Thursday, 19 February 2009

Vonesa të justifikuara


Astrit Lulushi

Padrejtësi do të thotë mungesë drejtësie ndaj një njeriu, grupi ose mbarë shoqërisë. Padrejtësia ndodh edhe atëherë kur njerëzit janë të pavetëdijshëm. Kur e pyetën - “Cfarë është drejtësia?” Platoni iu përgjigj; “Nuk e di, por e di mirë se cfarë nuk është”.

Pskikologjikisht, padrejtësia nuk është tragjedi, sepse i ndryshëm është reagimi ndaj secilës, megjithëse të dyja sjellin fatkeqësi. Padrejtësia ngjall zemërim e revoltë; tragjedia lë pas zi e heshtje për një fare kohe, pastaj vjen shperthimi.

Viti 1944, për shumë shqiptarë, filoi me plot padrejtësi; gjyqe, burgime, vrasje, sekuestrime, bastisje, plackitje, xhveshje nga cdo pronësi. Dhe këto padrejtësi ngjallen protesta, revolta, kryengritje nga individë, grupe e deri segmente të shoqërisë. Shtypja mizorisht e tyre dhe precedenca që u krijua e shndërroi Shqipërinë një salle teatri, me aktorë e spektatorë të një shfaqeje të gjatë, me dyer të mbyllura; disa luanin e të tjerë shikonin, duke lëshuar herë-herë klithma ankthi, si në tragjedi

Nuk ka njeri që të mos e urrejë padrejtesinë; në vitin 1990, protestat e studentëve për kushte më të mira në konvikte,ishte një reagim ndaj padrejtësive të përditëshme. Por Shqipëria ishte plot me njërëz që e kishin provuar padrejtësinë në kushte e rrethana të tjera të ndryshme. Kështu protestat studentore u përhapën duke përfshirë mbarë shoqërinë, pa dallim shtresash a klasash. Sipari i skenës ku ishte luajtur tragjedia u ul; heshtja ra, me aktorë gjysmë të përkulur përpara spektatorëve që qëndronin si të ngrirë e të mpirë nga ajo që kishin përjetuar. Dhe qëndruan kështu për shumë kohë a vite.

Ndërsa vala e përmbysjes se regjimeve komuniste kishte përfshire Evropën Lindore, Samuel Huntington (1927 – 2009), ne librin e tij The Third Wave, 1991, ofronte idenë se cfarë qëndrimi do të mbanin vendet ish-komuniste ndaj së kaluarës dhe si do t’a trajtonin atë. Duke u bazuar në statistika që vinin nga këto vende, Huntington kishte vënë re se në politikën e tyre regjimet komuniste kishin kryer një ndryshim të paimagjinueshëm; ato kishin bërë “pazarllëk me elitën” për t’a përdorur si rrugëdalje në se humbnin pushtetin. Sapas Huntingtonit, nëse udhëheqësit e fundit të një regjimi jo-demokratik do të përmbyseshin me dhunë nga pushteti, kjo do të sillte lindjen e ndjenjës për hakmarrje. Por nëse udhëheqësit komunistë hiqnin dore nga pushteti në mënyrë paqësore si pasojë e revoltave ose si pasojë e reformave që vetë kishin ndërmarrë, atëherë hakmarrja ndaj mizorive të së kaluarës do të shmangej. Duke parë se si regjimet komuniste kishin filluar të rrëzoheshin, Huntingtoni parashikoi se mes shteteve të Evropës lindore, vetëm Rumania dhe Gjermania lindore do të kërkonin hapjen e dosjeve, pastërtinë e figurave, “lustracionin” ose te ashtuquajturën “drejtësi kalimtare”, ndërsa vendet e tjera do t’i falnin e harronin ato që kishin ndodhur.

Por me kalimin e viteve parashikimi i Huntingtonit doli vetëm pjesërisht i saktë, sepse shumë vende të tjera ish komuniste ndoqën shembullin e Gjermanisë lindore e Rumanisë. Ndoshta Huntingtoni, nuk morri parasysh “faktorin tragjedi”; sa më e rëndë diktatura, aq më shumë kohë duhet për t’u shkëputur prej saj fizikisht, shpirtërisht e mendërisht dhe se një ditë sa do e largët, me kthimin në realitet do të kërkohet edhe gjykimi i të kaluarës.

Po ashtu, Huntingtoni ndoshta nuk morri parasysh as “faktorin e sotëm politik”, se e kaluara mund të shfrytëzohet nga disa politikanë për të minuar kundërshtarët, vecanërisht ish-komunistët, të dalë pas monizmit me një imazh të ri, sic ndodhi në shumë prej vendeve të Evropës lindore.
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: