa gazetave për fushatë. Përgjigjja: “S’ka para! Ne nuk financojmë gazeta!” Atëherë, pikërisht kjo u quajt mëri. Shumëkush e keqkuptoi dhe e keqinterpretoi. Pas disa kohësh, gazeta u mbyll. Dikush u ankua, dikush protestoi. Dikush e ngriti zërin, por ata që nuk donin më të ishte “Fjala e Lirë” mbuluan me heshtje çdo gjë. Sot një lloj “Fjala e Lirë” lexohet në internet, edhe pse nuk është ajo, edhe pse nuk është gazeta që lindi natën e u gdhi duke u gllabëruar prej 25 mijë lexuesve të saj. Por kjo gazetë del në internet dhe interneti është për njërëzit, lidhje dhe network. Ata që e nxjerrin e dinë këtë, ashtu siç e din edhe “Google”, sepse prandaj dihet që ai fiton. E tek e fundit mirë që një “Fjalë e Lirë” ekziston. Pak rrëndësi ka për të tjerat.
Fakti tjetër lidhet me lidhjet dhe zgjidhjet e dukshme dhe të padukshme të medias së sotme në Shqipëri. Ajo që dihet është se shumica e kësaj medie ka lidhje “biznesin ose biznesmenët”, dhe pakica fatin e varur tek shpresa e profesionalizmit. Dy shtratet e medias kanë dimensione të ndryshme, kanë shtrirje të ndryshme, kanë synime të ndryshme. Ajo që lidhet me këtë temë është pikërisht edhe loja me internetin, ose qëllimi në këtë lidhje njërëzish mes informacionit e dezinformacionit në linjë. Këtu kuptohet qartë, ndoshta edhe është kuptuar fare mirë pse bëhet kjo, pse lihen komente të hapura edhe pse janë krejt banale dhe të pakulturuara për dinjitetin e një Kombi, pse krijohen blogje, forume e të tjera të ngjashme me to, edhe pse mbajtësi i këtyre linjave në botën Perëndimore mban përgjegjësi ligjore, këtu heshtet. Heshtet kur shahet një krahinë, një zonë, një kulturë dhe trumbetohet një shpifje, një renë që denigron një Komb, një popull si në rrastin e orës së Bushit, sikur të ishte një shaka e rradhës. Politika, sipas interesave herë hesht e herë miraton në heshtje. Pushteti duke u trembur se mund të akuzohet se sulmon median, fjalën e lirë, rri në distancë. Shumë pak pjesëtarë të devotshëm të medias tentojnë të flasin, shkruajnë, por në linjën e Internetit, në shtratin e tij pak janë dhe pak lexohen. Vërtet Interneti nuk është medium, siç e thamë që në fillim, ai si lidhje njërëzish dhe linjash, duhet pushtuar edhe nga kjo pjesë profesionale, e cila ende ka shtrat të dobët në mesin e medias shqiptare. Dikush duhet t’i japë të paktën një gisht asaj, se nesër, mjerë media po u zaptua tërrësisht nga të paturpët, nga misionarët e xhepit, nën petkun “Fjala e Lirë”.

No comments: