Monday, 9 February 2009

“Kritika Ndryshe…” nën syrin e Terziut


Ruzhdi Jata

Gazetar
Britani e Madhe

Duke ndjekur prej vitesh krijimtarinë e Fatmir Terziut, në shumë lëmi të medias dhe letrave, kam krijuar një ide timen. Këtë ide e përforcova kur lexova në mënyrë të perceptueshme materialin e tij për botim, dhe që tashmë është nën dritën e faktit me titullin domethënës “Kritika ndryshe, një vëzhgim në prozën dhe letërsinë shqiptare”. Pra, “Kritika ndryshe, një vëzhgim në prozën dhe letërsinë shqiptare” më bëri të jem edhe unë pjesë e saj, duke qenë redaktor i librit. Në këtë mënyrë ky libër studimor dhe i veçantë i llojit të vet më bëri që të ulem e të shkruaj atë që ndjeva me kohë, atë që detyrohem në kohë për të sjellë në vëmendjen e lexuesit. Është një prurje që vjen në një kohë kur ndjehet boshllëk për këtë lloj risie të kritikës në mbarë hapësirën shqiptare, është një studim-produkt i Terziut, si një lexues e studiues i kualifikuar perëndimor dhe një paraqitës i vlerave krijuese në prani të një numri të madh e të perzgjedhur krijuesish që kanë përse të krenohen me arritjet dhe krijimet e tyre, pasi shpalos me vëmendje këtë libër.
Dihet tashmë se gjuha është mjeti me të cilin krijohet jo vetëm një vepër letrare, por edhe mënyra se si flet një studim. Dhe nëpërmjet asaj që është e njohur se gjuha e një studimi shkon drejt rrudhjes dhe përdorimit të shenjave apo fjalëve që simbolizojnë studimin, libri “Kritika ndryshe, një vëzhgim në prozën dhe letërsinë shqiptare” shihet si një paraqitje ndryshe në formë e në përmbajtje. E gjitha që përfshihet te ky libër është një analizë e mirëfilltë bashkëkohore, është një komunikim pikasjesh positive te mjaft autorë që kanë krijuar në vite dhe krijojnë edhe sot. Mes kësaj pikasjeje është edhe ajo që vjen për herë të parë tek lexuesi nga kërkimet shkencore të autorit nëpër bibliotekat britanike dhe arkivave të tjera universitare. Një element ky shumë i ndjeshëm dhe i rëndësishëm që shihet në tërë prezencën e librit.
Autori sqaron që në fillim hapësirën rreth së cilës ai kushtëzon tërë kritikën e tij ndryshe rreth prozës dhe poezisë shqiptare. Duke parë krijimtarinë e shkrimtarëve me emër në letërsinë shqiptare dhe duke inkurajuar emra që premtojnë për të ardhmen e tyre, Terziu, krijon hapësira të larmishme për të parathënë më shumë se sa një rrugë e nisur krijuesish. Duke parë në brendësi kapitullin e parë të “Kritika ndryshe, një vëzhgim në prozën dhe letërsinë shqiptare” kuptojmë se ajo që realizon autori është një gërmim i thellë në vlerëkrijimtarinë e mjaft penave shqiptare. Kështu autori nuk paramendon askënd, as nuk qëmton ndonjë krijimtari, por vetëm i thotë lexuesit, studiuesit apo edhe akademikut se në këtë rrugë është paraqitja e ‘realitetit’, nëse ne do të lejoheshim të përdornim këtë fjalë në përdorimin efikas e të kohës për këtë lidhje. Autori këtë efikasitet e ka vënë në shërbim të asaj që Zejnullah Rrahmani thotë tek “Teoria e letërsisë”: “Kritikën letrare është pak a shumë më vështirë ta përcaktosh për shkak të natyrës së saj të gjerë dhe pranisë së subjektivizmit në të”.
Duke parë atë që poeti dhe krijuesi Kosta Qorosi ka shprehur për librin më të ri studimor të Terziut, “Kritika ndryshe, një vëzhgim në prozën dhe letërsinë shqiptare” them se është një domosdoshmëri për t’u ndalur edhe tek ndonjë hapësirë që është lënë padashje pathënë, ose në një farë mënyre është riskuar në praqitjen e saj. Por, natyrshëm, çdo projekt ka të mirat dhe të metat e veta. Edhe ky projekt i studiuesit shqiptar, Terziu është në këtë dilemë. E thënë me plot gojë, dhe kjo nga këndi i shikimit tim, duke shtuar edhe kualifikimet e mia të vazhdueshme në Britaninë e Madhe, them se “Kritika ndryshe, një vëzhgim në prozën dhe letërsinë shqiptare” rëndon më shumë nga ana positive e peshores, ku vlerat e këtij libri e bëjnë atë që të mënjanojë ndonjë të paarrirë apo edhe thjesht ndonjë përsëritje të panevojshme. Duhet shtuar këtu se rendja e autorit pas pozitives, nuk i minimizon vlerat dhe nuk krijon ndonjë arsye për të thënë të kundërtën. “Kritika ndryshe, një vëzhgim në prozën dhe letërsinë shqiptare” vjen në kohën e tij dhe plotëson shumë duke folur qartë e bukur. Krijuesit e përfshirë dhe ata që do të përfshihen në vëllimin e dytë të autorit duhet të ndjehen krenarë se nuk janë ‘ledhatuar’ apo ‘qortuar’, por vlerat e tyre që kanë krijuar janë shtruar në ‘sofrën letrare’ me penelin e bashkëkohores.
Fatmit Terziu tanimë është i mirënjohur në Britani të Madhe e më gjerë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në disa fusha të krijimtarisë letraro-artistike, prozë dhe poezi, por edhe në kinematografi me prodhimet e tij fantastike si dhe me kualifikimet e pakapshme e shumë të ëndërruara nga mjaft bashkëkombas.
“Kritika ndryshe, një vëzhgim në prozën dhe letërsinë shqiptare” është një vepër voluminoze që u botua këto ditë, e cila me siguri do të pasohet nga botime të tjera të autorit dhe përbën vërtetë një kontribut të ri në fushën e kritikës letrare, e parë kjo në një këndvështrim bashkëkohor.
Duke jetuar e punuar ne UK pena e Terziut nuk ka pushuar për asnjë çast, ndaj edhe publiku shqiptar, por edhe i huaj sikur e priste një botim të tillë edhe pse në gjuhën shqipe, pasi ai (publiku) i është mirënjohës atij për « Fjalën e Lirë » dhe gazetën që ai i drejton me profesionalizëm të lartë, duke i bërë ato të dashura dhe mjaft simpatike për një numër të konsiderueshëm lexuesish.
Por, le të ndalem së fundi ndryshe te "Kritika Ndryshe". Ky botim për të cilin unë, e përsëris se jam krenar si redaktor i tij, është padyshim me mjaft interes për biblioteken e çdo intelektuali në disaporë. (Le të rezervoj më vonë një shkrim tjetër për këtë çështje).
“Kritika ndryshe, një vëzhgim në prozën dhe letërsinë shqiptare”, sjell risi për kritikën letrare shqiptare që, pa mohuar arrtijet e saj, nuk ka mundur t'i shpëtojë doktrinizimit dhe huazimeve për të cilën ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë merak Terziu. Tanimë shumë kritika për prozën dhe poezinë shqiptare të servirura në kohën e monizmit u ka kaluar koha të rilexohen nga brezi i ri apo të studjohen nga studentët e shekullit të 21-të. Për ndryshe, botimi i F. Ferziut është pa dyshim një vlerë e re, jo vetëm për nga këndvështrimi, por edhe nga mënyra e analizës, nga thjeshtësia dhe bashkëkohorja që sjell.
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: