Monday, 26 January 2009

NJË PERVOJË ME “HIJET E VIRGJËRESHAVE”



Gjekë MARINAJ

Ka kohë që reputacioni i mirë, që ka fituar Faruk Myrtaj si shkrimtar i gjinisë së tregimit, më ngjallur dëshirën për të lexuar ndonjë nga librat e tij. Dhe ja më në fund më ra në dorë “Hijet e Virgjëreshave”. Të jem i sinqertë me lexuesin, para se të filloja faqen e parë të tregimit “Botë Ciganësh” (që hap këtë përmbledhje), e përgatita veten t’i futesha librit me vëmendje të pashkëputur, me energji të dedikuar dhe imagjinatë të hapur. Shkurt, kërkova argëtim maksimum për kohën dhe dashamirësinë që po i kushtoja. Rreth katër orë më vonë, pasi përfundova tregimin e fundit “Muzikë e vjetër”, kuptova se letërsia e Myrtajt është si një “muzikë” vizuale, sa e re aq edhe klasike në kompozim.



1.
E panevojshme të thuhet, tregimet më sollën më shumë se argëtim, më sollën kënaqësi. Gjatë leximit më tërhoqi vëmendjen fakti se si e përdor autori gjuhën artistike për të krijuar art. Është e mundur, natyrisht, që kjo ndjenjë që e përshkoi vetëdijen time të ketë qenë një katalizator subjektiv, i cili vepron jashtë sferave të brendshme të librit. Por hezitoj ta pranoj plotësisht këtë hipotezë, sepse shumica e përvojave që kam fituar gjatë marrëdhënieve të mia me tekste të ndryshme letrare, nuk kanë qenë të unifikuara nga një përshtypje e vetme.
Entuziazmi i brendshëm nuk mund të jetë vetëm një shenjë dashamirësie apo gëzimi se Myrtaj na dhuroi diçka estetike në sipërfaqe dhe të fuqishme në epiqendër. Natyrisht, gëzimi është i natyrshëm për të gjitha ata që nuk i brengosë suksesi i të tjerëve. Por arti është art. Sado dashamirës të jesh, ai duhet të jetë i pranishëm në materialin që lexon, në mënyrë që të aktivizohet një mirësi e tillë brenda vetes. Kritikat letrare që bëhen për ”hatër”, e kanë këtë fjalë të “suvatuar” në mes të rreshtave. Ato mund të jenë fjalë mëdha, por janë pa jetë, tamam si trupi i një të vdekuri. Sado i sfiduar të jetë mekanizmi mental i njeriut, ai është në gjendje ta dallojë të vdekurin nga i gjalli dhe tekstin pa jetë nga ai i fuqizuar nga arti. Në këtë pikë, të 15 tregimet e këtij libri janë në gjallëri të plotë letraro-artistike.
Aq më tepër kur ky fenomen gjallërie artistike në prozën e Myrtajt e humbet shpesh bazamentin fiktiv diku nën një shtresë të çuditshme vërtetësie paradoksale. Mbetem me mendimin e plotë se tregimet e tij reflektojnë me saktësi realitetin bashkëkohor. Mendoj se sekreti është i fshehur kryesisht diku midis inventarit të pasur linguistik dhe talentit për të bërë çudira me gjuhën letrare. Është përdorimi unik i gjuhës ajo që e koncentron formën e të treguarit të tij, pa e humbur as vorbullën e ndjenjës, as freskinë e sugjerimit. Madje, edhe kur përdor një gjuhë që përshkruan ide po kualitete në kontrast me aspektet specifike, nocioni i konkretes me abstrakten nuk e humb harmoninë.

2.
Edhe unë duke e ruajtur harmoninë time me brendësinë esenciale të imagjinatës së autorit, më një lapsë të mprehur hollë në dorë, u përqendrova në pjesët më të rëndësishme të tekstit. Mirëpo, si në shumë tregime të tjera, tek po lexoja atë të titullar “Nata e vajzave dhe luftëra lokale” (faqe 117), pashë se nënvizimet dominonin në mënyrë pamore çdo fletë. E prisja një gjë të tillë, natyrisht, sepse që në faqet e para e kisha krijuar bindjen se autori i atyre 206 faqeve është ekspert i shumë shpikjeve që tingëllojnë si të vërteta në prozën e shkurtër tij. Kështu, në mënyrë instinktive, ndjeva se kriteri për matjen e kualitetit të prozës së tij u bë një barometër që për mua funksiononte jashtë normave të praktikës tradicionale. Pra, ajo që po kërkoja në tërësinë e cilësisë letrare, u shndërrua në gjykimin se sa të vërteta paraqitën shpikjet e tij në emocionet e mia. Dhe gjeta se diapazoni kulturor e fantazia krijuese e Myrtjat janë në ekuilibër me dimensionet e tjera artistike, që përbëjnë madhështinë e rrëfimeve të tij letrare.
Por Myrtajt më magjepsi me së shumti, kur e kuptova plotësisht energjinë e individualitetit të tij krijues. U ndjeva i bymyer shpirtërisht, veçanërisht nga ndjenja e brishtë me të cilën shkruan. Mënyra e zgjedhjes së detajeve dhe ndërtimi i skenave, që përbëjnë strukturën përfundimtare të secilit tregim, më zgjoi një farë krenarie të ligjshme që autori është shqiptar. Ndërsa sekuenca e ngjarjeve, që kanë lidhje direkte me kompozimin e tregimeve dhe se si ai i zgjedh opsionet e tij për kohën dhe vendin e shtjellimeve të ngjarjeve, ma shtuan oreksin për ta studiuar me tej krijimtarinë e tij.
Me kaq sa kam lexuar deri tani nga Myrtaj, kur është fjala për kultivimin e një proze të saktë teknikisht, të arrirë artistikisht dhe të ndjeshme shpirtërisht, mendoj se ai është mjeshtër i prozës së shkurtër. Do ta thosha pa ndrojtje para çdo klase apo simpoziumi se Myrtaj është një ndër shkrimtarët më të spikatur të kohës. Janë shumë të rrallë shkrimtarët e sotëm shqiptarë, që dinë ta përdorin gjuhën në akord me situatat e krijuara brenda episodeve specifike në strukturën e tregimit, siç e përdor Myrtaj në tregimet e tij. Ai di t’i implimentojë njohuritë e shkëlqyera letrare që ka në mbështetje të pikës kulminante dhe të detajeve teknike, që nga rritja e aksionit e deri te ngjitja në pikën shpërthyese të tij.
Kjo është e rëndësishme, sepse nganjëherë e gjithë domethënia e të treguarit letrar sillet rreth vërtetësisë (qoftë edhe jashtë të së vërtetës objektive), rreth vizionit e reflektimit të botës që kjo vërtetësi i sjell lexuesit. Kështu, suksesi pentrofilik i çdo tregimi është deri diku rezultat i reagimit të lexuesit ndaj tij. Që t’i mbahem përvojës personale, në mos tjetër, ky shënim i shkurtër është një dëshmi e forcës së prozës së Myrtajt, e cila më shkëputi nga detyrimet e shumta dhe më uli në karrige të shkruaj disa nga ngacmimet e brendshme që më la libri, libri i këtij autori me të cilin nuk jam takuar ndonjëherë.

3.
Një tjetër aftësi e Myrtajt është gdhendja e personazheve dhe përshtatja e tyre për misionet individuale apo të përbashkëta, që kanë në tregimet respektive. Ai nuk i mbingarkon kurrë ata. Por di, ama, t’i vendosë në pozicione shumë të vështira, ku t’u duhet patjetër të zgjedhin njërin apo tjetrin opsion. Pavarësisht nga formimi që kanë, të thjeshtë, njëdimensional, në rritje, statik, kompleks, të plotë, të përshkruar në detaj, të diskutueshëm apo jashtëzakonisht dinamik, personazhet e Myrtajt janë gjithmonë instrumente me mision të caktuar në shërbim të gjallërisë qendrore të tregimit. Ata janë busulla që i tregojnë lexuesit labirintet e sekretit drejt zgjidhjes se problemit, ose të kanalit kur fabrikohen dhe derdhen diluentet e situatave të pazgjidhshme.
Edhe konflikti në prozën e Myrtajt gjendet i zgjuar dhe i mprehte. Ai ka një esencë të matur mirë flakërimi në të. Jepet në dozat e duhura në të gjitha shkallët e tregimeve. Ky preçizon artistik në jetën e personazheve vepron natyrshëm, qoftë në zhvillimin fillestar, rritjen graduale apo në pikën kulminante të çdo tregimi. Shpesh dimensionet e plota të tyre vihen re diku nga fundi i tregimeve, që zakonisht përfundojnë me një surprizë ideore, me një rekomandim të fshehtë, apo me një zgjidhje të mençur të problemeve të shtruara nga autori. Në tregimet “Botë ciganësh” apo “Rroba për andej”, për shembull, situatat janë të projektuara me aq kujdes, sa lexuesi duhet të gjendet aktiv në qendër të disa aspekteve të personalitetit të protagonistëve që t’i shijojnë ata plotësisht.
“Hijet e virgjëreshave,” për mendimin tim, së bashku me “Muzikë e vjetër”, përbëjnë dy nga tregimet më të bukura që kam lexuar këto vitet e fundit, qoftë edhe në letërsinë amerikane. Sidomos në këto dy tregime, Myrtaj me kujton shkrimtarin H. Kortasar. Po ashtu edhe tregimet “Një evropiane bredh në Ballkan”, “Bermuda”, “Autobusi i datës 1”, “Nata e vajzave dhe luftëra lokale” dhe “Rroba për andej” më kanë lenë mbresa të veçanta.

4.
Në përfundim dua të them se përqendrimi që i kushtova gjatë leximit teknikës që përdor autori për të krijuar një botë fiktive të veshur me aq nuanca vërtetësie, e bëri edhe më të unifikuar ndikimin e tregimeve te unë. Myrtaj përdorë fjalën e shkruar me forcën e poezisë në prozën e tij. Me këtë ai ka arritur që, të paktën në mua personalisht, të ushtrojë forcën e unitetit të vizionit të tij autorial, duke na bërë të përqendrohemi thellësisht në efektet e njësuara jetësore të sugjeruara prej tij. Situatat e ndërlikuara, që gjeta në shumë prej tregimeve, janë të shprehura me aq ambiguitet ,sa domethënia e tyre nuk është në sinonimi me mundësitë e interpretimit që shfaqin. Si lexues i mbetem borxh në komentet e mia finesës letrare të Myrtajt. Si kritik, sigurisht, ndjehem edhe më i këtillë.

26 Janar 2009
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: