Tuesday, 27 January 2009

Një vit, pas një shekulli



Faruk Myrtaj

Në ditët e pragnjohjes së pavarësisë së Kosovës (edhe) prej Kanadasë, ku jetoj, kërkova ta ndaj kremtimin me shkrimtarët e këtij vendi. Në site-in e tyre u bëra të ditur se “mbase ishte një lajm që vinte vonë, shumë vonë... Mbase në botën e sotme arritja e pavarësisë është diçka që nuk thotë shumë, se fjala indipendencë e ka humbur përmbajtjen e dikurshme, tashmë pavarësia është e tjetërkuptimtë në thelbin e saj, ndaj dhe besohet se s’ka vende të pavarura në kuptimin që mëtohej dikur... E megjithatë, u drejtova kolegëve, më duhet të them me gëzim se Kosova më në fund ishte ndarë prej Serbisë…”
Meqë është fjala për pavarësinë tradicionale, mund të themi se pavarësia e Kosovës është hera e tretë që shpallet: së pari prej Ismail Qemalit dhe të ardhurve prej Kosovës në Vlorën e vitit 1912, pastaj prej Ibrahim Rugovës nën Serbinë dhe, prej një viti, prej Parlamentit të Prishtinës në njohje e sipër prej tërë Botës. Si shqiptarë, në parim, s’na e heq dot kush idenë se Kosova, si pjesë zemre e Shqipërisë, e ka pasur pavarësinë. Prej rreth një shekulli më parë. Në kuptimin praktik, edhe pjesa zyrtare e shtetit të pranuar shqiptar mezi e ka gëzuar këtë pavarësi. Madje shpesh na ka shkuar ndërmend sikur herë vareshim nga dikush e herë nga tjetri, shefat e shtetit shqiptar na duket se kanë shërbyer më shumë për diçka tjetër se për qytetarët e shtetasit e vetë, dhe mbase pikërisht kjo e largoi imazhin e Kosovës deri në shembëllimin si një “popull tjetër”. Na u desh të kërkonim një pavarësi të dytë e të tretë dhe s’ka veç një vit që e kemi ndër duar...
Po ç’është një vit pas një shekulli?! Ç’mund të jetë një vit pavarësi, pas një shekulli robërie nacionaliste ballkanike? Ç’mund të bëhet me këtë pavarësi, në kuptimin që në botën e sotme, tërësisht të ndërvarur, merr pavarësia? Dhe si duhet neglizhuar pavarësia e dyfishtë mes shqiptarëve dhe midis dy shteteve të pranuar shqiptarë? Ndërsa pikëpyetjet e tjera e marrin përgjigjen vetiu, ajo që u mbetet në duar shqiptarëve, është përgjigjja që duhet dhënë për problemin e mbramë: nëse botës (dashamirësve dhe jo dashamirësve) u duhej të krijonin një lojë me dy shtete shqiptarë, me dy porta shqiptare, për ne vetë është e pafalshme ta ushtrojmë kortezinë politike si sjellje praktike. Gjëja më elementare është neglizhimi faktik i kufijve. Nëse, bje fjala, mësues nga Vlora shkuan në Kosovë edhe në ditët e luftës së dytë, qeveritë e të dy shteteve shqiptarë duhet të realizojnë “europianizimin e dy Shqipërive”. Më së pari dhe kryesisht në planin ekonomik, që pastaj integrimi në BE të ndodhë veç si një ceremonial. Kufijtë shtetërorë nuk kanë punë me kufijtë realë brenda të cilëve ndodhen shqiptarët, dhe dy pavarësitë nuk mund të respektohen veçse si një. Prishtina e ka pasur të sajin Adriatikun dhe Myzeqeja ishte motër e vogël e Fushë-Kosovës. Mendja të shkon se, po të ta shihte të mundur, Ismail Qemali do të kishte shkuar ta ngrinte Flamurin në Prishtinë...
Ndaj duhet të kujtohemi: pavarësia është vetëm se abetarja e shtetasve dhe e shtetarëve. Të marrim leksionet që janë dhënë prej kohësh nga historia; të mos humbasim leksionet që janë humbur më parë; të mësohemi të dëgjojmë leksione në gjuhët e Botës... Pavarësia do të mbetej diçka boshe, një formë joshëse pa përmbajtje, nëse nuk do të rroket, pranohet e priremi të realizojmë trajtën konkrete të saj: nuk ka shtete të pavarura; ka shtete në ndërveprim. Pavarësia nuk është veti e shteteve të varfër, të pazhvilluar.


Fjala e Lire - Free Speech

No comments: