Monday, 25 June 2007

SHANSI QË VJEN NGA POLONIA



Trevjeçarja” e KE-së, Polonia, u duk me fat pas verdiktit të Mishel Platinisë, për të priorizuar vendet e ish Bllokut Lindor, teksa gëzoi fitimin e mbajtjes së finaleve të 2012-ës së bashku me Ukrainën. Dhe e gjitha përpos këtij gëzimi dhe shanci, sidomos për Poloninë me njëmijë halle dhe probleme, teksa i janë larguar mijëra specialistë duke marë rrugët e emigracionit, është shtruar në rrafshin e debateve politike anembanë Europës, duke krijuar debatin më të pazakontë të këtij lloji në lëminë e mbajtësve të evenimenteve ndërkombëtare të sportit. Polonia heshti në fakt, kur debatuesit ishin më së shumti fqinjët perëndimorë, Gjermania. Heshti edhe kur komisioni përkatës kritikoi mundësinë e investimeve. Heshti edhe kur vetë intelektualët thanë fjalën për pamundësi të mbajtjes së 2012-ës në vendin e tyre. Por tani kur deputeti, Piotr Misztal, i ka shkruar hapur Kryeministrit Polak, Jaroslaw Kascynski, që e drejta e mbajtjes së 2012-ës ti shitet ndonjë vendi tjetër, heshtja është kthyer në zhurmë.
Deputeti Misztal shkruan: “Unë nuk shoh se Polonia ka ndonjë shanc për organizimin e këtij tournamenti. Ne s’kemi materiale ndërtimi dhe s’kemi punëtorë. Prandaj, ndoshta ne duhet të ndërmarim shitjen e kësaj të drejte ndonjë vendi tjetër. Me shitjen e të drejtës ne fitojmë para, pa patur nevojë për investime.” Zhurma e kthyer në vend të heshtjes për këtë problem pas kësaj letre të hapur, ka zbuluar edhe planin e qeveritarëve polakë, që heshtnin deri dje. Ata kanë theksuar se vërtet kanë humbur fuqinë e tyre punëtore, por janë favoritë të fuqisë punëtore nga vende të tjera të pafutura në KE. Ky sinjal në fakt ka marrë një lloj drite jeshile. Diku ka shtuar edhe shpresa të tjera. Shpresa që lidhen me hapjen e rreth 200 mijë vendeve të punës. Në këtë pikë padyshim s’ka prioritet, por ka një domosdoshmëri që lidhet me proverbin shqiptar: “kush lëviz bukë e duar, ha bukë e lakruar”. Kthimi i kësaj “zhurme” që ka përfshirë Poloninë, në një interes apriori, ndoshta do të ishte më rrëndësi të kihej parasysh edhe nga Qeveria Shqiptare, sidomos nga Ministria e Punës dhe Emigracionit. Padyshim Ambasada e Shqipërisë në Poloni e njeh problemin dhe me siguri mund të ketë bërë punën e saj, por teksa duhet nxitim dhe shpejtësi vepruese konkrete, për të patur rezultat, fati mund t’u buzëqeshi të dy palëve qeveritarë, por më së shumti hallexhinjve të papunë në Shqipëri. Kur përmënden 200 mijë vende pune, nuk duhet menduar se ato janë e gjitha, nuk mendohet se një vend mund t’i përfitojë, por sado që të jetë numri, përfitues dhe të lumtur do të jenë të papunët shqiptarë, e pse jo edhe Ministria përkatëse.
Ky problem duket se i takon një rrethi politik që është krijuar pas termit “Europa e Re”, në të cilin Polonia shumë shpejt është bërë një “lojtare” e preferuar. Dhe në këtë rreth padyshim pa hequr sytë nga Përëndimi, nga KE, NATO e plane të tjera, rishikimi i planeve politike bashkëpunuese me vende si Polonia, padyshim mund të krijojë shanse më të reja për të sotmen, të nesërmen dhe të ardhmen, sepse edhe Shqipëria shumë shpejt do të jetë anëtare e këtij “rrethi”, dhe brenda vetë këtij rrethi duhet menduar për miq e përkrahës. Sot le të shikohet thjesht ky shans. Ai do të thotë punësim, integrim.

No comments: