Monday, 25 June 2007

KUR SHQIPJA TRAZON QETËSINË LONDINEZE



Nga Fatmir Terziu
Rruga, që sapo nxjerr kryet në Chalk Farm në Londër, ka kohë që flet shqip, gati gjithë pasditeve të fundjavës. Në fakt ajo rrugë, jo vetëm flet e gumëzhin shqip, por edhe rrezaton tërrësisht shqip në atë kënd. Aty rreth orës 2, pasditeve të së shtunave dhe të djelave zor s’e kupton se je në Londër, nëse nuk sheh targat e makinave ndanë udhës, apo qiellin gati-gati të vrrenjtur përherë. Fëmijë shqiptarë, të ardhur nga të gjithë anët e Britanisë së Madhe, brenda mundësive familiare dhe personale, të veshur me kostume kombëtare shqiptare i japin kësaj rruge një pamje ndryshe, një rrezatim ngjyrash mahnitëse. Eshtë një bukuri përrallore e këtyre kostumeve në fakt, që del nga 'sënduqet' erë severgjeni dhe të moçme të kulturës e traditës shqiptare, ashtu të ruajtura me gjak shekujve nga të parët tanë. Dhe ajo bukuri e parë dhe e pasqyruar në të gjitha rrugëtimet dhe kalendat shekullore shqiptare, zbret këtu në këtë cep të Londrës, po ashtu si në Konispol, Korçë, Vlorë, Tiranë, Tivar, Tetovë, Gjakovë, Prishtinë, e kudo ku flitet e këndohet shqip, për të dhënë lajmin e Ditës së Madhe, lajmin e gëzueshëm mes këngës dhe valles së bukur tradicionale shqiptare...

-1-
Të dielën e 17 Qershorit 2007, të parët që prishën qetësinë e kësaj rruge ishin fëmijët e grupit të valleve të Bashkësisë Shqiptare “Faik Konica” në Britaninë e Madhe, nën udhëheqjen e koreografes Sevime Gashi. Por jo vetëm ata. Disa prindër me vegla pune, materiale të ndryshme, pankarta, fletëpalosje, fotografi, flamuj dhe tullumbace në duar nxitonin drejt qendrës komunitare ku në front të hyrjes kryesore i prisnin të papërtuarit Agimi, Astriti, Rustemi dhe vet Kryetari Talati. Pas disa minutash tre vargje të tjerë fëmijësh me gërma shqip në duar gjarpëronin të përkujdesur anës rrugës me makina nga mësueset Lumnije Islami, Myrvete Mripa, Elita Sahiti, Arta Tivari, Hadije Gjinali dhe regjisorja Luljeta Çeku. Dhe ende pa u përqafuar të dy akrepat e orës në shifrën 12, sallat pritëse në qendrën festive tejkaluan normativat. E gjitha normale, por edhe e papritur. Një numër që rritej e rritej nga minuta në minutë. Dhe zgjidhja; edhe pse shqetësonte të “zotët e shtëpisë”, punonjësit e kësaj qendre: për të gjithë ka vend! Mirëseerdhët të nderuar miq! Mirëseerdhët në festën e Luleve të Verës, në festën Shqip në mes të metropolit botëror, Londrës, në ditën e festës së 14-të të shkollës shqipe me arsim plotësues në Britani të Madhe. Mirëseardhjen në një skenë teatrore plot e përplot me njërëz, e uruan sipas programit një grup nxënësish të palodhur e të talentuar, që nën konceptimin e regjisores Çeku mbanin një simbol gjelbërimi pranveror në duar, një qilim të blertë, që simbolizonte bukuritë natyrore shqiptare, ashtu thjesht, në fakt siç është vetë gjelbërimi i bjeshkëve, fushave dhe livadheve shqiptare. Zëri kumbues i këngëtares Shqipe Ratkoceri dhe gishtat e papërtuar të Ronit në piano sollën Hymnin Kombëtar në sallë. Dhe të gjithë në këmbë. Të gjithë duke e kënduar Hymnin fuqishëm dhe bukur. Lotë gëzimi pushtuan të pramishmit! Lotëve nuk mund t’i shpëtonin në këtë rast edhe drejtuesit e shoqatave shqiptare të pranishëm në këtë festë; Flutra Shega dhe Luljeta Nuzi nga programi “Shpresa”, Petrit Kuçana nga “Edith Durham”, Lutfi Vata nga “Ardhmëria”, Enkelejd Omi nga “Skënderbeg”, Dritan Dema nga Midlands dhe Bashkim Metalia nga gazeta “The Albanian”. Në këtë pështjellë të natyrshme emocionale dukej se edhe dy miqtë e mëdhenj të Kombit Shqiptar, Presidenti Bush dhe Kryeministri Tony Blair, ishin bashkuar mes lotëve të të pranishmëve, ashtu vizionarë e të qetë, duke buzëqeshur, në një dekor të kompozuar bukur me fotot e tyre krah flamurit shqiptar në front të sallës ku recitimet në shqip ishin gati për të nisur. Binjakët, Evi dhe Evisa Terziu, që veç pak ditë më parë festuan dhjetëvjetorin e lindjes, sollën surprizën e tyre në sallë për ardhjen e Ditës së Madhe, me këngë dhe valle shqiptare. Ata në fakt paralajmëruan këngën “Erdh Pranvera” dhe recitimet që pasuan më tej, ashtu thjesht në një dialog letrar mes vetes, krijuar nga vet ata dhe interpretuar po nga vet ata. Duartrokitje! Salla u elektrizua...


-2-

Rrugës për në këtë manifestim të fëmijëve të shkollës “Kosova”, u përshëndeta natyrshëm me një bashkëkombas, i cili kishte disa vite që jetonte në Mbretërinë e Bashkuar.
-“Mirë jam, më tha, po mirë të jenë këta, duke më bërë me shenjë nga një fëmijë që ecte krah tij. Për këta kemi marrë udhët..., tek këta i kemi sytë sot.” Edhe ne sot në këtë sallë, sytë i kemi tek këta fëmijë, tek këta filiza të rrinj që mbajnë gjallë dihatjet tona dhe largojnë mërzitjen. Në ditën e tyre, në festën e tyre dhe pas zërit të tyre, emocionet tona, ndjenjat tona bëhen mal, bëhen jetike, bëhen më të gjalla. Këtu s’pushojnë duartrokitjet tona. Le t’u falim atyre një të tillë duartrokitje, le t’u urojmë suksese, që të na falin gëzim. Udhë të mbarë kësaj dite, kësaj feste të natyrshme e të veçantë të zërit shqip, të fjalës, këngës, muzikës dhe valles shqipe.
Dhe kur fjala është për fëmijët, para tyre ç’dokush ndjehet ndryshe. Ata si ambasadorë të vegjël të shqiptarisë promovojnë vlera në rritje në tërë ecjen tonë të pandalshme.

-3-

Bota e fshehur pas këtyre talentëve të vegjël shqiptarë, bota dhe natyra e tyre e gjallë zbulon edhe të fshehtat. Ardita Kastrati: “Beson në vetvete aq shumë saqë ç’do gjë dëshiron t’a kryej vet. Me mamin, Hyrijen, shpesh herë grindet për ushqimin. Kur daja i saj Agimi i vuri emrin, Ardita, të tjerët e miratuan menjeherë. Dhe vërtet Ardita ngjan me domethënien e atij emri. Ajo i përket ardhjes së ditës, Ditës së Madhe për të gjithë. Ardita Sadiku e paralajmëroi atë me vargjet “Erdh Pranvera”. Lorik Kastrati: Është vetëm 9 vjeç. Në trikon e tij dëshiron t’a ketë Bechamin, por për zemër ka Ronaldon. Ai dëshiron të jetë edhe një futbollist i mirë, dhe babi i Lorikut thotë se nuk do të kursejë asgjë për t’a bërë të ecë përpara dhe dëshirat e tij t’i bëjë realitet. Ardit Hashani: I lindur si një dhuratë e bukur bga zoti për prindërit e tij pas 15 vjetësh martesë, të cilën na e thotë vet e ëma Fatime Ajeti, është megjithmend një talent, por me ca të fshehta. Kërkon të vishet bukur, por përton të vishet vetë. Rina Kastrati: Malli për Kosovën e mundon njëlloj si një të rritur. Dua të jetoj atje, në Kosovë, u tha ajo prindërve të vet, menjëherë pas vizitës së saj të parë dhe i vuri prindërit në siklet, madje gjyshen e bëri të qajë e të qajë me dënesë...
Dhe ata janë shumë. Janë recitimet e bukura që pushuan dihatjet në sallë. “Erdh Pranvera”: recitoi Ardita Sadiku, “Maji” Lorik Kastrati dhe Ardit Hashani “Buqja”, Gresa Gashi, “Pemët në Verë”, Rina Kastrati dhe Blerina Jonuzi, “Kënga e Abetares”, (Xhevahir Spahiu), recitoi Nita Paçuku, “Shqiponja” (Xhevahir Spahiu) : nga Rei Ahmeti, Vendi im: recitojnë Afërdita Veliu, Valentina Bogujevci, Reneta Gorça dhe Doruntina Krasniqi, “Për Mëmëdheun”: recituan Lorik Morina, Faton Veliu dhe Musataf Gashi, “Flamuri Ynë”, Gentiana Hashani, “Pavarësia” recituan Lundrim Gashi dhe Mimoza Sylejmani, “Grupi i Çapkënve” (Riza Sheqiri): recituan Agnesa Hoxha dhe Muhamet Gashi, “Mësuesja dhe nëna ime”, Fllanza Rexhepi, “Ç’ke harruar moj Valbonë”, Ardita Sadiku dhe Gresa Gashi, “Atdheu” nga Besart Gashi, “Sa të dua o Shqipëri”, Edona Haziri dhe nga mysafirët e “Shpresa”-s recitoi Njofjolla Vorfi poezinë “Adem Jashari”, për t’ua lënë rradhën valleve. Valle nga trevat e ndryshme shqiptare u interpretua nga grupi i valltarëve të vegjël, pastaj “Shota dhe Rugova” - koreografia, Sevime GASHI.
Programi u pasurua me pjesë instrumentale me piano: ekzekutuan: Dardan Uka “Danci Hungarez” J. BRAMS Nr. 5, Turkish March – Mocarti Rambo Toccota P. Harvey dhe Jon RATKOCERI, “TARANTELLA”, BURG MILLER, Neëorlans Night Fall – Gillock. Ndërsa “Zogëza e Malit” u interpretua nga Arta Paçuku.
Valle nga trevat e Shqipërisë dhe Kosovës, “Valle e Gocave” me koreografi të Ermir Dishës, Vallja Arbëreshe dhe Besa-Besë, sollën në skenë veç protagonistëve edhe prindër e të ftuar.


-4-

Na nderuan këtë tubim festiv edhe përfaqësuesit e Ambasadës së Shqipërisë në Londër, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Ekselenca e Tij, Z. Kastriot Robo, me Zonjën e tij, Teuta Robo dhe Konsulli i ambasades shqiptare ne Londer Myzafer Alushi me te zonjen.
Më tej natyrshëm janë edhe vërejtjet dashamirëse dhe fjalët për të mirë të punës. Situata dhe problemi i Kosovës, politika, angazhimi, por edhe teknika, mikrofonat, bashkimi i shoqatave, gjuha shqipe dhe të tjera e të tjera probleme ishin në përshëndetjet e Kryetarit të Bashkësisë Shqiptare “Faik Konica” Talat Pllana, ambasadorit Robo, mësuesit të shkollës “Besa”, Enver Buzuku, dirigjentit Bahri Çela dhe përfaqësuesve të shoqatave shqiptare. Abetaret e dhuruara nga Ambasadori Robo për shkollën shqipe ishin emocioni tjetër në sallë. Jashtë këtyre emocioneve dhe shqetësimeve ishin vetëm kryeprotagonistët e festës, ashtu të qeshur e të gëzuar, në një atmosferë që zor se mund të komentohet shkurt. Dhe natyrshëm në një ditë si kjo, kur shqipja trazon qetësinë Londineze të fundjavëve.

No comments: