Sunday, 25 January 2009

A e çliron demokracia popullin?

Daut Dauti

Recenzion:

Fjala demokraci, me siguri është fjala më e shkruar dhe më e folur në të gjitha gjuhët në kohën e sotme. E tërë kjo punë ka filluar me Sokratin, Platonin dhe Aristotelin, por ka më shumë se një shekull që kjo fjalë dominon në histori dhe në shkencat tjera shoqërore. Në të gjitha botimet mësojmë se demokracia është më se e nevojshme dhe se sot nuk qeveriset ndryshe, pasi që kjo është zgjidhja më mirë e formës së sundimit.

John Dunn, profesor i teorisë politike në Universitetin e Kembrixhit, mendon ndryshe. Ai, në librin e tij “Setting the People Free”, (Të Çlirosh Popullin), botuar më 2005 nga shtëpia botuese “Atlantic Books” në Londër, demokracisë i bënë një studim nga një këndë që rrallë kush do të kishte guxim ta bënte. Tregimi i profesorit Dunn për demokracinë është aq bindës sa që then edhe mendjen e atyre që mund të konsiderohen si pishtarë apo ithtarë të paluhatshëm të demokracisë. Kjo vepër është cilësuar si e veçantë, brilante dhe piedestale. Është fascinuese thellësia dhe gjerësia e studimit që autori i bënë kësaj teme duke e ndjekur atë që nga lindja e deri në ditët e sotme. Një studim i tillë ka bërë që kritikët ta cilësojnë autorin si një ndër mendjet më të dalluara dhe më origjinale të kohës moderne në fushën e shkencave politike.

Poenta e John Dunn-it është se demokracia edhe kur është lindur në Athinë, nuk ka qenë sistem i pëlqyer as nga populli e as nga filozofët. Demokracia duket të ketë qenë sistemi apo mënyra e sundimit më jo demokratike se sistemet tjera që njiheshin deri atëherë në botën antike.

Autori fillon shtjellimin e temës nga qëndrimet që kishte Sokrati për demokracinë. Sokrati në fakt ishte armiku më i madh i demokracisë. Babai i filozofisë hyri në histori edhe si martiri i parë i shprehjes së lirë. Ishte sistemi demokratik që e dënoi Sokratin me vdekje pasi që ky sistem nuk toleronte fjalën e lirë. As Platoni nuk njihet si mik i demokracisë. Në “Republikën” e tij, ai flet për demokracinë duke e kualifikuar si udhëzim apo recetë të përsosur për të krijuar kaos, pasiguri dhe joprosperitet ekonomik.

John Dunn shpreh mirënjohje për Aristotelin i cili duket të ketë dhënë bazën më të sigurt për krijimin e një shoqërie të shëndoshë dhe të përgatitur për të qeverisur. Teoria e Aristotelit për mirëqenie dhe zhvillim shoqëror qëndron në krijimin e bazës së nxjerrjes së ligjeve të pranuara dhe të zbatuara drejtësisht. Populli, sipas Aristotelit, duhet të jetë i lirë vetëm në pjesëmarrje të nxjerrjes së ligjeve dhe në zgjedhjen e një këshill i cili duhet t’i zbatoj ligjet sipas marrëveshjes. Është absolutisht e parëndësishme kush qeverisë apo kush i zbaton ligjet. Ai mund të jetë mbret, tiran … Gjithçka me popullin do të jetë në rregull nëse ligjet zbatohen si duhet pasi që në shoqëri krijohet siguri, drejtësi sociale dhe ekonomike. Vetëm kështu qytetari (populli) do të jetë i lirë për të vepruar dhe për tu kyçur në proceset politike që mund të hyjnë në sferën e interesit të tij.

Autori ka vendosur të marrë qëndrimin e Aristotelit si bazë të paluhatshme në drejtim të tregimit të historisë së demokracisë. “Tek e fundit” vlerëson autori “si mund të jetë demokracia e mirë kur nga 150 000 banorë që kishte Athina, vetëm 30 000 të kenë pasur të drejtë pjesëmarrjeje në procesin e vendimmarrjes”? Pjesa tjetër e popullsisë, që ishin skllevër, gra dhe jo shtetas, mbeteshin jashtë procesit të vendosjes për jetën e tyre. Një nga ata që nuk kishin të drejtë të pjesëmarrjes në këtë proces, ishte edhe Aristoteli i cili sipas normave demokratike nuk kualifikohej për qytetar të Athinës.

Një studim serioz për këtë temë, çfarë është studimi i profesorit Dunn, është i pamundshëm të sulmohet si i pabazë. Themeli i tij i fuqishëm qëndron në të studiuarit dhe në të krahasuarit e “Politikës” së Aristotelit, që mund të merret si vepra më e rëndësishme për këtë shkencë edhe në kohët e sotme. Përfundimi është se grekët duke mos qenë në gjendje të krijojnë monarki kanë adoptuar demokracinë si formë të sundimit që në fakt ka qenë një lloj kompromisi e jo dëshirë apo vullnet i patjetërsueshëm i shoqërisë së atëhershme. Ky kompromis është treguar i paaftë të themeloj shoqëri të qëndrueshme, të drejtë dhe të sigurt. Ç’është e vërteta problemi më i madh i demokracisë është mundësimi që i bëhet një shtrese të ulët të njerëzve të vijnë në pushtet. Këta njerëz nuk hezitojnë të përdorin të gjitha mjetet, përfshirë dhunë, gënjeshtrat dhe mashtrimet, për të ardhur në pushtet. Demokracia, argumenton bindshëm autori, i krijon mundësi Oklokracisë të vij në pushtet. (Përkthimi më i mirë në shqip i fjalës oklokraci është sundim i halabakëve dmth. shtresës më të ulët të popullit).

Greqia apo kultura helene pati një përparim të madh dhe u shpërnda në botë vetëm kur Aleksandri i Madh e suprimoi sistemin e demokracisë në Greqi dhe aplikoi sundimin e tij autokrat. Kjo krijoi një shoqëri prosperuese në Greqi dhe kultura helene mori dhenë. I tërë nami grek vdiq me Aleksandrin e Madh.

Koha e sundimit romak ishte jashtzakonisht më e rëndësishme për zhvillimin e idesë së shtetit. Në fakt, romakët vendosën bazat e sistemit të sotëm të shoqërisë dhe sidomos të drejtësisë. Asnjë faqe historie apo filozofie që është shkruar gjatë epokës romake nuk flet për demokracinë. Madje fjala demokraci nuk gjendet askund e shkruar në gjuhën romake. Gjatë periudhës romake, por edhe pas kësaj periudhe (gjatë mesjetës), t’i thuash ndonjë qeverisjeje se ishte demokratike, ishte fyerja më e madhe që mund të bëhej atij vendi. Megjithatë, kishte qytete dhe shtete që qeveriseshin me shumë elemente që sot njihen si demokratike.

Në mesjetë u lajmëruan filozofët që filluan të merreshin me shqyrtimin e kësaj teme. Arabët kishin përkthyer veprat antike greke dhe ishin të njohur me demokracinë, por nuk menduan aspak ta aplikonin në qeverisjen e tyre. Ideja duket të ketë kaluar te Spinoza dhe Hobsi. Nga veprat e tyre shohim se që të dy e urrenin këtë formë të qeverisjes. Madje, Hobsi duke e studiuar këtë çështje kishte ardhur në përfundim që sovraniteti vërtetë i takon popullit por populli pasi që nuk është në gjendje t’i ushtroj vet këto veprimtari, duhet të emëroj mbretin si sovran. Dhe, mbi këtë u ndërtua sistemi politik apo demokratik i Anglisë apo i Britanisë së Madhe siç u bë më vonë.

John Dunn ka studiuar thellë idetë e Hobsit dhe falënderon Noel Malcolm-in për veprën e tij “The Correspondence of Thomas Hobbes” ku gjenden idetë e themelimit të sistemit demokratik anglo-sakson. Është aq i gjatë vargu i filozofëve që kanë qenë kundër demokracisë sa që është e pamundur të numërohen këtu.

Atëherë, si u bë që sot demokracia të jetë forma më e kërkuar dhe më e preferuar e qeverisjes? John Dunn ofron një përgjigje të lehtë dhe të kuptueshme. Në mesjetë Evropa ishte zhytur në terr të plotë. Dëshira e madhe për të dalë nga terri ndikoi në marrje të qëndrimeve të nxituara. Kur Evropa filloi të ikte nga sistemi i rëndë mesjetar , filozofët nxituan të madhështonin Greqinë antike dhe filozofinë e saj. Dëshira e popullit të Evropës së asaj kohe ishte që të ikej nga sistemi i sundimit monarkik absolut duke menduar se kopjimi i idesë greke për demokraci është mënyra më e mirë e vendosjes për të qeverisur. Tek e fundit, nuk duhej të mendohej për të krijuar sistem të ri të sundimit kur ai ekzistonte. Në Renesancë, si gjithçka greke që u ringjall me nxitim, ashtu ndodhi edhe me demokracinë.

Elementi i dytë dhe vendimtar, sipas profesorit Dunn, e që nuk kishte të bëjë me ndonjë vlerë antike greke, ishte krijimi i Amerikës. Veçantia e jetës në Amerikë vetvetiu kishte krijuar nevojën e qeverisjes sipas masës se demokracisë që ishte provuar më herët në Greqi. Por, këtu nuk kemi të bëjmë me ndonjë kopjim. Jeta në Amerikë, të cilën e impononte edhe elementi gjeografik, ishte e tillë sa që i detyronte njerëzit të organizoheshin vetë dhe të krijonin pushtetin e tyre lokal që i përngjante shtet - qyteteve greke. Vendbanimet ishin aq larg njëra tjetrës sa që vendosja e pushteti qendror në etapa të mëvonshme ishte e vështirë por që u bë sipas shembullit lokal. Dhe, kjo mundësoi që SHBA-të, me kushtetutën e tyre të krijonin demokracinë moderne (përfaqësuese), por duke mos ikur nga shumë parime që më parë i kishin të njohura nga sunduesit anglez. Në kushtetutat dhe në traditat politike të këtyre dy vendeve kujdesi më i madh tregohet ndaj nxjerrjes dhe zbatimit të ligjeve, element të cilin Aristoteli e theksonte si të domosdoshëm për zhvillim të drejtë social dhe politik.

Më në fund, autori konkludon, tërthorazi, që rilindja e demokracisë sot ka pamje anglo-saksone. Kjo mund të jetë edhe e vërtetë pasi që sot dy shtete më demokratike konsiderohen të jenë SHBA-të dhe Britania e Madhe.

Rilindja demokratike, apo ardhja e dytë e demokracisë siç shprehet autori, ka ndodhur në këto dy vende, pastaj ideja është bartur në Francë dhe në vendet tjera evropiane. Duke analizuar shtrirjen konsekuente të demokracisë, që shpesh merret si kopjim i thjeshtë nga shembulli i mëparshëm, mund të parashtrohen shumë pyetje. P.sh. ndoshta shtetet që nuk kanë ngjashmëri me zhvillimin politik dhe me traditën anglo-saksone, janë të veçanta. Prandaj, duhet të kenë sistemet e tyre qeverisëse të veçanta. Por, kjo dukuri të shtynë të mendosh edhe më thellë duke u kthyer të kolosët e filozofisë antike greke. Nuk ka kurrëfar dyshimi që sot në Ballkan, përfshirë edhe Greqinë moderne, demokracia ka krijuar sundimin oklokratik, dmth në pushtet janë halabakët. Pastaj, pason pyetja e fundit: sa është populli i lirë nën këtë lloj sundimi?


Fjala e Lire - Free Speech

No comments: