Monday, 26 January 2009

Debat që zgjon “lexuesin”



Fatmir Terziu

Shkrimet poetike mund të kuptohen dhe të keqkuptohen në shumë mënyra. Në shumë raste autori nuk është ai që duhet që të vendosë, se ku lexuesi ndalon të kuptojë krijimin, apo edhe ku moskuptimi nis. Shumë lexues kanë diktuar krijuesit në krijimtarinë e tyre si më të qartë, se sa vetë krijuesi ka kujtuar vetë, se është i tillë në krijimtarinë e tij. Për më tej, moskuptimi, apo më qartë keqkuptimi ndoshta mund të jetë i frutshëm nën disa rrethana. Kjo sipas shkrimtarit Hermann Hesse (1961) është: “mua më duket se në të gjithë librat e mi, vetëm libri “Steppenëolf” është libri që përbën debatin më të madh, madje librin më të pakuptuar të shkruar nga unë, por që në fakt ishte libri më i frekuentuar dhe më entuziast për lexuesin, duke shpërfillur ata që e kritikuan dhe nuk e kuptuan librin, ata që iu kundërpërgjigjën atij ndryshe” (Hesse; 1961:5). Pjesërisht, por vetëm pjesërisht, kjo mund të shfaqet ndjeshëm nga shkaqet e faktit se ky libër, i shkruar kur autori Hesse ishte pesëdhjetë vjeç, dhe fakti që ai ra në dorë të lexuesve me moshë të re, ndoshta mbeti një justifikim. Një justifikim që nga ana tjetër i dha frute librit, pasi opinionistët, analistët dhe kundërshtarët e librit i sollën ndërmend lexuesit, që kishte synim ta blinte, apo jo, këtë libër, që ta blinte e madje ta lexonte. Shkurt, në një mënyrë krejt ndryshe ai u bë më i lexueshëm, në mes dhe pas debatit.

Fakt që lidhet me Blushin

Midis shumë ndodhive të tilla, ku keqkuptimet, moskuptimet apo keqinterpretimet, kanë shënuar frute në fushën e krijimtarisë, mund të konsiderohet edhe romani i Ben Blushit, "Të jetosh në ishull". Ja se si shkruajnë mediat: “Ajo që pritej po ndodh. Debatet mbi romanin e parë të Ben Blushit me titull "Të jetosh në ishull" sapo kanë nisur. Që prej ditës së promovimit të këtij libri, u paralajmëruan reagimet që mund të lindin pas leximit të këtij romani, i cili në pak ditë ka shitur mbi 3 mijë kopje, një rast tepër i rrallë për një libër të një autori shqiptar. Debatet dhe kundërshtitë e para lidhen me shumë teza, kryesisht fetare e historike të trajtuara në roman.”
Më tej, nuk do të shprehesha kështu, nëse nuk do të lexoja në shtypin shqiptar se ‘për vitin 2008, romani i autorit politikan Ben Blushi "Të jetosh në ishull" është libri më i lexuar dhe më i shitur”. Jo vetëm kaq, por edhe debatet lidhur me këtë libër nuk do të më përbënin ndonjë lidhje me problemin e ngritur, edhe pse vetë autori pati deklaruar ‘se mirëpres çdo debat”. Ajo që lidhet me faktin tim është, sipas disa opinionistëve shqiptarë, se “debati solli në qendër të vëmendjes romanin”. Pra, ai “shtiu në veshin e lexuesit”, thuhet nga disa analistë për këtë rast. Madje edhe ndërhyrja e Saimir Rushekut u quajt e tillë. Pra, lexuesi sipas kësaj mpleksje-debati i dha frutin romanit të Blushit, të cilin botuesit e quajtën ‘befasues’.
Duke komunikuar në këtë pikë mes retorikës së Rushekut mësojmë se “Libri "Të jetosh në ishull" është një krijimtari e ndërtuar mbi imagjinatë, iluzione, e fantazi. Është e natyrshme që njeriu ka dëshirë që për një çast të shkëputet nga realiteti nëpërmjet tunelit të astrofizikës "Wormhole" dhe të udhëtojë për pak çaste në të kaluarën, sigurisht që të rikthehet përsëri aty, sepse e kaluara është e mistershme dhe çlodhëse. Ai do të donte të paraqesë imagjinatën nëpërmjet një shpërthimi rigjenerues të lindur, siç duket nga ndonjë frymëzim, apo "Derdhje Titanike", të gërmonte ca në shënimet dhe materialet e tij dhe të na fliste për disa nga ëndrrat e tij të vjetra. Ëndrra e krijimtarisë së këtij autori është e lashtë dhe e mistershme ajo synohet t'u përçohet lexuesve për interesa të caktuara.” Nga ana tjetër kapim edhe detajin që na përcjell tek fakti determinant apo ndërlidhës me lidhjen tjetër imagjinare të krtikut për dyshen konverguese ‘autor-lexues’. Duke lexuar pikërisht pikën e fundit se romani i përcillet “lexuesit për pika të caktuara”, në mënyrë po imagjinare është krijuar një tendencë shijendjellëse për lexuesin. Duhet theksuar se në këtë mënyrë padashje i është shtuar ajo që Hesse e cilëson ‘rënie në duar të reja’. Në këtë pikë shtesa sqaruese e Herman Hesse “padyshim, unë asnjëherë nuk tentojë tu tregojë lexuesve të mi se si ata ta kuptojnë tregimin tim…” përbën një argument tejet bindës dhe ndriçues të këtij fakti.

Lidhjet si argument

Ja se ç’shkruan më tej Rusheku: “Po përse është befasues ky libër, mos vallë për vlerat artistike apo për hipotezat tij? Pas përkushtimit të veçantë të disa mediave duke e cilësuar këtë botim të ri, si evenimentin më të fundit politik…, u soll edhe një herë në vëmendje në letërsinë e vendit tonë, një ndërthurje e ideve mesjetare të gatuara në kuzhinën politike të syrit të një politikani në shekullin e njëzetenjë, dhe me makijazhin e skupit mediatik të lënë nga libri i Dan Braun "Kodi i Da Vinçit". Ajo konsiderohet një ndërmarrje sa e vështirë, po aq edhe kritike në fushën e krijimtarisë letrare. Të përshkruash zhvillimet historike të procesit të marrëdhënieve ndërfetare, mbi të gjitha duhet të ruash dhe vlerësosh thesarin e çmuar të trashëgimisë ndërfetare në vend. Të shkruash mbi këtë aspekt të karakterit historik, kërkohet një njohje e thellë e periudhës dhe e dokumenteve që hedhin dritë mbi këtë ngjarje, për t'i qëndruar në këtë mënyrë besnik historisë së popullit dhe atdheut tënd.” Dhe ndërsa më tej në këtë debat-polemikë, autori rrjeshton fakte historike në një paralele me librin e Dhimitër Shuteriqit, shkaku padashje ose me synim tjetër kalon në aspekte disi problematike e që lakohen në kënde të ndryshme, në kënde që më së shumti ngjajnë me aspekte të psikologjisë sociale. Kënde të cilat i përçuan më tej edhe disa gazeta, analistë apo edhe thjesht lexues duke e vënë në dyshim gjininë e librit, duke vënë në pikëpyetje edhe shumë lidhje me tematikën e tij. Në këtë mënyrë u shtua etja për të patur në dorë librin, pra u bë reklamë e paparashikuar as nga vetë autori për këtë sukses. U bë në këtë mënyrë një lidhje me teorinë e Michael Argyle, një psikolog social i mirënjohur britanik, ku në librin e tij “Psikologjia e sjelljes ndërpersonale” thekson: “psikologjia moderne është bërë e paprekshme me realitetet e jetës së përditshme. Konfliktet midis grupeve të ndryshme janë pjesërisht mbartëse të problematikës dhe keqkuptimit…” B.M. Foss duke argumentuar në teorinë e Argyles shton se “disa njerëz thonë se psikologjia e tillë është një sens i veshur me një gjuhë fansash me drejtim të ndryshëm” (Foss, 1967: editorial forëard) [shkrim që gjendet tek parathënia editoriale e librit të Michael Argyle; shënimi im]. Kësisoj duket se “psikologjia” çoi tek lexuesi nëpërmjet debatit librin, që u ngjall pas problematikës së lidhur me “realitetin shqiptar”.


Fjala e Lire - Free Speech

No comments: