Monday, 25 June 2007

SHKOLLA SHQIPE NE 13 VJETORIN E SAJ



Tubim madhështor kulturalo-artistik në Londër. Prindër e të ftuar festojnë me fëmijët festën e gjuhës shqipe në një sallë të mbushur plot e përplot, si kurrë ndonjëherë tjetër. Shfaqet për të pranishmit filmi “Windy Corner” i autorit Fatmir Terziu.


Bashkësia Shqiptare “Faik Konica” në Londër organizoi dje një tubim madhështor kulturalo-artistik me rastin e përfundimit të vitit të trembëdhjetë mësimor në shkollën e arsimit shqip “Kosova”. Në fjalën e tij Talat Pllana, kryetar i Bashkësisë “Faik Konica” tha midis të tjerash se “me gjithë rezultatet pozitive që ka arritur kjo shkollë nuk duhet haruar se drejtoria e shkollës është ballafaquar me një sërë vështirësish të ndryshme si në sigurimin e teksteve mësimore, ashtu edhe në disa raste edhe të lokalit dhe ndërrimit të shpeshtë të kuadrit mësimor”. “Por e përgjithshmja është ndryshe. Ajo flet shqip në Londër, edhe pse ndonjë diffekt teknik e material krijon ndonjë problem” tha në fjalën e tij një nga drejtuesit e kësaj bashkësie dhe përgjegjës për informacionin, Fatmir Terziu, i cili edhe drejtoi këtë tubim kulturalo-artistik.
Nxënës të kësaj shkolle, prindër mësues e të ftuar ndoqën këtë program artistik në Community Centre, Finchley Road për disa orë me rradhë. Mbrëmja kulturore- artistike përcolli me duartrokitje recitimet e nxënësve të kësaj shkolle, mes emocioneve të natyrshme për një ditë të tillë festive.
Nxënësja Ardita Sadiku solli para të pranishmëve “Ç’ke harruar moj Valbonë”, Djellza Muhaxheri recitoi poezinë “Mësuesja”, ndërsa nën emërtimin “Klasa ime” ishte përgatitja recitale e mësueses - autore Lumnije Islami. Vallet shqiptare nën koreografinë e Sëvime Gashit dhe Besim Shuletës të interpretuara nga grupi i nxënësve valltarë u ndihmuan edhe nga Sytkije Sulejmani, Naime Jonuzi, Sevdije Bugujevci dhe Violeta Ismajli. Grupi i valleve padyshim ngjalli emocione të tjera, më të zjarrta, më të vrullshme. Ngjalli ato emocione dhe ato ndjenja që ndjen shqiptari në emigrim për traditën e valles dhe muzikës shqiptare. Vallet dhe ritmi i tyre, në një interpretim dinjitoz, bënë që salla të oshëtinte akoma më shumë. Këto valle me motive shqiptare të të gjitha krahinave të Shqipërisë pasuan më pas recitimet e Rei Ahmetit, “Për ty flamur “ dhe “Jasharajve”. Një interpretim dinjitoz në kitarë u suall në sallën e tejmbushur nga nxënësi Ari Qela, i cili luajti një motiv shqiptar “A vjen pranvera” dhe “Mallaguena”, një pjesë e mirënjohur spanjolle për kitarë.
Në fund u shfaq për të pranishmit filmi “Windy Corner” i autorit Fatmir Terziu. Filmi më i ri i Fatmir Terziut mban dhimbjet dhe emocionet e një katastrofe natyrore të ndodhur në Jug-Lindje të Anglisë në vitin 1987, stuhi e fuqishme që i mori jetën 16 personave dhe plagosi më se 200 vetë. Filmi krahas kësaj teme rrethohet në tërë strukturën e tij me një mori ndodhish që janë pjesë e jetës Britanike në këto vite. Në fillim është tema e dhimbjeve të pashtershme të luftës së popullit shqiptar në Kosovë. Skena tjetër është po ashtu e dhimbshme dhe i takon një lufte tjetër në Ballkan. Një grua Boshnjake jeton në Rrugën e Errërave dhe e shkuara e saj sillet në sekuencat filmike nga regjisori dhe drejtori Fatmir Terziu me faktin e dhimbshëm ku paramilitarët serbë i vrasin bebin e saj tremuajsh. Skena më e goditur dhe më e realizuar është ajo që paraqet stuhinë. Një stuhi tepër orrigjinale, ku dritare të thyera, tjegulla që fluturojnë si copa letre dhe ndërtesa që shkulen paraqiten tepër realisht. Efektet anësore janë të pallogaritshme.
Filmi përshkohet me nota dhimbjeje dhe emocionesh të pashtershme në tërë minutazhin e tij. Ai rreket mes faktit dhe imagjinatës për të sjellë në dritë para spektatorit mesazhin se e keqja është gjithmonë e keqe, edhe pse ndodh nga faktorë natyrorë ose nga djaj të ushqyer me nacionalizma të sëmura shekullore. Ajo është e tillë, e keqe, është e dhimbshme edhe kur vritet djali i vetëm nga stuhia e fuqishme, djali i një çifti anglez i lindur si dhuratë nga Zoti pas 18 vjetësh martesë të tyre, edhe kur dasma shqiptare kthehet në mort, edhe kur foshnja vdes nga bajonetat e mallkuara, edhe kur çifti polak që jeton në këtë rrugë ka mori problemesh të panjohura. Jeta është morali i filmit në Windy Corner. Ajo duhet jetuar, thotë autori.
Mbëmja u kompletua me ndarjen e certifikatave për vijuesit e shkollës shqipe dhe shkollës artistike, duke ia lënë më në fund vendin valles masive shqiptare që rrëmbeu gati të gjithë të pranishmit.

No comments: