Sunday, 25 January 2009

Këpucët

Tregim
Kostaq Duka


Dy Gaqo kishte pallati ynë tre katesh në periferi të qytetit, aty ku fillonte unaza ,Gaqo Madhi dhe unë Gaqo Vogli.Hyrjet tona ishin përkarshi njëra tjetrës, me dyer kompesatoje, njëlloj të lyera, njëlloj të ciflosura aty, këtu.Kush është nofkëngjitësi i pare, as unë i vogli e as tjetri i madhi nuk disponojmë të dhëna, por që të dy kur filluan komshijtë të përdornin rëndom në rrugë, në ngjitje shkallësh, ndonjëherë nga dritaret e kateve kur dikush na kërkonte, nofkat Vogli e Madhi, ne s’bëmë zë por e pranuam këtë si diçka që s’mund të shmagej . Aq më tepër kjo ishte në përputhje me kodet e pashkruara të këtij qyteti që nofkat i ka pjesë të jetës.
Ç’është e drejta këto nofka ngjitnin.Gaqoja, fqinji im vinte kockëmadh, me një kokë kubike, vetulla të trasha, si driza të zeza, hundë e veshë gjithë lesh.Edhe zërin e kishte të plotë, tërë kohën volum hapur. Unë imcak, peshëpuple, me një zë rë butë sa bashkëbiseduesit nderreshin të tërë më sy e veshë pë të ndjekur ç’thosha, e kur s’mundnin më pyesnin: çfarë the ?
Por ç’ka na dallonte më shumë nga të gjitha ishin këpucët. Ardhësit e rinj në pallat që këtu orientoheshin së pari. Sa shikonin këpucët me numër të madh tek dera, të plota si govatë e kuptonin se hyrja do të ishte e Gaqo Madhit. Këpucët e mija ngjanin si ato varkat prej letre të fëmijve. Pse ta fsheh, tërë jetën në reparti i të rinjve adoleshentë kam blerë këpucë. Por Gaqo Madhi kishte edhe një plus më shumë se unë.Punonte në degën e furnizimit të ndërmarrjes tregtare të qytetit ndaj kishte mujndësi të zgjidhte këpucë të mira lëkure , të ngrohta e të shëndosha siç i donte dimri i egër i qytetit tonë malor. Unë, ç’të gjeja.Eh, nuk mbaj mend të kem pasur njëhërë këmbën të ngrohtë. Le po s’duroja drejt e në lëkurë çorape prej leshi.Ndjesë pastë ime gjyshe më thosh: Dëgjo bir kujdes këmbët e të ndënjurat, po qe se këto i ke në të ngrohtë, mos e çaj kokën, je i siguruar, ndryshe i plevitosur do jesh. Dhe vërtet sa vinte vjeshta e zinte frynte nga pak era e Moravës unë blija shami te reja për të fshirë hundët.
Por, e solli dita që edhe unë të ndjeja ca kohë lezetin e ngrohtësisë së këpucës.Ç’ndodhi? Gaqo Madhi fiton të drejtën për të shkuar në Amerikë, meqë babai i vet emigruar prej kohësh ishte shtetas amerikan. U gëzua sa s’ka ! Ne u uruam, por ndjemë dhe një si boshllëk.Tani s’do të kishte më Gaqo Madhi. Për herë të parë nofka Vogli, m’u duk e kotë. Do të isha i vetmi Gaqo.Nga kush duhej të dallohesha?! Gaqoja i bëri shpejt e shpejt veprimet. Pallatin e shiti me gjithë mobilje. Por si komshij që ishim na afroi të merrnim plot sende e veshje.Por ti je i madh more Gaqo i thashë, në kostumet,këmishët e tua unë futem dy herë me gjithë rroba. Po s’të pëlqyen shiti, më tha. Gjëja e falur, tha gruaja nuk shahet.E unë heshta.Por brenda dy ditësh gruaja ua gjeti myshterinjtë këmishëve e kostumeve të Gaqos.Veçse bëra çudi. Kutitë e këpucëve dhe çizmeve prej lekure të Gaqo Madhit i kishte vendosur në radhë si për përdorim të përditshëm.
-Por për këto s’gjete myshterinj ? – I thashë.
-Unë të shes këto këpucë?! Po ato janë të reja fare , apo s’janë të ngrohta!
U shastisa krejt. Po, ti, ti nuk e di numërin e këmbës sime? Apo do të tallesh?!- I thashë, paksa i turpëruar për veten.
-E di si s’e di.Por tani është dimër. Ke parë jashtë? Dëbora ka shkuar gjysmë metra.Budalla,kush shikon nga këmbët sot.? Provoji, provoji…por prit po të sjell një palë çorape pambuku që ti vesh në fillim, mbi to një palë çorape leshi e pastaj gjurmashkat.Ke për të parë si do të mbushet këpuca e sa rehat do të rrijë këmba.
Ndjesia e të ngrohtit aq të ëndërruar më bëri të bija pre e gjykimit të gruas. Dhe ç’është e verteta pas veshjes treshtresore, çorape pambuku, të leshta e mbi to gjurmashka u zmadhua këmba ime prej adoleshenti. Për pak çaste këmbët e futura në këpucët me qafë prej lëkure të Gaqo Madhit filluan të “zjejnë “ nga të ngrohtit sikur të ishin futur në një kazan me ujë të valuar.
-Ë…si e ndjen veten- më tha ime shoqe- ke për ta uruar Gaqon.
-Si të them, jo keq…Po mirë eshtë që me këto këpucë të përdor pantallonat e gjëra që duke i mbuluar t’i tregojnë më të vogla.
-Dakord…por mos e vri mendjen. Se kush më tha, s’e mbaj mend, që në Amerikë kështu i mbajnë këpucët, të gjera e të mëdha sa i tërheqin zvarrë.
-Broçkulla, kë dëgjon ti ? Megjithatë nesër po shkoj në shkollë me këto. Duket që s’duan t’ja dinë nga dëbora. Çudi dhe në varfëri, këta të tregtisë si puna e Gaqos gjenin mall të mirë.
Të nesërmen u nisa për në shkollën ku jepja mësim, në skaj të qytetit, gati gjysëm ore larg më këmbë. Jashtë, para hyrjes së pallatit dëbora ishte e virgjër. Shkela, pa ndrojtjen e dikurshme se mund të më lagej këmba. Këpucët e Gaqo Madhit lanë dy gjurmë aq të mëdha sa më shtinë frikën. I mbërtheva sytë për pak kohë sikur të shihja çudinë më të madhe. Bëja çbëja dhe ktheja kokën për t’i parë ne ecje e sipër. Pastaj…në rrugë të madhe teksa gjurmët përziheshin me të tjera të mëdha e të vogla, të gjata të holla, të gjëra,burrash, grash,vajzash, fëmijësh ndjeva brenda vetes më shumë siguri dhe sikur këto këpucë ishin pjesa e natyrëshme e qënies sime.
Në sallën e mësuesve askush s’u shtiu sytë këpucëve.Mbledhur, kokë më kokë rreth porit diskutohej për drutë e zjarrit, se si do kalohej ky dimër e thashetheme të tjera të jetës së përditëshme. U përpoqa të ndërtoja orë interesante mësimi. Për habinë time, fakti që këmbët ishin në të ngrohtë, ndihesha në formë të mirë fizike por edhe shpirtërore. Fjala më rridhte rrjedhshëm e humori për një atmosferë sa më të ngrohtë vinte natyrshëm..Eh gjyshe, gjyshe, sentence filozofike ishte mendimi yt “ Po i pate ngrohta këmbët e të ndenjurat i ke të gjitha”
Tërë javën s’rreshti së rëni dëborë. Tërë javën dhe unë s’i ndava nga këmbët këpucët e Gaqo Madhit. Por, sic ndodh zakonisht, në javën në vazhdim moti ndryshoi krejt. U ngroh si të ishte pranverë. Nuk mbaheshin më në këmbë këpucët e Gaqos.
-Unë them mos i hiq-Shyqyr s’po teshtin më-më tha ime shoqe. Por unë e kundërshtova. –S’mund – thashë ti tërheq zvarrë. Më rëndojnë sikur të jenë jo këpucë njeriu por prej ariu. E mu kujtua Gaqo Madhi dhe e qeshura e tij buçimë. I’u ktheva këpuckave të mia. Pendë fare.Dola me to bulevardit që kishte plot njerëz, siç mbushet kur dimri degdiset majave të Moravës për ca kohë si për të marrë frymë për zabtime te reja.

Edhe të nesërmen, nën diellin e mëngjesit , ecja levend sikur të fluturoja. S’ndjeja se kisha në këmbë këpucë, por sikur të ecja zbathur mbi kalldrëmin e gurtë.Orën e parë kisha filozofi në një klasë mature, nxënësit e së cilës ishin shumë të përgatitur dhe kurajozë, çka më jepte kënaqësi Në bangën e parë, pikërisht përballë vendit ku unë shpjegoja ishin dy binjake, që unë iu ngatërroja shpesh emrat. Ishin shumë të edukuara dhe shumë skrupuloze në përgatitje.Atë ditë do të shpjegoja teorinë filozofike ekzistencialiste te Sartrit.Dola aty përballë bangos së parë dhe fillova të flas plot gjallëri e pasion.Dy binjaket që zakonisht përqëndrojnë shikimin tek unë, pa pipëtirë, çoç shikonin diku poshtë në dysheme e çuçurisnin me njëra tjetrën. U bezdisa. Pastaj vura re, se shikimi i tyre ishte zhbirues ndaj meje. Ktheva kurrizin, si per të teshtirë dhe i hodha një sy veshjes, sidomos pantallonave, ku harresa e burrave në kopsitje është proverbiale.Por jo çdo gjë perfekt….
Pa e bërë veten vazhdova shpjegimin. Pra Sartri na thotë me të vënë në trup uniformën e kamarierit personi shfaqet para klientëve e të tjerëve sikur të ketë lindur kamarier…..
Vazhdoja te flisja me pasion dhe në tërësi klasa në bllok ndiqte shpjegimin por…binjaket përsëri e përsëri shihnin nga unë e mundoheshin të mbytnin të qeshurën. Kësaj here nuk durova dot më
-Diçka nuk shkon me ju të dyja….Si është puna , le ta mësojmë edhe ne…
-Po ja profesor mori guximin kordelekuqja ( tjetra për t’u dalluar i lidhte flokët me kordele të kaltër) kjo po më thotë që po të verë në këmbë lepuri këpucët e mëdha të ariut, do ta ndjejë veten të madh e te fortë si ariu?! Shumica s’po e merrte vesh domethënien e këtyre fjalëve të kordelekuqes.Ndersa ajo fliste, kordelekaltra fare sheshit shikonte këpucët e mija të vogla, si për të thënë: A na kuptove profesor?!
A i kuptova ?! Më shkoqur s’kishte ku vinte. Pas dy ditësh nga Morava zbriti një dëborë me tërsëllëmë të madhe, e paduruar për të mbuluar çatitë e rrugët e qytetit. Gruaja që në mbrëmje kishte bërë gati këpucët e lëkurta me qafë të Gaqo Madhit. Në mëngjes u hodha një shikim në mëdyshje. As keqardhje as mëri, diçka e përzier. Vura këpucët e zakonshme që edhe pse të thata më shtinë drithmën e lagështisë së ftohtë nga kontakti më i parë me dëborën. Para se të ikja mora tre shami hundësh t’i kisha rezervë.

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: