Wednesday, 7 January 2009

Dashuria është kudo!”


Ing. Eduart Abazi


Në një kohë relativisht të shkurtër, pas botimit të suksesshëm të librit poetik “Dashuria është kudo!”, autori Kujtim Boriçi del para lexuesve me librin tjetër “Ata erdhën nga Stebleva!”(1), tashmë në një zhanër tjetër, në fushën e publicistikës. Janë mbi 30 shkrime publicistike të përzgjedhura nga karriera e tij e gjatë, mbi tre dekada si gazetar, një pjesë e vogël e të cilave janë publikuar në shtypin qendror të kohës, ndërsa pjesa tjetër e shkruar enkas për këtë libër, mbi një synim të caktuar e me kërkesa rigoroze profesionale në këtë fushë. Duke parathënë që në fillim se ky libër, që në pjesën më të madhe të tij përmban përjetime, përshkrime, portrete personazhesh e evenimente të Steblevës, Gollobordës e njerëzve të saj, por dhe më gjerë, për mua si intelektual i asaj zone, e njëkohësisht si redaktor i librit, është krejt i veçantë.
Së pari, ndonëse në të përfshihen reportazhe, portrete, intervista, refleksione, shënime udhëtimi, deri dhe dossierë, i gjithë libri ka një harmonizim deri në perfeksion të pjesëve përbërëse të tij, gjithmonë në funksion të pasqyrimit të realitetit, të ngjarjeve e fenomeneve të veçanta e shumëdimensionale, nëpërmjet gërshetimit të faktit historik të dokumentuar, përjetimeve të vetë protagonistëve të evenimenteve, e deri dhënia me racionalizëm te asaj që vetë Kujtimi si autor ka përjetuar nga studimet, ngjarjet, njerëzit e fenomenet për të cilat shkruan.
Së dyti, duke njohur e zotëruar mirë objektin për të cilin shkruan, ia ka arritur që me finesë të gjejë të veçantën, thelbin e mesazhit që të evidentojë e të transmetojë tek lexuesi.
Së treti, në kompleks, shkrimet që trajtojnë Steblevën e Gollobordën, të marra në tërësi, japin një tablo shumëdimensionale, ku gërshetohet tradita e vyer e kësaj treve, madhështia e personaliteteve të njohur, që ende rrinë nën “pluhurin e kohës”, lidhjet e ngushta të banorëve me vendlindjen, ndershmëria, fisnikëria e bashkëjetesa, vlerat e pasura kulturoro-artistike të përcjella e të pasuruara nga brezi në brez, deri dhe tek tradita e pa cenuar e banorëve të kësaj treve, për të mos u bërë kurrë pjesë e së keqes, por të qenit gjithmonë përballë (e kundër) saj. Për këto e shumë të tjera dëshmi e mesazhe që sillen në librin “Ata erdhën nga Stebleva!”, për mendimin tim, ky botim sjellë diçka që mungonte. Për më tepër, ku megjithëse herë pas here ka pasur përpjekje dhe botime të veçanta për zonën tonë e që janë publikuar deri tani, nuk e kanë sjellë në këto përmasa.
Së katërti, në këtë botim publicistik, fenomene e ngjarje që stonojnë me traditën e të mirën, nëpërmjet një sarkazme, deduksioni, krahasimi e deri elementë alegorikë, vihen në “shënjestër” si fenomene (jo bartësit që mund të jenë në çdo komunitet), duke tentuar në çdo rast tek apeli për neglizhimin, deri në largim të plotë nga këto dukuri.
Së pesti, duke i qëndruar fanatik faktit, përjetimit direkt, duke përzgjedhur për të hedhur në letër esencialen, atë që e gjykon se duhet evidentuar për të qenë sa më mirë në funksion të mesazhit që kërkon të japë, autori është bindës, e vështirë se të lë shteg kundërshtimi për atë fenomen rreth të cilit shkruan.
Së gjashti, një nga të veçantat e librit, që është dhe një meritë e autorit, për mua, mbetet përfshirja në pjesën e dytë të botimit, të një cikli shkrimesh të përzgjedhura për njerëz, ngjarje e fenomene të shoqërisë shqiptare e më gjerë, jo si “garniturë”, por si pjesë organike e një të tëre (librit), gjë e cila për lexuesin e çdo kategorie, krijon një konfiguracion, gjuhë të përzgjedhur, një urë të plotë komunikimi ndjenjash e mesazhesh.
Duke qenë shok me Kujtimin, e në kontakt me krijimtarinë artistike e atë të përditshme publicistike, njëkohësisht, redaktor së paku në tre librat e tij, në botimin “Ata erdhën nga Stebleva!”, mendoj se gjithkush, duke shfletuar faqet e tij, do të konstatojë jo vetëm përgjegjësinë në të shkruar nga autori, por dhe drama, ngjarje e fenomene që lidhen me Gollobordën, e shtresa të shoqërisë shqiptare, që, ose nuk i ka njohur deri tani, ose nuk i ka “prekur”, ndonëse mund të përballet me to vazhdimisht në çdo hap të jetës. Bie fjala, në shkrimin që hap librin. e që është njëkohësisht dhe titull i tij “Ata erdhën nga Stebleva!”, lexuesi njihet me një nga betejat më të vështira mes luftëtarëve vendas e pushtuesve sllavë, atë të Qafë-Shkallës, ku vetëm në momentin e fundit, kur kishte humbur çdo shpresë e pushtuesi po përparonte drejt Shqipërisë së Mesme, ardhja e luftëtarëve nga Stebleva (Klenja, Trebishti, Borova, Ostreni, Zabzuni, Okshtuni. ), ndryshon fatin e betejës. E këto fakte historike, autori i sjellë nëpërmjet dëshmisë, të shqiptares më të moshuar, Qerime Bardhit nga Llanga e Letmit (Librazhd), e cila ka qenë vetë protagoniste e kohës dhe e ka përjetuar këtë, duke e përcjellë me shumë emocion e dhimbje edhe sot gjatë rrëfimit. Në një nga shkrimet e librit, për Qytezën e Zabzunit, qytetin që dikur ka patur 1200 shtëpi, ku thuhej “macja kalonte nga çatia në çati”, fatkeqësisht të lëna edhe sot nën dhe`, me shpresë që një ditë do i vijë radha të eksplorohen nga arkeologët tanë, dhe këtu autori na njeh me kontributin, jo rastësisht, të një intelektuali në zë, i cili vlerësoi shqetësimin e ngritur nga intelektualë gollobordas dhe frenoi shkatërrimin e relikeve nga masakra e fortifikimit masiv në vitet ‘80-të e në vazhdim.
Në njëfarë mënyre, me një gjetje origjinale, me një këndvështrim të veçantë mbi ngjarje, histori e personazhe, pa pretenduar të bëj historik apo të venitë a fabrikojë mite të paqena, libri është jo vetëm interesant, por dhe një tablo me vlerë për Steblevën, Gollobordën e njerëzit e saj.
Duhet thënë fakti, se shkrimet e përmbledhura në këtë botim, janë fare pak, nga arshiva e pasur e autorit që shtohet çdo ditë, por veçanërisht talenti, puna e përkushtimi i Kujtimit, janë garanci se në të ardhmen e afërt, krijime të tilla e më të plota do të jenë në dorë të lexuesit.

No comments: