Thursday, 19 February 2009

Nga Wagner te Kulla



Fatmir Terziu

Unë nuk mendoj se duhet të kërkoj “ndjesë” për këtë titull Wagnerian. Është fjala për eseistin e madh gjerman Riçard Wagner, tek i cili gjeta një pikëtakim me Kullën. Ky shkrim-esse është shumë larg nga Wagneri në fakt, por pikat e vështrimit të tij që ndërton janë vërtet një rastësi takuese, janë baza që nënkupton një lidhje me esenë e tij të famshme për humorin mes dramës dhe prozës së shkurtër, një volum i mrekullueshëm me një jetë njëqind vjeçare, që përbën bazën teorike të këtij autori në këtë fushë për hir të ndikimit të humorit nga proza e shkurtër dhe drama e prodhuar prej saj. “Shikimi vëzhgues i tij është i lodhshëm, njëmendësim karakterial, por gjithmonë i freskët dhe këshillues”, - thotë Joseph Kerman teksa shkruan për këtë në hyrje të librit “Proza dhe drama” botim i vitit 1952, nga “Vintage Books”. Të njëjtën gjë e kam parasysh kur kujtoj edhe thënien e shkrimtarit Teodor Laço për këshillueshmërinë e Pëllumb Kullës nëpërmjet karaktereve dhe personazheve të tij: “Pëllumb Kulla është po aq personazh, më tepër se personazhet e veprave, personazh i jetës së vet”. Në të njëjtën rrugë më kujtohet edhe deklarimi i të madhit të skenës britanike Peter Sellers kur shprehej: “për veten time, unë s’kam asgjë të afroj si një personalitet, por sa më parë unë jam në afrimin e një karakteri për publikun unë jam ai që më kërkon publiku”. Kështu edhe me tërësinë e karaktereve tek krijimtaria e Pëllumb Kullës. Dhe kështu vet Kulla shprehet: “Ju bëjnë karakteret që kam peshkuar unë për të qeshur, jo unë…”. Karakteret dhe jo autori. Çfarë duhet të gjendet apo krahasohet si një e qeshur nga autori atëherë? Në këtë pikë kanë vërshuar disa opinione, mendime dhe janë dhënë disa përgjigje. E qeshura është më së shumti dhuruar nga studiuesit si një e qeshur e ardhur nga autori, si një mjeshtëri që vjen nga kërkimi i tij në jetë, në jetën e tij si një qytetar hulumtues. Në këtë pikë edhe thënia e Kullës vjen e barasvlershme. Por një pjesë tjetër e gjejnë burimin e të qeshurës nëpërmjet karaktereve të një vepre letrare. Edhe unë kështu mendoj për veprën e krijimtarinë e Kullës, për të qeshurën që vjen nga krakteret e tij. Disa mendojnë se shkrimtari Kulla është një shkrimtar humorist, por një pjesë e mirë e kuptojnë aftësinë e shkrimtarit për të realizuar të qeshurën nga arsyeja e përgatitur mirë tek karakteret e tij. Situatat e gatuara artistikisht dhe me një stil të larmishëm bëjnë që kjo të mos dyshohet kur kemi parasysh tregimin e Kullës, apo më së fundi edhe romanin e tij të vlerësuar nga kritikët “Vdekja e Enver Hoxhës”. Kerman thotë se është një funksion në dramën e kontekstit, që e bën atë një simotër me arsyen e të qeshurës, me humorin që vjen nga paraqitja e karakterit. Me një analogji më të plotë T.S. Eliot në esenë e tij “Poezia dhe Drama” sqaron në mënyrë më të plotë këtë funksion si një zbërthim artistik të nevojës imediate për të parë lidhjet midis shumë mpleksjeve artistike. Ai thotë se “Është funksion i të gjithë arteve për të dhënë disa perceptime të një mënyre të jetës, dhe duke kundërvënë një urdhër mbi këtë përceptim. Piktori punon nëpërmjet përzgjedhjes, kombinimit, dhe vënies së theksit në mesin e elementeve të dukshëm të botës; e muzikanti, në botën e muzikës. Shkrimtari punon me sitën e ngjarjeve dhe rekuizitën e karaktereve. Më duket se përtej emërtesave apo klasifikimeve, emocionet dhe motivet e jetës sonë “të ndërgjegjshme” kur drejtohet drejt veprimit, e ndikuar nga një pjesë e jetës së rëndomtë që krijon dramë vihet krejtësisht në mënyrën e duhur për të shprehur vetëm nga autoriteti i një shkrimtari të mirëfilltë.” Këto emocione dhe motive jete sipas Eliot, ekzistojnë në një masë, në një periferi të papërcaktuar të ndjenjave, të cilat ne vetëm mund ti zbulojmë, dhe i bëjmë me vetëdije në mënyrë të atillë që të flasin, të dalin nga cepat e syve dhe që asnjëherë nuk mund të përqëndrohen plotësisht; sepse janë pjesë të ndjenjave për të cilat jemi në dijeni vetëm në një lloj hendeku të përkohshëm apo shkëputjeje nga veprimi. Janë prozatorët e mëdhenj Ibsen dhe Çehov, të cilët mund të sillen si shembull, pasi në kohën e tyre kanë bërë gjëra të mëdha, që sot janë të papërsëritshme, e që të cilat askush nuk supozohet se ka synuar t’i nënvlerësojë, por që në fakt në atë kohë, duke mos mohuar suksesin e tyre, janë gjendur nën një goditje ekspresive nga moskuptimi i thelbit të dramës dhe humorit të tyre nga e shkruara në prozë dhe nga kritika në veçanti, sqaron Eliot. Por të bësh dallimin në mes të qëndrimeve të shkrimtarit dhe ato që quhen “opinione” të kritikëve shpesh është e vështirë. Është e vështirë se edhe botëkuptimet janë të ndryshme. Shkrimtari kumton nga këndi i tij, ndërsa kritiku nga qoshja e vet. Të dy në thelb kanë një pikëtakim, por ndonjëherë shumë larg asaj që në fakt i takon vetë autorit të zgjedhë. Në këtë rast është ajo që vjen nga Wagner te Kulla. Wagner kur në esetë e tij nuk u pajtua me fjalët e kritikës, madje edhe me libretet e shkruara ai veçse solli dramacitetin që përforcohej nga muzika. Të njëjtën gjë deklaron vetë Kulla. Ai shprehet: “Unë nuk shkruaj humor, mua më cilësojnë shkrimtar humorist, por sinqerisht më vjen keq që asnjeri nuk po e thekson, që unë jam një nga njerëzit më seriozë në gjykimin e ngjarjeve. Mënyra dhe përshkrimi is tilit tim që krijon imazhet e portreteve, të situatave, rrethanave është si ajo rrjeta e një peshkatari të zgjedhur që i bëjnë të tjerët për të qeshur, i bëjnë pikërisht ata personazhe që unë i kam peshkuar për të qeshur, jo unë. Unë vetëm sa i peshkoj dhe me to sillem shumë seriozisht”.

Vazhdon…
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: