Sunday, 18 January 2009

RRUGET E RROMEVE

Dr Marcel Kurtiadhi ka disa ditë në atdheun tonë. Fragmentin e mëposhtëm e kemi nxjerrë nga një material i bollshëm dhe shumë shkencor të shkruajtur nga vetë ai në gjuhën shqipe, njëra nga të tetëmbëdhjetë gjuhët që njeh, dhe nuk ia ka korrektuar askush.





Dr Marcel COURTHIADE/KURTIADHI

Shefi i kqtedrës së gjuhës e kulurës rrome në Universitetin e Parisit

Komisari per gjuhen e te drejtat gjuhesore ne Bashkimin/Unionin nderkombetar te rromëve



Nga imazhi në realitet

Mjaft shpesh imazhi që mund të kemi për një popull ndodhet larg nga realiteti. Është rasti i popullit rrom – i cili quhet katundarçe edhe "gabel", "arixhi", "magjup" ose "kurbat". Njerëzit që nuk i njohin drejtpërdrejt rromët i përfytyrojnë ata sipas klisheve të servirur nga letërsia e shekulit 19 e e kopjuar më vonë shpesh pa ndryshime : përfaqësohet një muzikant me violinë ose kitarë në dorë, një karrocë në të cilën jetojnë mes një fushe të papunuar, mes pallatesh të banuara ose midis autostradës dhe hekurudhës. Mund të ketë figurën e një gruaje me fund të gjatë e të larmë, që i afrohet një kalimtari për t'i shtënë fall duke i lexuar dorën ose një fëmijë i panjohur që papritmas futet në klasë mes nxënësve të tjerë... Kështu shfaqen rromët edhe në televizion e në shumë filma, kurse ata që i njohin i trajtojnë si shoq barabar me të tjerët e pa dallim tjetër sesa respekti për diferencën e tyre në doket, zakonet, adetet e traditat e tyre. Megjithatë shumë njerëz, edhe midis atyreve që i njohin, edhe bile shumë rromë vet, nuk dinë nga vijnë e si kanë mbërritur në kaq shumë vende të botës. Në fshatrat shqiptare quhen "gabelë" ose "arixhinj", por edhe "kurbatë" në krahinën e Korçës dhe në veri "magjupë", kurse fjala "cigan", e huazuar nga gjuhët sllave haset në letërsinë artistike nën ndikimin serb ose rus; disa shkrimtarë i quajnë edhe "evgjitë", megjithëse "evgjitët" ekzistojnë si të tillë, ata prejardhjen e vet e kanë nga Egjipti (Egjipti quhet "evgjitëri" në terminologjinë e Sami Frashërit) e nuk kanë asnjë lidhje me rromët. Jashtë Shqipërisë gjithashtu emrat e rromëve janë të shumtë : në Itali quhen "cingari", në Gjermani "cigojnër", në Spanjë "hitanos", në Francë "zhitanë", "romanishelë" ose "manushë", në Finlandë "mustala", në Angli "xhipsi" kurse në Evropën lindore "cigani" në shumicën e gjuhëve etj... Vetë fakti që në popull i caktuar mund të ketë kaq shumë emra është një gjë e çuditshme, por ka shpjegimin e vet historik.



Një komb "i ardhur nga India"

Historia na tregon se rreth vitit 1000 të erës sonë jetonin, shqëlqente në veri të Indisë një kulturë me nivel shumë të lartë, me kryeqytet Kanoxh, sot në krahinën e Uttar-Pradeshit. Këtë kryeqytet e kishte ngritur katër shekuj më parë një perandor i famshëm, Harsha nga dinastia Vardhana, dhe megjithëse Kanoxhi kishte humbur ndërkaq rolin politik që kishtë gëzuar në kohën Harshës, nuk pushonte të jetë qendër kulturor, artistik e shpirtëror tepër i famshëm ku vinin artistë e zanatllinj për të përsosur zanatin e vet : midis tyre kishte këngëtarë, aktorë, vallëtarë, arkitektë, artarë, argjendarë, prodhuesë parfumesh etj. Kishte edhe mjaft ushtarakë të zotë. Kishte edhe një kategori aktorësh që luanin pjesa të nxjerra nga mitologjia indiane në një mënyrë të tillë që të jenë të kuptueshme për popullin e thjeshtë. Atyre u thuhej "rromba" për arsye se shoqëroheshin me instrumente perkusioni, tingullimin e të cileve imitonte rrokja "rromb".

Në po atë kohë në luginën e Gaznit në Afganistan mbretëronte një sulltan me prejardhje nga Turkmenia e sotme, Mahmudi, i i cili ëndërronte ta kthejë qytezën e Gaznit në kryeqytetin e botës. Fillimisht, duke ndjekur shembullin e të atit, Sevuk Tegin, u kënaq pesëmbedhjet vjet me rradhë duke plaçkitur vendet fqinj në Indi veri-perendimore, sidomos në luginën e lumit Sindhu (latinisht Indus), deri kur kuptoi që të mirat materiale nuk mjaftojnë për t'i sigurojnë një qyteti një prestigj prej kryeqyteti, aq më tepër botëror. Ka nevojë edhe për të mirat jomateriale, domëthënë kulturore, artistike, me një fjalë njerëzore. Mirëpo, nga bisedat me poetin persan Firdusi (Abu al-Kasim Mansur), i cili kishte ardhur si mysafir në oborrin e tij mbretëror, Mahmud mësoi për egzistencën e Kanoxhit, në luginën e lumit Ganga, disa javë të ecurit më larg se Sindhu. Vendosi atëherë të sulmonte këtë qytet kaq të famshëm për diturinë e banorëve të tij me qëllim të t'i bjerë në vendin e vet për ta shërbyer. Në dhjetor 1018 e zaptoi Kanoxhin, e plaçkiti, shkatërroi që të shtatë fortesat e tij, por edhe rrëmbeu 53.000 robë lufte nga Kanoxhi vetë, si dhe 200.000 nga Mat'hura. I pruri më këmbë deri në Gazni, bashkë me 385 elefantë e sasi të medha ari, rubin e guresh të çmuar me një vlerë që arrinte miliona euro nëqoftëse konvertojmë në valutën e sotme.

Duke qenë një nga qendrat shpirtërorë kryesorë të vendit, Kanoxhi tërhiqte shumë besimtarë që vinin për të ofruar dhurata me vlerë në tempujt e qyteti e si pasojë një thesar i konsiderueshëm ishte grumbulluar atje.



21 dhjetor 1018

Në librin e tij "Kitabi i Jaminit" (jamin ishte një titull i dinastisë së Mahmudit), Abu Nasër al-'Utbi, sekretari i sulltanit Mahmud, na tregon këtë fushatë ushtarake e spikat një anekdotë : kur mbërriti më 21 dhjetor para portës madhështore të Kanoxhit, sulltani hodhi fall në Kur'an : vuri një gisht rastësisht në një vend të tekstit të shenjtë e kur e ngriti gishtin e çoi peshë zemrën mbasi atëherë gishti zbuloi një fjalë që mund të lexohet arabisht qoftë si "Kanoxh", qoftë si "fitore e papritur". Përveç faktit që kishte ardhur me një ushtri të numërt e shumë të pregatitur, edhe kjo shpjegon pse e zaptoi kaq kollaj qytetin, aq më tepër se brenda qytetit fallxhorët kishin nxjerrë nga fluturimi i bletave e pozicioni i yjeve konkluzionin që fati nuk ishte nga krahu i tyre. Prandaj mbreti i Kanoxhit Raxhaipal i këshilloi popullatës të mos i kundërshtohet sulltanit, ndërsa ai vetë u largua përtej lumit Ganga në pyllin e Barit.



Robërit nga Kanoxhi në Afganistan

Vërtet u kënaq Mahmudi me disa artistë nga Kanoxhi, për shembull me arkitektët, mbasi ata i ndërtuan një xhami madheshtore në Gazni, xhaminë më të madhe në botën në kohën e tij. Mëgjithatë ai pati vështirësi me të tjerët, mbasi arti muzikor ose teatral nuk mund t'i përshtatet kaq kollaj sa arkitektura një kulture tjetër, aq më tepër islamike sunite shumë të rreptë. Mirëpo shumë shpejt ai i shiti në veri të vendit, pronarëve kamës të Horasanit (sot në Turkmeni, Iran e pjesërisht Özbekiston). Me vdekjen e Mahmudit, doli një problem tjetër : në të kundërt me të atin, i cili pasuronte vendin më frytin e plaçkitjes së Indisë, i biri i tij i dytë, Mas'ud, bënte një jetë prej dëfrimi duke rritur vazhdimisht taksat, sidomos në Horasan, vatër ekonomik e kulturor e shkëlqyeshme e asaj epoke. Vetë Mas'udi e kishte uzurpuar fronin duke ia nxjerrë sytë vëllaut të tij të madh Muhamad e duke e mbyllur me gjithë familjen e tij në një birucë të ngushtë. Natyrisht ai nuk guxonte një dashuri të theksuar në popull, sidomos midis pronarëve që vuanin nga taksat e tepëruara. Nuk është çudi që kur në Horasan vërshullën fisat selçukë nga Transoksiana (sot Özbekiston), gradualisht krerët e kësaj krahine kaluan nga ana e pushtuesve, bashkë me popullsinë e me Indianët e Kanoxhit që kishin akoma në shërbimin e tyre – kjo deri në vitin 1040 kur mbas betejes së Dandanakanit u vrit Mas'ud gjatë arratisë së tij drejt Lahorës.



Nga Afganistani në Anatoli

Pak më vonë, Selçukët, Horasaniotët e Kanoxhiotët u vunë në levizje drejt perendimit a më konkretisht drejt Bagdadit kur mbërritën në 1055. Qëllimi, mund të themi ëndrra, e Selçukëve ishte Egjipti atëherë vendi më i pasur në botë – ose të paktën në botën gjerësisht e njohur nga Muslimanët, mbasi edhe India ishte shumë e pasur. Vazhduan fushatën e tyre në drejtim të veriut e pushtuan Aninë, kryeqytetin e Armenisë, në 1064 por beteja më domëthënës për historinë e botës qe marrja e Manzikertit në 1071. Një vit më përpara, Bizancia e kishte fituar Manzikertin, një qytet me pak rëndësi ekonomike apo strategjike, nga duart e Armenëve por kur erdhën Selçukët, me Arp Arslan në krye, Roman Diogenes i IV-të, përandori i Bizancës, në vend ta ndante më dysh Armeninë me saraçinët, nguli këmbë për ta mbrojtur qytetin. Burimet greke pohojnë se midis Saraçeneve kishte edhe mjaft indianë, gjë që përputhet me praninë e Kanoxhiotëve në shërbim të Horasaniotëve. Arp Arslani e fitoi betejën e Manzikertit dhe kur ia prurën Roman Diogenesin të plagosur, të baltosur e gjysmë lakuriq, asnjë nuk besoi që ishte ai i mjerë kreu i Bizancës, deri kur disa dëshmitarë e njohën pa dyshim. Burimet muslimane tregojnë se Arp Arslan e detyroi atë të përkulej para tij deri në tokë, vetë ia vuri këmbën mbi shpatullën e kur u çua përsëri e pyeti : "sikur të kishte ndodhur e kunderta, të më bësh ti rob mua, çka do të kishe bërë?". Romani Diogenes iu përgjigj : "Besoi se do të të kisha vrarë ose burgosur". Buzëqeshi Saraçeni e tha : "Do të bëj unë më keq: do të të liroj pa kusht". Pastaj e mbajti si mysafir nderi edhe një javë, e shëroi dhe e dërgoi me përcjellë deri në Stamboll (atëherë Konstantinopolë). Fatëkeqësisht për Roman Diogenesin, kur mbërriti në Stamboll, nuk e rimori dot fronin e Bizancës dhe bëri një marrëveshje me uzurpatorin Bisterdom që të lihet në qëtesi në një monastir. Me gjithë premtimet e uzurpatorit, ai i nxorri sytë Diogenesit, i vuri krimba mishi në plagë dhe e dërgoi në pikë të vapës verore, lidhur në shpinën e një mushke në shkrëtësirë, ku vdiq në kishën e Protit.



Saraçenët e kryqëzata e parë

Ndërkaq, Saraçenët (Selçukët, Horasaniotët e Kanoxhët) kishin pushtuar një pjësë të madhe të Anadolisë, duke themeluar atje sulltanatin e Konjës (me kryeqytet Konja) e kishin përparuar deri në Jëruzalem, të cilin zaptuan në 1076, duke dëbuar prej tij egjiptianët, të cilit e kishin përvetësuar dyqind vjet më përpara. Zotëruan 22 vjet në këtë qytet, djepi i judaizmit e kristianizmit, domëthënë deri më 1098 kur egjiptianët e rifituan duke i përzënë oficerët Selçukë – por jo vartësit horasaniotë e kanoxhianotë, në malet e veriut. Gjatë gjithë asaj kohe, Bizanca nuk kishte mbetur e qetë por nëkundrazi kishte përcjellë ankthin e vet deri në Romë, duke kërkuar ndihmë prej papa e Rromës kundër saraçenëve. Arsyeja eshte se më përpara egjipcianët lejonin të krishterët të shkonin në Tokën e Shënjtë, siç quhet Jeruzalemi e krahina rrethj tij, duke marrë natyrisht pagesë të majmë, kurse saraçenët ishtë më të rreptë e nuk pranonin këtë tregti. Përveç kësaj ata ishin një kërcënim i vërtet për të gjithë Evropën. Mirëpo në vitin 1095, papa Urban i II-ti nisi kryqezatën e parë nga qyteti Clermont-Ferrand e mijëra e mijëra fukarënj morën rrugën e luftës së shenjtë me disa vegla bujqësorë si armë, me Bernard Oshnari në krye. Ata u masakruan gjatë rrugës, sidomos në Hungari e në Bullgari, e mbijetuesit e fundit u vranë nga saraçenët afër Iznikut në Anatoli perëndimorë. Fisnikët nga ana tjetër, me Godëfruë dë Buljon në krye, mbërritën në Konstantinopolë në 1096 e prej andej filluan rimarrjen e tokave të pushtuara nga saraçenët, të paktën në drejtim të Tokës së Shenjtë, mbasi nuk patëm interes të rimarrin territorët e sulltanatit të Konjës. Gradualisht arritën gjer në Jeruzalem, duke përzëne saraçenët qytet më qytet, e mbas një muaji rrethimi, e morën qytetin më 15 korrik 1099 e masakruan të gjithë egjipcianët, horasaniotët e kanoxhianotët që ishin brenda – duke i quajtur të gjithë egjipcianë. Natyrisht kishim hallin e fitores ushtarake e jo të identifikimit të etnive që po vrisnin. Kjo shpjegon që emri "egjician", nga burojnë emrat si "gitano" (hitano në Spanjë), "gypsy" (xhipsi në Angli), "giftos" (jiftos në Greqi), "Edjupin" (egjupin në Kroacinë e vjetër) ose "magjup" (në veri të trojeve shqiptarë) shekuj me radhë është përdorur për të emertuar rromët. Prezenca e egjipcianëve të vërtet që në shek. IV-të në gadishullin ballkanik (ballkano-egjiptasë) e ngatërresa midis këtyre dy etnive orientale ka fuqizuar konfuzionin. Përveç kësaj në Bizancë, fjala "egjipciane" kishte edhe kuptim "fallxhore", e fakti që Indianet ushtronin edhe ato fallin qe një arsye tjetër për ta theksuar konfuzionin.



Mbërritja e rromëve në Evropë

Që në shek. XI-të, një pjesë e vogël rromësh dëpërtoi në anklavet veneciane, si Qipro, Kreta, Navplio, Mothone, ishujt joniane ose Republika e Raguzës (Dubrovnikut me krahinën), duke ndjekur rrugët e tregtise veneciane e duke prurë idenë që fjala "egjipcian" është veçse forma greke (ose latine) e emrit të tyre, kurse vetë quheshin "rromë" për arsye se ata prej tyre që ishin aktorë tempujsh (rromba) binin në sy të popullsive të vendeve ku kalonin më shumë sesa çdo indian me një zanat tjetër, gjë që shpjegon përgjithësimin e kësaj fjale si emërtim i të gjithë popullsisë e tyre. Megjithatë, shumica dërrmuese e proto-rromëve mbeti në sulltanatin e Konjës, qytet në të cilin me ngasë themeluan mahallën e vet të parë. Levizja masive e rromëve drejt Evropës ndodhi në shek. XIV-të, në periudhën e ngritjes së fisit Osman e të turbullirave që shoqëruan këtë ngjarje. Gradualisht arritën deri në tokët e Bohemisë, të cilat atëherë përfshinin veriun e Ballkanit e depërtuan në Itali ku shënohen në arkivat e qytetit të Forlisë në 1422 më vërejtje se "thonë se vijnë nga India". Në disa dokumente të tjerë, deri në vitin 1630, përsëritet shënimi që "ata njerëz janë me prejardhje indiane" por më vonë zhduket nga shkrimet përmendja e origjinës indiane, e cila zëvendësohet me një origjine egjipciane legjendare – që kemi shpjeguar historikisht më lart. Faktikisht rromët vunë re shumë shpejt se kishin më shumë leverdi të paraqiten si "të dëbuar nga egjipti", një vend shumë i njohur atëherë në Evropë, qoftë nga Bibla, qoftë nga kryqëzatat, qoftë edhe nga pasuria e tij në epokën përkatëse, sesa si "të ardhur nga India", një vend i largët e shumë pak i njohur, dhe ata vetë filluan të mbrojnë origjinën egjipciane. Ndërkaq në shek. XVIII-të u rrit interesi i Evropës për Indinë, u zbulua afërmiteti i gjuhës së lashtë indiane sanskrite me gjuhët e evropës e tema e prjardhjes së rromëve u bë përsëri e modës. Një i ditur sllovak, Samuel Agostoni, botoi në vitet 1775-1776 studimin e parë me vlerë shkencore për rromët, ku spikatet origjina indiane e tyre, sidoqoftë jo në bazë të elementeve shkencore por në bazë të një keqkuptimi : gjatë një takimi në Hollandë midis një kleriku hungarez e disa studentëve nga Shri-Lanka, ndodhi një gabim kuptimi midis fjalës "cigan" ose “cingan” (emri i rromëve në hungarishten e rumanishten popullore) e fjalës së ngjashme “singhalë” ose “cinghalë” me kuptim “i Shri-Lankës”, në gjuhën e Shri-Lankës. Kjo tërhoqi vëmendjen e nerëzve të ndryshëm që krahasuan atëherë disa dhjetra fjalësh rrome me fjalë nga gjuhët kryesore të Indisë e zbuluan ngjashmërinë midis tyre. Prejardhja indiane u vërtetua atëherë si një fakt shkencor. Më vonë, në 1927, vendnisja e egzodusit të rromëve, dmth. krahina e Uttar-Pradeshit në pellgun e luginës së lumit Ganga, u zbulua nga englezi Sir Ralph Turner, kurse datën e këtij egzoduzi e përcaktoi vetëm në vitet 1980 rromi britanik Jan Hancock e rrethanët e tij u sqaruan në vitet e fundit të shek. XX-të me zbulimin e dorëshkrimit të al-'Utbiut.



Emrat “cigan” e “bohemian”

Rromëve u referohet edhe me fjalën “cigan”, një fjalë që vjen nga greqishtja mesjetare “[a]tsigganos”, emër e një sekte fetare që nuk kishte asnjë lidhje me rromët. Megjithatë, fakti që rromët vinin nga lindja si kjo sektë, nuk përziheshin me të tjerët si ajo dhe kishin praktike magjike i shtyu fshatarët e Bizancës që t’u thonë rromëve “ciganë”. Fjala “cigan” gjendet nën formë të ndryshme në vendet e Evropës lindore : në rumanisht (ţigan), në hungarisht (cigány) e në gjuhët sllave (serbo-kroatisht : ciganin, polonisht cygan, çekisht cikán, rusisht цыган etj.)

Nga ana tjetër, fakti që mjaft rromë kishin hyrë në Evropë duke kaluar nga tokat e Ballkanit verior (që ishin atëherë nën autoritetin e Zigmundit të Bohemës – sot një krahinë në Republikë Çeke) dhe që ata u pajisën me letra rekomanduese të firmosura nga princi Zigmund vetë, shpjegon pse u doli rromëve edhe emërtimi si “bohemianë”, njerëz nga Bohema.



Shpërndarja e rromëve në Evropë

Me të ardhur në trevet ballkanike, shumica e rromëve u ngulën nëpër fshatra, në disa raste edhe në qytetet, ku vazhduan të ushtrojnë pak a shumë të njëjta zanate si në Anatolli mbasi sistemi social e ekonomik ishte shumë i ngjashëm, sidomos me ardhjen e Otomanëve pak a shumë njëkohësisht me rromët. Mirëpo një pjesë e ndjejshme e vazhdoi rrugën drejt veriut për t’u ngulur në vendet karpatike e baltike e në Rusi, nga një grup i vogël kaloi edhe në Finlandë. Kjo paraqet trungun themelor të popullsisë rrome me tre grupime : ballkanik, karpatik e verior. Nga ky trung u nda që në shek. XV-të dega e hitanosëve, që mbërritën në Spanjë rreth 1420 e u përhapën në të gjithë vendin. Gjatë shek. XVI, XVII e XVIII ata e humbën rromishtjen si gjuhë e shtëpisë, për shkak të persekumimeve kundër folësve të kësaj gjuhe – Kisha katolike thoste se është një gjuyhë e trilluar nga djalli për të mashtruar të krishterët. Të rinjtë rromë mësonin disa fjalë të saj vetëm nga momenti kur fillonin të hyjnë në botën e punës me të rriturët por asnjëherë nuk e mësonin gjuhën tamam. Rrjedhimisht u krijua një fare zhargoni me bazë spanjolë, katalane ose baske sipas krahinës e me disa dhjetra fjalë rrome të ndërkallur midis elementeve të gjuhës mazhoritare. Ky tip zhargon thuhet “pagerdilekt” ose në Spanjë “kallo” e nuk përdoret për komunikim, vetëm se krenohet çdo i ri hitano, kur rritet, që të dijë sa më shumë fjalë të këtij zhargoni, se atëherë tregon se është hitano me taban. Edhe në Angli u krijua spontanisht një “kallo” i tillë, që quhet pagerdishte. Rromët e Anglisë, që quhen "romanishelë", e kanë humbur gjuhën dhe flasin anglisht, duke përdorur ndonjë fjalë indiane që i ka shpëtuar harresës. Natyrisht nuk ka ndërkuptim midis folësve të rromishtes e atyre të kallove. Gjatë po asaj periudhe, të folmët e zonave gjermanofolëse edhe ato u larguan mjaft nga gjuha rrome, duke krijuar një gjuhë të veçante, që quhet sintishtja veriore, me shumë fjalë të huazuar nga gjermanishtja, kurse në Itali, nikim i fortë i italishtes krijoi sintishten e jugut.

Kështu që zakonisht studiuesit i ndajnë rromët në tri grupe kryesore :

-"Rromët" e mirëfilltë, që e kanë ruajtur mjaft të pastër gjuhën e tyre indiane ; dallohet midis tyre degët ballkanike, karpatike e veriore por si rezultat i migracioneve takohen në gati të gjithë vendet. Rromët e këtyre tri grupeve mund të merren vesh në gjuhën e vet pa ndonjë vështirësi të veçantë, megjithëse dallohen midis tyre dy superdialekte : superdialekti O (i cili përfaqësohet në Shqipëri sidomos nga të folmet meçkar e arli ose kabuxhi, si edhe nga rupanishtja e Peqinit) e superdialekti E (i cili përfaqëshet në Shqipëri nga e folma e rromëve të ardhur nga Kosovë në Shkodër e pastaj në Tiranë – vetë quhen çergarë). Këta rromë përdorin fjalën “gaxho” për t’u referuar një njëriu jo-rrom, kurse vetë quhen “rromë”.

-"Sintët e veriut", që jetojnë sidomos në Gjermani, Austri Francë, kurse “sintët e jugut” jetojnë ne Itali e në jug të Francës. Në gjuhën e tyre ka depërtuar një numër i madh fjalësh e shprehjesh të huaja, sidomos gjermane ose italiane, prandaj e kanë shumë vështirë për t'u marrë vesh me rromët e mirëfilltë. Edhe këta rromë përdorin fjalën “gaxho” për t’u referuar një njëriu jo-rrom, kurse vetë quhen “sinte” në gjuhën e vet (romnepen) ose “manushë” në frengjisht.

-"Hitanosët" që jetojnë në Spanjë, në Portugali, në Francë e në Amerikën latine. Ata flasin gjuhën e vendit, duke përdorur ndonjë fjalë nga india, duke qenë se gjuhën e vet e kanë humbur. Këta rromë përdorin fjalët “gaço”, “busno” ose “pajo” për t’iu referuar një njëriu jo-rrom, kurse vetë quhen “kalle”.



Midis persekutimeve e bashkëjetesës

Shpeshherë është thënë se historia e mjeruar e rromëve tregon se ata janë persekutuar në shekuj në të gjithë vendet e Evropës, kudo ku kalonin. Kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë, mbasi në mjaft vende rromët kanë bashkëjetuar gjatë periudhë në harmoni me popullsitë bedase dhe autorë të ndryshëm, historianë me autoritet, thonë se populli shqiptar dhe ai grek as nuk i kanë ndjekur dhe as nuk i kanë persekutuar ata e përkundrazi, siç e mësojmë nga autorë të ndryshëm e historianë me autoritet, janë sjellë mirë me rromët, duke ndarë gëzimet e hidhërimet e tyre si me çdo fqi tjetër – aq më tepër në disa vise të Kosovës, ku rromët jo vetëm janë trajtuar si shoq por edhe kanë arritur pozita të respektuara në shoqëri. Edhe në mjaft vende të tjera, vendasit kanë kaluar e kalojnë mirë me rromët. Është gjithashtu e vërtet edhe në perandorinë austro-hungareze, sidomos në shek. XIX-të, por edhe në disa treve të Spanjës etj... Në Letoni e në Rusi, rromë kanë ndarë tryezën e familjeve më të larta të vendit por edhe shpesh kanë dalë martesa të përziera. Kjo tregon se respekti mutual midis rromëve e grupeve të tjera të Evropës jo vetëm është e mundur por edhe ka rrënje historike e ekziston ende. Interesant është edhe fakti se atje ku janë shpallur ligje raciste kundër rromëve, në mjaft vende, gjykatës i kanë zbutur këto ligje në praktikë : disa fisnikë ka dalë në mbrojtje të rromëve. Kështu për shembull, në Overnjë të Oksitanisë (jugu i shtetit francez), fisnikët kanë mbrojtur me shpatë në dorë fisin e "kapitenit Sharl Robert", të dënuar me një urdhër dëbimi të padrajtë nga mbreti. Në këtë mënyrë janë brumosur e farkëtuar lidhje miqësie, madje edhe krushqie midis rromëve e vendasve të pasur. Si t'i rezistosh bukurisë magjepsëse të një vajze kaleshe syshpuzë, si kanë kënduar sa e sa poetë rusë ? Në disa rajone situata u normalizua aq shumë sa, kur më 1802 Napoleon Bonaparti organizoi një arrestim të përgjithshëm të “nomadëve” të Francës, prefektët reaguan duke i shkruar : "Bohemianët kanë një sjellje të rregullt dhe madje kanë fituar respekt. Mendojmë se zgjedhja e viktimave është e gabuar".



Një histori e shkurtër e persekutimeve : arsyet

Fatkeqësisht, persekutimet kundër rromëve kanë qenë më të shpeshta se mirëkuptimi e prandaj u referohet atyre më shumë sesa periudhëve të bashkëjetesës interetnike normale. Deri në vitin 1500 afërsisht, rromët janë mirëpritur pak a shumë në çdo vend ku kanë kaluar por pastaj ka filluar përjashtimi i tyre nga shoqëria. Fshatarët e shikonin me njëfare shqetësimi kalimin e tyre ; në fillim u jipnin të hanë e të pinë, me shpresë se kështu do të largoheshin këta njerëz "allasoj", një popull trim që fliste një gjuhë të pakuptueshme... Janë disa teza për të shpjeguar ndryshimin rrënjësor në qëndrim të vendeve evropian ndaj tyre që në shek. XVI-të.. Fakti kryesor si duket ka qenë që Evropa kishte sa herë e më shumë prirje për t’iu përputhur një modeli kulturor unik, me një fe, një traditë, një botëkuptim e një kulturë të përbashkët. Atëherë u acaruan fërkimet me popujt, kultura e të cilëve ndryshonte rrënjësisht nga ajo evropiane, siç ishte rasti i Evrejve, dhe u shfaq armiqësi ndaj rromëve. Një nga një, duke fillua nga Zvicra, vendet e Evropës shpallën dekrete për t’i dëbuar rromët nga trojet e tyre, duke i përzënë me force e jo rrallë duke i vrarë me ndonjë pretekst bajat ose pa pretekst fare. Kisha pati edhe një rol të fuqishëm në ndëshkimin e rromëve, të cilët përbënin një konkurencë për të, mbasi fallxhoret rrome jipnin njerëzve të thjeshtë shpresë e kurajo në këtë jetë, kurse kisha premtonte lumturinë në jetën përtej varrit, me kusht që kjo lumturi fitohej me sakrifica në këtë jetë. Rromët viheshin edhe shpesh në shërbim të fisnikëve në luftrat e tyre, gjë që pengonte shumë pushtetin qendror të mbretërve, që fkishin filluar procesin e centralizimit të shteteve të tyre. Në vendet e ndryshme të Evropës, rromët ishin paraqitur fillimisht si pelegrinë ; kjo ishte një mënyrë për të lehtësuar kontaktin me vendet që ndodheshin nën sundimin e Kishës dhe për të udhëtuar përmes tyre. Ata pajiseshin me letra rekomandimi nga autoritetet e ndryshme, të cilat i kërkonin popullsisë vendase t'u japë atyre ndihmë e mbrojtje. Letrat ishin me firmë të papës së Romës ose të mbretërve të vegjël e të mëdhenj. Siç e kemi përmendur, midis shkresave të tilla, ishte edhe letra e princit Zigmund të Bohemës (në trevet çeke), i cili mbretëronte atëherë në veri të Ballkanit kur kaluan andej rromët e parë në drejtim të perendimit. Kur doli në pah se pelegrinimi i tyre është veçse një përrallë për të qarkulluar më kollaj, simpatia ndaj tyre ra nga dita në ditë. Ndërrimi i qendrimit të evropianëve ndaj rromëve nuk mund t’i vishet një shkaku të vetëm por rrjedh nga konvergenca e disa shaqeve, duke përfshirë ato që janë specifike për secili vend apo krahinë të Evropës.



Një histori e shkurtër e persekutimeve : nga pretekstet në tragjed

Natyrisht, janë sajuar atëherë mjaft pretekste për të justifikuar persekutimet e rromëve, për shembull mosbindja e tyre ndaj kishës së krishterë, ose prirja e tyre gjoja për të vjedhur, ngjyra e lëkurës së tyre që qenkishte e zezë (kurse në fakt takohen rromë me shumë ngjyre lëkure të ndryshme, duke përfshirë edhe bjondë), një nënshtrim të hamendshëm djallit ose një rol i supozuar si spiunë të turqeve etj... Njëkohësisht dhuna e fshatarëve kundër rromëve nuk dënohej nga forcat e shtetit ose bile inkurajohej tërthazi. Shpesh akuzat ishin kaq primitive sa sot e kemi vështirë për t’i përfytyruar, duke filluar nga reagimi i njerëzve të prapambetur ndaj vatë paraqitjes së tyre : thonin ata “derisa Zoti i ka krijuar me lëkurë të zezë, edhe shpirtin duhet ta kenë katran", thuhej. Disa njerëzve medbjepakë ngjyra e tyre u kujtonte ngjyrën e turqve dhe të arabëve, "armiqve të Krishtit e të Kishës". Kur disa grupe rrome flinin jashtë e jo në shtëpi, disa i ngatërronin me trupa banditësh e hajdutësh, që në të vërtetë ishin të shumtë e të rrezikshëm në ato kohë. Aftësia e rromëve për të mjekuar sëmundje të ndryshme të njeriut e të gjësë së gjallë ose për të parashikuar të ardhmen ishte edhe ajo një shkak për të ngjallur dyshimin se mund të kenë hyrë në ujdi me djallin. Në ato kohë gati të gjithë njerëzit besonin shumë në "syrin e keq" dhe frika e magjisë i shtynte t'u jepnin lëmoshë grave rrome kur e kërkonin. Zjarri që ndeznin rromët në mbrëmje buzë lumit u kujtonte festat e shtrigave ; legjendat kudo në botë thuren shpejt dhe shpërndahen edhe më shpejt : nga vjedhës pulash, u bëkan vjedhës fëmijësh, pastaj vazhdonte imagjinata dhe ja, hëngërkan mish njeriu, u bashkokan me banditët ose me djallin, meqë ata nuk interesoheshin për kishën. Kjo u bë bazë e urrejtjes dhe urrejtja lind raprezaljet, që vetë çojnë në shtypje : mjetet nuk mungojnë, që nga rruarja e mjekrës dhe e kokës, prerja e buzëve, kamxhiku, burgosja e deri në dëbim e në varje... Gjithë kjo u vjen shumë ndoresh autoriteteve të çdo vendi, se është më kollaj të akuzohen rromët kot për ndonjë keqbërje, sesa të kërkohet fajtori i vërtetë, i cili madje mund të ndodhet edhe në rradhët e vetë autoriteteve... Edhe një ngjarje që ndodhi në Hungari në fillim të shek. XVIII-të është domëthënëse për këtë mekanizëm : doli akuza e bujshme që gjoja ciganët "hëngërkan mish njeriu" – një legjendë që, duke u mbështetetur në frikat e thella njerëzore, ka një fuqi të tillë sa dëgjohet ende sot në disa mjedise të prapambetura. Çështja mori shpejt përmasa të papara me njoftimin e zhdukjes së disa udhëtarëve në një krahinë ku jetonin edhe rromë. Këta u arrestuan dhe u organizua një gjygj i madh ; kalemxhinjtë e kohës tregojnë nëpër gazeta me loj-lloj hollësirash, se si u kapën udhëtarët, u therën e u hëngrën. Mjaft rromë u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan, kurse të tjerët i kishin mbytur në moçale ushtarët e fshatarët që në çastin e arrestimit. Kur ranë sadopak pasionet, mbreti Jozef II urdhëroi një hetim të plotë ; atëherë doli në shesh e vërteta se asnjë udhëtar nuk ishte zhdukur dhe se tërë çështja ishte ngritur në bazë të thashethemeve. Nuk janë të rrallë shembuj të tillë gjatë historisë edhe në vende të tjera. Shekuj me rradhë rromët janë dëbuar, shtypur, vritur kot.

Në mos kërkohej që të përziheshin, jipej urdhër të arrestoheshin e të dërgoheshin në galerat e mbretit, si banditë e kriminelë, vetëm nga shkaku që janë rromë. Luigji XIV, mbreti i Francës, pagonte "me para në dorë njëzet e katër franga për kapjen e një bohemiani mashkull e nëntë franga për një femër". Nuk ishte i vetmi e në mjaft vende ofroheshin shuma parash për kapjen ose vrasjen e rromëve.



Nga persekutimet spontane në përsekutimet “e justifikuara”

Politika antirrome vazhdoi kështu në mënyrë spontane deri në shek. XVIII-të, kur arsyetimi atëherë në modë kërkoi të arsyetohej çdo veprim i kryer në sferën publike. Fatkeqësisht kjo nuk pruri asnjë përmirësim në fatin e rromëve : për shembull përandoresha e Hungarisë Maria-Tereza vendosi t’i “shpëtonte” fëmijët rrome nga mjedisi rrom duke i ndarë nga familjet e tyre për t’i besuar fshatarëve, të cilët do të mirrnin ndihmë për t’i rritur. Kjo u ndoq edhe nga i biri i saj Jozef II e afro 13.000 fëmijë pësuan këtë disfat. Mirëpo fshatarët natyrisht i përdorën fëmijët rromë si skllevër e harxhonin ndihmën për vetën e vet, deri kur fëmijët në fjalë një ditë u revoltuan e u khtyën në gjirin e familjes. Që në shek. XIX-të erdhi koha e lindjes së racizmit të ashtu quajtur “shkencor”, i cili shprehte se njerëzimi ndahet në disa racë, me aftësi të pabarabarta midis tyre e të rrënjosura në trupin fizik të anëtarëve të këtyre raceve, në mënyrë të pamodifikueshme. Këto teorira u përdorën shpejt për të përligjur qëndrimet armiqësore kundër rromëve si racë më të ulët, gjë që i dha më vonë Hitlerit një themel ideor për të ngritur makinën më të lahtarishme shkatëruese që mund të imaginohet kundër popullit rrom, në mënyrë të gjashme me atë që po zhvillonte kundër popullit evrej. . Persekutimi arriti atëherë kulmin me sundimin e nazifashizmit, kur afro 600.000 rromë të pafajshëm u masakruan, nga foshnja në djep e deri pleq, u mbytën në dhomat e gazit helmues e u dogjën në llogoret e nazistëve e të qeverive kuislinge gjatë viteve 1933-1945 – pa llogaritur ata që mbetën me trup ose mend të cunguar gjithë jetën, pa mundësi të gjejnë një natë gjumi të qetë, pa llogaritur edhe të ve, jetimet e njerëz të sterilizuar me forcë ose viktimë të eksperiencës gjoja shkencore të mjekëve psikopatë e karieristë të Hitlerit. Kjo kërdi që quhet rromisht “samudaripen” nuk duhet harruar kurrë, mbasi edhe nesër mund të rikrijohen kushte politike të tilla që të shfaqet rrëziku i ripërsëritjes së saj.



Një popull gjerësisht i ngulur

Shek. XIX-të është gjithashtu koha e artë e romantizmit, i cili ka kënduar fatin e lirë të rromëve : "Gjithnjë ecin nga qyteti në qytet, s'ka asgjë që mund t'i mbaj", thotë një poezi. Në një botë të përçarë nga luftrat e pandërprera, endacakët nga India detyroheshin të kërkojnë gjithmonë e më larg pak qetësi. Por në fakt shumica ishte ngulur në Ballkan, në Evropën qendrore e në Rusinë e atëhershme (e cila përfshinte edhe Poloninë). Vetëm ata që kishin vazhduar shtegtimin deri në vendet gjermane, Francë, Angli e Spanje kishin ruajtur një mënyrë jetese lëvizëse, duke përvetësuar zanate të pajtueshëm me këtë mënyrë jetese. Anasjelltas, edhe kur fshatarët nuk i dëbonin rromët, ata shpesh detyroheshin të vazhdonin lëvizje për arsye se zanatet e tyre kërkonin një qarkullim të pandërprerë nga vendi në vend, mbasi myshtërinjtë në një fshat të caktuar nuk ishin të mjaftueshëm për t’u siguruar atyre një jetesë normale tërë vitin. Në mjaft vende nuk kishin as mundësinë e zgjedhjes : në Gjermani e në Çeki për shembull atyre nuk u lejohej të kalojnë nga një krahinë në një tjetër, por njëherazi në të gjitha krahinat, autoritetet vendase i përzinin. Ku mund të shkonin ? Dënoheshin kur largoheshin, dënoheshin edhe kur qëndronin : me kamxhik e deri me varje. Shpeshherë i jepej shpërblim atij që i kapte ; në Spanjë, që në kohën e Inkuizicionit u shpallën ligje e dënime të ndryshme kundër tyre : rrahje, prerje veshi ose hunde, varje, djegie etj... Mbretërit "shumë katolikë" të Spanjës dënonin çdo rrom që fliste në gjuhën e vet ose që ndodhej jashtë katundit të caktuar. Në Holandë, ushtria, policia dhe fshatarët organizonin gjah kundër "të pabesëve", kurse në Danimarkë u pritej koka kryetarëve të fisit dhe grupet përziheshin jashtë mbretërisë. Nuk është për t’u çuditur që ata rromë që e pesuan këtë fat u detyruan të vazhdojnë një jetë lëvizëse.



Si u shndërrua jeta e rromëve

Gjatë kësaj kohe, nga shek. XVI-të e deri në Luftën e parë botërore, u shndërrua thelbësisht jeta e rromëve. Në shumë vende ata dërgoheshin në pjesët më të prapambetura të krahinës e jetonin atje në kontakt vetëm me ignorantë. Gradualisht ata humbën kulturën e tyre, e cila ishte shumë cënuar jo vetëm nga traumatizmi i deportimit nga India deri në Anatolli, por edhe ndryshimi i botës natyror e shoqëror rreth tyre. Ata që kishin arritur në Evropën perendimore humbën besimin e banuesëve, sepse letrat e rekomandimit të papës e të mbretërve nuk vlenin shumë dhe shpejt asnjëri nuk i mori më parasysh. Megjithatë duhej të jetonin... Rromët i ruanin doket e tyre prej populli nga Azia, ku prodhimet e tokës u përkasin të gjithëve, me kusht që çdo njëri të marrë aq sa i duhet pa grumbulluar e pa marrë për shitje. Ky ligj nuk ishte i njohur në Evropë e rromët, duke vepruar sipas dokeve të Azisë, dolën si “hajdutë” sepse fshatarëve nuk u pëlqente që një njeri i huaj të mirrte diçka sado të vogël nga toka e tij private. Nami i tyre u hap shpejt, duke përforcuar qëndimin armiqësor të mjaft popullsive vendëse. Por këtë e morën vesh edhe hajdutët e vërtet evropianë, të cilët u hidhnin fajin rromëve për çdo vjedhje që kishin kryer ata vetë... Dalin në skenë edhe autoritetet, merren masa për të përzënë këto grupe ; fatkeqësisht, gjatë viteve, akuzat për vjedhje – të vërteta ose të trilluara – nuk u drejtohen më individëve në veçanti, por rromëve në përgjithësi si komb... Kjo është karakteristike e racizmit, kur një faj individual i vishet tërë kombit e personit të akuzuar. Armiqësia rritet, një shtypje nganjëherë pa mëshirë i godit. Kështu, pra, u krijuan paragjykimet negative për këtë popull. Shumë prej tyre, nga qytetet dhe fshatrat ku kalonin, filluan të mblidhnin mbeturinat e pronarëve. Por kjo nuk mjaftonte : gratë shkonin nëpër fshatra të lypin e të shtien fall ; në disa vende këtë traditë e kanë ruajtur deri në ditët e sotme. Nuk kanë rromët ndonjë "dhunti" të veçantë për të parashikuar të ardhmen, por nevoja është mësuesja më e madhe. Udhëtimet e paprera ua kanë zhvilluar ndjenjën e vëzhgimit të mprehtë psikologjik. Ato dinë të nuhatin, me pyetje të goditura, ku e ka hallin myshteriu ; dinë të zbulojnë atë që nuk u tregohet tek njeriu hallda, mbasi në një mjedis të thjeshtë problemet përsëriten pak a shumë në numër të kufizuar : shëndeti, pasuria, dashuria, fati i fëmijëve etj... Fustanet e gjata shumëngjyresh e grave rrome, sytë e zinj shprehës, vathët e rrumbullakët në veshet e tyre u bënin shumë përshtypje fshatareve duke dhënë fallxhoreve një prestigj të madh.



Rasti i Ballkanit

Në Ballkan rromët nuk hasnin shumë probleme, mbasi burrat ushtronin pa përtim zanatin e kovaçit ose e shportarit, e mbathësit të kuajve ose e farkëtarit të veglave, të armëve të ndryshme, e kazanpunuesit etj. dhe fitonin ashtu me nder bukën e gojës për tërë familjen. Duke qenë shumëkombesh, Ballkani ishte pra edhe më i hapur ndaj kulturave e botëkuptimeve të ndryshme. Sistemi otoman i milleteve gjithashtu nuk shkaktonte përleshje midis etnive e kombeve. Përkundrazi në vendet e Evropës Perëndimore rromët e patën shumë të vështirë t’i ushtronin zanatet tradicionale, ngaqë dëboheshin nga fshati në fshat. Në këto vende u ndalohej shpesh edhe vetë ushtrimi i zanateve tradicionale, kurse në Greqi, Shqipëri, Turqi, madje edhe në Hungari, Poloni e gjetkë, shpejt bëheshin me famë për mjeshtërinë e tyre si mbathës të kuajve si farkëtarë të veglave, të armëve të ndryshme e si kazanpunues. Edhe sot zor se gjen një "gaxho" (një njeri që nuk është rrom) që të riparojë enë bakri me po atë mjeshtëri që ka rromi.



Skllavëri në Munteni e Moldavi të Rumanisë

Një përjashtim duhet bërë për Munteninë e Moldavinë, të cilat janë dy nga të tre principatat e Rumanisë së sotme, por ishin të nfdara deri në mes të shek. XIX-të : atje, me të mbërritur në vend, rromët u kthyen në skllevër të mbretit, të kishës ose të pronarëve të mëdhenj. Pesë qind vjet me rradhë ata mbetën si kafshë shtëpiake në duart e Rumunëve, të cilit i shisnin, blinin, linin peng apo trashigim, dhuronin ose sekuestronin tamam si bagëti. Vlera e një djali cigan barazohej me një deri shtatë lopë, sipas gjendjes së tij shëdetësore, forcës e aftësive zanati. Kishte edhe rromë me shkollë që shërbenin si sekretarë e llogaritarë të pronarit. Sipas kodeksëve të skllavërisë, pronarët e tyre nuk kishin vetëm të drejtën e vrasjes së rromëve, por nuk ekzistonte procedurë dënuese për raste të tilla. Asnjë ndjekje ligjore nuk u ndërmor kundër vrasësve të rromëve ; e vetmia gjë që dëshmohet në arkivat është se një Rumun që kishte vrarë një rrom u detyrua t’ia paguajë kundërvlerën e tij pronarit të rromit të vrarë ose ta zëvendësonte viktimën me një skllav tjetër, pra vetëm në dobi të pronarit e jo si dënim për vrasjen e një qënie njerëzore. Skllavëria e rromëve u shfuqizua në 1848 në një moment kur Rumania syninte të bëhej një shtet modern evropian por u rivendos pak më vonë nga pushtuesi turk, deri në 1856 kur përfundimisht u hoq nga ligji. Duhet theksuar se revolucionarët rumunë të shek. XIX-të kishin luftuar ashpër që në vitet 1830 për shfuqizimin e skllavërisë së rromëve. Shteti rumun u pagoi dëmshpërblim pronarëve që kishin “humbur” skllevërit e tyre, por nuk parashikoi asgjë në favor të rromëve që kishin mbetur pa gjë. Skllavëria mbeti një temë tabu deri sot në Rumani e nuk u bë asnjë përpjekje për t’i ndihmuar ish-skllevërit. Mirëpo pesë qind vjet robërie ka shkaktuar probleme të thella midis pasardhësve të skllevërve : për shembull humbjen e besimit në të ardhmen si pasojë e faktit se ata vareshin nga kapriçiot e pronarëve, mungesën e nderimit ndaj prindërve si pasojë e faktit se ata poshtëroheshin e torturoheshin në sy të fëmijëve sipas qejfit të pronarit etj... Natyrisht kjo i përket së kaluarës por disa probleme shoqërore rrjedhin nga çnjerëzimi e rromëve në kohën e robërisë e trajtimi i tyre si sende.



Përshtatja profesionale në kushte të reja

Rromët që kishin vazhduar në vendet perendimore detyroheshin të provojnë edhe profesione të tjera : në Indi paraardhësit e tyre stërvisnin majmunë, arinj dhe kafshë të ndrysme ; ata i ktheheshin këtij zanati dhe rifillojnë të stërvisin midis të tjerash arinj, prandaj në disa krahina quhen edhe "arixhinj" ose sllavisht “meçkarë”. Në disa treva gjenë punë në ushtri jo vetëm si kujdestarë kuajsh, por edhe si qitës me arbalete, si në ushtrinë e Republikës së Raguzës (Dubrovniku i vjetër), ku familja Kabuxhiq u dallua për mjeshtrinë e vet në këtë art ushtarak. Disa të tjerë bëheshin shitës endacakë dhe shesin duke shkuar shtëpi më shtëpi prodhimin e duarve të tyre, si kanistra, shosha etj... Në periudhat midis panaireve ata bëheshin një hallkë lidhëse me rëndësi midis ekonomisë qytetare dhe asaj fshatare, një urë përmbi hendekun që i ndan, sepse çonin në fshat prodhimet e imta të qytetit, i bënin trambë me fshatarët kundrejt prodhimeve të tyre, të cilat ua çonin amvisave të qytetit. Natyrisht, në çdo rrugë mirrnin hakun e vet, por nuk bëheshin me kaq pasanikë.

Në disa vende, si Hungari e Rusi, shquhen sidomos si xhambazë kuajsh. Ata nuk janë kalorës të mirë, por dinë për mrekulli të kujdesen për kuajt, bashkështegëtarë të tyre në rrugën me Selçukët nga Horasani. Dinë edhe t'i blejnë e t'i shesin, dinë t'i mjekojnë, t'i shërojnë, bile t'i ngjyrojnë... Dinë t'u rregullojnë e t'u mbushin dhëmbët e prishur kuajve. Nuk u mungojnë marifetet për të bërë që një kalë plak të duket azgan. Prej shekujsh përdorin reflekset e kushtëzuara, që zbuloi më vonë fiziologu rus Pavllov në fillim të shek. kaluar ; ky marifet njihet si “hileja e kazanit” : disa ditë me rradhë frikësojnë një kalë që është për të shitur me zhurmën e një kazani plot gurë, që e tundin para turirit të tij. Kur pastaj e çojnë në panair e paraqitet ndonjë myshteri, mjafton të lëvizë pa ndonjë të keq një kazan bosh diku pranë, atëhere patjetër kali trembet, hidhet përpjetë e jep përshtypjen e një azgani. Por gjithë kjo i përket tashmë së kaluarës e si të gjithë popujt e botës, rromët kanë ndryshuar mjaft në shekujt e fundit. Ndryshojnë deri diku edhe midis tyre, sipas vendit ku jetojnë, sepse vetë kushtet ekonomike e sociale ndryshojnë. Në Azinë e Vogël jetojnë pak a shumë akoma si para tetë qind vjetësh ndërsa në Bullgari e në Jugosllavi, përbri lypësve e arixhinjve, gjendet një numër në rritje rromësh që janë inxhinierë, mjekë, avokatë, profesor etj... Në Shqipëri ka nga ata që janë artistë, mësues, inxhinierë etj... Në Gjermani, Francë ose në vendet skandinave – edhe kohën e fundit në Poloni e Hungari, ka edhe afaristë midis tyre, kurse në Amerikë rromët janë mjeshtër më të zotë për saldimin e aluminit dhe udhëtojnë nga një shtet në tjetrin, ku ndërtohen struktura gjigante prej alumini. Të tjerë mund të riparojnë një karroceri makine brenda orës dhe kështu fitojnë shumë para, ndërsa gratë e tyre marrin fitime të majme duke u shtënë fall amerikanëve dhe duke shfrytëzuar naivitetin e tyre. Në fakt, një tipar i dukshëm i rromit është aftësia e tij për të ushtruar disa profesione nga më të ndryshme : i njëti rrom mund, gjatë jetës së tij, të punojë nga muzika deri te shportaria, nga tregtia deri te ndërtimi, nga xhirimi filmash e deri te riparimi mekanik, domëthënë me një aftësi adaptimi të rrallë.



Rromët e muzika

Megjithatë, lavdinë e tyre më të madhe rromët e kanë fituar me muzikë. Shumë herë janë vlerësuar si muzikantë të çdo lloj vegle ose si valltarë. Ata e kanë këtë veçori se nuk kërkojnë të përsërisin qorrazi një melodi të caktuar por çdo herë e riinterpretjnë në mënyrë krijuese. Nuk ka vend ku rromët të mos shquhen për kontrubutin e tyre muzikor. Emri i parë që del në histori është ai i Barnës, rreth vitit 1700, miku i ngusht i luftëtarit hungarez Rakóci e autor i marshës së Rakócit – e cila ka qenë deri vonë e vonë himni i Hungarisë. Mbesa e tij, Panna Cinka, qe në shek. XVIII “harku më i famshëm i Evropës, i cili e mbushte atë nga Adriatiku deri në Balltik e bënte të dridheshin edhe guret nga malli” – siç ka shkruajtur një bashkëkohor i saj. Në Hungari rromët kanë luajtur një rol vendimtar për ruajtjen e muzikës kombetare hungareze, e cila ishte duke u zhdukur në shek. XVIII-të por që ata rigjalluan tërësisht me mjeshtrinë e tyre, deri sa edhe sot tingujt e krijimtarisë fshatare hungareze të vjetër dëgjohen të veshur me interpretimin e shndritshëm “alla cigan” e rromëve. Në shek. XIX-të nuk numërohen emrat e violonistëve të shquar në Austro-Hungari, thuhet edhe që ata e kanë shpëtuar muzikën tradicionale hungareze nga harresa duke e rigjalluar atë duke qenë se frymëzimi i tyre bazohej kryesisht në burimin folklorik vendas, të cilin e mirrnin, ia përpunonin ritmin, i jipnin një interpretim më komunikues, krijonin një stil më vete për t'i rënë violinës dhe më në fund kjo muzikë është përhapur në mbarë botën si "muzikë cigane". Në asnjë vend tjetër lavdia e tyre nuk arrin atë shkallë sa atje dhe deri më sot ajo rrezaton në tërë botën. E ç'do të ishte Budapesti pa “violina cigane” ? Në Rusi gjithashtu rromët këngëtarë, instrumentistë e valltare fituan një lavdi të madhe, që i çoi nëpër oborret e fisnikëve më të lartë. Rromët e Spanjës e bënë të njohur botërisht artin e “flamenkos”, i cili buronte nga një traditë arabe mesjetare por që mori një jetë të re nëpërmjet interpretimit të rromëve. Edhe në Francë u shqua Xhango Rajnharti i cili krijoi “xhezin manush”, një stil që u përhap me shumë sukces në të gjithë botën, sidomos në Gjermani e në vendet skandinave. Maqedonia është atdheu i “mbretëreshës së muzikës rrome”, Esma Rexhepova e cila është njohur anë e mbanë botës, kurse në Shqipëri kompozitori Shemo nga Roskoveci ishte edhe ai rrom. Thuhet se zemra e Rromëve u këndon ; në të gjithë Ballkanin ata u bien instrumenteve : jongarit, violinës, daulles, gërnetës, lahutave etj... Kënga e tyre është shumë melodioze. Këtë muzikë të veçantë të tyre ua kanë përshtatur këngëve shqiptere. Ata u bien me gërnetë kabave të bukura, të trishtueshme. Në këtë stil është bërë i famshëm rromi nga Korça Hekuran Xhanbazi. Kur në Shqipëri në vitet 60 erdhi filmi indian “vagabondi”, ku këndonte Raxh Kapuri melodi të prekshme, violonxhinjtë rromë e Shqipërisë, i thithën menjëherë ato. Duhet thënë se qemanxhinjtë rromë kanë luajtur një rol jo të pakët në muzikën shqiptare. Ata i gjeje duke u rënë qemaneve dhe lahutave kudo, në fshatra e në qytete, në dasma e në festa. Pavarësisht se agallarët i përçmonin, këngët ua dëgjonin, kurse populli i thjeshtë gjithnjë ka ushqyer ndjenja shumë miqësore me ta.

Kudo muzikantët rromë janë ftuar nëpër dasma për të luajtur dhe kënduar dhe në kështjellat për të dëfryer zotërinjtë. Prandaj muzika rrome ka frymëzuar mjaft kompozitorë të famshëm, si Liszt, Brahms, Ravel, Berlioz, Manuel de Falla, Glinka, Korsakov etj...



Rromët, piktura e letërsia

Megjithatë nuk duhet harruar se disa rromë janë shquar edhe në artet e tjera si piktura. Mund të përmenden këtu Otto Müller nga Silezia (sot në Poloni) ose Sergej Polakov nga Rusia të cilët kanë fituar famë botërore, edhe pse nganjëherë nuk thuhet se janë rromë – pavarësisht se Otto Müller i ka kushtuar mjaft pikturë tematikës rrome. Një emër tjetër është ai i Helios Gomezit, grafist, plakatist e poet rrom nga Sevilja në jug të Spanjes i cili jo vetëm la një vepër të pasur figurative e letrare, por njihet për luftën e tij kundër diktaturës frankiste – e cila e hodhi në burg dhjetë vjet pa gjyq e pa aktdënimi. Letërsia është gjishashtu një fushë ku mjaft rromë kanë krijuar vepra me vlerë, duke filluar nga Ion Budai-Deleanu në Rumani, i cili shkroi rreth viti 1800 “Ciganiadën”, një nga veprat më bëgate e të arritura në historinë e letërsisë botërore e deri te Rajko Gjuriqi, Menjhert Lakatoshi ose Aleksandër Romanèsi. Emrat e Papushës në Poloni, e Valdemar Kalininit në Belarus, e Rudeviçit në Letoni, e Leksa Manushit në Rusi, e Hose Heredias në Spanjë, e Mateo Maksimovit në Francë ose e Veijo Baltzarit në Finlandë janë gjithashtu të respektuar kudo midis njohësve të letërsisë.



Rromët e arti i cirkut

Shekuj me rradhë rromët kanë zbutur e ushqyer arinj. Në disa krahina këta janë bërë vegla pune. Fshatarët jo vetëm paguanin për të parë vallen e arushës, por edhe për ta prekur atë, sepse besonin që në trupin e saj ka një fuqi shëruese për sëmundje të ndryshme. Arinjtë kapeshin të vegjël, sidomos në Karpatet e në malet e Ballkanit, por kjo është tepër e rrezikshme : kur prindërit e ariut të vogël ndodhen jashtë strofke, pengohen, për shembull me një rrjetë, ndërsa dikush i merr këlyshët. Edhe zbutja është e vështirë ; ajo mbështetet në përdorimin e reflekseve të kushtëzuara midis formave e ngjyreve që sheh këlyshi i vogël, tingujve që dëgjon e lëvizjeve që detyrohet të bëjë nëpërmjet prekjes së një shkopi. Pas disa provash të tilla ariu i vogël mjafton të dëgjojë dajren dhe automatikisht fillon "të kërcejë". I mësohet pastaj të imitojë një nuse, një pijanec e personazhe të ndryshme në jetë ; kjo bëhet duke lidhur një reagim të veçantë me prekjen e shkopit të zbutësit. Ariu e mbron pjesën e trupit që kërkon ta prekë njeriu dhe pa dashur imiton personazhin e duhur. Nga ky zanat, shumë fshatarë kanë lidhur punën me ari me vetë identitetin rrom, duke i thirrur ata meçkarë në Bullgari (nga fjala meçka “arushë”) ose arixhinj në Shqipërinë e jugut, fjalë që është thjest përkthimi i fjalës meçkar dhe që përfshin gabimisht edhe rromët që kurrë në histori nuk kanë punuar me arinj.

Disa ngjarje me arushë ka lërë kujtim në histori. Në sh. XVII për shembull disa dhjetra arixhinj organizuan një festë mbresëlërëse në pallatin e sulltanit të Stambollit. Një shekull më vonë, një shef fisi rrom shkoi te mbreti me një qerre, që tërhiqej nga gjashtë arinj... Por rromët zbutin edhe majmunë, qen apo dhi... Në romanin e tij "Katedralja e Parisit", Viktor Hygo tregon për dhinë e një vajze të rritur midis rromesh, Esmeralda : kjo dhi i bie dajres me këmbë për të treguar orën ; për këtë arsye, Esmeralda akuzohet si magjistare dhe varet në shtyllë.

Që shumë herët rromët e Evropës janë marrë edhe me akrobaci, me numra shpejtësie e zanate të tjera cirku. Kjo dokumentohet që në sh. XVI. Disa kanë fituar një famë botërore, si familja Buljone, që i përket grupit të Sintove nga Piemonti i Italisë, por që ka bredhur tërë Evropën Perëndimore me një cirk shumë të begatë. Plaku Firmin vdiq më 1981 : gjatë jetës së tij ka zbutur lloj-lloj kafshësh, që nga luanët deri tek elefantët, që nga tigrat e deri tek gjarpërinjtë boa e piton. Nipi i tij, Aleksandri, vazhdon traditën edhe sot, por në mënyrë krijuese, duke përpunuar numra cirku ku me akrobacinë e shpejtësinë gërshetohen edhe poezia e muzika nga tradita. Cirku i tij, që quhet “Romanès” ka tashmë fituar një famë botërore. Një drejtor cirku tjetër me prejardhje rrome, Ashil Zavata me dymbëdhjetë vëllezër e motra ka bredhur edhe ai nëpër Evropë me cirkun e familjes. Ai vetë ka qenë një nga kllounët më të njohur të historisë. Ishte edhe shumë merakli për arsim : në cirkun e tij gjithnjë merrte pas një vordon-shkollë për fëmijët e personelit, pasi ai vetë pati shumë vështirësi për të mësuar shkrim e këndim, sepse nuk e filloi dot shkollën para moshës njëzetedyvjeçare.

Rromët natyrisht ushtrojnë edhe shumë zanate të tjera, si punimi i sitave e shosheve, i hekrit apo i bakrit – shpesh në mënyrë shumë artistike. Në shumë vende janë njohur për të shtënit fallin e për mjekimin e kafsheve, por sot kanë përvetësuar zanate nga më të ndryshme : tregti, transport, hotelëri, shkencë si gjuhësi, muzikologji ose agronomi por edhe mekanikë, inxhinjeri, mjekësi e sa e sa profesione të të gjithë llojrave.



Rromët nuk janë ndonjë “popull zeshkan”

Një paragjykim shumë i përhapur është se rromi njihet nga larg sepse e tradhton ngjyra e lëkurës. Në fakt midis rromësh mund të gjejmë ngjyrë lëkure e flokësh shumë të ndryshme. Kështu ka qenë situata që në kohën e egzodusit nga India, siç e shënon al-‘Utbi në rrëfenjën e vet për marrjen e Kanoxhit por është theksuar edhe gjatë rrugës drejt Evropës si pasojë e kontakteve me popuj të ndryshëm, sidomos grekët, armenët e gjeorgjanët në Anatolli. Duhet theksuar këtu se popullsia vendase në Ballkan në lashtësi ka qenë ajo zeshkane, por ardhja e ilirëve (nga dolën më vonë shqiptarët), e grekërve, e fisave gjermane e më në fund e sllavëve dhe e rromëve e ka “zbardhur” lëkurën e ballkanasëve, prandaj çehrja zeshkane nuk i karakterizon rromët (me gjithëse mjaft rromë kanë një çehre të tillë), por më tepër elementin protoballkanik – ose egjipcian, mbasi popullsia e Egjipti së në atë vend ishte me një çehre të errët të theksuar, megjithëse me përzierjen e popullsive, gjejmë çehret nga më të ndryshme edhe midis egjipcianëve; fakti është se gjenetika njerëzore është jashtëzakonisht e ndërlikuar e nuk mund të thjeshtësohet me disa fjalë “racë e zezë” ose “racë e bardhë”.

Ka njerëz që pretendojnë se njohin një rrom nga shikimi i parë, sado larg që të jetë ai. Është naryrisht qesharak. Njihet rromi që ka karateristikat e etnotipit rrom, ose të themi më mirë, të stereotipit të rromit (që i përputhet një imazhi, jo gjithnjë realitetit) por ama ka shumë e shumë rromë që nuk kanë një aspekt të tillë. Shpesh kur flasim rromisht në rrugë midis nesh, reagojnë e na përgjigjen kalimtarë që nuk duken fare si stereotipi i rromit. Natyrisht, për atë që nuk di rromisht e nuk gjendet në një situatë të tillë (politikani, antropologu, punonjës social etj.), ata njerëz nuk qenkanë rromë e pamja e tij për rromët mbetet tek ata që e pasqyrojnë stereotipin. Përveç kësaj stereotipi nuk është i njëjtë nga vendi në vend e një njëri që i “ka prerë kokën arixhiut” në Shqipëri do të duket në një vend tjetër si nje gaxho puro e anasjelltas. Nga ana tjetër, janë vende ku popullsia vendase i ngjan stereotipit rrom më shumë se mjaft rromë e ngatërresa bëhet akoma më e theksuar. Kjo është e vërtetë edhe për veshjen, zanatet ose traditat : vërtet janë disa që janë më të shpeshta te rromët, por nuk ekziston ndonjë kufi i prerë për t’i ndarë nga popullsi të tjera. Shpesh një veshje që ka qenë dikur e të gjithë vendi mbetet vetëm te disa katundarë e te rromët që jetojnë në qytet, prandaj për qytetarin ose për të huajin duket rrom. Këto çështje duhen trajtuar me shumë nuanca dhe rromët duhen trajtuar në radhë të parë si bartës të një kulture të veçante, vërtet me origjinë indiane por e pasuruar nëpërmjet shumë kontakteve me kombe të ndryshëm gjatë rrugës së gjatë që i çoi nga Uttar-Pradeshi e deri në gati të gjithë vendet e Evropës (përpos Irlandës, Islandës e inshujt feroe ku nuk ka rromë) si dhe më tej në Amerikën e veriut e atë të jugut e në Australi – pa përjashtuar rastet ku kultura e tyre përkundrazi është varfëruar, kur janë përjashtuar ata nga shoqëria e detyruar të jetojnë midis shtresave më të prapambetura të vendeve ku ishin. Me gjithatën, globalisht – sidomos nëqoftë se e vëzhgojmë këtë çështje në një nivel të lart anë e mbanë Evropës, rromët i karakterizon kryesisht një trashëgim kulturor i gjallë e origjinal e jo ndonjë tipar i trupit.



Rromët nuk janë ndonjë “popull fetar”

Kohën e fundit takohen mjaft klerikë, sidomos midis myslimanëve e evangjelistëve, që pretendojnë se "një rrom që nuk beson në fenë [e këtyre klerikëve përkatësisht] nuk është rrom" sa për t’u mbushur mendjen rromëve që të vijnë në kishën ose xhaminë e tyre. Nëqoftë se mund të thuhet diçka për qendrimin e rromëve ndaj fesë, mund të spikatet se ata shikojnë esencën e besimit, ndershmërinë e lidhjen me forcat hyjnore por jo shumë dogmet e ritualët. Ata në përgjithësi i mbeten besnikë parimit të respektit midis njerëzve, pavarësisht nga feja ose besimi e tyre : kjo traditë është trashëguar nga India ku besimet ndërthurren me njëri tjetrin. Kështu për shëmbull një besimtar mund atje të jetë amtar e disa feve njëkohësisht, kurse në Evropë, besimi në një fe përjashton besimin në një fe tjetër – gjë që e ndan njerëzit e ka shkaktuar shumë luftëra e shkakton akoma armiqësi në shumë vende të botes. Mos harrojmë se Harsha, perendori i famshëm që e shndërroi Kanoxhin në shek. VI-të në kryeqytetin e Indisë veriore, qe i pari burrë sheti në botë, i cili organizoi një mbledhje pajtimi midis të gjitha fetë e treve të tij.

Në fakt, rromë janë larguar nga India më tepër si hinduistë – me gjithëse Kanoxhi ka pasur edhe një traditë budd’histe të bëgatë në kohën e Harshasë. Kanë jetuar ata me selçukët muslimanë sunitë, të cilët u kanë lejuar të vazhdojnë me fenë e vjetër indiane të tyre, gjë që është një privilegj i pashok në historinë e islamizmit. Pastaj kanë mbërritur në Bizancën e në Ballkan ortodoks para se të hyjnë në zonat katolike të Evropës. Kudo janë përshtatur pak a shumë ritëve të vendit përkatës. Në vendet e ndryshme ka edhe mjaft rromë që nuk besojnë në asnjë fuqi hyjnore e janë ateistë por respekti midis të gjithë rromëve pavarësisht nga besimi i tyre është gjithnjë shumë i ngritur.

Stërmoshët rromë kishin një thënjen “me një pamje që ndryshon e me gjuhën tonë që nuk kuptojnë gaxhet, sikur të kishim edhe një fe tjetër, do të ishim shfarosur me kohë e me vakt...”. Prandaj pranojnë fenë mbizotëruese të vendit ku ngulen, meqenëse dinë mirë që ajo me rendësi nuk qendron te dogmet e ritualët, por në zemrën e njeriut.



Rromët nuk janë ndonjë “popull endacak”

Në Indi, proto-rromët ishin një popull qytetar, dhe vendi i tyre, Kanoxhi, shquhej për godinat e tij madhështore, midis të cilave ishin disa mijëra tempuj me përmasa nga më të ndryshme. Gjatë shtegtimi nga India deri në brigjet e Evropës, pasardhësit e tyre kanë jetuar kryesisht nëpër çadra, si edhe selçukët që i kanë çuar deri në Anatoli. Atje ngulen në qytetet kryesorë, duke qenë se lagjja e tyre më e vjetër me ngase ka qenë në Konjën e sulltanatit selçuk (sot në Turqi), me shtëpi të vogla shumëngjyresh, siç gjenden akoma mjaft në Ballkan e në Turqi. Në Evropë përseri janë ngulur atje ku kanë gjetur kushte të favorshme për banimin e për ushtrimin e zanateve të tyre. Në disa vende janë marrë edhe ma bujqësi, për shembull për mbledhjen sezonale të frutave. Kanë vazhduar atëherë jetë nën çadrat, mjaft të madhe e rrumbullake si në Greqi, ose kanë jetuar si në Myzeqe në kasolle karakteristike që quhen “luv” rromisht. Në disa vende të Rumanisë, në kohën e skllavërisë, nuk u është lejuar të kenë një shtëpi, prandaj janë detyruar të jetojnë në çadër, por këta çadra mbeteshin në vend – edhe pse udhetarët germanë e francezë që i kanë parë kanë kujtuar se ishin përdorur për shtegëtim. Në fakt ata nuk shkuleshin që nga ngritja e tyre e deri në moment kur kalbeshin e binin copë copë. Në dimër, rromët jetonin në “putrina”, domëthënë ata gërmonin një gropë në tokë, e mbulonin me degë e me gjete, duke lërë një vrimë në mes për kalimin e tymit nga zjarri që ndeznin brenda, e grumbulloheshin atje, nën tokë me gjithë kuajt e bageti kur kishin, për të pritur pranverë. Dalja e këtyre “putrinave” ishte një festë e shënuar që kremtonin ata me shumë gëzim. Në Rusi, rromët qytetarë jetonin shesh në shtëpi luksuoze por ata të fshatit bënin një jetë lëvizëse edhe ata me çadër. Kjo vazhdoi gati deri Luftën e dytë botërore, kurse edhe pas kësaj Lufte mjaft rromë shumë të varfër të Finlandës akoma kanë jetuar në çadra me forùmë katrore ku me zi e përballonin dimrin e madh të këtij vendi.

Në jug të Spanjes, mjfat rromë u detyruan të jetojnë nëpër shpellat, që organizonin tamam si shtëpi. Kohën e fundit këto shpella janë kthyer në objekte turistike dhe brenda janë hapur tashmë restorante e hapësira ku rromët japin shfaqe të flamenkosë.

Mjaft vonë filluan rromët të ndërtojnë karroca të banueshme, që quhen “vordon”. Janë tamam si shtëpi prej druri, me dyer, dritare madje edhe me kanata ; janë të pajisura me një shkallë të vogël për të hyrë brenda dhe ngrohen me një sobë të vogël. Këta vordonë gjendeshin sidomos në Itali të veriut, në Francë, në Gjermani e në Polonie, por janë akoma shumë të përhapur ndër rromët e Anglisë. Si rregull rromët nuk i ndërtonin vetë, por i blinin të gatshme. Rromët e Anglisë e zbukurojnë vetë vordon-in me vizatime shumëngjyrëshe, figura e përmasa të cilave janë kodifikuar hollësisht. Zhvillohen edhe gara shpejtësie midis piktorëve se kush mund të mbarojnë një motiv të caktuar brenda tri ose katër minutash. Me kalimin e kohës, përdorimi i vordonëve ka rënë shumë dhe, atje ku rromët nuk kanë zënë vend, janë zëvendësuar me kamioçina ose me rimorkio kampingu. Megjithatë ata dallohen nga rimorkiot e turistëve, se kanë një oxhak që lëshon tym, gjë që tregon se aty brenda ka një sobë. Një diferencë tjetër qëndron te fakti se karroca rrome ka dy boshte e katër rrota, jo një bosht me dy rrota si ajo e turistëve. Në fakt në mjaft vende rromët e kanë ndarë vitin në dy pjesë : në dimër, banojnë në një shtëpi guri ose në një banesë, si të tjerët, kurse sa vjen pranvera, ata rifillojnë rrugën e vjetër. Disa mbledhin porosi për punën e dimrit si në Serbi e një grup i vogël nga fisi, sidomos burrat, udhëton në verë për t’i dorëzuar punimet e kryer myshtërinjve gjatë rrugëve prej disa ditësh, disa çojnë majmunat e arushat nëpër pikat turistike si në Kroaci o në Turqi, disa shkojnë për të ndihmuar në punë të bujqësisë si në Greqi etj...



Bota e rromëve : familja, jeta e përditshme

Rromët përbëjnë familje shumë të ngjeshura e me shumë fëmijë, megjithëse numri i tyre të fundit ka prirje të stabilizohet tashmë te dy ose tre fëmijë për çdo çift. Lidhjet emocionale midis anëtarëve të familjeve mbetet si një vlerë që transmetohet nga brezi në brez. Një rrom i shkëputur nga njerëzit e vet e ndien veten si të humbur fare. Prandaj ata nuk ndahen sipas moshës dhe të gjitha breznitë jetojnë bashkë e marrin pjesë bashkë në çdo veprimtari ku është e mundur. Edhe vdekjen e përballojnë së bashku : kur një plak ose një i sëmurë ndien t'i afrohet vdekja, kur sheh, për shembull, në ëndërr një zog të zi që fluturon rreth tij, atëherë farefisi grumbullohet edhe nga larg rreth tij, ku të jetë ai : në shtëpi, në spital apo gjetkë dhe e përcjellin gjatë momenteve të fundit. Kjo natyrisht nxit zemërimin e personelit mjekësor të institucionit e shkakton shepsh sherr me të. Mjekët për shembull kujtojnë, në bazë të paragjykimeve raciste, se familja është e fëlliqur ose e zhurmshme dhe përpiqen ta dëbojnë nga spitali, kurse ata dçnë se nuk janë më të fëlliqur se çdo njëri tjetër. Varet kjo nga personi, jo nga “raca”. Në të kaluarën, midis rromësh shtegtarë nëpër pyjet e fushat, tradita kërkonte që familja ta shtrojë të sëmurin jashtë që të vdesë i lirë. Me shumë respekt gdhihet i nderuari nga të afërmit dhe nata shoqërohet në shumë grupe rromë me gjëegjëze e shaka të ndryshme. Kjo e çudit shepsh dorën e bardhë kur e konstaton por ka arsye të veta të rrënjosura në traditën rrome. Në fakt, shakara tregohen vetëm kur i vdekuri ka pasur një “vdekje të bukur” : në një moshë të lartë e me pak vuajtje. Mbi varret vihet një gur shumë i madh ose mbillet një pemë, që të mos dalë "mullo-ja", do më thënë shpirti i tij qejfprishur. Më parë zakonisht digjeshin edhe plaçkat e të vdekurit, duke përfshirë edhe "vordon-in" e tij, për ta qetësuar mullën ; ky veprim kishte për qëllim gjithashtu parandalimin e epidemive dhe të grindjeve për ndarjen e pasurisë. Solidariteti rrom është njohur në shumë vende si shembullor, jo vetëm midis pjesëtarësh të një familjeje por edhe midis rromëve që nuk njiheshin me njeri tjerin. Fatkeqësisht sot ai është në rënie nën ndikimin e individualizmit modern urban e perendimor. Secili është duke fituar më shumë liri, por duke humbur ngrohtësinë jetike e ndihmën e përditshme që siguronin lidhjet familjare. Secili mund të fitojë më shumë lekë për t’i harxhuar ose më rrallë për t’i grumbulluar, por në rast disfati mbetet më shpesh i vetmuar me problemet e tij.

Në rast konfliktesh midis rromëve ka egizstuar me shekuj e egziston akoma në mjaft vende një gjyq tradicional rrom, i krahasueshëm me “pleqërimin” ose “dheun” e shqiptarëve e i cili përpiqet të pajtojë njerëzit në sherr, duke lehtësuar pasojet e fajit të kryer. Ky gjyq, i cili quhet rromani kris, jep sidomos këshille por edhe dënime, për shëmbull, me gjobë ose duke e veshur fajtorin me një shpullë publike. Mund të detyrohet fajtori të shtrojë me shpenszimet e et n,jë gosti të mashe për të gjithë fisin e dëmtuar ose bile për të gjithë rromët të pranishëm. Përjashtimi nga grupi, i përkohëshëm ose i përjetshëm, është dënimi më i rëndë e mund të krahasohet me dënimin me heqje lirise që praktikohet nga dora e bardhë. Janë edhe mjaft diferenca midis gjyqit qytetar e rromani kris-ës. Në Rumani rromani kris njihet zyrtarisht nga autoritetet si një shkallë e parë në zgjidjne e konflikteve.

Të gjithë njërëzit i kanë shumë qejf festat dhe ahengjet e ndryshme por ndoshtë Rromët akoma më shumë se të tjerët. Vjen kjo nga botëkuptimi i tyre popullor që të mos grumbullohen pasuri e të gëzojnë momentin që kalon. Në fakt edhe kjo rjedh nga solidariteti i tyre e nga fakti që gjatë shekujve të hollat, që ishin pronë kolektive e fisit, përdoren për të shpëtuar atë nga komuniteti që ishte në rrëzik, qoftë shendetësor, qoftë ligjor, qoftë nën kërcënimin e një shantazit. Kjo natyrisht nuk inkurajonte asnjë pjesëtar që të grumbullonte të holla të cilët, në të gjithë rastet do të harxhoheshin për një person tjetër. Prandaj çdo rast sado i vogël bëhej sebep që të gëzohej momenti i pranishëm e të organizohej një biav – "dasmë", ose një pativ – "nderim" : fejesë, martesë, lindje, takim, vizitë, ditëlindje, blerja e një shtëpie ose magnetofoni, shërim, sihariq etj... aq më tepër sa në rast nëvoje, prapë se prapë, mund të grumbulloheshin para ose të mirrej borxh nga secili mjaft të holla për të përballuar nëvojat e paparapritura.



Rromët, fitimi e paratë

Në përgjithësi, rromët njihen si punëtorë të mirë e të palodhur por që punojnë vetëm sipas nevojave të çastit : qoftë kur bëjnë tulla, shporta ose kusi, ata i prodhojnë ato me shumicë, por kur i kanë shitur e kanë grumbulluar një sasi parash që u siguron qetësi, pushojnë një muaj të tërë... Në Greqi vjelin fruta më shpejt e më mirë se çdo fshatar dhe disa fise janë bërë pasanikë të vërtetë, kurse në Maqedoni qepin xhupe dhe bluxhinse, që shiten pastaj si rroba të jashtme ; në fakt, edhe pse janë prodhim vendi, janë qepur me duar... indiane.

Rromët kanë një koncept tradicional të veçantë për pasurinë : siç sapo u përmend, jo çdo pjesëtar i familjes ka hesapin e vet. Llogaria është e familjes : harxhi bëhet për të mirën e të gjithëve ose, në qoftë se një pjesëtar ka nevojë të ngutshme, atëherë paratë shpenzohen për ta shpëtuar atë nga hallin e tij konkret. Me gjithë shpirtin e solidaritetit rrom, nuk është kjo një shtytje për kursim, kur dihet se gjasërisht fryti i kursimit do të përdoret për një tjetër. Prandaj aq para sa kanë në një moment të caktuar, i prishin në dasma e festa të ndryshme natyrisht perveç rasteve kur kanë ndër mend të blejnë diçka me vlerë si ndonjë flori ari, ose një shtëpi, një makinë apo ndonjë vegël muzikore të rrallë. Shumë kollaj mund të shesin ose të blejnë shtëpi a sende që gaxhetë i mbajnë për gjithë jetën. Rromët përbuzin familjet ku plasin grindje për ndarjen e pasurisë, prandaj parapëlqejnë më mirë ta harxhojnë atë që kanë fituar, sesa të akumulojnë para pa ndonjë qëllim konkret. Pastaj, ata e adhurojnë aq shumë muzikën, sa nuk është rrallë të shohesh rromë me ndonjë magnetofonë gjigantë që jeton në një kasollë të parregulluar... Qejfi qeder s’e bejnë !

Gjithë kjo tregon për filozofinë e tyre ndaj jetës. Ata janë mjeshtër për ta gëzuar deri në fund çastin që po kalon, pa u shqetësuar që më parë për hallet që mund të dalin nesër – ose të mos dalin... Duan të jetojnë, ta shijojnë kohën, moshën. Natyrisht, nuk duhen bërë përgjithësime. Rromët janë të ndryshëm, ashtu siç janë të ndryshëm edhe gaxhetë. Sidoqoftë, secili duhet të ketë mundësi të jetojë siç i vjen për mbarë, përderisa nuk cënon as të tjerët, as shoqërinë, por përkundrazi i japin kontribut asaj.



Martesat e dasmat

Rromët e kanë pasur për një kohë të hgjatë zakonin të martohen në moshë të njomë, por edhe kjo ndryshon mjaft simbas grupeve. Kjo nuk është zakon rrom i mirëfilltë, mbasi kështu veprojnë edhe shumica e kombeve ne lindjen e mesme : kurdët, arabët, turqit etj... Kuptohet kjo sjellje kur mirret para sysh që në të kaluarën, shumë njerëz vdiqnin të rinj e nuk ekzistonte atëherë asnjë perspektivë tjetër veçse të themelojnë një familje. Mirëpo tashmë u zgjat shpresa e jetesës dhe martesa nuk shfaqet si një urgjencë kaq të ngutshme sa më përpara. Me martesat e hershme lidhej edhe kërkesa e rreptë e virgjërisë së nuses (sidomos në një kohë ku nuk disponoheshin kollaj mjete të sigurta për të parandaluar shtatëzënësi) ose fakti se prindërit vendosnin për zgjedhjen e bashkëshortit, në një mosh ku fëmija nuk kishte mjaft arsye për të zgjedhur një partner të besueshëm për të krijuar një familje. Deri më sot, në shumë grupe rrome, prindërit luajnë një rol të madh në zgjedhjen e burrit ose të gruas. Paja dhe nderi i nuses janë gjëra me shumë rëndësi. Në disa vende, shenja e fejesës është një shami e kuqe që djali ia çon vajzës ; duke e pranuar, ajo shpreh miratimin e saj. Në mjaft grupe, djali duhet ta rrëmbejë nusen, nganjëherë në mënyrë fare teatrale, dhe kur ajo kthehet në shtëpi, i ati ose vëllai i madh i jep një shpullë simbolike. Në vendet e tjera çifti pritet me bukë e kripë në prag të derës ose, dhëndrit i thyejnë një poçe nën këmbët : lumturia e tij e ardhëshme matet me numrin e copave të thyera. Shumica e këtyre ritualeve është huazuar nga popujt në kontakt në të kaluarën ose akoma sot me grupet rrome përkatës. Një shembull tipik është “shitja” e nuses : në lashtësi, nuset janë shkëmbyer midis fisave sipas një skemë anadollake. Kur numri i nuseve nuk ishte i barabartën, plotësohej diferenca me flori ari. Më vonë, kur martesat u bënë individuale, shkëmbimi i florive vazhdoi për të zëvendësuar nusen tjetër në shkëmbimin nusesh. Mirëpo, kelderarët, që janë një fis nga Rumania e Rusia e praktikojnë këtë me flori, që në asnjë mënyrë nuk mund të përdoret për një qëllim tjetër, për shembull për tregti ose për të blërë diçka, sado e nevojshme të jetë. Mirëpo disa Rromë nga Ballkani (sidomos ata që jetojnë ne Gjermani e Skandinavi) nuk e kanë kuptuar këtë sistem e janë përpjekur, që në fund të shek. XX-të, ta imitojnë duke “blërë” nuset si një mall. Është një shembull interesant prej tradite të keqkuptuar, të huazuar shtrembët e të kthyer në veprimtari që shkel të drejtat e njeriut. Shumë situata jonjerëzore kanë dalë nga martesa të tilla e familjet në fjalë pësojnë pasojet vite me radhë pa mundësi që të dalin nga ato, kurse familjet e tjera e ripersiritin gabimin, pavarësisht nga problemet që vetë shohim rreth tyre.

Tani në botën e sotme shumë gjera natyrisht shndërohen dhe popujt e ndryshëm gradualisht u përshtaten kushteve të reja të jetesës. Kështu bëjnë edhe rromët.



Disa elemente të jetës materiale : veshjet e ushqimi

Mjaft rromë e sidomos rrome kanë një paraqitje me rroba që bie në sy, ata me të vërtet nuk kanë veshje të veçanta, përveç grave që u pëlqen që të vishen me rroba të gjata dhe në mjaft vende lidhin në kokë një shami, të quajtur rromisht diklo, gjë që tregon se janë të martuara. Megjithatë, dallohen shpesh nga të tjerët, për arsye se veshin plaçkat e vjetra që u japin gaxhet ; prandaj duken sikur vijnë nga e kaluara. Veshjet e jashtme nganjëherë janë të ndyta nga puna e rëndë që bëjnë, për shembull, kur janë mbledhës mbeturinash ose fshijnë rrugët, por ato janë tepër meraklinj për pastërtinë e trupit.

Deri më sot, rromët janë relativisht më pak të prekur se mazhoranca nga problemi i drogës apo i narkotikëve, por ama ata pinë shumë duhan. Madje mund të shihen, sidomos në Rumani, edhe gra me llullë të rëndë në gojë. Duhani në fakt e dënjen urinë. Ata vërtet e kanë pasur shumë vështirë të ushqehen në rrugë dhe kjo pasqyrohet në gatimin e tyre : iriq të pjekur në argjil ose të bërë si gjellë me mjell misri ose supa hithre. Në fakt, kjo nuk është thjest një pasojë e varfërisë, por më tepër një aftësi e veçantë për të shfrytëzuar në një mënyrë sa më të efikase mundësitë që ofron natyra. Do të ishte një gabim kuptimi që të interprëtohen gjellra të tilla thjest si një mjet që përdoret nga halli për shkak të mjerimit. Këtë aftësi e kanë pasur edhe fshatarët evropianë më përpara por është zhdukur në qytet për arsye të problemeve të furnizimit të ushqimit në qendrat e mëdha të banuara, gjë që kërkon një thjestësim të listës së produkteve. Vetëm kohën e fundit rishqyrtohet kjo në dritën e zbulimeve të dietetikës, e cila ngul këmbë për larminë e ushqimit. Në këtë kuptim, rromët janë trashigimtarë e një traditës botërore të harruar tek mazhoranca por edhe pionjerët e rimëkëmbjes së saj në kushtet e sotme. Një keqkuptim tjetër lidhet edhe me konsumimin e “mishit të ngordhur”, do më thënë prej kafsheve të vdekur e jo të therrur – një traditë e përhapur akoma deri në Luftën e dytë botërore midis rromësh, për shembull në Karpatet e në disa zona të Ballkanit. Mirëpo fakti që edhe rromët e pasur, duke përfshirë ata që kishin bagëti (sidomos për qumësht) parapëlqenin të blejnë kafshë të vdekur me lekë në dorë nga fshatarët, duke thënë “mishi i vrarë nga zoti është më e ëmbël sesa mishi i therrur nga dora e njeriut” tregon që kjo praktikë nuk ka lidhje me skamjen, por më tepër na kujton respektin indian për gjë e gjallë e cila nuk duhet therrur në asnjë mënyrë. Shumë keqkuptime të këtij tipi kanë njollosur imazhin e rromëve e deri më sot veprojnë në paragjykimet që fatkeqësisht akoma i poshtërojnë rromët në shikimin e mazhorancës.



Integrimi

Është bërë e modës të flitet për “integrimin e rromëve” në shoqërinë evropiane por në realitet rromët janë të integruar shumë mirë kudo të jenë : kanë mësuar gjuhën e vendit, kanë marrë emrat e popujve fqinj, për shëmbull emrat e vendit, me -oviç ose -ski në vendet sllave, me -esku në Rumani, -pulos ose -iadis në Greqi etj... kanë pranuar edhe fenë zyrtare të vendeve përkatëse. Kudo kanë zhvilluar një dashuri të vërtetë për vendin ku jetojnë e për peizashet e tij. I merr malli kur duhet të largohen prej tij. Në rast vdekjeje kërkojnë riatdhesimin e kufomës, si çdo qytetar tjetër. Preken kur shahet vendi i tyre, sepse janë të lidhur me jetesën shoqërore e me doket e traditat të tij, të cilat kanë huazuar edhe pjesërisht, si dhe me ushqimin e vendit amtar. Marrin pjesë edhe në sistemin ekonomik, sportiv, kulturor etj... Janë lidhur sa herë e më shumë me popullsisinë nëpërmjet martesave të përziera. Prandaj pse vallë të flitet kaq shumë për “integrimin e rromëve” ? Në fakt rromët janë akoma në shumë vende gjerësisht të përjashtuar nga jeta socio-ekonomike e jetojnë në periferi të shoqërisë, por këtu nuk kemi të bëjmë me një mungesë integrimi, jemi faqe një mospranimi të mazhorancës. Ky mospranim mund të shfaqet nën dy formë të veçanta : ose nëpërmjet persekutimeve që kemi përshkruar më lart, e që shkojnë deri te masakrat e shfarosjen fizike, ose nëpërmjet shndërimit të identitetit kombëtar e kulturor rrom në një grup shoqëror në nevojë, i cili trajtohet vetëm si popullsi me probleme, i paaftë për të marrë pjesë në jetën e qytetit, thjest një objekt i politikave bamirëse, jo një subjekt i marrëdhenieve shoqërore, i barabartë me segmentet e tjera të kësaj shoqërie.

Në bazë të këtij qendrimi përbuzës është ngritur një industri e tërë ku shuma kolosale janë derdhur gjoja në favor të fukarenjve rromë në programe humanitare të bujshme, në projekte zhvillimi etj. por natyrisht pa asnjë rezultat për rromët, kjo për disa arsye. Njëra prej tyre është se zakonisht janë hartuar nga njerëz të huaj që nuk kanë asnjë ide më të vogël për realitetin rrom e arsyetojnë vetëm në bazë të shkresave, stereotipeve e paragjykimeve të përmbajtura në të ashtuquajturit studime antropologjike kushtuar rromëve. Midis tyre janë edhe njërëz me prejradhje rrome por që kanë shkëputur prej shumë kohe çdo kontakt të përditshëm me komunitetin rrom e nuk dinë për të më shumë sesa gaxhet. Prandaj projektet, shumica e të cilave bazohet në trajtimin e rromëve si një popullsi të nënzhvilluar e të prapambetur hidhen poshtë në praktikë nga rromët, përveç disave që nxjerrin një interes material direkt (fond, rrogë, hua ose sadopak prestigj). Një arsye tjetër është se shumë projekte hartohen edhe pse dihet paraprakisht se nuk arrijnë dot asnjë sukces, thjesht për t’u siguruar të ardhurat (ose bilem pasurim) njerëzve që janë të punësuar në isntitucionet që mirren me këto projekte. Shpeshherë donatorët imponojnë në një vend të caktuar një projekt, i cili ka qenë ndoshta i arritshëm në një vend tjetër por mund veçse të deshtojë atje ku e imponojnë, duke kërcenuar që do të ndërpresin çdo bashkëpunim nëqoftë se nuk pranohet projekti. Jo vetëm kaq, por në rast rifuzimi nga një organizatë e caktuar gjithmonë mund të gjendet një organizatë tjetër që do të pranojë kompromisin me kënaqësi sa për fondin. Nuk janë të rralla raste kur shtrohet një veprimtari për rromët në zona ku nuk ka asnjë rrome, gjë që lehtëson mungesa e kontrollit serioz nga ana e donatorëve, të cilët kënaqen me disa raporte e fotografi të çastit. Pa përmendur paratë që zhduken sepse janë të përvetësuar falë faturave falso nga punonjësit e organizatave në fjalë, harxhimi kot ka marrë përmasa tronditëse e kur pyetet se pse kaq shumë lekë ka shkuar për gjëra të kota, nuk është rrallë të dëgjohet përgjigja : “ eh, pse, mos janë lekët e mi ?” Në disa vende cinizmi ka arritur deri që të thuhet : “pse, budalla jam unë të harxhoj fondet për rromët ? mos janë më të mirë se unë ? të punoj për ta e t’u jap sy, pastaj të më luftojnë ?” Kjo mund të dëgjohet edhe nga goja e disa rromëve, të vetëquajtur “liderë”. Natyrisht, asnjëherë nuk shprehen në këtë mënyrë me donatorët... Por racizmi zakonisht është shumë më i stërhollë e ka arritur në finokëri kaq të zhvilluar sa shumë vështirë është për t’u vënë në pah, prandaj shpëton nga procedurat ligjore që mund të grihen kundër tij. Në pamjen e jashtme çdo gjë bëhet në favor të rromëve e projekti duket si një mollë e kuqe por brenda krimbi i korupcionit (jo vetëm financiar por edhe moral) u bë gjarpër.

Midis pasojëvë, përkrah mungesës së rezultatit për rromët, vihet re edhe zemërimi i popullsive tjetër, të cilët shohim sa lekë nga tatimet e tyre harxhohen kot në favor të rromëve kurse ata njerëz vetë me zi nxjerrin bukën e gojës – a afër tyre një lider rrom ndërton një villë me pishinë. Kjo padrejtësi natyrisht stimulon racizmin e tyre, pavarësisht nga raportet plot gënjështra e vetëkënaqësie që mund të hartojnë këta lider në drejtim të qeverisë apo donatorëve të ndryshme. Fatkeqësisht kjo nuk prek vetëm shoqërinë civile por edhe mjaft programë qeveritarë e evropianë. Mosnjohja e mekanizmeve historike e shoqërore, mosmerakosja për fatin e rromëve e lakmia për fitimin gërshetohen për të keqësuar situatën e rromëve, duke përfshirë nganjëherë edhe atë të rromëve dikur të “integruar” mirë. Prandaj është shumë e nevojshme, urgjentisht, ngritja e një brezi të ri i cili do të bashkojë diturinë tradicionale rrome me njohjen e shkencave shoqerore, hallin e fatit të rromëve e ndershmëri të pastër e të edukuar. Kjo është e vetmja rrugë për “integrim”, bashkë me edukimin e mazhorancës për identitetin rrom e vendin e këtij populli në shoqëri.

Si pasojë e diferencës botëkuptimore, mjaft popuj evropianë i kanë mbajtur rromët në distancë e prandaj, përveç problemeve që has çdo njeri në jetë, rromët hasin edhe probleme të veçanta, sidomos në vendet ku ende s'kanë mundësi të zënë vend në shoqëri – qoftë në tregun e punës, në institucionet e ndryshme apo në veprimtari shoqërore, domëthëne atje ku popullsia vendase nuk i pranon sepse ka një perceptim të gabuar për ata. Ata atëherë rrinë bashkë, në familje të tëra, dhe vendosja e tyre në një vend do të thotë krijim i një lagjeje të tërë të re me këta njerëz "jo si të tjerët" : bashkitë nuk kanë të holla për një investim të tillë sa duhet për ta mirëmbajtur lagjen në fjalë, aq më tepër sa opinioni i zgjedhësve nuk është i favorshëm (ose u duket kandidatëve në zgjedhje se ky opinion nuk është i favorshëm – kur shpesh është thjesht indiferent). Prandaj nuk bëhen përpjekje nga ana e autoriteteve, të cilat duan të korrin sa më shumë vota dhe rrjedhimisht rromët detyrohen të vazhdojnë një jetesë të mjerë me kushte banimi të papranueshme. Ka pasur raste ku, përkundrazi, autotitetet bashkiake janë përpjekur të rregullojnë gjendjen e rromëve, në barazi të plotë me atë të qytetareve të tjerë e ata të fundit kanë përshendetur punën e bashkisë – prandaj situata nuk është kaq e bllokuar sa disa duan ta sugjerojnë. Paragjykimi se të gjithë gaxhetë janë racistë është edhe ai shumë shkatërrimtar për integrimin e rromëve.

Natyrisht, përsëri del se puna kryesore duhet bërë midis “gaxheve” për ta ngritur këtë respekt të diferencës. Në fakt, siç e kemi përmendur më lart, arsyeja themelore e përjashtimit të rromëve nga shoqëria evropiane në mesjetë ka qenë pamundësia e evropianëve që të pranojnë ekzistencën e vlerën të një kulture tjetër mes tyre. Por tani kemi hyrë në shek. XX-të e shumëllojshmëria e kulturave njihet si një pasuri për kontinentin tonë, prandaj ky parim duhet gjeruar tej kulturave të ndryshme të njohura si evropianë e duhet të përfshijë edhe specificitetin e kulturës rrome. Disa rromë vërtet, në çdo vend, përpiqen të shkrihen me masën e gaxheve, por shumica e tyre ruajnë me krenari traditën e vet, si edhe kujtimin e prejardhjes së tyre.

Mirëpo duke folur për “integrim”, duhet shtruar edhe pyetja e tipit të integrimit. A na duhet vallë një shkrirje e rromëve midis mazhorancës, sipas një modeli unik prej qytetari modern urban teknokrat përendimor, apo na duhet në radhë të parë një respekt parimor për vlerat e kulturës rrome – si dhe për kulturat e tjera tradicionale ? Mos vallë duhet në radhë të parë që të njihen këto vlera që të respektohen ? Një pengesë tashmë e njohur në “integrimin” e rromëve është kontradita themelore midis botëkuptimit rrom, i cili i vë solidaritetin me familjen e me miq në kreun e prioriteteve, e modelit urban teknokrat modern perendimor që e nxit më shumë karierën personale, qoftë edhe në dëm të familjes e të miqve. Në vendin tonë e kudo në botë, çdo njeri që ka punuar bashkë me rromët për një kohë të gjatë e di se sa e fortë e besnike është miqësia me ta. Prandaj konflikti i hapur midis këtyre botëkuptimeve është një çështje shumë me rëndësi jo vetëm për “integrimin” e rromëve në një shoqëri të bazuar në kultin e individualizmit prodhues e blerës, por edhe si teme për mendim mbi vlerën e këtij tipi shoqërie në përgjithësi.

Rromët në shekullin e XXI-të

Sot shumë gjëra kanë ndryshuar e afro 97% e Rromëve bëj një jetë të ngulur. Mirëpo në të kaluarën, ata që kurrë s’kishin pasur shtëpi e që e kanë kaluar jetën nëpër rrugë, si rregull ëndërronin që nipërit e tyre të stabilizohen në një shtëpi të madhe me kuzhinë e dhomë pritjeje. Sot që nipërit e tyre e kanë arritur këtë, ata vetë që janë ngulur me kohë në një vend, shpeshherë kanë një nostalgji të fortë për jetën shtegtare, sidomos kur s'kanë njohur taksiratet saj, kur gaxhetë i dëbonin nga fshati në fshat, pa i lënë të çlodhen disa ditë në një vend. Nuk mendojnë për zonat e ndyta dhe shpesh pa ujë, ku detyrohen të qëndrojnë me vordon-in e tyre të ngushtë, as për akuzat e ndryshme që u bëhen nga autoritetet e popullsive vendase. Nuk mendojnë për kontroll policie të ndjekur me qen në çdo orë të ditës, për bastisje të vordonëve pa asnjë arsye tjetër, vetëm se janë rromë... Natyrisht nuk bëhet fjalë për rromët që jetojnë nëpër baraka pa ujë e pa higjienë, siç janë akoma të numërt në disa vende – ata nuk ëndërrojnë për një jetë shtegtare, por thjesht për një jetë të denjë. Sot vazhdojnë me jetë lëvizëse kryesisht rromët e Francës e Anglisë që këtë jetë e kanë trashëguar nga të parët e krenohen për të.

Natyrisht, vordoni brenda i ngjan një shtëpie të vogël ; kanë televizor, sobë, frigorifer e pajisje të ndryshme, por problemi kryesor është shkollimi i fëmijëve. Ata kanë shumë dëshirë për të mësuar. C'mund të bëjnë kur e ndërrojnë shkollën disa herë në muaj ? Si mund të përballojnë disa herë në muaj periudhën e përshtatjes me shkollën e re, me mësues të rinj, me shokë të rinj ? Shumë të rralla janë shkollat në vordonë, si ajo e Buljonëve : disa në Francë e disa në Angli, dhe vetëm kaq për mijëra fëmijë. Kanë edhe probleme për të gjetur vendqëndrime : në shumicën e parkingeve e të vendpushimeve u ndalohet hyrja. Mund të qëndrojnë vetëm anës rrugëve ose pranë mbeturinave, në vende pa ujë të pijshëm, pa korrent e natyrisht pa shërbim komunal. Edhe kur njeri prej tyre ka nevojë të shtohet në spital, ata detyrohen të shtegtojnë nga fshati në fshat, në rrethinat e qytetit ku ndodhet i sëmuri, mbasi në asnjë vend nuk mund të qëndrojnë gjatë ; por familja rrome asnjëherë nuk e braktis pjesëtarin e saj.
Ky problem i shkollimit shtrohet si në rastin e jetesës lëvizëse si edhe për rromët e ngulur në kushte mjerimi – edhe deri diku për rromët e pasur gjithashtu. Pengesa prandaj nuk qedron vetëm te levizja, por sidomos te fakti që gati kudo në botë, shkolla, si pasqyrrimi i qendrimit të mazhorancës, e përbuz identitetin rrom, vlerat e kulturës rrome si edhe gjuhën rrome vetë, që trajtohet jo si një gjuhë evropiane por si një grumbull të folmesh primitive e pa vlerë. Rromët e kultura e tyre janë të harruar në programet e shkollave evropiane, kudo të jetë e kur rastësisht flitet për ta, mësuesi e bën me iniciativën e vet e në bazë të burimeve të rastit, për arsye se ata nuk disponojnë materiale të azhurnuar. Edhe botimet e Këshillit të Evropës, që në parim duhet të luftojmë racizmin, qarkullojnë pohimet si “rromët e kanë origjinën e vet te pariat (morracakët, të paprekshimit) e Indisë” vetëm e vetëm sepse nuk e trajtojnë seriozisht çështjen rrome e marrin paragjykime shablone nga burime të pasigurta, sikur kjo nuk ka asnjë rëndësi.

Rromët në traditën shqiptare

Në botimet shqip, vetëm në një tekst është bërë një përpjekje për të cekur historinë e rromëve, ku, duke iu referuar edhe burimeve të ndryshme, theksohet midis të tjerash se ata nuk janë me origjinë egjiptiane, por indiane. Bëhet fjalë për artikullin e Enver Hoxhës "Të përbuzurit u bënë të lumtur" (nga "Vitet e vegjëlisë" – 1984). Fatkeqësisht autori nuk u përpoq të zbërthejë këtë çështje me metodë historike, por citon thjest disa legjenda të thurrura nga popujt evropianë, pa kërkuar burime më te besueshme për të mbështëtur qendrimin e tij. Jo kaq, por ai gjithashtu ngatërron rromët – të cilëve u është kushtuar artikulli, me evgjitët e Gjirokastrës, dhe kujton se fjala "evgjit" është më pak fyese se "gabel", "arixhi" ose "kurbat" – gjë që tregon një mosnjohje të theksuar të traditës shqiptare, mbasi vetëm në qarqet e borgjezisë mund te vihej re një tëndencë e tillë. Faktikisht në kohën kur u botua artikulli në fjalë, historiani akoma nuk dispononte aq shumë elemente sa kemi sot : vërtet vendnisja e rrugës se rromëve në luginën e lumit Ganga u zbulua më herët, por data e rrethanat kësaj u përcaktua vetëm në vitet e fundit të shek. XX-të.

Në letërsinë shqiptare kemi sadopak më shumë prani rrome, mbasi tre autorë kanë marrë personazhin e rromes në veprën e vet, të tre në mënyrë pozitive : Shefqet Musaraj, Dritëro Agolli e Mojkom Zeqo. Në “Epopeja e ballit kombëtar”, Shefqet Musaraj i beson një gruaje rrome një rol në të cilën tallet me borgjezia frikacake që do të shkatërrohet nga dallgat e popullit, Dritëro Agolli tregon në “Kurbatke” shgënjimin e nënës rrome, prej së cilës ndahet i biri që do të djek një trupë teatrale gaxhesh, kurse Mojkom Zeqo u ka kushtuar rromëve një përmbledhje vjershash.



Gjuha rrome në shkollë

Është një e drejtë e njohur nga shumë konvente ndërkombetare se fëmijët e minoriteteve të kenë qasje te arsimimin e gjuhës amtare në shkollën ku mësojnë. Prandaj në mjaft vende ka pasur projekte për zhvillim të mësimdhënjes në gjuhën rrome, por deri më sot vetëm në Rumani (një vend me më shumë se dy milionë rromë) është realizuar e çdo vit 26.000 nxënës e ndjekin mësimin e gjuhës e lëtersisë rrome në këtë vend. Në vendet e tjera është nxjerrë pengesë nga pretendimi që “rromishtja nuk shkruhet dot” ose “ka kaq shumë dialekte sa nuk dihet të cilin të zgjedhim”. Mirëpo diferencat midis dialekteve janë minimale e në Shqipëri për shembull jo më të mëdha sesa diferenca midis dëguesve të televizionit nga Shkodra e Lushnje, që ndërhyjnë me telefon drejt për drejt gjatë një forumi ose një diskutimi. Problemi vjen vetëm nga harresa e disa formave apo fjalëve, si mund të jenë të harruara në gjuhën shqipe nga fëmijet e emigracionit. Në rastin e rriomishtes si në rastin e shqipës, zgjidhja qendron te mësimi e jo tek mohimi i vetë ekzistencës së gjuhës.

Në fakt rroimosihtja është shkruar për herë të parë në një shkrim që i përket shek. XVII e përbëhet nga një bisedë prej 15 fjalish. I pari rrom që ka shkruar një fare letërsie është Ferenc Stojka nga Hungaria i cili ka bashkangjitur 25 poemë si shembull gjuhësor në fund të një fjalori prej 13.000 fjalësh që kishte hartuar në vitet 1880 por letërsia e vërtetë fillon në vitet 1920 në bahskimin sovjetik. Ata autorë kanë shkruar me alfabetin e gjuhës kryesore të vendit të tij. Alfabeti i mirëfilltë i gjuhës rrome u krijua në vitet '80 sipas alfabetit latin (si ai i shqipes) në mënyrë që të përdoret për të gjitha variantet e rromishtes kudo në botë dhe u miratua në Kongresin e 4-t Botëror të rromëve, në Varshavë të Polonisë, në prill 1990. Ai përbëhet nga 32 shkronja bazë, që janë : a, b, c, ć, ćh, d, e, f, g, h, x ([h] e fortë), i, j, k, kh, l, m, n, o, p, ph, r, rr, s, ś, t, th, u, v, z, ź, dhe з.
Shkronjat ć, ś, e ź shqiptohen përkatësisht [ç], [sh] e [zh].

Shkronjat ćh dhe з shqiptohen përkatësisht [çh] e [xh] në të folmet rrome të Shqipërisë, por zbuten në [shj] e [zhj] në mjaft prej atyreve të Evropës Qendrore dhe të Amerikës.

Shkronjat kh, ph e th shqiptohen me frymëtim, domëthënë të aspiruara, pak a shumë si [k+h], [p+h] dhe [t+h] (por asnjëherë si th-ja e shqipes).



Duhen shtuar edhe "grafemat prapafjalore" θ, ç e q, me vlerë gramatikore të veçantë ; ato janë karakteristike për gjuhën rrome dhe mund të shqiptohen në mënyrë të ndryshme sipas së folmes e sipas natyrës së shkronjës që u paraprin. Më në fund, shenja [ ˇ ] vihet sipër zanoreve për të shënuar që paraprihet nga një j e vogël : ǎ = [ja], ǒ = [jo] etj... : rromnǎ [rromnja] "gra rrome", sastǒl [sastjol] "shërohet", kurse në fillim të fjalës tingulli [j] shkruhet j : jag "zjarr", jekh "një" etj... Po ashtu edhe ë fund : śośoj [shoshoj] “lepur”, rroj [rroj] “lugë”. Le të shtojmë këtu se rromishtja u ngjan shumë gjuhëve të Indisë veriore, prandaj një njeri që e zotëron mirë rromishten, shumë shpejt i kap gjuhët e ndryshme indiane.

Falë këtij alfabeti mund të shkruhen në mënyrë të njësuar të gjitha të folmet e gjuhës rrome në botë, ndërsa çdo rrom mund ta lexojë duke përdorur shqiptimin e vet amtar. Me pranimin e këtij alfabeti, rromët kanë bërë një hap të madh përpara, mbasi asnjë shoqëri nuk mund të ekzistojë sot pa gjuhën e vet letrare të shkruar, aq të domosdoshme për shkollën, për botimet, si edhe për televizionin dhe përdorimin e kompjuterit.

E tillë është rruga e rromëve nga India deri në Evropë, nga çadra deri te kompjuteri, por, siç shkruan poeti rrom kosovar Xhevad Veliasqoro Gashi :

"But droma phirdam, dad!e, "Shumë rrugë kemi ecur, o babë,

but phuva ustadam shumë toka kemi shkelur,

ama Rroma, dad!e, Rroma achilam" por rromë, o babë, rromë kemi mbetur".



Rromi është krenar, ka sedër, është i ndjeshëm ; në miqësi është shumë besnik e me të drejtë thuhet se ka një botë shpirtërore shumë të begatë. Ai të ofron një miqësi të çiltër. Pse të mos i përgjigjesh me miqësi kësaj miqësie ?



TE OVES SASTO VESTO AJ BAXTALO !

QOFSH SHENDOSHE, I LIRË DHE I LUMTUR !



Fjala e Lire - Free Speech

No comments: