Sunday, 25 January 2009

Faruk Myrtaj


Një poet që iku

Ia plotësuam dëshirën: E lamë vetëm!

Ilir Belliun nuk e njihja. Vetëm kisha dëgjuar për të. Të dëgjohesh në këto kohë, ka një mijë mënyra: mund të dalësh në kronikat e zeza, të hysh herët në politikë a parlament, ose të bëhesh publik pa pasur vlera publike.Vetëm një vlerë e vërtetë arrin të bëhet e njohur, pa shkelur në rrugë të tilla.Ilir Belliu arriti.
Jam ulur vetëm një herë me të: kam pirë një lëng pjeshke

prej tij. Më kujtohet mirë ajo ditë. Ngaqë më përballi me dy raca njerëzish:I pari ishte (dhe është) një deputet. E njihja prej kohësh. "Për ku kështu?" më pyeti deputeti. Kisha një radio në dorë. Shkoja për ta rregulluar, diku në Bulevardin që sot gëzon emrin "Zogu i Parë". Ia thashë deputetit këtë. "Pse, akoma rregullohen radio?!" ma ktheu ai, duke nënqeshur. Pra: flaken radiot kur vjetërohen, blihet radio tjetër, televizor tjetër, parti tjetër, qeveri tjetër, Atdhe tjetër...
"Epo, ç'të bëjmë...!" thashë. Për të e për veten. Ai, sigurisht që do të vazhdojë të jetë deputet. Jo imi. As i Ilir Belliut, por jo thjesht se ky nuk rron më...
Në kthim takova atë, Ilir Belliun. Thashë: nuk e njihja. Më njihte ai. Mbase të gjithë bëhemi të njohur, në mënyra të ndryshme. Kolegë të mi të "Zërit të Rinisë" i kishin botuar dikur diçka. Prej mirësisë së tyre më njihte edhe mua. Më ftoi për të pirë "diçka". Kafe s'kishte aty, tek lokali pranë Sindikatave të Pavarura. Pa lënë kohë, ai porositi dy lëngje
pjeshke."Jam mirë tani" tha ai. Mbase mendonte se e dija se ai nuk kishte qenë mirë më parë. Po ku i di njeriu ato që duhet të dijë? Kjo botë është bërë e ashpër, e ftohtë, pastaj pothuaj të gjithë ata që "merren me të shkruar"
janë të varfër. Madje, këtë gjë sikur po e pranojmë si diçka të patjetër, të ligjshme, normale, fare të udhës! Ashtu siç e pranojmë si aksiomë që politikanët apo pushtetarët duhet të jenë pa asnjë alternativë të kamur, dhe, njëherësh, të virgjër, transparentë, paçka se tërësisht të përfolur! Njera palë përflitet e varfër, si racë, dhe tjetra e pasur, si racizëm!
"Jam më mirë vërtet, tha Iliri. Po merrem me tregti të vogël!"
"Ti me tregti?!" ia bëra unë.
"Po, shes nga këto kinkalerirat e vogla për goca e vajza e gra!"
Aty pranë kishte nja dy çanta. Merrej me tregti, por s'kishte dyqan. E gjeje në Tiranë, por nuk kishte shtëpi këtu, kishte nisur të bënte emër me vjershat e tij, por s'kishte ende libër të botuar...! Në bisedë vura re se ishte një përpirës etjemadh i librave. Më solli ndërmend ca gjëra të miat, të viteve të minierës, që unë vetë i kisha harruar.
Pastaj foli diçka për veten. Më shumë për jetën e tij. Për dhimbjet e jetës së tij. Të asaj jete kur të dalin "tepër" shumë e më shumë njerëz që natyra t'i ka sjellë rreth-e-qark. Madje të dalin tepër, nuk e meritojnë vëmendjen, ndjenjën dhe mirënjohjen tënde prej njeriu. Ja që kjo është bërë jeta...
Njeriut i duhet të dalë në rrugë dhe të vetëlindet, të bëjë të
zëvendësueshme edhe nënën, të dalë në rrugë dhe të ndjejë rrallim dashurie, ta bëjë vetë edhe të dashurën, të dalë në rrugë dhe të ushqejë trupin duke bërë tregti dhe shpirtin duke shkruar vjersha!
S'mund të harroj që kur i pagoi dy lëngjet e pjeshkës, pati një vërtikje nervi. Ai Dhe unë. Ende nuk ishte bërë aq mirë (ekonomikisht) sa të mund ta fshihte ende varfërinë e tij; paguante në emër të krenarisë për ato që kishte shkruar, që ende s'i kishte bërë dot libër. Krijuesit le të jenë ca
krenarë, edhe pak mëndjelartër, le të shfaqen: ata rrojnë e sillen në emër të atyre gjërave që janë duke shkruar!
Prandaj dhe nuk u hyjnë në sy, as që duan t'ia dinë për varfërinë e tyre.
As edhe të kamurit e të tjerëve, nuk u ngjall zili: ata vijnë në këtë botë për të tjera gjëra...
Nuk e pashë më atë njeri...
Poet e shfaqën më vonë miqtë e tij. Ata që e kishin ndihur në gjalljen e varfër, ata që po e ndihmojnë në vdekjen e kamur me një tufë vjershash që do t'ia botojnë e lexojnë hera-herës...
Vetë Iliri, dhe ca poetë të tjerë të ngjashëm me të, (siç vë re Mark Marku) "i shkëputën brutalisht kontaktet me lexuesin standard e të njëtrajtësuar prej letërsisë shabllone të

letërsisë së realizmit socialist dhe prej ideologjisë së kohës".
Të ikësh nga të gjithë, për shkak të pamjaftueshmërisë së lirive të tyre, kjo ishte ikja e Ilir Belliut.
Ky ishte Ilir Belliu. Ky është.
Iku për të na lënë të mbetemi edhe ca kohë të pafuqishëm për t'iu gjendur njeriut.


Ilir Belliu


Më lini vetëm


Më lini vetëm!
Kam nevojë të qaj! Në shkëmbin e vetvetes
Shi...
shi që puth me epsh
buzët e Tokësores,
Shi...
shi që trishtëshëm kotet
si qen i qelqtë.
Më lini vetëm!
Për ju të festojmë,
Të këndojmë të varur
në trekëmbëshin e diellit!


E njeriut

Duke udhëtuar
për në ishullin e njeriut,
nuk e di pse u shemba
në këtë pus të hapur
Ku i vdekuri blu
i bie borisë.

Për në ishullin e njeriut
duke udhëtuar,
pata frikë
mos më vërente i vdekuri,
dhe u struka
në ekzistencë.

Duke udhëtuar
për në ishullin e njeriut
Për fat, pavetëdija,
Treni që ecte mbrapsht,
s'ka folur mbi mëzin,
që lexonte
abetaren e pafundësisë.

Për në ishullin e njeriut
duke udhëtuar,
sepse s'guxova të mbërrija...



Pëllumbi i përtejbotës



Erdhi pëllumbi i përtejtokës
më pruri letër përmallimi
nga e ndjera gjyshe.
Sa keq!

Pëllumbi fluturoi
në drejtim të ujvarës,
që emocionohet
nga lakuriqësia e vet.

Pëllumbi fluturoi,
unë kam për të humbur
aty ku s'më shkon mendja.



Viti i mbramë i jetës

Viti i mbramë i jetës,
strehë e kristaltë habie.
Je euforik më kot
dhe i shtangur
si një shkëmb.
Me dhëmbët e rënë
të pendimeve
përtyp nga pak vetvete...


Ç’mallje

Cicëritëse çmalljet
nën mjegullën e qenies.
Vyshken apo trillen
në një pranverë pa njerëz?!

I vdekur jetoja
në lindje e sipër
Tani një rrebesh dënesjesh
përmbyt.


I vdekuri që qesh



Era shoi siç duket
zjarrin e kokës sime të ftohtë
Dhe ja ku ju them
jam i vdekur që qesh.

Jam i vdekur që qesh
në banesën time të rrëmujshme
drita e mëkëmbur
jo rrallë harron shportën.

Jam i vdekur që qesh
pa shkak i balsamosur
në një peizazh të zhveshur...



Është ora



Është ora
kur dy doçka kuraje
qajnë sakate
në një ishull vetmie.

Është ora
Kur vizioni im
Lëngon i përkryer
Nga një magji e kafkës.

Është ora
Kur miqtë e mi blu
S'dihet ku më çojnë,
Me një barrelë klithme.



Vetëzbulim



Dihet, vetëzbulohesh
Kur s'harron të endesh
Pse frikesh?
Gjithkund lind
Një tradhti përshtypjesh.

Gjithkush kridhet
Në lodra mendsh...
Duro! Gëzo çlirët!

Princi i vockël i vetvetes
Bën epokë në një kodër...



Shtëpia pa zhurma


E neveritshme!
Endësi i brendshëm
Vesh vëmendjen....

Kurrë s'do t'i njohim
Prindërit e virgjër!
Shtëpia pa zhurma
S'ka forcë të jetë femër!



Mungesë




Pa shih!
Djaloshi virgjëror
Ndjell padjallëzisht
Vejushen e trishtë...



Miq të errët




Lyp ujë
Edhe britma e dorës...
të vuash është njëlloj
Si të vrasësh pavullnetshëm
Gjakpirësin yjor...
Armiku yt më i dhembshur
Si një flokë pa sy.

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: