Monday, 25 June 2007

VAPA E PRESIDENTIT



Nga Fatmir Terziu
A duhet të shqetësohen shqiptarët, kudo ku ndodhen me këtë nxitim që nis e përfundon me hapje, mbydhje syrtarësh dhe vulosje çertifikatash? A duhet sadopak moral dhe kujdes në këtë fundudhëtim presidencial të Presidentit Shqiptar, mes vapës? Dhe për moralin e moralit thuhet e gatuhet morali në ikje. Ai moral, që ndihmon harresën dhe shton ngatërresën historike. A kishim ne President, a kemi President dhe a do të kemi një President?

Vapa e këtyre ditëve në Shqipëri është rritur. Është rritur edhe tensioni politik midis dy krahëve të politikës për çështjen e Presidentit, që ka shtuar vapën edhe në Pallatin e Brigadave. Është shtuar rrëmuja në mesin e deklarimeve për statusin e Kosovës. Është ndjerë pozitiviteti i lëvizjeve të Qeverisë Shqiptare, përderisa priti dhe përcolli Bushin…, duke harruar turpin që u kurdis për orën e tij. Është kohë plazhi në brigjet e Adriatikut dhe Jonit, dhe ende nuk dihet nëse do të rritet numri i turistëve drejt Shqipërisë, ose të paktën vetë politikanët, apo kandidatët për President do të pushojnë këtë vit në këto brigje.
Por ajo që dihet është fakti, se Presidenti i sotëm, ende në ditët në numërim të tij, vazhdon të konsumojë çertifikatat për shpërblime, “në fushën e Shqiptarisë”, apo për merita të “veçanta”, duke shtuar vapën në sallat ku duartrokasin obortarët dhe miqtë e tij. Shoqata, shoqëri, Ambasada dhe ku t’a dish edhe “miq” kanë shtuar emailat, letrat, “kredencialet” dhe propozimet për dekorime nga ana e numrit një të Shqipërisë, duke dhënë faktin se duhet nxituar, se po iku ky President, kushedi me tjetrin ç’ndodh, dhe “koleksionistët” mbesin pa e marrë dekoratën, çertifikatën apo ku di unë. Se jepen këto vlerësime, padyshim edhe më budallai, do të thoshte me plot gojën: “Ju Lumtë!”, por s’e jepen tani e me nxitim, duket paksa qesharake, aq sa i bën edhe vetë ata që i marrin këto letra të habiten me kohën rekord. Por nejse, në ikje e sipër ç’do gjë ndodh e mund të ndodh. Ikja është e vështirë, aq më shumë, kur nga kjo ikje mund të prishet tërë ai shtrat që u gatua për të shtrirë “kultin” President, që fal një momenti domethënës erdhi në atë moshë, në atë karrige.
A duhet të shqetësohen shqiptarët, kudo ku ndodhen me këtë nxitim që nis e përfundon me hapje, mbydhje syrtarësh dhe vulosje çertifikatash? A duhet sadopak moral dhe kujdes në këtë fundudhëtim presidencial të Presidentit Shqiptar, mes vapës? Dhe për moralin e moralit thuhet e gatuhet morali në ikje. Ai moral, që ndihmon harresën dhe shton ngatërresën historike. A kishim ne President, a kemi President dhe a do të kemi një President?
Tuesday, 26 June 2007
ImagePolitika shqiptare tashmë nga dita në ditë po demonstron para shqiptarëve se përveç aftësisë për të gjeneruar konflikte dhe kriza, nuk është në gjendje të prodhojë politika stabiliteti dhe shtetformuese, për më tepër të zgjedhë kreun e shtetit në afatet optimale për mos të krijuar vakume institucionale. Megjithëse jemi në limitet kushtetuese të zgjedhjes së presidentit të ri, kjo politikë ende nuk është në gjendje të lançojë kandidaturën ose kandidaturat e përshtatshme që do të ulen në poltronin e kreut të shtetit. Politika pati të gjithë kohën e nevojshme për të ardhur e përgatitur me kandidaturën e duhur presidenciale.Në Shqipëri ç’do veprim politik që ka të bëjë me çështje të rëndësishme, realizohet në mënyrë të sforcuar dhe në minutat e fundit, duke përfunduar me produkte presidentësh apatikë dhe nepotikë. Rasti i Moisiut ishte rasti më i shëmtuar i prodhimit të një konsensusi të forcave politike. Mjafton të shikosh background-in e Moisiut dhe vlerëson se çfarë lloj presidenti kemi. Një pensionist ish-ushtarak , pjellë e një sistemi komunist dhe shërbëtor i bindur i atij sistemi, shkollim sovjetik (jo rus) që normalisht në ditët që prosperojmë BE është shumë anakronik, si dhe asnjë lloj pozicionimi të qartë politik, por pozicionim sipas parimit nga të fryjë era, fakt është që ka qenë një nga aspiruesit më të mëdhenj të ndryshimit të datës së çlirimit të vendit, ku i shërbeu me devotshmëri deri në momentin e fundit Sali Berishës. Një background i tillë është mëse normale të japë një president të paaftë si Moisiu, president që falë një tavoline të dështuar solli një institucion të dështuar, Presidencën. Që nga dita e ardhjes së tij në krye të shtetit , Alfred Moisiu e shndërroi presidencën në një pronë private, ku pazaret e tenderave dhe të emërimeve u pasuan me pazaret me ligjet e shtetit, ku dekretimi i të gjitha ligjeve në parlamentin shqiptar nuk bëhej pa i dhënë Moisiut kundraofertën. Më i freskët është rasti i transmetimeve numerike ku presidenti i Republikës nuk e kaloi nën justifikimin qesharak se nuk është diskutuar me BE dhe është kundër normave të BE. Nëse presidenti i Republikës është garant i ligjit nuk ka pse t’i referohet BE por ligjeve të shtetit shqiptar. Pra nëse vërejmë me vëmendje se çfarë ka prodhuar konsensusi i politikës mund të shikojmë se kopja më e shëmtuar është figura e pensionistit Moisiu, i cili u katapultua president dhe kërkon ta ripërsërisë këtë mandat. Nëse politika shqiptare do të prodhojë sërish një Moisi të dytë sa për të thënë që e gjetëm konsensusin, atëherë garanti kushtetues jo vetëm që do të jetë një lolo i politikës , por do të jetë dhe një krijues i mirëfilltë i konflikteve dhe i një politike destabilizuese dhe pa bosht. E nëse i rikthehemi sërish se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Shqipërisë do të shikojmë se politika shqiptare i ka mundësitë për ta zgjedhur një përfaqësues të sajin politik, i cili të ketë profilin politik që të jetë në gjendje të prodhojë stabilitet institucional në mirërregullimin e raporteve të pushteteve në Shqipëri. Tashmë Shqipëria nuk ka nevojë për presidentë kukulla që rendin pas biletave të avionëve, por për një president që të jetë në gjendje të japë një përfaqësim dinjitoz dhe në rafshin ndërkombëtar, ku institucioni i presidencës të jetë në gjendje të mbështesë politikën ndërkombëtare të ekzekutivit shqiptar dhe kjo nuk zgjidhet me figura amorfe dhe pa dinjitet, padyshim as edhe me një president përfaqësues të forcës politike në pushtet i cili do të firmosë me verbëri çdo dekret të kreut të ekzekutivit apo emërim dhe shkarkim të kërkuar nga ana e tij. Tashmë në Shqipëri ka ardhur koha të ruhet balanca e pushteteve jo duke shkelur ligjet dhe duke u bërë palë me politikën, por duke zbatuar ligjin dhe standardet e një shteti ligjor. Padyshim që këtë nuk mund ta realizojnë shumë emra nga ata që diskutohen sot për kandidatë për postin e Presidentit të Republikës.(www.sot.com.al)

No comments: