Thursday, 5 February 2009

Romani dhe filmi: tis-pragu që tejëson karakteret




Fatmir Terziu


Në një novelë karakteret kryesuese bëhen të njohur për lexuesin nga një shumëllojshmëri kuptimesh. Këto përfshijnë gjërat që thonë dhe bëjnë karakteret, dhe mënyrën se si romancieri i përshkruan ata si të duken. Në film të njëjtët karaktere të filmit mund të thonë dhe bëjnë të njëjtën gjë, por nuk do të ketë “thirrje” në lidhjen lexues-autor, për asnjërin në ndjesinë e tij për të përshkruar mënyrën se si ata duken (John Izod; 1982:2- “Reading the screen” [Leximi i ekranit]. Sipas Izod, Leximi ynë forcohet, kur ne figurojmë në mendjen tonë, në vend të aktorit apo aktores që luajnë rolin para publikut, dhe të tij ose të asaj që bëjnë rolin e zërit, imazhe të qarta ose ndryshe nga ato që synon regjisori. Le të shtjellojmë këtë me një shembull nga letërsia shqiptare dhe kinematografia e krijuar përpos saj. Është “Dasma e Sakos” (Vath Koreshi) që sjell filmin me të njëjtin titull [Filmi Dasma e Sakos është një film shqiptar i prodhuar në Shqipëri në vitin 1998. Regjia: Vladimir Prifti, Skenari: Vath Koreshi]. Kur lexojmë librin në fjalë shohim ose krijojmë imazhe sipas perceptimit personal, ndërsa kur shohim filmin imazhet dhe karakteret e perceptimit tonë janë disi anashkaluar ose zhdukur nga ndjesia jonë. Natyrisht kjo nuke bën veprën letrare të jetë kontradiktore me kineazimin e saj, përkundrazi krijon një mënyrë ndryshe kualifikimi të imazheve në rrjedhën tonë të mirëkuptimit letrar dhe artistik me të. Kështu pra kuptohet se në libër, ndryshe nga filmi, këto imazhe shkojnë drejt një rruge të gjatë, atë përcaktimit të karakterit në mendjen e publikut, ose edhe të synimit për të bërë një gjë të tillë. Kjo në vetvete ka implikime të mëdha për mënyrën se si ne i shohim në ekran karakteret. Ju mund të imagjinoni filmin hollyvudian “Perëndimor” në të cilin me të njëjtin skript herën e parë ishte heroi kryesor i luajtur nga Gary Cooper, John Wayne herën e dytë, dhe në rastin e fundit nga Clint Eastwood, një rol që është treguar më së shumti në ekranet shqiptare. Edhe me të njëjtat fjalë në gojët e tyre, do të pikasen natyrshëm karaktere të ndryshme. Por, me romanin, puna e lexuesit ndryshon nga ajo që shikuesi ndërmerr në një film në rolin e njohjes së një personazhi, sepse lexuesi nuk ka një synim të vetëm atë të imazhit fotografik që realizon në mendjen e tij, pra përfaqësimin vizual ose iluzinar të një aktori para tij. Ai ka arsye të mendojë ndryshe duke lexuar. Pa marrë parasysh se si e detajon romancieri përshkrimin e karakterit, lexuesi ka hapësirë për të mbushur imazhëri të ndryshme, ka hapësirë ta realizojë ashtu siç e kupton atë për vete. Ideja ime e vajzës Tess do të ndryshojë nga medimi juaj kur kemi lexuar bashkë pozicionin imazhlënës të “Tess e D'Urbervilles”; por në rast se në ekranin e Roman Polanskit të bazuar mbi versionin e librit (1981) ne jemi të ballafaquar me dy linja ku spikat ajo e Natassia Kinski Tess, dhe ajo na ofron pothuajse atë që të gjithë ne kemi nevojë për të formuar një ide të Tess siç është paraqitur në këtë version. Edhe në romanin “Darka e Gabuar” të shkrimtarit Ismail Kadare, pak a shumë janë këto mendime. Edhe pse ky roman nuk na sjell ndërmend imazhe të vërteta filmike, ai na krijon një grupim imazhesh të ndjeshme në mendjen tonë. “Darka e gabuar” krijon këtë rekomandim imazhesh për dy njerëz dhe dy kohë historike. Nga njëra anë fikson gjatë leximit doktor Gurameton dhe komandantin e divizionit gjerman, koloneli Fritz von Schwabe, mbajtës i Kryqit të Kuq, në anë tjetër “Shqipërinë gjermanike” me atë komuniste. Këto imazhe fotografilënëse në ndjesinë tonë përbëjnë atë që McLuhan e quan “mediumi është mesazh”, ku duket qartë se kalimi “miqësor” i gjermanëve nazistë në qytetin e jugut lidhet me darkën në fjalë që patën dy miqtë e vjetër të shkollës, dhe që u bë e “gabuar” sepse fatalisht përcaktoi kthesën në jetën e personazhit.
Duke e parë këtë fragment imazhlënës të romanit të Kadaresë, kuptohet qartë edhe dualizimi i tiparit viziv të krijuar gjatë të lexuarit dhe atij që prodhon filmi, edhe pse kjo vepër e shkrimtarit tonë nuk është realizuar apo parë në ekran. Në këtë rast ajo që lidhet si mesore e përbashkët është ideja. Ideja qëmton atë që tashmë njihet se ‘mediumi’ fikson ‘mesazhin’ (John Izod: 1982:8) në kaq rrugë të njohura e të panjohura aq sa ai bëhet plotësisht i ndryshëm në paraqitjet që i bëhen veprës nga mediume të ndryshme. Në realitetin e të lexuarit lexuesi krijon atë që në fakt vjen pas idesë dhe tematikës. Në këtë rast romani dikton faktin se “që nga dita kur ushtria italiane u shpërbë, në vjeshtën e vitit 1943, deri në vdekjen e Stalinit, dhjetë vite më vonë, Shqipëria përjetoi ndryshimet më drastike të imagjinueshme. Ngjarjet e përjetuara në atë kohë, treguar nga rrugët e Gjirokastrës, nuk janë diçka e re në universin Kadarean. Katër dekada më parë, në vitin 1970, përmes romanit “Kronikë në Gur” koha e luftës përshkruhet përmes syve të një fëmije, gjithmonë nga qyteti i gurtë.” (Shtëpia e librit).
“Darka e Gabuar”, vepër që në shumë kuptime është kronikë në gur e parë nga sytë e një të rrituri. Mënyra me të cilën qyteti e përjetoi largimin e italianëve dhe ardhjen e gjermanëve, si dhe më pas, ardhjen e komunistëve. Ky është gjithashtu romani në të cilin, Kadare jep edhe një “vlerësim” shumë krahasues mes pushtimeve italiane, gjermane si dhe ardhjes në pushtet të komunistëve. Personazhi kryesor, doktor Gurameto i madh, që pati studiuar në Gjermani, shtron një darkë për oficerët gjermanë që erdhën nga Greqia për të marrë nën kontroll Shqipërinë. Njerëzia ngatërron tingujt e muzikës gjermane me të shtënat e mitralozëve. Doktor Gurametoja i madh, nuk do të jetë kurrë në gjendje të sqarojë arsyet e darkës. Ai kthehet në hero për disa e në armik për disa të tjerë. I bazuar në një ngjarje të vërtetë për të cilën qyteti ka dhënë në kohë të ndryshme interpretime të ndryshme, me personazhin e doktor Gurametos që më shumë se karakter është një belle epoque, është një njeri kohë, Kadare rimerr takimet me historinë ku i ka lënë me babazotin e “Çështjeve të marrëzisë”, kështu pra nga ajo stuhi otomane tek flladi perëndimor që i fryu Shqipërisë midis dy luftërash. Dhe kështu padyshim, romani i fundit i Kadaresë "Darka e Gabuar" është përzgjedhur si vepra më e mirë e vitit që lamë pas, nga një juri e përbërë nga emra të njohur të letrave dhe kritikës shqiptare. Por, kjo nuk e plotëson atë që i duhet shtuar imazhit të saj, pra në skriptimin dhe skenimin e saj.
Ismail Kadare nuk është historian, nuk është as shkrimtari që shkruan për njeriun në kuptimin e thjeshtë të fjalës, për karaktere të futur rëndom brenda një dhome shpirtërore dhe sociale herë si në një dhomë parfumesh e herë tjetër gazi. Njeriu i Kadaresë është historia dhe anasjelltas. Duke qenë i tillë si shkrimtar, fakt i ndjeshëm është edhe lidhja mes asaj që historia tregohet dhe tregimit të historisë. Në shumë vepra shkrimtari Kadare është ajo që ai sjell, pra karakteri i tij, që është dhe mbetet pjesë historike. Le të shohim romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe le të kujtojmë filmin e tij bazuar në këtë roman. Në këtë pikë kuptohet se filmi i krijuar mbi bazën e këtij romani ka një shans dhe një avantazh më të madh në prezantimin e karaktereve, porn e duhet të pranojmë se në këtë mes janë disa aspekte të tyre që e gjejnë të vështirë prezantimin e tyre aq mirë si në roman. Por me që shikuesi është shumë herë më i ndryshëm nga lexuesi, sin ë numër dhe në moshë, në këtë rast është një arsye për të thënë e stërthënë më shumë për këtë temë të Kadaresë nga filmi. Shkrimtari ka adoptuar atë që më së shumti është njohur si “konventë e naratorit të padukshëm” (John Izod; 1982:9) dhe në fakt nuk ka ndonjë vështirësi në zbulimin e asaj se çfarë mendon karakteri i tij. Kjo konventë në stilin e Kadaresë është mjaft e kuptueshme. Shkrimtari shqiptar, kandidat për “Nobël” nuk detyrohet të shpjegojë se si ai e njeh mendjen e karakterit të tij ai zakonisht i tregon lexuesit atë se çfarë është tek ai. Ndërsa filmkrijuesi i romanit të tij, në kontrast me këtë konventë të tipit Kadare, duke arritur një mendim personal të karakterit duket se krijon problem real. Dhe kjo është arsyeja që filmi në disa momente, sidomos ato ku pasqyrohet plaka Nicë, ngjan shumë teatror. Natyrshëm filmi ka meritat e veta regjisoriale, që në këtë rast nuk janë synimi i analizës sonë. Filmi është përshtatur lirisht nga novela. Fjala "lirisht" duke e përshkruar modifikimin e saj është përdorur në fakt edhe kur ekzistojnë dallime të mëdha në lidhje me përdorimin kohë, karakterizim, imazhe vizuale dhe simbolizëm, ritregim, komplot, dhe ton.
Duke përfunduar duhet thënë se kuptimi në një film është konstruktuar, siç ndodh dhe duhet të ndodh gjithmonë, dhe ai duhet të konstruktohet në shumë rrugë. Ndërsa në roman ai mbetet një udhesë e idesë së piketuar nga shkrimtari. Një udhesë që në rastin dhe stilin Kadare është një kryefjalë për lidhjen midis ekranizimit të një vepre dhe veprës së gatshme për ekranizim. Ajo që duhet shtuar është domosdoshmëria e linjave të njohjes së mirë të veprës dhe karaktereve të saj që të zvogëlohet sa më shumë dallesa midis karakterit në roman dhe karakterit në filmin e menduar apo edhe në plan për të realizuar.
Filmat e kësaj moshe janë kritikuar shpesh për mungesën e quajtur 'substancë' dhe kompensuar për këtë mospërputhje me shpërthimet e përpunuara dhe puna e kameras. Librat, nga ana tjetër, kërkojnë pak më shumë respekt nga publiku në përgjithësi. Është mjaft e lehtë që të shikosh të zakonshmen apo të pazakonshmen, por dallesat në këtë rast, duhet të gjykohen, përshembull, pse regisori mund të ketë përdorur një ndriçim të veçantë, apo se si ngjyrat u përdorën për të simbolizuar tema nga libri. Filmi i ndërtuar mbi romanin e Kadaresë dhe romani i Kadaresë kanë ngjashmëritë dhe dallimet e tyre, por të dy mbajnë në mënyrë të efektshme audiencën (apo lexuesin) të varur, duke i lënë ata në pritje për të ditur se çfarë ndodh më pas.

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: