Wednesday, 21 January 2009

Cikel per presidentet amerikane


Albana Lifschin

Xhorxh Uashingtoni - presidenti i pare SHBA(1789-1797)

Në 30 prill, 1789, qyteti i Nju Jorkut, - kryeqyteti i parë i shtetit të ri amerikan ishte përgatitur për inaugurimin e presidentit të parë të vëndit.
Presidenti Uashington kishte një figurë madhështore. Duke vënë dorën mbi Bibël ai bëri betimin solemn . Në mbyllje të kësaj ceremonie, masa e madhe e popullit që kishte mbushur sheshin para ballkonit të Bashkisë së qytetit, i bëri jehonë zërit të Robert Livingsonit që thirri: Rroftë presidenti i Shteteve të Bashkuara!
Pas kësaj presidenti hyri në dhomën ku qe mbledhur Senati dhe mbajti fjalimin e parë presidencial ku shtroi platformën që do të ndiqte qeveria e re.
Një hollësi interesante: Ai u zgjodh president por si do t'i drejtoheshin: Lartësi? Madhëri? Shkëlqesi?
Xhejms Medisoni tha: “Kushtetuta ia ka dhënë tashmë titullin kryetarit të shtetit. Ai është President.”
Historianët e përshkruajnë Xhorxh Uashingtonin si një president të vendosur, dinjitoz, shumë të kujdesshëm, tepër të vëmëndshëm dhe jo agresiv.
Përgjegjësia e madhe që ai mbante për vizionin e zyrës së presidentit kishte të bënte me krijimin e precedenteve për të ardhmen, ndaj Uashingtoni e maste me kujdes çdo hap që hidhte. "Sytë e Argus janë mbi ne dhe as gabimi më i vogël nuk ka për të kaluar pa u vënë re" thoshte ai.
Xhorxh Uashingtoni ishtë shumë i kujdesshëm në respektimin e autoritetit të presidentit dhe mosshpërdorimin e postit.
Ai u zgjodh dy herë president i SHBA dhe me dëshirën e popullit do qe zgjedhur përsëri, por Xhorxh Uashingtoni e pa të arsyeshme të tërhiqej duke lënë kështu një precedent që do të ndiqej nga presidentët e ardhshem.
Uashingtoni i kaloi vitet e fundit të jetës se tij në fermën e vet në Mount Vernon .
Ai vdiq në prag të shekullit të ri, vetëm dy javë para ardhjes së vitit 1800. Xhorxh Uashingtonin e qau i gjithë vëndi.
Në Washington D.C., kryeqytetin e SHBA, që mban emrin e tij, është ngritur një monument i lartë e kalimtari ngre sytë për ta parë e për të nderuar amerikanin e parë të madh të këtij vëndi.

Këshilla nga Xhorxh Uashingtoni

Xhorxh Uashingtoni kishte vendosur 110 regulla të civilizimit dhe sjelljes se hijshme të cilat e udhëhiqnin në veprimet e tij, apo në jetën e përditshme. Ja disa nga ato:

1. Regulli 1: Çdo veprim që bëhet në praninë e të tjerëve, duhet të respektojë prezencën e tyre.

2. Regull 2: Nëse kollitesh apo tështin, psherëtin apo gogësin bëje privatisht dhe mos e bëj me zë të lartë.

3. Regull 11: Mos kafsho thonjtë .

4. Regull 22: Mos shpreh kënaqësi për fatkeqësinë e tjetrit, qoftë edhe kur ai është armiku yt.

5. Regull 23: Shoqërohu me njerëz me nivel nëse respekton reputacionin tënd, sepse është më mirë vetëm se në shoqëri të keqe.


Xhon Adamsi - Presidenti i dytë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (1797-1801).
Xhon Adamsi ka qenë avokat i shquar. Me mendjemprehtë sinë dhe fjalën e tij bindëse kontribuoi në çështjen e pavarësisë së kolonive amerikane nga Anglia .
Si diplomat në Evropë, përsa i përket suksesit, ai vinte i dyti pas Benxhamin Frenklinit.
Dhjetë vjet të praktikës së tij si avokat e ndihmuan që reth vitit 1771 të ndërtonte një bibliotekë të madhe. Ai porosiste në Londër çdo libër apo panflet që dilte e kishte të bënte me qeverinë apo ligjet. Biblioteka e Xhon Adamsit me 3000 tituj përfaqësonte radhën e gjërë të interesave të tij.ishte avokat i shquar.
Emri i tij lidhet me atë që ka hyrë në histori si Masakra e Bostonit, 5 Marsit 1770 ku ai me reputacion e madh si avokat, duke respektuar ligjin, mbrojti "kapotkuqtë " (ushtaret angleze) duke shkaktuar keshtu zemërimin e qytetit. Gjithë jetën e vet Xhon Adamsi e kujtonte këtë gjyq si shërbimin më të mirë që i kish bërë vendit te vet pasi i tregoi Anglisë dhe Evropës që edhe në kolonitë, të cilat konsideroheshin si inferiore, vepronte ligji.
Xhon Adams ishte ai qe insistoi qe Deklaraten e Pavaresise duhej ta shkruante Tomas Xhefersoni, i cili ate kohe nuk ishte me shume se 32 vjec. Miq ne rinine e tyre , me pas, me formimin e partive u bene armiq politike, njeri federalist e tjetri republikan. Ne vitet e pleqerise , miqesia e vjeter mori nje lulezim te ri. Ata filluan t’i shkruanin pambarim njeri tjetrit. Korespondenca e tyre ruhet si guret e çmuar ne arkiven e historise se Amerikes.
Xhon Adamsi dhe Tomas Xhefersoni kane vdekur ne nje dite, ne 50vjetorin e Pavaresise se Amerikes, ne 4 korrik 1826.

TOMAS XHEFERSON- presidenti i trete i SHBA (1801-1809)

Në 1962, Presidenti Xhon Kenedi, gjatë një darke në Shtëpinë e Bardhë me një grupi fituesish të çmimit "Nobel", tha: Ky është koleksioni më i shquar, i talentit dhe kulturës njerëzore, që është mbledhur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë, me përjashtim të Tomas Xhefersonit që hante bukë veç"
Tomas Xhefersoni ishte një nga idhujt politikë të Xhon Kenedit. Historian, arkitekt, avokat, muzikant, shkencëtar, filozof, diplomat, fermer, autor….por ajo që e ngre Xhefersonin mbi të gjithë të tjerët është autorsia e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 4 Korrik, 1776.
Në zgjedhjet e vitit 1800, Tomas Xhefersoni u zgjodh president Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë tetë vjetëve të presidencës së tij, ai zvogloi debitin kombëtar në një masë të konsiderushme. Ai rivendosi aktin e shtetësisë për emigrantët nëpërmjet së cilës shtetësia amerikane fitohej brënda 5 vjetëve (gjë që është trashëguar deri në ditët tona).
Nga natyra, Tomas Xhefersoni ishte modest. Ai besonte që vlerat e njeriut nuk kanë nevojë për pompime e ceremoni të tepruara. Zakonisht presidenti Xheferson jepte darka të vogla, jo ekstravagante, por për Vitin e Ri dhe Ditën e Pavarësisë, dera e Shtëpisë së Presidentit* ishte e hapur për të gjithë. Të gjithëve u rezervohesh e njëjta pritje, të pasurve e të varfërve. Në demokraci s'kish të trajtime të favorizuara. Të ftuarit mund të uleshin ku të dëshironin pa u kushtëzuar nga zgjedhjet paraprake.
Gjatë punës, kur priste kongresmenë apo zyrtare të lartë, i priste ata sipas orës që arrinin në zyrën e tij, jo sipas rangut. "Parimi i shoqërisë sonë- thoshte ai, është të drejta të barabarta për të gjithë. Askush s'duhet të jetë mbi ju, apo ju mbi të tjerët."

Xhefesrsonit i takon merita e blerjes se Luizianes nga Franca

Luiziana iu ble Napoleon Bonapartit per 15 milion dollare, duke dyfishuar keshtu territorin e Amerikes. Dhuratë për presidentin Xheferson. Njerëzit e donin presidentin Tomas Xhefersonin për modestinë e tij. Një grup qytetarësh nga Masaçusets u mblodhën dhe vendosën t'i bëjnë presidentit një dhuratë. U menduan se çfarë e më së fundi vendosën të zënë për të një djathë me përmasa shumë të mëdha. Kështu, u tha që çdo njeri që kishte një lopë, qumështin e një ditë do ta milte e ta jepte si kontribut për djathin që do bëhej për presidentin. Përfundimisht kur djathi u bë gati u peshua e u pa që vinte 1600 pond (700kg). Djathi u ngarkua në një slitë dhe u nis per ne Shtepine e Bardhe qe ate kohe quhej shtepia e presidentit. Ishte një udhëtim që zgjati 3 ditë. Gjithë vëndi kishte dëgjuar për këtë dhuratë dhe njerëzit dilnin nga shtëpitë për të parë mrekullinë.. Djathi gjigand u sërvir në pritjet presidenciale nga viti 1801 deri në 1805.

Abraham Linkoln –Presidenti i 16 i SHBA (1861-1865)

Abraham Linkolni ishte avokat nga Springfieldi dhe kanditat i partisë republikane. Në ditën që u propozua për senat ai mbajti një fjalim që i futi njerëzit në diskutim. Abraham Linkolni tha: "Një shtëpi e përçarë në vetëvete nuk mund të shkojë gjatë. Unë besoj që kjo qeveri nuk mund të durojë gjëndjen gjysëm skllave, gjysëm e lirë për një kohë të gjatë. Unioni nuk mund të vazhdojë gjatë i ndarë. Do të bëhet ose njëra ose tjetra."
Koha provoi mënçurinë e tij. Abraham Linkolnit i takoi barra e ruajtjes së unitetit të vendit pikërisht në kohën më të vështirë të historisë amerikane, luftës civile.
Fjalimet e tij e bindën popullin që ai ishte njeriu më i përshtatshëm për kandidat për president në Shtëpinë e Bardhë.
Pas zgjedhjes së tij si president, Karolina e jugut votoi për shkëputje nga Shtetet e Bashkuara, duke dalë si shtet i pavarur. Në fjalën e tij të inagurimit, midis të tjerash Linkolni tha se "Burri dhe gruaja mund të divorcohen, por pjesë të ndryshme të një vëndi jo." Mesazhi ishte i qartë. Njerëzit e kuptuan që vendin nga ndarja do ta shpëtonte vetëm lufta

Lufta civile filloi në 2 prill 1861 dhe zgjati 4 vjet.

Gjatë kësaj kohe presidenti përballoi vështirësi të shumta edhe brënda kabinetit të tij, madje pësoi edhe fatkeqësi familjare. Djali i tij 11 vjeçar, Uilli, vdiq në Shtëpinë e Bardhë dhe gruaja e tij gati u çmend nga dëshpërimi. Megjithë këtë fatkeqësi të madhe familjare, Abraham Linkolni qëndroi si një shtyllë e fortë për kombin.
Në 1 janar 1863, Abraham Linkolni lëshoi Proklamatën e Emancipimit të skllevërve në shtetet e jugut ku skllavëria ishte ende në fuqi. Në 19 nëntor 1863 mbajti fjalimin e famshëm që ka hyrë në histori si fjalimi i Getisbërgut : ishte vetëm 10 rreshta, por përmblidhte esencën se përse ishte bërë lufta dhe përfundonte me fjalët : "gjaku i atyre që ranë në këtë luftë nuk u derdh kot, se ky vend me hirin e Zotit do të përjetojë një rilindje të lirisë dhe se qeveria e popullit,e dale nga populli dhe që punon për poppullin nuk do të zhduket nga faqja e dheut »



Endërra e vdekjes

Abraham Linkolni ishte i pari presidenti i SHBA që vdiq nga atentati.

Thuhet se presidenti Linkoln kishte parë një ëndërr që parashikonte vdekjen e vet. Kishte parë veten e tij duke u endur në Shtëpinë e Bardhë në mes të një heshtje ndjellakeqe. Në një nga dhomat papritur pa një katafalg dhe njerëz përreth që qanin e ushtarë në drejtqëndrim. Ai kishte pyetur: “Kush ka vdekur në Shtëpinë e Bardhë?

Përgjigja kishte qenë: "Presidenti. "

Pas kësaj ëndërre Abraham Linkolni nuk kishte mundur të flinte më.

Linkolni u vra fill pas mbarimit te luftes civile, në lozhën e tij, në 14 prill 1865, nga një ekstremist proskllavërisë , ndërkohë që po ndiqte një shfaqje në teatrin Ford në Washington DC

(vazhdon)

Albana Lifschin

No comments: