Wednesday, 28 January 2009

Kostumi blu



Kostaq Duka

-Ky është kostumi që bleva për ditën e fejesës- tha im bir, duke parë në sy Lindën, që me sa dukej do të ishte edhe përzgjedhsja e parë…..
Nën dritën e zbehtë të abazhurit të vetëm të dhomës, bluja e kostumit u bë më e thellë, gati në
të zi.
-Oh, kostum shumë i bukur, dhe…kjo bluja më pëlqen.Besoj se të ri mirë – tha ime shoqe, duke e marrë në duar kostumin e duke e këqyrur nga të katër anët.
Unë nuk po flisja. Gati i ngurtësuar, zhytur në kolltuk sikur të isha pjesë e objekteve të tjerë statikë, të përgjumur të dhomës së ndenjes.
-Fol një fjalë- më shkundi supesh ime shoqe- është kostumi për fejesë.
-Ç’të them? I bukur…dhe i shtrënjtë, besoj…
-Mos pyet për lekë –tha im bir-njëherë fejohem.Të pëlqen?
-Po i mirë-thashë- dhe bluja e errët e kostumit u stërzmadhua e sikur më mbështolli të gjithin duke më marrë frymën.
-Po pse, pse blu….?
-Për fejesë- u hodh Linda- bluja është më në modë.Kostumin e zi do ta marrim për ditën e martesës.
-Mirë, mirë-mërmërita dhe u mblodha më shumë në kolltuk.-Si s’më pyeti djali- thashë me vete.-Do ta këshilloja të mos e merrte kostumin ngjyrë blu.

Bulëza djerse më mbuluan ballin.Tërhoqa pas vetes kuvertën si për të parandaluar ethet. Ja, tani isha larg, shumë larg prej këtej. Tutje ne qytetin tim.

Ja kaq i ri isha dhe unë atëhere.25 Vjeçar, i zhurrmshëm si im bir, me një entuziazëm shpesh të pashpjegueshëm dhe i trishtuar herë, herë pa asnjë shkak madhor. Atëhere me dukej, se suksesi ishte fati im i përhershëm.Suksese në shkollë, i admirueshëm nga shokët por edhe nga vajzat ndonse sjelljen e Don Zhuanit s’e bartnin dot supet e mija. E dashuroja fort profesionin tim të arkitektit. Me fantazinë e projektuesit, qytetin e lindjes e shihja veç ne restaurim e përtëritje moderne. Vila e bukur për pushuesit ne fundjavë te qytetarëve ngritur në faqe të malit, te cilën syri e kapte nga çdo pikë e qytetit sikur u thoshte të gjithëve: Ej qytetarë ju keni mes jush arkitektin më të mirë të “kohrave”.Ca zëra për mbishpenzime e “lluks” të panevojshëm, u ngritën si ca gjëmbaçë të egër, por mendimi i kulturuar qytetar i fashiti shpejt. Veçse propozimi, për të ngritur një teleferik që amatorët e malit ta përdornn për të shkuar në mënyrë komode e të shpejtë në vile, u quajt “fantazi e marrë”

Më miklonte idea për të shkuar ne Institutin e Projektimeve Urbanistike në kryeqytet. Këtë fjalë ma kishte thënë shkarazi një punonjëse kuadri, gjatë pushimeve të vogla në kafenenë e katit të nënposhtëm të godinës se Komitetit Ekzekutiv.

Por …asgjë s’do të ndodhte! Për të mijtën herë gjatë 30 viteve që kanë kaluar që atëhere i them vetes: “rastësia ngre perandori e përmbys perandori jo më një njeri të zakonshëm si unë.!”Mos, ndoshta fajin e pati karakteri im prej fantazisti fluturak?! Apo ai, ai kostumi blu, sikur të ishte qepur për herë të parë e të ishte i vetmi në botë , nxjerrë nga dora e një mjeshtri?! Kostumi blu!
Tërë jetën s’kisha vënë në trup ndonjëherë një kostum prej vërteti. Ndaj kur e mora atë ditë nga rrobaqepsia speciale për burra, në qëndër të qytetit, ku punonte mjeshter Ilia, sikur të mbaja në duar ndonjë mrekulli.Pas dy ditësh do të shpallnim fejesën.
E kam të gjallë në kujtesë, si dicka tepër të vecantë, atë pasdite.Bulevardi ishte i qetë, në pritje për të mbajtur mbi supe kalimtarët e zakonshëm në ecejaket papushim të mbrëmjes.S’më rrihej në shtëpi.U thashë prindërve se do t’i prisja diku përpara shtëpisë së Dritës, kur ata të vinin me të afërm të tjerë për ceremoninë e fejesës….

E ndava mendjen që të kthehesha dy minuta nga zyra. Dhimoja, shoku im i zyrës, më kishte thënë se atë pasdite do të punonte. Në xhep të kostumit mbaja të palosur kravatën e blerë posaçërisht. Shpresoja të ma lidhte Dhimoja.Vetë s’ia kisha idenë.Dhe vërtet. Ai ishte në zyrë.

-Qënke bërë dhëndër kauri, prej vërteti –më tha.-E ka qarë Ilka kostumin. Dhe kjo bluja e thellë më pëlqen.

I thashë për kravatën.Ai qeshi. –Edhe unë ditën e fejesës mësova si lidhet kravata-tha-ja po ta lidh edhe ty me ngadalë.Mësoji me kujdes veprimet që kryen që të mos i harrosh për tërë jetën. Unë u ndera i tëri. Tërë sy e veshë për të vëzhguar e fiksuar këtë lidhje të çuditëshme, sikur të ishte nyja e botës dhe jo një kokës dekorative sa një arrë.
-E mësove? – më tha Dhimoja.
-Po si të them…-thashë i hutuar. Kur, ai e prishi në çast lidhjen e më urdhëroi:”Vepro ti tani”

Isha i ngadaltë por i saktë në veprime. Të lumtë- më tha Dhimoja-s’doli e bukur por rëndësi ka radha e punës.Ej, ngulite në kokë.Kravata është pjesë e karierës. Nesër s’do të jesh këtu. Ndoshta në Instituti i Projektimeve në kryeqytet, a ndoshta ambasador e ku di unë.Me kravatë dukesh tjetër…..
Shumë qetë duket- i thashë Dhimos-s’ka të tjerë nëpër zyra?
-Sot?! Janë mbledhur të gjithë tek zyra e madhe-tha Dhimoja e bëri me kokë nga qoshja në të djathtë.-Kanë mbledhjen e partisë.

Pashë orën.Vetëm dhjetë minuta më ndanin nga koha e përcaktuar.
-Unë po ik- i thashë Dhimos. Kur ndërkohë dera e zyrës në qoshe u hap e prej andej doli arshivistja.
-Po ti-më tha.- ua me tërë këtë kostum. Të shkon për mrekulli. Blunë e kam dashur.Sidomos blunë e thellë. Por për ku kështu?
Në dy minuta i shpjegova që kisha ceremoninë e fejesës. Ajo më pyeti shpejt e shpejt.Kur përmenda emrat e prindërve të Dritës u mjegullua në fytyrë e sytë i morën një trajtë serioziteti.
-Mirë, mirë, me trashëgime.Mua s’më durohet pa ua dhënë haberin dhe të tjerëve- tha, dhe u kthye në zyrën e madhe, pa lënë shenjë pse doli pak më parë.

-Po kjo- tha Dhimoja- s’priste dot për nesër të jepte lajmin e fejesës?!
Une s’po mblidhja dot veten. E pse duhej “të shpallej” në një mbledhje kjo fejesë kur ende s’ishte bërë ceremonia?!...

Prisja të hapej dera e dhomës së qoshes nga çasti në çast e të dilnin të “mbledhurit”, si për pushim e për të më thënë:”urime”. Por çasti u zvarrit.
-Unë po iki-thashë , kësaj here i nervozuar.
-Akoma po ri?-miratoi Dhimoja.

Por, jo…S’duhej të ikja. Nga Zyra e Madhe doli Paskali më i madhi i partisë në K.E por edhe shef i zyrës së projektimeve, nga varesha unë.
-Po hajde këtu more djalë- tha ngadalë, i vrerosur , si para një gjëme a vendimi të bujshëm, të vështirë.
-Po ky –bluajta në çast në kokë- ku do të dalë ?!
-E bëre tak –fak.Jo sikur s’jemi në një punë…Vërtet fejesa është personale por dhe mendimet rrihen përpara, se helbete njëherë martohet njeriu.A e njeh këtë vajzë ti?

Mbeta. –Sigurisht-thashë, dhe përmenda emrin e babait të saj, një nga inxhinierët më të mirë, me emër në qytet i shquar për novacione, i cili kishte vdekur para dhjetë vitesh, krejt papritur.
-Po të pyes, e njeh mirë atë vajzë me rrënjë e me degë? Ke shkarrë në dërrasë të kalbur. E diskutuam dhe në mbledhje. Historia e asaj familjeje ka pikëpyetje serioze.Më dhimbsesh. Të konsiderojmë arkitektin më të talentuar e më të ardhme të qytetit po me këtë hap të pastudiuar të gjitha i çon në hiç.Mos u nxito. Të flas si babai të birit.Edhe tani ke kohë.Shko e u thuaj atyre njerëzve të vajzës të presin dhe ca ditë për ceremoninë. Të kthjellohet çështja e pastaj vendos.

Kostumi blu po më dukej shumë i ngushtë e sikur po më merrte frymën. Edhe kravata që ma lidhi Dhimoja sikur po ma lidhte egërsisht fytin.

-Je i mençur vetë.Mos kujto se këto janë thjesht mendimet e mija.Mora më të madhin e rrethit që ti e di që të simpatizon.Ai u tregua i prerë.Më tha: “I thuaj atij djali o me ne o me ata të “varrosurit”.
Zbrita shkallët në gjendje të marri.Koka më ziente.Ç’të jenë këto rrënjë e degë? U kujtova se në një nga shëtitjet në anë të qytetit, Drita më tha tërë ndrojtje se diçka kishte ndodhur dikur me gjyshin e saj, por unë i thashë : Mjaft! Po martohem me ty…..

Po tani? Këmbët më çuan para derës së madhe të drunjtë të shtëpisë së saj. Ajo ishte e hapur si për të pritur njerëz. Në gjendje sonambuli, me hijen e vdekjes në fytyrë, po ngjitja shkallët. Drita zbriti shpejt.
-Po ti ç’ke kështu?! Je shumë i zbehtë- më tha.
-Fejesën-i thashë si automat- nuk do ta bëjmë sot.Do ta shtyjmë…Duhet te kthjellohen disa gjëra.
-Çfarë?! Po ne po presim.
-Më detyruan të tjerët. Vetë i madhi i rrethit e dha këtë porosi.Ngjitu lart e u thuaj të tjerëve.Unë po iki t’u them të mijve të kthehen…..

Bulevardi po mbushej me njerëz. Mbrëmjet e verës me aromën e blireve janë kënaqësia e të gjithë banorëve te këtij qyteti. Tani kostumi blu në trup dhe kravata pikaloshe me ngjyra më ngjanin absurde. Përse, përse u ktheva nga zyra?! Kostumi s’kishte gojë e as kravata. Kush ma shtiu në kokë këtë ide të çmëndur?! Na tani të vendosin për fatin tim zyrat.

Ndërkohë përfytyroja kur Drita me lot në sy do të thoshte lajmin e kobshëm për anullimin e fejesës. Dikush do të mblidhte ballin.Dikush do të bërtiste : “ Në djall të vejë ky sojsëz! Dhe ti nga e psonise këtë mostër që pret urdhëra nga qeveria për t’u fejuar !

Zieja kështu nga mendimet kur tek kthesa e rrugës u përplasa me grupin e të mijve. Ua shpjegova shkurt.
-Ç’na e bëre këtë proçkë –tha më i madhi i dajollarëve-ne kujtuam se i kishe parë gjërat mbarë e prapë.
Babai nuk foli.Shikimin e butë e të dhëmbshur e nderi tek unë. “E po mirë, s’u bë sot do të bëhet pas dy tre ditësh. Me siguri ka ndonjë gabim.Mos u mërzit” Butësia e tij kësaj here nuk më qetësoi por më nervozoi.

Çast pas çasti po kuptoja se e gjitha kjo ishte makabre. Të gjithë ne papritur kishim hyrë në lojën e një teatri absurd.

M’u kujtua si filloi kjo lidhje….As që më kishte shkuar shkuar mendja për martesë. Kohën e kisha të zënë më punë, ide, ëndrra e shoqëri. Aty, këtu shpallja se duhej shijuar rinia duke i bërë fatkeqë ata që martoheshin të rinj. Veçanërisht e kisha si postulat ; “Më mirë një e verbër dhe e çalë por që të ketë ditur të më bëjë magjinë e dashurisë.” Të gjitha u tretën. Me pak këmbëngulje, Astriti, shoku im më i afërt i viteve të gjimnazit ma mbushi mendjen.

-Hesht kur të flas-tha.I di postulatat e tua. Vetëm kaq po të them: Të kujtohet” pikëllimi” ?
Mbeta i habitur. “Pikëllimi” ?! Ky ishte pseudonimi që unë i kisha vënë vajzës në ballkonin e katit të tretë në Qytetin e Studentëve. Tërë kohës ajo qëndronte e veshur me të zeza, në nderim të kujtimit të babait të saj që nuk kishte shumë kohë që kishte vdekur.Pikëllimi më tepër se në fustani i gjatë që e tregonte edhe më të hollë në trup i lexohej në sytë e mëdhenj, të zinj dhe tek fytyra e zbehtë. Sa herë kalonim me Astritin andej, për “ gjueti “ vajzash i thosha: “Ëndërr e kam vetëm të flas njëherë me “Pikëllimin “. Por…nuk munda. Ajo, kryeneçe i shmangej shikimit tim e me sa dukej edhe të gjithë djemve të tjerë.

Tek meditoja, Astriti nxitoi të thoshte : “ T’u kujtua ?! E ndjej që t’u kujtua dhe do të pranosh.
-E pra ti mund të fejohesh me “ Pikëllimin “. Po të duash që nesër mund të takohesh me të.

U përskuqa në fytyrë.Mu duk vetja si një fëmijë i hutuar në udhëkryq që s’di ku të të hedhë hapat.Si qënka kështu?! Ëndrrat e të dashuruarve ngjajnë kotësi para prakticitetit prozaik të mblesëtarëve….
-Nesër, jo sot, do të jap përgjigje- i thashë.
Por këto fjalë kundërshtuese ishin si për të treguar “burrëri” se Astriti që më njihte mirë e ndjente që tej po-në time. Ai të nesërmen në pritje të përgjigjes më foli me hollësi për njerëzit e shtëpisë së vajzës.Të gjithë intelektualë e me kulturë.Motra e tij, ekonomiste e cila punonte në një ndërmarrje me nënën e Dritës, ishte mbleska e parë.

Kaq u desh.”Pikëllimi” u bë brenda disa ditësh e dëshiruara ime e jetës. Më ngjante se me të fati më kishte bashkuar, që nga ato ditë kur sytë më mbeteshin në dritaren e katit të trete të godinës së vajzave ne Qytetin e Studentit.

Kaluan dy ditë. Padurimi për të marrë “lejekalimin” e fejesës nga zyrat e të mëdhenjve më nervozonte e më kishte shokuar të gjithin.Nuk po shkoja në punë.Sajova një raport mjekësor. S’guxoja te ecja rrugëve. Më dukej sikur të tërë më tregonin me gisht : Është ai….ai që ka lënë pezull një fejesë….Rivrasësi i një vajze të vrarë me dhjetra herë më parë…Ai, ai i kostumit blu…kostum që e veshi vetëm njëherë. Ai që ëndërronte t’i jepte fytyrë moderne qytetit të mplakur, i pazoti për vetveten….

Ditën e tretë, paradite, nën një diell të nxehtë mora rrugën pa asnjë objektiv të përcaktuar.por…këmbët më çuan për nga shtëpia e saj.

Dera e madhe e drunjtë ishte gjysmë e hapur. Befas ideja për t’u ngjitur lart u bë sunduese. Të ngjitesha?! Po si do të më pyesnin? Ç’tu thosha?! Ata të “Zyrës së madhe” më kishin urdhëruar prerë, të mos hidhja as një hap personal pa fjalën e tyre. Por, pse të mos ngjitesha?! Mbase do të mundja të kthjelloja vetë çështjen para se të mëdhenjtë të pëlcisnin bombën…..

Vizita ime sikur parandjehej. Por si Drita, dhe nëna e saj gati pëshpërisnin dhe çdo veprim e kryenin ne heshtje të nderë, tronditëse. Një”mirësjellje” e dhimbsur dhe e detyruar. Guxova e pyeta për ndonjë hollësi. Mësova se babai i Dritës edhe pse mjeshtër i madh në fushën inxhinierike vonë i ishte njohur e drejta e inxhinierit. Ku nuk kishte bredhur. Pas burgimit të të jatit, ish tregëtar, patriot , që s’u pajtua asnjëhere me shtetëzimet, plasej andej, këtej. Por falë kulturës, zgjuarësisë dhe karakterit të fortë krijoi shoqëri të gjërë. Respekti për të ishte aq dominues sa në varrimin e tij gati u shkul tërë qyteti. Mërmërima, që nuk mungoi edhe mes pjestarëve te varrimit se i jati tregtar i madh, i kish vdekur ne burg si i burgosur politik lindi dhe u përhap pa zhurmë në ecje e sipër.

Duke parë fotografitë e tij mes shokëve e familjarëve më dukej sikur sytë e tij gjithnjë të qeshur e plot jetë më qortonin ashpër…

Po më përzihej…E ndjeva se po ftohesha në tërë qënien time. U ngrita papritur e thashë: Mirupafshim ! Do t’u lajmëroj shpejt për diten e fejesës…Jo! Jo! Fajtor për të gjitha jam unë. Unë euforia ime. Entuziazmi im shterp, kostumi blu,kravata pikaloshe qe nuk dija ta lidhja.E përse duhet të shkoja para ceremonisë së fejesës nga zyra e punës? Thjesht për të ekspozuar kostumin e për të lidhur kravatën. Sikur në qytet kishte vetëm një person që dinte te lidhte kravatën. Po të mos kisha shkuar asgjë nuk do të ndodhte.Po tani, nga kush pres lejën? Cila do të jetë ajo mendje që do ta japë ose do guxojë të japë një vendim te drejtë njerëzor ?!

Të nesërmen i paduruar shkova nga Zyrat e të Mëdhenjve. Një i njohur që punonte me kuadrin në intimtet më tha se po shqyrtoheshin dokumentat që kishin mbritur nga Gjykata . Ai ndërmjetësoi që të hyja në zyrën e të madhit të kuadrit.

-O, erdhe vetë. Por edhe ne po mendonim të të njoftonim.Na kanë mbritur nga gjykata të dhëna të plota.
Nuk mësova më shumë nga ç’kisha mësuar një ditë më parë nga vizita në shtëpinë e Dritës.Pas informacionit të të madhit te kuadrit, nuk reagova.Por brenda vetes thashë : Duro tani interpretimet!

Zyrtari i madh ngriti supet duke m’i ngulur sytë.”Ç’të të themi ne ?! Këto karta janë dëshmi e gjallë e një të vërtete që që s’ka si të zhduket. E zeza në të bardhë. E këtyre kartave s’u shpëton kurrë. Ato do të ndjekin tërë jetën. Ne të respektojmë. Ti je njeriu ynë…Por pas kësaj….pas kësaj për ty s’do të jetë e lehtë….Sidoqoftë deri këtu mbaron detyra jonë. Je ti ai që do vendosësh.

M’u duk sikur shandani i madh i kristaltë i tavanit ishte gati të më binte mbi kokë. Dhoma po më dukej më e ngushtë e muret sikur dridheshin e formonin harqe. Fytyra e zyrtarit të madh pas kësaj u bë e përvuajtur sikur po shikonte para vetes një të pafat me kancer a kolerë.

Duke marrë rrugën e kthimit për në shtëpi fjalët “kartat do t’u shoqërojnë tërë jetën “, “je ti ai që vendos “ më godisnin fort në tëmtha me ritmin e gjakut.Çmënduri e marrëzi. Përse u dha ultimatum për ndërprerjen e ceremonisë së fejesës?! Përse duhej të prisja me ankth torturues përgjigje nga arkivat e zeza ?! Që të merrja këshillën, “ je ti ai që vendos ?! “ Dhe ne heshtje konspirative “ Je ti…por se ç’do të ndodhë janë të tjerët , jemi ne që vendosim…”

Po thashë, pasi eca deri në fund të bulevardit në një meditim të paprerë, unë isha ai që duhej të vendosja, unë jam ai që duhet të vendos. Ndoshta më mirë që ndodhi kështu. Këto tre ditë i shërbyen jo aq “zbulimit të së vërtetës” por më shumë të kuptuarit e vetes sime, të qënies njeri. Tani së paku do të jem i lirë. I lirë në vendosjen e fatit tim në jetë edhe pse i “qartë” për pasojat…..
xxx
Ceremonia e fejesës u bë pa bujë. Gjurmët e prishjes së saj ditë më parë i dhanë asaj zyrtarizëm edhe pse dikush mundohej të sajonte momente gazmore. Aty, këtu më uronin veç fejesës edhe për kostumin blu…..
Xxx
-Ba, eja më lidh kravatën. Ku e ke mendjen?! Më drejtohet përsëri im bir me një kravatë në dorë, blu përzjerë me ngjyrën e kuqe.-ma lidh bukur si për ceremoninë e fejesës.
Po, do të ta lidh, por dhe ti më ndiq me vëmendje për të mësuar. Pas kësaj përsërita fjalët që më kishte thënë Dhimoja 30 vite më parë në atë pasdite absurde: “Po ta lidh ngadalë.Mbaj mend veprimet që bëj….Po e mësove tani në ditën e fejesës lidhjen e kravatës, s’do ta harrosh tërë jetën.”

Kostaq Duka

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: