Wednesday, 28 January 2009

Paralelizmi për të thënë më shumë


(Poezia “Peshorja” e Sazan Golikut një simbolikë e 17 Shkurtit)

Fatmir Terziu

Sazan Goliku është një nga ata krijues shqiptarë që 17 Shkurtin e shijoi dhe e përjetoi nga afër në Kosovë. Ai me dy miq të tij ishte në Prishtinë dhe i fiksoi në memorje ato çaste historike të Pavarësisë së Kosovës. Por nuk ishte vetëm kaq. Si fitues i çmimit të parë në një Konkurs në Tetovë për poezinë më të bukur për Kosovën në vitin 1998-të, natyrshëm kishte edhe obligimin e rastit që të shihte me syrin e poetit këtë moment historik. Ai ashtu bëri dhe pikën kulmore e vulosi në histori. Poezia e mëposhtme është pjesë dhe fakt i asaj memorjeje, simbol poetik i asaj dite. Në këtë poezi është e gjitha. E gjitha që vjen me peshën dhe emocionalen e sfidës historike. Në këndvështrimin e parë ajo është thjesht një poezi moderne, ku nuk mungon tradicionalja, ku edhe rima është një gjetje e domosdoshme. Por në anën tjetër ajo është një poezi që shpreh bukur çdo detaj, çdo simbolikë që lidhet me tërë rrugën që e vulosi atë ditë të shënuar. Që nga titulli ajo që lidhet me simbolikën dhe ushqehet nga filozofia është rrethnaja poetike me ‘peshoren’, është e gjitha që kthehet në një fuqi shprehëse me funksionin e saj të të qënit ndryshe në funksionin si peshore. Ndryshe, ‘pra e palëvizshme’ edhe kur në të [peshore]‘Arin e botës derdhi’…
Po pse u ndala në këtë poezi që flet më shumë se sa forca e saj poetike? Duke e parë në këndin e poezisë tradicionale ajo natyrshëm është ndryshe, tamam ashtu siç dihet në thelb se poezia lirike ka ndryshuar me kohë nga poezia tradicionale. Së pari është ndjenja e hollë njohëse dhe prezantuese. Jashtë asaj që shpesh lidhet me romantizmin në këtë poezi vjen e fuqishme deri në pragje njohjesh të athshme e të detajshme shpirtlidhjeje historike që fiksohen në një moment të gjaklidhur frymëzues, ku Adem Jashari vjen i arsyeshëm. Poezia e Golikut, shkon deri në kufinj të mirëpiketuar për të zëvendësuar ftohtësinë dhe këmbëguljen me emocionet e rradhës, ku “Mbi prushin e luftës pa krye, pa fund/Hyjneshë e Drejtësisë pa parë askënd/e ngriti peshoren…” flet qartë dhe pa shumë shpjegim sqaron gjithë pararendjen dhe arsyen filozofike të ‘kokës së prerë të Adem Jasharit…”. Koha, peshorja, pesha, motivi dhe shumë detaje të tjera që thurren në këtë poezi janë arsye mirëkuptuese në funksionin e tyre, duke shmangur kuptimin parësor ato krijojnë një sfidë poetike dhe ndjeshëm nën rimë marin një lehtësi interpretuese. Le të kujtojmë poezinë “Telefoni” të Sabri Hamitit, tek “Trungu Ilir” dhe pikërisht vargjet “… vetë në anë të telit/në anën Bota,/ai ka mësuar të flasë…” dhe padyshim shohim se tematika e saj është tek sugjerimet e mundshme, ajo nuk shpjegon, nuk tregon. Kështu kjo është një mjeshtëri e dukshme poetike që shihet edhe tek poezia “Peshorja” e Golikut. Goliku në fakt brenda tematikës së poezisë synon që “loja e fjalëve të jetë” një përpjekje për të zëvendësuar filozofinë. Kjo poezi përmban në vetvete forcën e kursimit shpjegues dhe atë të idesë për të përfshirë shumëçka brenda saj mes paralelizmit.


PESHORJA

Mbi prushin e luftës pa krye, pa fund
Hyjneshë e Drejtësisë pa parë askënd
e ngriti peshoren:
Në krahun e zemrës vendosi në pjatë
kokën
e prerë
të Adem
Jasharit
- rrethuar me rreze e yje të artë.

Arin e botës derdhi në pjatën tjetër –
peshorja s'lëvizi.
Pastaj vendosi pa zili
Afërditën e gjallë të re e të vjetër –
peshorja s'u tund.
Atëherë plot dyshim vuri vetë jetën –
peshorja magjike sërish s'u lëkund.
Globin hodhi mbi pjatë Hyjnesha syzënë –
s'u ul që s'u ul pjata fatlënë.

Mbi sup të Hyjneshës qëndroi Liria:
"Më lërë – i tha – përballë kokës së tij
ta qaj me lot gjaku si gjithë Shqipëria".

Hyjnesha e bardhë e mbushur drejtësi
në pjatë e uli dhe… për habi
peshorja lëvizi… u barazua.
Koka e Ademit – në njërën anë në tjetrën – Liria.


SAZAN GOLIKU
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: