Sunday, 25 January 2009

Dhimbje poetike



Astrit Lulushi

Deshpërimi është ndjenjë normale. Nuk ka njeri që të mos e ketë provuar. Madje shume poetë frymëzohen prej saj. Kjo ndodh kur ata u thonë "lamtumirë" njerëzve te dashur a kur shkëputen nga një gjë e shtrenjtë, sic është Atdheu.
Kjo është përshtypja që krijohet kur lexon përmbledhjen poetike të Pjetër Jakut, “Mungesë e Hirtë”, Shoqëria Botuese "Kuvendi", Lezhë 2008.
Dhe “e hirta” është e zbrazëtirë, hapësirë e mbyllur, muzg, perde midis dritës dhe errësirës, natës dhe agimit, ku e bardha dhe zeza puthen pa u takuar. Kjo “e hirtë”, për Jakun, është mërgimi; fushë e ndarë në parcela me brazda të thella, nga ku mbin mendimi që prodhon poezinë. “Nëse cdo emigrant/do të shkruante dhimbjen e vet/Në botë do të kishte 2 milionë poetë!” (Nëse)
Mendimi poetik i Jaku, shkrihet në ndjenjë e pasohet nga 82 poezi të tjera, që të gjitha të ngjashme për nga shprehja, dhimbja, zhgënjimi e malli që ato percjellin.
“..Policët kanë tredhur ligjin/Ministrat i mbyti nata../..Eshtë cmendur deti…udhët, gurët, pemët../Artistët kanë rënë në zi!”, shkruan Jaku në “Baladë e cmendur”. Me këto vargje ai duket si i mpirë përballë korrupsionit që ka mbërthyer vendin, ku vetë “Cmenduria është në krizë!”.
Poeti thërret kundër përcarrjeve e armiqësive; ”Të gjithë hiqemi atdhetarë/Kur duhet t'a duam njëri tjetrin/Secilit i hapim varr!” (Nacion).
Ai hesht e pret dhe kur asgjë ndodh, ngrihet; “Cudi! Të mos jemi të zotët/Të shohim mbi kokë/Ca manjakë, demode, idiotë/Që vilëzohen në kurvëri politike!”(Revoltë).
Prej mëse 10 vjetësh Pjeter Jaku - poet, kritik letrar, botues - jeton në shtetin Micigan. Ndonjëherë për arsye pune a malli viziton vendlindjen e tij. Nga afër a larg ai ndjek zhvillimet dhe me optimizëm ngurrues shprehet; “Sado vonë/Do të mbërrijme /Atje ku duhet të shkojmë!” (Stoicizëm cinik)
Për ata që ende luten e shpresojnë të bëhen emigrantë, poeti ofron përvojën e tij; “Nuk ka as nuk do të ketë/Rrugë të florinjta!”, sepse janë njerëzit që bëjnë vendin, jo anasjelltas, dhe si në Lezhë e Nju Jork, rrugët janë njësoj; “Po njerëzit?! Ashtu qoftë!”(Rrugët)
Një ndjenjë e pandashme pashpresë, pasigurie e ankthi përshkon librin prej reth 120 faqesh, që autori e mbyll më poezinë “Konfuzion”; “E gjithë kjo vjen nuk e di nga se/A mos po zbres gjithnjë më poshtë/Se vitet nuk ndalojnë me ne,/Vecse na nisin në tjetër botë!”
Shihet qartë se poeti në mërgim shkruan i frymëzuar nga një ndjenjë e thellë dëshpërimi; por a buron kjo dhimbje nga një shoqëri në krizë që pret të shërohet? “Një pasiguri e plotë/I ka mbuluar sytë e mi/Të lodhur…”

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: