Saturday, 21 February 2009

Pëllumba të bardhë nga qielli!

Nga Këze (Kozeta) Zylo



Refleksione për librin “Letrat e Agimit” te autorit Sh.Dibrani

Sot midis letrave, librave të ardhur në postë, të parat që do hapja me një vrull të paparë, ishte pakoja e shkrimtarit Shefqet Dibrani. Me dhuratën e tij paksa të rëndë, nuk mund të prisja të shkoja pranë portës së shtëpisë, por deri atje duke ecur, fillova ta hapja me pak vështirësi, dhe midis tyre më ra në sy libri që kishte si kopertinë një zarf, një pëllumb të bardhë si nga qielli, zarf që më solli në retrospektivë kohën e dikurshme të letrave, letrave që jua dërgoja pindërve të mi të shtrenjtë dhe të dashurit tim dikur, sot bashkëshort, Q.Z.,…
Mbi zarf ishte shkruajtur titulli i librit: “Letrat e Agimit”.
Një drithërimë më pushtoi shpirtin duke qëndruar e ngrirë tek shkallët, edhe pse flokët e bardha të dëborës, treteshin mbi letrat e ngrohta dhe duartë e mia në këtë dimër të acartë, unë vazhdoja e vazhdoja me shpejtësi të rrufeshme të hidhja një sy c’kishte brenda!...
O Zot, dora më ndali tek letra e Idës, (bijës së Agimit) e cila i shkruante mikut të ngushtë të atit të saj, pas vdekjes.
Pakuptuar në veprimet e mia rutinë, e hodha çantën e shkollës ku të mundesha, pavetëdije, dhe u ula të lexoja letrën, edhe pse ishte e vështirë ta përfundoja gjer në fund, pasi lotët më qoronin bebëzën e syrit, ishte dhimbja gërryese që shkruante një vajzë gjimnaziste për babain e saj poet, por që kishte ndërruar jetë.
Në këtë letër ndjeva, lidhjet shpirtërore midis miqsh, artistë, por më shumë këto i kishte ndjerë e bija e tij, Ida, e cila i shkruante mikut të ngushtë të babait të saj:
I dashur xhaxhi Shefqet,
…Në cdo veprim që bëj, në mendje më rri shprehja juaj: “Në rast se ti do të thyhesh shpirtërisht, mundja e Agimit është e realizueshme”, e ju e keni thënë aq bukur, e aq natyrshëm sa që unë vras mendjen (biles edhe në këto çaste a do mundem t’i plotesoj ëndrrat e babait që kishte për mua, a do mundem më të qëndroj shpirtërisht e pathyeshme deri në fund, a do mundem vallë?...
Them kështu sepse jam unë që kam kaluar tmerrin më të madh që mund t’i ndodhë një njeriu…
E përfundova e qullur nga lotët, edhe pse gjatë leximit të letrës i thoshja vetes instiktivisht, stop, stop, tani…!
Poeti Sh.Dibrani shpirtërisht dhe mjeshtërisht ka ditur të ringjallë Agim Spahiun, në 15 vjetorin e vdekjes së tij, duke i ruajtur me fanatizmin më të madh pëllumbat e bardhë në folenë e tij, natyrisht kjo ndodh me shkrimtarë të kësaj race.
Letrat e Agimit kanë një freski, që rrallë njeriu e ndjen, pasi duke jetuar në qytete të zhurmshme me re pluhuri, njëherë në disa vjet mund ta shikosh borën e bardhë të Malit të Gjallicës, dhe të ndjesh erën e freskët të malit të Pikellimës, aty ku ndahet Luma me Kosovën, ndërsa poeti Spahiu i bashkoi, i bashkoi si një shenjtor, me shpirtin e tij poetik.
O Perëndi, c’bashkim hyjnor m’u shfaq para syve të mi!...

Se ç’kanë një nur poetët…

Pikërisht për këto bashkime dallohen poetët e vërtetë. E dalloi Adem Istrefi poetin Spahiu që në takimin e parë, e dalloi pasi siç shkruan ai në letër: “kur iu afrova krejt afër, s’di a iu përskith një buzëqeshje dridhëse, si lodrimi i shpejtë, apo iu dridh pakëz dhe mjekra…Përnjëherë më shkoi ndërmend se duhej të ishte poeti. Se vetëm poetët dallohen me një të parë…Se c’kanë një nur që të tjerët s’e kanë!...
S’pata kohë t’i thoshja se jam bash njeriu që kërkonte…pasi më zgjati dorën menjëherë”!
Letërkëmbimi i gjatë mes dy poetësh të përthith të tërë, e aty ndjen tinguj shpirti, besën, e loti rrjedh, rrjedh papushim për humbjen e tij!...Krijon një ujëvarë të vërtetë!...
Adem Istrefi me përshkrimin që i bën poetit Spahiu, të kaplon një mall, një mall krijuesish, edhe pse këtë poet se ke takuar kurrë, por e ndjen sikur e takon sot, me poezinë, që është dhe lluksi i takimit!
Istrefi mundohet ta ringjallë poetin, pasi ai beson tek bestynia e ringjalljes, veçanërisht kur ka takuar vëllain e poetit, që i ngjante aq shumë.
“Pasha ata sy dielli që më sheh nga kupa qiellore e mbetsha pa hisen e tij, nëse nuk them se si u shtanga për një çast, nëse në atë çast nuk besova në mrekullitë e ringjalljes!
Prandaj dhe prandaj o më i vogli vëlla Shefqet, bëre kaq mirë që i ruajte,…c’mëkat po të humbisnin”!
“Të ruhen me skrupulozitet cdo fije letre e shkruar prej tij”, thotë shkrimtari Ferhat Cakaj”.
Njëkohësisht Cakaj ia ka shprehur edhe bashkëshortes së tij, Zanës fisnike, për kujdesin e letrave, në ditët e mjera të dhjetorit, në atë muaj ku ndodhi gjëma e madhe për familjen Spahiu.

Mirënjohje për dy pëllumbat e Paqes

Mirënjohja për këtë libër të botuar nga Dibrani nuk njeh kufi nga miqtë e Agimit, por dhe familjarët e tij. Z.Islam Spahiu e falënderon për këtë dhuratë që i beri Kombit dhe familjes, duke pohuar, “se individi nuk vdes kurre, nëse ai ndiqet nga pasardhësit”!
Kurse bashkëshortja e tij Zana, ky emër ëngjëllor, i shkruan:
“Nuk kishte faj Agimi që letrat e tua i linte në tavolinën e punës (bukës), ato zinin njëra-tjetrën dhe për çudi rrinin të hapura. Ju bëtë shumë për shpirtin e trazuar të Agimit, ju bëtë shumë për ne. Ju nuk e kuptoni se ç’vlerë morale kishit ju për Agimin këto tre vitet e fundit. Ju nuk e kuptoni si e mbajtët gjallë atë. Ne ju jemi mirënjohës për jetë”…
Sa shumë miq ka Agimi, kudo, në gjithë botën, realisht atij po i shtohen dhe pas vdekjes.
Z.Petrit Palushi i shkruan Dibranit, “se u desh vdekja e poetit, dhe botimi përmbledhës i poezisë së tij, që të fillonte një vlerësim real i poezisë së tij. Ju jeni bërë i njohur sepse prezantuat një poet, që ka brenda tragjizmin, vuajtjen, shpresën…në fund të fundit ka portretizuar habitshëm Lumën”.
Ndërsa Tonin Çobani, shpreh një shqetësim njerëzor, i cili pasi e falënderon për poezitë e së bijës së poetit, Idës, që ja kishte dërguar Dibrani për t’i botuar në gazetë ku ai punonte, ai kishte hasur vështirësi për botimin, pasi kryredaktori ishte shprehur se ishin shumë të gjata…
Znj.E.Muja kishte inçizuar emisionin e përgatitur për Spahiun, dhe i shprehte mirënjohjen për çfarë kishte shkruar Dibrani, shkas që e detyroi atë t’i drejtonte letër!
Shkrimtarit Teodor Laços, i kishte ndodhur rrallë, fort rrallë (për shkak të punëve), që një dërgatë dhe një libër, ta detyronte të ulej menjëherë dhe të merrte penën në dorë. Kjo ndodhte vetëm me talentet si Spahiu!
Luan Qeneti u lidh me Dibranin, sepse ata kanë një mik të përbashkët poetin Spahiu.
Ylvi Selmani ka humbur më tepër sesa një nip, më tepër sesa një shok, ka humbur një Poet të mirë të shqipes, ka humbur një njeri të mirë!
Shkrimtarja Shpresa Vreto e quan marrjen e librit në postë, “si një ditë të paharruar”!
Ndërsa z.Essati nga New Yersey, i ka dërguar autorit “Zërin” që përmban pjesën e parë të studimit të tij për poetin (pegasin e tij), Ali Podrimen.
Shfletoj faqe të tëra, dhe kudo që lexoj, kam një ndjesi të pakuptueshme, të ardhur gati nga Qielli, për poetin me një shpirt të ëmbël, për atë shpirt që aq shumë kemi nevojë, në këto kohra të turbullta!
Pena e Agimit nuk rreshti kurrë, veçanërisht për Kosovën.
Ja si i shkruan ai vazhdimisht mikut të tij shpirtëror, në vitet 90- 94.
…”Dha ja po të shkruaj, a më mirë po të flas me ty në ketë kohë të vështirë, tejet të vështirë për Kosovën e Shqipërinë, në këtë kohë, ku të gjithë duhet të mendojnë për çështjen më madhore Kombin tonë të mjeruar”.
Çdo letër e tij është poetike, është mesazh, është dashuri, politike, dipllomaci, është gjithçka që duhet.
Me shumë kujdes shkruan dhe për redaksitë, gazetat, i cili shprehet se ato mos të të shqetësojnë shumë, mos të të mundojnë dhe mos i kushto shumë kohëpritje: e rëndësishme është t’i shkruajmë ato që kemi, botimi i tyre do të vijë patjetër në kohën e duhur…
Vetem arti dhe poezia kanë privilegjin për të sjellë para lexuesve gjithçka, botën e brendshme shpirtërore, intimitetin. Ai në mënyrë filozofike në letrat si pëllumb të bardhë, jep kuptimin e jetës:
“Se në jetë thotë poeti nuk është e rëndësishme sa rron njeriu, (ditët janë të njëjta, netët janë të njëjta, intrigat po ato, vitet ngjajnë tmerrësisht me njëri-tjetrin…0000, gjithçka është e vjetër, e vjetër që përsëritet, e rëndësishme është sa jeton ai përmes punës dhe dashurisë njerëzore, burim i vetëm i rinimit të botës”.
Ishte shkrimtari Dibrani që i dha atij të provonte kënaqësinë e mendimit të tij, në një intervistë, i cili e botoi në Kosovë.
Më rrënqethe i shkruante Spahiu në letrën, që u kishte vënë epitetin: “Pëllumbat e bardhë”, me fjalinë e fundit ku më shkruan se: nga Kosova të përshëndesin!
Kjo është një mrekulli, mbasi e kam ëndërruar gjithë jetën të më përshëndesin nga Kosova, të më çojnë të fala nga Kosova…
Të dy poetët rezonojnë shpirtërisht, ata kanë gjetur limanin e qetësisë shpirtërore, shkëmbimin e letrave pikërisht ku në Shqipëri akoma nuk ishte përmbysur diktatura.
Digjet shpirti i poetit, e flak tutje heshtjen e marrëzishme, idioteske, por që shpesh herë trishtohet nga kjo heshtje që nuk e kupton poetin dhe artistin.
Ai i është mirënjohës Dibranit, për publikimin e poezive të tij, i cili shkruan se më parë se të jenë poezitë e tij, janë të të gjithëve.

Miqësia me Petro Markon

Spahiu ka miqësi me shumë pena të njohura të Kombit, çka dhe e kanë frymëzuar atë.
Kështu librin “Njeriu mbi Pikëllimë” e ka pagëzuar me këtë emër, pasi donte t’i mbante amanetin Petro Markos, i cili në takimet e shpeshta me të i ishte shprehur, “se historia jonë, jeta jonë, është një mal me pikëllimë”.
E ne megjithatë mbi këtë mal Pikëllimi kemi shpresuar, ëndërruar…, Edhe Petroja kishte vuajtur, ishte pikëlluar sa Lasgush Poradeci a diçka më shumë.
Një ditë ai e kishte pyetur, se si do ta titullonte librin e ri? Spahiu i ishte përgjigjur, “Eshtë koha të duhemi!”
Atëhere ai e vështroi gjatë dhe duke menduar i tha:
Ju në Lumë keni një mal me emrin “Pikëllimë”. Prapa Pikëllimës është Kosova. Gjykoje vetë, po kur të shkruash një libër tjetër me poezi, a në t’u dhashtë rasti të botosh poezinë e zgjedhur, titulloje: “Njeriu mbi Pikëllimë”.
Dhe poeti e çoi deri në fund amanetin e Petro Markos. Ai dridhet për Kosovën, Kosova është loti i tij, ëndrra e tij.
Prej kohës çka ndodh përtej Pikëllimës, Spahiun e trand shpirtërisht, por ai shpreson në qëndresën tonë, në virtytet tona, që aq mrekullisht i lartësoi Kosova.
Ndërsa poeti i persekutuar V.Zhiti, e falënderoi Dibranin për këtë punë fisnike të vyer.
Ja c’i shkruan Zhiti: “duke mbledhur dhe botuar një poet, ju sollët fjalën e Spahiut, zërin e tij, shqetësimin njerëzor, gëzimin e trishtuar. Ne, nëse hodhem dhé mbi varrin e tij, ju hapët varrin dhe sollët shpirtin e Agimit!
Spahiu e quan Dibranin shok e mik shpirtëror, ndaj dhe do të rrojë deri sa ta shoh…I premton se as nuk do të vdes pa e parë…Ne duhet të shihemi më shpejt, më shpejt, se edhe toka jonë e ndarë dhe e perçarë kërkon, heshturazi, t’i lidhen bijtë për jetë, se kështu edhe ajo do ta ketë më të lehtë dhimbjen deri në Ditën e Madhe!
Këto letra klasike, në kohën e krisjeve të mëdha, janë mëse aktuale dhe në ditët e sotme, ato përçojnë dashuri, burrëri, ndaj dhe autori i këtij libri me të drejtë ndihet krenar, pasi ai ka plotësuar një nga detyrat më fisnike, që dikur këta pëllumba të bardhë merrnin rrugën vetëm për ata të dy, sot ato kanë marrë udhën kudo, në cdo cep të botës, atje ku frymojnë shiqptarë! Faleminderit pëllumbat e bardhë që ndaluat dhe në portën time shqiptare, këtu në New York, dhe me sollët këto letra…, se ka letra e letra…
Si këto letra kurrë s’kam lexuar. Këso miqësie poetike ende s’kanë njohur letrat shqipe…do të shkruajë Adem Istrefi.
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: