Saturday, 14 February 2009

Dhe lodrat flasin




Vllasova Musta, është një krijuese e mirënjohur shqiptare e diplomuar per Gjuhë dhe Letërsi. Ka botuar që në bangat e shkollës së mesme. Libri i saj poetik “Pa kopertinë” pa dritën e botimit shumë shpejt dhe më pas botoi “Kur celin syllet” dhe “Kthema diellin tim”.
Për më se 30 vjet ka punuar në Kinostudio, skenariste, ku ka shkruar me dhjetëra skenare për filmin e animuar si dhe për filmin dokumentar. Është fituese e disa cmimeve dhe e kupave për skenarin mq tq mirq nq Festivalet e Filmit Shqiptar nëpër vite. Po ashtu, është fituese e konkursit kombëtar për letërsinë, me librin"Kur çelin sythet".



Këtë herë sjedhim për lexuesit e “Fjalës së Lirë” me dëshirën e saj ciklin poetik: …DHE LODRAT FLASIN

Vllasova Musta

DHE LODRAT FLASIN

Avioni u nis ,
(Brenda tij, ime bijë dhe djali)
Sa nisi të çajë hapësirat,
Ndjeva se më mori malli…
Mbeta e vetme, përsëri
Befas e tkurrur, fus duart në xhepa
Krejt e përhumbur s`di se si
Një lodërz të tij me dorë preka.
Më kish mbetur ne xhep
E mora në duar,
E përkëdhela, i fola
Mjaftoi kjo lodër, trishtimi u mpak
Më erdhën pranë dhe vajza dhe djali
Edhe pse ishin mijëra milje larg…

GËNJEMË PAK!
\
Një ditë rend,
Një tjetër vjen
Trokasin orët tik e tak,
Në se të dukem si e lodhur
Të lutem shumë,
Gënjemë pak!
Dhe po të kapi syri mprehtë
Një thinjë që shndrit
Apo një rrudhë,
Më mirë hesht e mos më thuaj,
Që mos të mbetem
E pagjumë.
Në se vonon të vish tek unë,
Pa një motiv,
Pa asnjë shkak
Do kthehem shpend në hapësirë
Që të të them:
Gënjemë pak!

MOS M`I TREMBNI ZOGJTË

Mos m`i trembni zogjtë,
Lerini,
Të cicërojnë në dritaren time,
Ata bashkojnë gjithë hapësirat
Për të sjellë tek unë
Mesazhe intime.
Mos m`i trembni zogjtë,
Lerini të qetë,
I kam miq të shpirtit,
M`i dërgon pranvera,
Sjellin tek unë gjithë harenë
E trokitjes së munguar
Tek dera.
Mos m`i trembni zogjtë!

P A S Q Y R A T

E kanë një të fshehtë
Të gjitha gratë,
I kthejnë sytë nga xhamat "rastësisht"
Të kontrollojnë veten ato duan,
Të ndihen gjithnjë mirë,
Sigurisht.
Nuk ka vitrinë,
Xham apo pasqyrë
Që gruaja ta ndeshë, pa ndalur hap
Të jetë vallë një rit që përsëritet
Që vjen tek ne
E kurrë s`mbetet
Larg?
I lini veç për gratë,
Gjithë qelqet,
Të shihen "rastësisht" apo direkt,
Se vajzat kanë paqyrë sytë e djemve
Dhe tjetër kod
Në hapa u troket.

PËRTEJ KOHËVE

Ky burrë,
Që vjen çdo ditë në park
Dhe me fëmijët
Qesh e luan,
Dikur,
Më donte si i marrë,
Sot, më shikon
Si një i huaj.
Në kaltërsinë e agut tim,
Kish zënë vend,
Tjetër njeri,
Që më robtoi sy e mendje,
Sikur të ishte perëndi.
Kjo dritë, s`më la të shihja tjetër
As në mëngjes,
E as në gjumë
Dhe me këtë burrë gjithnjë mbetëm
Dy brigje,
Që s`bashkohen kurrë.
Teksa e shoh,
Nuk më vjen mirë,
Që kokën kthen e nuk më flet,
U desh një jetë dhe s`e kuptoi,
Që shpirti jep veç kur troket?
Ë N D R R A T
Po të trokasë tek unë dikush,
Që ka nevojë për diçka
E për këtë nuk është i qetë,
Ia jap me zemër,
Pa u ndrydhur
Dhe pikë e fundit po të jetë.
Kjo gjë më bën të ndihem mirë
Se lehtësova një njeri,
Gjithçka e jap dhe kur mendoj,
Që s`do më kthehet përsëri.
Gjithçka e jap,
Gjithçka e fal,
Veç ëndrrat kurrë nuk i nxjerr,
Për vete ëndrrat do t`i mbaj!
Për vete ëndrrat do t`i tjerr!
URËT…
Ndërto e ngri me qindra urë,
Si më i miri arkitekt
Dhe kurrë s`u lodha,
As u tkurra,
Veç lidha lumë
E mposhta det.
Ndërto e prish përditë një urë
Veç ti të vije,
Ditë a natë
Dhe pakuptuar veten gjeta
Mbi urë shndërruar
Në Rozafë.

POROSIA E FUNDIT

Do vijë një ditë,
(Patjetër do të vijë!)
Që do më duhet të të kem pranë,
Sikur dhe qindra jetë po të jenë,
S`do lodhem së kërkuari,
Vëllanë!
Por ti je larg e larg,
Vëlla i dashur,
Dhe mall i emigrimit është i egër
Më shkojnë e vinë me radhë gjithë vitet,
Teksa merr frymë globi ynë
I vjetër…
Si degë e harlisur në pranverë
Më vjen rinia,
Xhamave troket
Është dorë e tij, përsëris me vete
Po s`ishe ti,
Kush tjetër mund të jetë?
…Do vijë një ditë,
(Patjetër do të vijë!)
Kur veç tek ty do të më mbeten sytë,
Si mund të iki dhe të jem e qetë
Pa ndjerë që është pranë supi yt?

Q I E L L O R E

Miqësi kam zënë me një yll,
Kur bie mbrëmja,
Dal e pres,
I flas,
Në heshtje më dëgjon,
Sikur thërrmon një univers.
S`i ndahem kurrë atij ylli,
Që pas më vjen
Nëpër yllnajë,
Veç po trokiti tokësori,
S`do ketë yll,
Që të më mbajë!
P S E ?!...
Kërkojmë: "pse?"
Dhe themi: "pse?"
Në shumë çaste,
Gjithë jetën
I brejmë ditët, pak nga pak
Duke kërkuar të vërtetën.
Troket një "pse",
Kërcet një "pse",
Kur vetëm ndodhesh, në vetmi
Dhe "pse"-ja bëhet aq e egër,
Sa të rrëmben çdo qetësi.
Sikur të mundja
Gjithë "pse"-të
T`i zhdukja krejt, në thërrmia
Por a do isha vallë e qetë,
Pa "pse" në jetë,
Si do rrija?!...

NATYRË E QETË

I shoh të dy
Dhe ndal vështrimin:
Një plak,
Në ëndrra i përhumbur,
Ndërsa e shoqja mbledhur grusht,
Si një trumcak
Qëndron e strukur.
Ai po fle në sup të saj
Në këtë stol,
Në këtë park
Pranë tij,
Ajo e palëvizur
Me një shikim të tretur
Larg.
Nuk di
Ç`ëndërr shihte plaku,
As cilët janë
Nuk e di,
Por di, që pashë, ulur në stol
Më njerëzoren
Dashuri.

L I T A R I

Kërce një hap,
E hidh një tjetër
Herë mbi asfalt e herë në bar,
Më vjen ndër mend nga fëminia
Kur hidhnim shtatin mbi litar.
Si trumbë zogjsh në fluturim
Herë ishim shumë e herë më pak,
Por unë kujtoj,
Që nga të gjitha,
Veç unë mbetesha në lak.
Kërceja një,
Kërceja dy
Dhe në litar më mbetej këmba,
Mjaftonte kjo dhe shoqet qeshnin
Që përsëri, futesha brenda.
Por ky litar u bë pa fund
Më ndoqi pas e vjen më kap
Sa herë që nis të shtroj një udhë,
Sa herë që nis të hedh një hap.
Në fëmini ishte një lojë
Dhe prap si lojë e marr dhe sot,
Se s`dua kurrë të them që ngeca,
E as të them që s`e bëj dot.
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: