Sunday, 11 January 2009

Nga Andon Frashëri te Bedri Dedja


Astrit Bishqemi


- Shënime për romanin "I fundmi i Kastriotëve", 1944-2002 -


1.
Emri i Andon Frashërit deri para pak kohësh ishte fare i panjohur për ne. Për të në Leksikonin e Hasan Hasanit thuhen vetëm këto fjalë:
" FRASHËRI, Andon. Njihet si shkrimtar që aktivitetin e vet letrar e zhvilloi para Luftës së dytë Botërore. Shkroi dhe botoi një roman historik. Vepra letrare: "I fundmi i Kastriotëve" 1944 – Tiranë".
Për jetën e veprën e këtij autori në ndihmë na vjen Robert Ballauri, nipi i Andonit, me një parathënie të titulluar "Kush ishte Andon Frashëri", me të cilën hapet libri "Andon Frashëri, Bedri Dedja I fundmi i Kastriotëve roman, "Fan Noli", Tiranë 2002".
Në të mësojmë se Andon Spiro Frashëri u lind në Korçë më 1892 në një familje të shpërngulur nga Frashëri i Përmetit. Arsimin fillor e mori në Mësonjëtoren e Parë me mësues Petro Nini Luarasin dhe Nuçi Naçin. Gjimnazin e filloi në Korçë dhe më vonë ndoqi një shkollë frënge në Selanik të Greqisë. Në vitin 1910 emigroi në Sh.B.A., ku plotësoi mësimet në Natic High School dhe dy vjet letërsi në Universitetin e Harvardit (1913-14). Më tej, për 14 vjet rresht, punoi si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor i gazetës "DIELLI" të Bostonit. Më 1924 u kthye në Shqipëri me shumë vatranë të tjerë dhe mori pjesë në ngjarjet e Qershorit të atij viti. Në qeverinë e Fan Nolit u caktua shef i kabinetit dhe sekretar privat i kryeministrit. Me kthimin e Zogut, emigroi jashtë atdheut. U rikthye më 1926-n dhe për njëzet vjet punoi si mësues i gjuhës e i letërsisë shqipe dhe për gjuhë të huaja në Korçë e në Tiranë, arsimtar dhe drejtor shkolle. Si shok e mik i Fan Nolit, më 1945 pati kurajo t`i shkruante atij se do të rrezikonte jetën nga regjimi komunist po të vinte në Shqipëri... Në vitin 1946 pushohet nga puna. Arrestohen së bashku me të shoqen dhe dënohen si armiq: ai me pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie, kurse e shoqja me dy vjet. Bën dhjetë vjet burg dhe del më 1956. Vdiq më 18 dhjetor 1965 aksidentalisht.
Në nënfletën e gazetës "Dielli" u botuan përkthimet e tij "Kapedani i jeniçerëve ose Skënderbeu" i James M. Ludlov (si libër më vete këtë e botoi në Shqipëri më 1934), "Pavli dhe Virgjinia" i Bernardin de Daint-Pierre dhe pjesë të tjera. Në atdhe botoi në shtypin e kohës shkrime të ndryshme. Në vitin 1936 botoi romanin "Patrioti" dhe më 1943 "I funtmi i Kastriotëve". Nga ky përkthyes kemi në shqip edhe librin e mrekullueshëm për lexuesit fëmijë "Francis Molnar, Çunat e Rrugës Pal, Tiranë 1944"
Krijimtaria e Andon Frashërit pasi doli nga burgu, si drama me titull "Fatosat për liri" kushtuar Themistokli Gërmenjit dhe përkthimet, si "Jehona e shenjtë" e Bernard Shout apo romani "Te pragu i shpërthimit të rrufesë" i Peter Abrahamsit, mbetën në dorëshkrim.

2.
Librin "I funtmi i Kastriotëve" botuar në Tiranë, pa vit botimi , Frashëri ia kushton "Fan S. Nolit, kalorësit të letërsisë shqiptare, si shenjë mirënjohjeje, dishepulli i tij".
Gjykojmë që kjo vepër nuk është shkruar posaçërisht për lexuesit e moshave të njoma. Romani për fabul ka jetën dhe veprën e Gjon Kastriotit, djalit të Skënderbeut.
Subjekti i saj kompozohet në dhjetë kapituj pa nëntituj:
I. Viti 150… Princi Leka i Ballshëvet dhe një grup shqiptarësh, që linin të fundit vendlindjen e pushtuar nga turqit osmanë, kalërojnë për në Durrës. Me ta është edhe biri i Skënderbeut, Gjoni 10-vjeçar, të cilin Leka ia ka besuar një luftëtari trim, Drakulit. Hipin në një galerë venedikase dhe zbresin në Itali… Rrjedhin 15 vjet. Gjoni mbaron shkollën e lartë në Napoli. Në Arbëri ka plasur kryengritja kundër pushtuesit. Princ Leka e të tjerët vendosin që të dërgojnë atje Gjonin për ta udhëhequr.
II. Gjoni me Drakulin, të maskuar si tregtarë, zbresin nga anija në portin e Durrësit. Bujtin te një mik, hanxhiu Trimi, ish-luftëtar i Skënderbeut, i cili bashkohet me ta.
III. Në Krujë kontaktojnë më kryengritësit. Gjoni njihet me një vajzë, Marianën, dhe midis të rinjve lind dashuria.

me shume lexo tek Fjala e Lire

No comments: