Tuesday, 26 June 2007

MOTOT E SHTETEVE

Nga Fatmir Terziu
Të gjithë shtetet dallohen nga flamujt e tyre. Disa kanë edhe nga një moto për përforcimin e unitetit kombëtar. Në Komunitetin Europian vetëm pak shtete nuk kanë moton e tyre. Midis tyre janë Irlanda, Italia dhe Portugalia.


1. Belgjika: “Bashkimi bën fuqinë”- Një pjesë e popullsisë së Belgjikës, Wallon-ët dhe Flamend-ët, nuk e pranojnë ende këtë moto.
2. Britania e Madhe: “Zoti dhe e Drejta ime”- Marrë nga Henry VI, kjo moto shpallet për herë të parë nga Richard I gjatë betejës së Gisor-it gjatë së cilës francezët u mundën. Nëpërmjet kësaj motoje Richardi I donte të thoshte se ai nuk ishte më një vasal i Francës dhe nuk ia detyronte mbretërimit e tij tjetërkujt veç Zotit. Një moto kjo që dëshmon ende për rivalitetin ndërmjet Anglisë dhe Francës.
3. Danimarka: “Ndihma e Zotit, dashuria e popullit, forca e Danimarkës”- Kjo është në fakt motoja e mbretëreshës Margareth II. Zoti, populli, kombi një treshe që e gjejmë shpesh në themelet e shteteve të ndryshme dhe që dëshmon qartë për forcën e karakterit dhe për pavarësinë të cilën ky vend e dëshmoi gjatë referendumit të parë të tij mbi traktatin e Mastricht-it.
4. Franca: “Liri, barazi, vëllazëri”- Kjo gjendej në gjithë monedhat që francezët kanë përdorur. Kjo moto i përgjigjet idealit të shpallur në kohën e Revolucionit të 1789-ës.
5. Greqia: “Liri a vdekje”- Kjo ishte thirja e nacionalistëve grekë që arritën t’i japin fund pushtimit otoman më 21 Mars 1821. Këtë thirje e shfrytëzoi pastaj poeti Donisis Solomos për hymnin kombëtar grek.
6. Hollanda: “Do të mbaj”- Motoja paraqet mbi emblemën e familjes d’Orange sovranin e një principate të Francës Jugore. Revolta e Hollandezëve kundër mbretërisë spanjolle nxiti Guillaume Nassau t’a bëjë të vetëm moton kur ai trashëgoi principatën më 1544. Një motokjo qëmbetet e domosdoshme dhe aktuale edhe sot kur thuhet se hollandezët –poshtë nivelit të detit-duhet të mbajnë detin vazhdimisht jashtë kufijve të tokës së tyre.
7. Luksemburgu: “Duam të mbesim këto që jemi”- Më 1839 Luksemburgu fitoi pavarësinë e tij pas problemeve të shumta që kishin të bënin me territoret e tij. Kjo është një shpallje që tregon kënaqësinë e një populli të vendosur të qëndrojë në pozicionet e tij.
8. Spanja: “Ende më larg”- Më larg shtyllave të Herkulit që ndodhen mbi emblemat kombëtare dhe që simbolizojnë Ngushticën e Gjibraltarit. Një “më larg” që vendi e ka prekur,sepse ai e ka shtyrë ndikimin e tij deri në Amerikën Latine.
9. Gjermania: “Unitet, drejtësi dhe liri”- Vargu i parë i Hymnit Kombëtar është bërë motoja zyrtare e Gjermanisë. Një frazë kjo krejtësisht aktuale që prej rënies së murit të Berlinit.

Vende të tjera në botë kanë devizat, motot e tyre. Kështu Zvicra ka një moto, të cilën të gjithë do të bënin mirë ta mernin për vete dhe të formonin një komunitet të vërtetë: “Një për të gjithë dhe të gjithe për një”. Në Kili motoja dëshmon për vendimin e një populli që llogarit mirë para se t’i çojë gjërat deri në fund: “Në emër të arsyes ose të forcës”. Në SHBA, vendoset gjithshka mbi një mbështëtje me origjinë hyjnore: “Te Zoti, besimi ynë”. Kurse ishulli Maurice ka një moto që është një ftesë e vërtetë: “Yll dhe çelës i Oqeanit Indian”.


No comments: