Friday, 23 January 2009

URA E KUJTESËS – SHENJË E MIRËFILLTË E IDENTITETIT SHQIPTAR



Rreth librit “Ura e kujtesës” të Frrok Kristajt, SHKK “Anton Pashku”, Prishtinë 2008

ILIR SEFAJ

Frrok Kristaj, është një nga gazetarët dhe shkrimtarët shumëvjeçar kosovar, i cili vjen me këtë libër në një kohë e në rrethana aspak favorizuese për shqiptarët e Ilirisë së dikurshme, të cilët ku më shumë e ku më pak, me mund e me sakrificë, mundohen t’i ruajnë shenjat e identitetit të tyre shqiptar. Libri ‘Ura e kujtesë’ jep pamje të ambienteve të dikurshme ilire-arbërore që me gjithë furtunat e shumta të përjetuara në kurrizin e tyre, ruajnë gjenezën e një idile tipike shqiptare. Libri mëton të jetë i natyrës së memoareve, ku në mënyrë të dokumentuar e i mbështetur në një literaturë shkencore jep argumente të fuqishme të ekzistimit të qenies shqiptare në vendbanime të ndryshme të Iliridës së dikurshme. Libri mund të shikohet dhe nga prizmi i një nisme humane, ku autori proklamon idenë e asaj se armiqësitë historike që kishin, kanë dhe me gjasë do të kenë popujt e Ballkanit të shikohen më racionalisht dhe të riparohen, ngase po këta popuj të armiqësuar, jo rrallë pikë-takohen në ide, mentalitet e mbase edhe në autoktoninë e tyre.
Gjithnjë, sipas autorit, shenja të autoktonisë shqiptare, hasim në të gjithë Iliridën e dikurshme apo Ballkanin e sotëm. Si rezultat i terrorit që shkaktonte Perandoria Otomane mbi fiset shqiptare më vonë (pra shek. XIV- XV), shpeshherë kishim lëvizje të këtyre fiseve herë në skajet më jugore e jo rrallë më veriore të Iliridës së dikurshme. Si pasojë e këtyre lëvizjeve të fiseve shqiptare, shekulli XIX, pra koha kur formohen kombet, i gjen shqiptarët të shkapërderdhur në të gjithë Siujdhesën ballkanike, dhe si rezultat i kësaj shkapërderdhjeje, shumë vendbanime shqiptare falë rrethanave jo favorizuese që ishin krijuar për to, mbesin jashtë Shqipërisë shtetërore (1912), fatin e së cilave vazhdon ta ndjejë edhe sot një pjesë e madhe e popullatës shqiptare e cila jeton në shtete artificiale që krijoi shekulli pararendës.
Se fiset ilire-arbërore shtriheshin në tërë Gadishullin Ballkanik dëshmojnë; harta demografike, antroponime, toponime, por edhe studiues të ndryshëm të cilët dëshmojnë për ekzistencën e qenies shqiptare në tërë territorin e Ballkanit. Në këtë mënyrë do ta jep gjendjen e Malit të Zi, në shekullin XVII, studiuesi M. Shuflay: “Mali i Zi në aspektin historik mund të konsiderohet fëmijë i paformuar i Arbërisë”. Shekujt pasues të cilët flasin për ndikimin sllav në trojet e Arbërisë, dëshmojnë për bastardimin e toponimeve me domethënie shqiptare, fatin e të cilave do ta kenë shumë vendbanime të moçme shqiptare. Frokaj, në librin e tij, jep pamje reale të shumë vendbanimeve të vjetra shqiptare, vendbanime këto që nxjerrën humanistë e njerëz të shkencës artit e kulturës nami i të cilëve kaloi kufijtë kombëtar. E një rëndësie të veçantë do konsideruar pjesa e parë e librit e cila flet për qytetin e vjetër e historik të Tivarit, emri i të cilit na asocion në Ipeshkvin më të vjetër në Ballkan e cila daton para vitit 1089, pastaj Tivari dha emra të mëdhenj të kulturës shqiptare si; Gjon Buzuku autori i librit të parë shqip “Meshari” 1555, Simon Filipaj, përkthyes i Biblës e shumë emra të tjerë që dhanë shumë për kulturën e vendit dhe popullit të tyre. Qyteti i Tivarit është edhe sinonim i masakrës famëkeqe të saj, e cila shekuj më vonë (pra shek. XX) la të vrarë më shumë se 4000 mijë trima shqiptarë, ndryshe njihet edhe si “Masakra e Tivarit”. Krahas Tivarit, autori flet edhe për një vendbanim tjetër të vjetër, Kotorrin, ku popullsia shqiptare ishte autoktone, këtë shkencërisht e argumenton edhe studiuesi B. Hrabak i cili ndër të tjera shkruan: “Numri i arbërve në Bokë të Kotorrit ishte aq i madh, sa që ata krahas njerëzve nga periferia e qytetit, përbënin elementin themelor të ripërtëritjes demografike dhe ishin pjesë përbërëse e etnogjenezës së popullatës së Kotorrit. Për praninë arbërore në këto treva flet fakti se në Kotorr përdoreshin gjuha latine, italiane, shqipe dhe sllave”. Autori Frokaj, vë në pah edhe faktin se shumë antroponime e toponime që kanë prejardhje shqiptare gjallërojë edhe sot në ato hapësira si; Zanoni Albini, Arbanasi, Paolina, Leka, Gjini e shumë e shumë toponime shqiptare që dëshmojnë ekzistencën e qenie sonë në këto anë.

Autoktonia ilire në Hercegovinë dhe Raguzë

Gjurmë të ekzistencë së qenies ilire-arbërore-shqiptare hasim edhe në pjesë të ndryshme të Hercegovinës. Të një rëndësie të veçantë do konsideruar të dhënat e Institutit për Hulumtime Gjenetike, IGENEA të Zvicrës, “nga të cilat del se më shumë se prindërit shqiptarë, që kanë të drejtë t’i pagëzojnë fëmijët e tyre me emra ilirë, ky nder u takon boshnjakëve dhe kroatëve, sepse 40 për qind e boshnjakëve, përkatësisht 34 për qind e kroatëve të sotëm janë pasardhës të drejtpërdrejt të ilirëve”. Autori vë në pah të vërtetën se kryeqendër e fisit të dalmatëve ishte Delminiumi në Hercegovinë, i cili deri më 1992 quhej Duvno, kurse tani Tomisllav-Grad.
Raguza apo Dubrovniku i sotëm është një tjetër qytet antik, i cili lidhet shumë me kulturën dhe historinë e shqiptarëve. Frokaj, në librin e tij vë në pah edhe faktin se: “Në Raguzë biblioteka e parë publike u themelua nga fondi i pasur bibliotekar i arbërorit humanist Gjin Gazulli. Ai librat ia kishte dhuruar (më 16 nëntor 1465) Katedrales së këtij qyteti (Raguzës)”.
Qyteti i Raguzës lidhet shumë edhe me figurën më emblematike të popullit shqiptar Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe vizitat e tij të bëra këtij qyteti antik, pra “raportet e principatave arbërore në shekujt e mesjetës (XII-XV e këtej) e veçanërisht të Gjergj Kastriotit –Skënderbeut me qendrat e Dalmacisë”.
Familje të moçme shqiptare hasim që më 1322 në Raguzë. Sidomos do veçuar ato familje që kishin ardhur nga qyteti i Shkodres dhe i Lezhës ndër të cilat përmendet ajo e mjekut Gjergj Nikollë Spani i cili kishte shërbyer në Bosnjë, Padovë e Kotorr ku edhe kishte vdekur më 1458.
Autori flet edhe për disa figura të shquara, humanistë dalmatë që depërtuan qysh në shekullin VI-VIII në qytetin e Raguzës, Shibenikut, Splitit, Zarës, Trogirit etj. Ndër ta dalloheshin Georgius Sisgorius- Juraj Shishoriq, poet nga Shibeniku, Joaneass Bona de Bolicis –Ivan Bona Bolica, poet nga Kotorri, pastaj Mathius Flacius Illyricus, Johannes panonnius e Aelius Lapridius, të cilët me krenari flisnin për Gjin Gazullin e Andrea Lleshin.
Bazuar në këto e të dhëna të tjera faktike, të grumbulluara me shumë përkushtim nga autori i librit Frrok Kristaj, vijmë në përfundim se këto qytete të lashta të Ilirisë së dikurshme, duhet konsideruar me të drejt si djep i qytetërimit shqiptar, dhe jo vetëm shqiptar, ngase këto treva nxorën figura të shquara të historisë sonë, nami i të cilave kapërcejë kufijtë e Gadishullit të vjetër Ballkanik.

Rëndësia e librit

Libri “Ura e kujtesës” i Frrok Kristajt është i një rëndësie të veçantë për shumë arsye.
Para së gjithash këtë libër do konsideruar si një sintezë të studimeve që janë bërë mbi prejardhjen e popullit më të vjetër të Gadishullit, shqiptarët.
Pastaj emocionuese janë edhe paragrafët që flasin për vizitat e bëra nga ana e autorit, të vendbanimeve te vjetra shqiptare, këtyre nyjave kyçe do të thoshim të identitet shqiptar, nyje këto që i rezistuan rrebesheve të kohës që herë-herë mbase ishin të pabërballueshme.
Gjatë vizitave të bëra këtyre vendbanimeve të vjetra shqiptare, e fitojmë përshtypjen se autori kishte ndjerë në palcë drithërimat që kishin shkaktuar ato takime me pasardhësit e drejtpërdrejt të ilirëve të dikurshëm, njerëz që me mjaft vështirësi përpiqen të ruajnë shenjat e identitetit të tyre para-helenik.
Libri “Ura e kujtesa” do të mund të konsiderohej si një burim i fuqishëm një dritare e vërtetë, nga e cila do të mund të informoheshin njerëzit të cilët në njërën ose mënyrën tjetër do të shfaqnin interesim për prejardhjen e popullit shqiptar, ndër më të vjetrit e Gadishullit Ballkanik.
I mbështetur në argumente, studime shkencore, harta demografike, antroponime e toponime librin “Ura e kujtesës”, edhe pse jo kuantitativ, pa mëdyshje do të mund ta renditnin në radhën e librave të punuar me shumë përkushtim, jetëgjatësinë e të cilave e garanton vlera e mirëfilltë letrare e artistike e mbrujtur me sharmin e një krijuesi të vyer e të talentuar, siç është Frrok Krisatj.

No comments: