Friday, 29 June 2007

LLOGORJA E AKADEMIKËVE NË "LUFTËN E FJALËVE"


Nga Fatmir Terziu
Shumë prej tyre shprehen, se “Fjala e akademikut dhe studiuesit është të bëjë kërkimin e fakteve dhe të paraqesë faktet herët a vonë sipas një mënyre tematike”, të tjerë thonë se “ajo që u shpreh u shpreh, me ecurinë dhe me problemet e tjera u takon mediave, i takon institucioneve…”, një numër tjetër shprehen se “misioni ynë mbaroi me luftën…” ose më tej për ca të tjerë kur thonë “të presim finalen…”.

Lufta dhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë nxori në skenë një numër të konsiderueshëm analistësh, kritikësh dhe akademikësh. Ata në mënyra të ndryshme e interpretuan atë për publikun, për politikën e median, duke i shtuar arkivave miliona rrjeshta, herë me nota realiste e herë në lëmin e opinioneve. Disa prejt tyre fituan gradat e Doktorit, disa shitën librat e tyre, disa pasuruan arkivat personale dhe ato bibliotekare dhe disa vetëm thanë e shkruan ndonjë ide a ndonjë mendim personal. Numri i madh i akademikëve, në fakt, gjeti rrast të shtoj studimet mbi bazën e kësaj plage të dhimbshme duke e trajtuar atë me nota të ndryshme. Sot, pas gati tetë vitesh shumë emra prej këtij numri të madh heshtin, ose ende janë duke reshtuar mendimet e tyre dhe shënimet e dikurshme, bazuar në faktet mediatike. Të pakët janë ata që ende servirin mendime e opinione. Disa që janë shumë intensivë në paraqitjen e situatave bazuar në këndvështrime të reja, natyrshëm “ushqejnë dhe ushqehen nga media”. Shumë prej tyre që zgjodhën opinionet e medias së shkruar dhe televizive për t’i servirur në tryezat akademike apo librareske, sot çuditshëm kur duhet të ngrejnë zërin, heshtin.
Dhe heshtja e tyre ka ngjallur sërrish polemika, ka nxjerrë në dritë një dritë jeshile për të zbuluar e ndriçuar misionin e penës së tyre të para tetë viteve, që shkruante me gjakun e qindra të pafajshmve në zemër të Ballkanit. Shumë prej tyre shprehen, se “Fjala e akademikut dhe studiesit është të bëjë kërkimin e fakteve dhe të paraqesë faktet herët a vonë sipas një mënyre tematike”, të tjerë thonë se “ajo që u shpreh u shpreh, me ecurinë dhe me problemet e tjera u takon mediave, i takon institucioneve…”, një numër tjetër shprehen se “misioni ynë mbaroi me luftën…” ose më tej për ca të tjerë kur thonë “të presim finalen…”. Logjikshmën dhe në mënyrë institucionale kjo hierarki mendimi duket shfajësuese në plan të parë, duket e qartë edhe në fushën profesionale të argumentimit dhe paraqitjes së mendimeve dhe në fakt edhe mund të anashkalohet, dhe mostrajtimi i mëtejshëm mund të bëhet palë me heshtjen reale të disa prej tyre. Këtu emrat e tillë janë shumë, sepse ashtu siç e thamë që në fillim Lufta e Kosovës rrëmbeu shumë emra të fushës së letrave, më së shumti elitën akademike të të gjitha vendeve, por qëllimi i këtij shkrimi nuk është të analizohet emër për emër, apo të kritikohen emra të përveçëm. Synimi i këtij shkrimi është të shkund sadopak një interes tjetër debati në këtë situatë kur një “luftë” tjetër ka përfshirë zgjidhjen e statusit të Kosovës në arenën politike ndërkombëtare, që do të ndihmonte në zgjidhjen dhe arritjen e “finales”. Shkrimi mes disa fakteve dhe argumentave kërkimore të muajve të fundit do të shpjegojë faktin e heshtjes së këtyre penave akademike për këtë problem të mprehtë dhe domethënës për fatet e një populli.
Një nga analistët e mirënjohur A. J. Bellamy në shkrimin e tij “Kosovo: After the War, the War of Words” (Kosova: Pas Luftës, Luftë Fjalësh), botuar në The International Journal of Human Rights, Volume 5, Issue 3 Autumn 2001, faqet 97 – 110, shprehet jo më kot që në titull se “Kosova e pasluftës është dhe gjendet mes luftës së fjalëve”. Kjo kuptimplote për momentin, pasi zgjidhja e problemit padyshim pret “fjalën”. Dhe kur lufta e fjalëve del në mejdan, shpallet në sheshin e madh politik dhe akademik, padyshim “pena” është protagonisti kryesor. Dhe ajo duhet të jetë aktive, ndoshta po aq aktive kur trajtoi Luftën e Përgjakshme. “Lufta e fjalëve” e mbërthyer më së shumti në politikë, duket disi e pakonceptueshme në interesat akademike, për faktin se midis kësaj fjale ka mure e ura që duhen kapërcyer.
Akademikët shpeshherë nuk pajtohen me deklarimet e politikanëve. Ata i quajnë nxitime dhe rrëmbime emocionale çasti, fakt që ndoshta i shton rradhët e heshtjes akademike për problemin në fjalë. Gjatë hulumtimeve dhe kërkimeve tona bazuar në rezultatet e postës elektronike, arkivave akademike të gjashtë viteve të fundit dhe disa anekseve profesionale të lëmisë së letrave, fakti flet se kjo “penë” ka heshtur në masën 20-25 për qind, krahasuar me bumin e një periudhe që trajtoi problemin e Luftës në Kosovë në të gjithë hapësirën e Globit.
M
ë tej edhe kur elita akademike ka folur ose shkruar, më së shumti është tematikë e luftës, plagëve të saj, dhe shumë pak për projektet konkrete. Këto të fundit sigurisht më së shumti i përkasin qeveritarëve vendas, elitës akademike shqiptare të Kosovës e elitës intelektuale shqiptare kudo që është. Në fushën e projekteve, heshtja ose opsioni i akademikëve dhe analistëve të huaj është më shumë i aspektit vëzhgimor. Këtu ata mendojnë se sërrish “rradhën e ka media për të folur”.
Për t’a ilustruar më qartë këtë ide për fjalën e medias, po citojmë një akademik aktiv Britanik në kohën e bombardimeve të NATO’s mbi Kosovë, por i heshtur për situatën në fjalë. Philip Hammond, Profesor në LSBU në Londër shrehet: “ media [për Kosovën - shënimi im] ka luajtur një rol kryesor në mbështetjen e idesë për mbrojtjen humanitare ndërkombëtare, ndoshta më të madhin, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Akademikët gjetën ushqimin e nevojshëm aty.” Sot kur Kosova e pasluftës është mbërthyer në këtë fushëbetejë të re të “Luftës së Fjalëve”, natyrshëm duhet flakur tej heshtja. Akademikë të të gjithë fushave duhet të dalin në “llogoren e parë”.

KOHA KËRKON RIDALJEN NË SKENË TË ‘FJALËS’

Këshilla e fundit e Ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, Dejvid Millebend, ‘për të qenë të durueshëm e të matur’, nënkupton të qënit të pjekur, për të qenë në një hap me Perëndimorët. Kjo dhe mbështetja e deklaruar se Britania do të njohë Pavarësinë e Kosovës përbën thelbin e domosdoshëm të ftesës publike për fjalën e mencur akademike dhe analitike në këtë kohë që “Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dejvid Millibend, konfirmon në një intervistë për BBC-në se Britania do ti përgjigjet pozitivisht shpalljes së koordinuar të pavarësisë së Kosovës, por shton se në Ballkan është shumë e rëndësishme të shmangen përgjigjet e shkurtra dhe pranon se është një situatë shumë e komplikuar” (BBC, 2007: online). Thuajse të njëjtën thirje bënë në mesin e shqiptarëve që jetojnë në Londër edhe ish Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi edhe Ambasadori i Shqipërisë Zef Mazi. Pra në terrenin e ‘komplikuar’ vetëm fjala e mencur mund të depërtojë e të përballet. Vetëm një fjalë e argumentuar mund të sjell bereqetin e pritur dhe ndoshta të munguar për një kohë. Në këtë terren duhen renditur lapsa, pena, kompjutera dhe elementë përbërës të tyre, me një emër Media, prapa të cilës vjen fjala e pjekur, e matur dhe konkuruese.

No comments: