Sunday, 8 March 2009

DËSHTIMI I MITIT SERB MBI KOSOVËN



Sami ISLAMI

"Atje nisi, atje mbaroi,
Atje krisi, atje pushoi"

Kështu do të shprehej poeti ynë i madh Noli për luftën e Plakut të Maleve, Bajram Currit kundrejt forcave reaksionare e kolabocionariste shqiptare. Kushtu do të themi ne për aventurën famëkeqe të serbollavistëve për krijimin e e një shteti të madh serb në Ballkan.

Pakkush mund ta besonte se në kuzhinat serbe, para dhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë, po përgatitej skenari më monstruoz për të krijuar, më në fund, një Serbi si në kohën e Dushanit. Dhe pakkush mund të besonte, madje as nga vetë qarqet serbe, se një kriminel dinak po përbironte me sukses labirintheve karrieriste, për t'u bërë kryetar, dhe për t'ua plotësuar ndjenjat çetnike të popullit serb për një Jugosllavi serbe. Dhe ja, njeriu më i përshtatshëm për këtë post në atë kohë u gjet: Sllobodan Millosheviqi, “udhëheqës” që Serbia e kishte kërkuar qe 150 vjet! Ky njeri doli para çetnikëve të tjerë dhe u tha: "Unë do ta bëj Jugosllavinë ashtu si duhet". Dhe qarqet çetnike serbe e dinin fare mirë se ku do të duhej të nisej kjo valle, aty ku vendi ishte më i ndijshëm: në Kosovë. Aty duhej të nisej se, po të "rregullohej" puna atje, me të tjerët (popujt e tjerë të federatës Jugoslavi ) nuk do të kishte "problem". U nis, siç e mbajnë mend mirë ata më të mushuarit, me "ndryshuimet kushtetuese", në të cilat shqiptarët e Kosovës "nuk do të humbasnin asgjë", veçse Serbia do të merrte më shumë "kompetenca". Kështu thoshin atëherë madje edhe shumë politikanë shqiptarë. U nis, në Kosovë pra, me mitingje serbe, me protesta… e deri te "festimi i 600 -vjetorit të Luftës së Kosovës, të humbjes më të turpëshme në historinë e njerëzimit, luftë kjo që zgjati vetëm një natë.Luftë të cilën e paskan bërë serbët (pa i përmendur, në fund të fundit edhe popujt tjerë që kishin marrë pjesë në këtë luftë, duke i pëfshirë edhe shqiptarët).Luftë, të cilën Kadareja e përshkruan se “Ballkani u ngrys Evropë e u gdhi Azi.

Dhe kjo fushatë çetnike në Kosovë u tregua e "suksesshme", sepse kryeçetniku e hoqi atë farë lloj "autonomie" të brishtë dhe i hoqi të gjitha dilemat ,se "Kosova nuk humb asgjë, po Serbia do të fitojë më shumë pushtet", edhe kur kryeçetniku erdhi atëbotë në Elktroekonominë e Kosovës në Obiliq dhe punëtorëve të elktroekonomisë u tha troç: "Serbia e ka fituar atë që ka qenë dashur ta fitojë, kurse Kosova e ka humbur atë që ka qenë dashur ta humbas"! Dhe iu tha shqiptarëve "rrini urtë se unë jam mbreti". Këtë tha dhe doli i përcjellë me truprojat e tij…

E ngazllyer nga "suksesi" në Kosovë, Millosheviqi u inkurajua që t'u jap leksione edhe popujve të tjerë të ish federatës së Jugosllavisë, duke filluar pak në Slloveni me disa "protesta" që s'ju "shitën" hiq dhe menjëherë provoi në Kroaci.
Kryeçetnikut këtu i hasi "sharra në gozhdë", sepse këtu nuk ishte sikur në Kosovë, kur me të gjitha forcat speciale të ish Jugosllavisë edhe praktikisht e shkeli të drejtën e shqiptarëve për të jetuar i barabartë me të tjerët, ose nuk ishte si në Vojvodinë kur pushteti u "rrëzua" me "Jogurta" dhe u bë i njohur si "Jogurtrevolucioni" serb. Këtu, në Kroaci pra, Milloshi s'mori gjë. Ai u kthye "me gishta në gojë".Këtu, madje filloi t’i humbaste një nga një “territoret serbe” duke filluar me Kninin! Për herë të parë bota e pa se diçka nuk po shkonte në rregull në “Jugosllavi”. Dhe se Serbia nuk kishte më atë "vulllnetin" e mirë që të ndahej me Kroacinë dhe Slloveninë në mënyrë paqësore, ashtu sikur që ishte bashkuar dikur para 81 vitesh, kur kjo (Serbia pra) me këto dy të tjerat kishte formuar "Mbretërinë e Serbëve Kroatëve dhe Sllovenëve". Serbia tani po planifikonte një shtet unitarist serb në Ballkan, megjithse disfata në Kroaci ia prishi pak “qejfin”.

Pasi që Sllovenia dhe Kroacia Milloshit i dolën "arra të forta", avetnurën pushtuese e vazhdoi, siç dihet në Bosnjë. Këtu ai mendoi se do ta ketë edhe përkrahjen e perëndimit sepse ai po e luftonte " fundamentalistët islamikë". Dhe mund të thuhet se deri diku në këtë luftë e pati këtë “përkrahje”. Kjo ndodhi nga shkaku se SHBA-të dhe forcat e tjera perëndimore nuk qenë të gatshme të intervenojnë me kohë dhe si pasojë e kësaj lufte 4-5-vjeçare u vranë më se 250.000 vetë dhe u shkatërrua gati plotësht Bosnja. Intervenimi në Bosnjë u bë vetëm atëherë kur u pa që pa një intervenim të tillë lufta këtu do të zgjaste deri në pafundësi.

Në këtë kohë si SHBA-të ashtu edhe shtetet perëndimore "u bindën" se me kë kanë punë, se ky farë Millosheviqi nuk njeh asnjë gjuhë tjetër pos gjuhës së forcës. Dhe të gjithë e dinin se në Kosovë fuçia e barotit ishte buzë eksplodimit dhe vetëm sa s'kishte marrë flakë. Dhe se problemi do të vinte aty ku kishte lindur gati para një decade më heret. Populli shqiptar i Kosovës dukej sikur nuk kishte shtegdalje tjetër pa u përleshur me agresorin serb. Serbët e dinin se kosovarët nuk do të mund t'u bënin ballë nëse ata futen në luftë, prandaj edhe shpesh zyrtarë dhe qytetarë të thjeshtë serbë, si me qesëndi thoshin se "Kosovën nuk e japim ndryshe, pos me luftë". Ata, çetnikët serbë, e injoronin armatimin e shtetit shqiptar dhe sikur po paragjykonin për mundësinë e "intervenimit" eventual të Shqipërisë për t'i mbrojtur vëllezërit e tyre.
Tensioni sa vinte e shtohej. Pasi u pa që rezistenca "paqësore" e partive politike shqiptare në krye me LDK-në nuk dha e as që kishte mundësi të jepte ndonjë rezultat, kundrejt një regjimi fashist, filloi edhe rezistenca me grykë të pushkës. Doli në skenë pra UÇK-ja. Kjo ishte një bafasi për Serbinë, por edhe një argument që më në fund Serbia ta shfrynte gjithë atë mllef mbi shqiptarët. Dhe vërtetë u pa se çfarë ekspedita ndëshkimore morën çetnikët ndaj Likoshanit dhe Prekazit, tashmë të njohur në të rë botën. Heroizmi i luftës së shqiptarëve e frikësoi Beogradin se ishte i vetëdijshëm se nuk do t'i "shiteshin" më Beogradit etiketat "terrorizëm" "fashizëm" etj. për t'i arsyetuar masakrat e tyre ndaj një populli liridashës.
E kam shumë te freskët faktin kur perëndimi filloi të dërgonte emisar pas emisari, për të "biseduar" me kryeçetnikun për një "zgjidhje " paqësore të konfiktit. Po Milloshi, kur po “bisedonte” me emisarët ndërkombëtarë mendjen e kishte që ta "zgjidhte" problemin si ajo fjala popullore "ndaje si të duash, po livadhi është imi". Dhe u lodh ambasadori Holbruk duke shkuar e duke e "lutur" Milloshin për njëfarë autonomie, por ai kishte vendosur ta çojë amanetin e Car Dushanit, që bile Kosovën, "djepin e Serbisë" të mos ta lëshojë kurrsesi! Tani më perëndimi nuk kishte se si të vepronte ndryhe, ose të intervenonte NATO-ja, ose të lente Millosheviqin të shkatërrojë Kosovën dhe të masakrojë shqiptarë dhe atë në jubileun e 50-të të formimit të saj!

Befasia tjetër , jo e këndshme e Serbisë qe, kur me të vertetë për një grusht populli kosovar NATO-ja ia filloi bombardimeve kundër Serbisë, dhe atë jo vetëm forcat ushtarake e paraushtarake në Kosovë, por edhe objekte vitale nëpër tërë Serbinë! Tani iu çel goja edhe Rusisë, aleatit të vjetër sllav, si dhe atij kinez. Jelcini atëherë pandërpre kërkonte që të ndërpriten bombardimet, se kështu po "thyeheshin" parimet e sovranitetit shtetëror. Ai preferonte që edhe më tutje të "vazhdohej" me "bisedime" me Milloshin (edhe pse Holbruku kishte shkuar në Beograd më shumë se 40 herë) dhe thoshte se "vertetë Milloshi është pak i "rëndë" për bisedime po duhet të shkohet jo 40 herë, po edhe 50 a 60 herë për t'ia mbushur mendjen"!

Milloshi, siç thamë, në Kosovë ia filloi dhe këtu vendosi ta luajë edhe kartën e fundit. Politika serbe mendonte se pasi që erdhi puna deri këtu (pra NATO-ja vërtetë intervenoi ushtarakisht, gjë që ata nuk e kishin menduar një gjë të tillë), do të përpiqemi që me çdo kusht të ndalim bombardimin. Nëse kësaj mund t’i dalim, sa për të “zgjidhur” problemin me bisedime s’do të kishte problem. Në anën tjetër po qe se perëndimi nuk e ndal bombardimin, atëherë ne do të vrasim, presim e masakrojmë sa të mundemi shqiptarë, do t’i shkatërrojmë të gjitha fshatrat, do t’i deportojmë të tjerët dhe do ta pastrojmë Kosovën nga shqiptarër dhe fajin do t’ua lëmë bombardimeve të NATO-s. Këshu menduan çetnikët, po kështu nuk menduan forcat perëndimore.

Dhe iluzionet çetnike për një “Kosovë serbe” ranë kur në agum e 12 qershorit të vitit 1999, forcat e NATOS-s filluan marshim nëpër territorin e Kosovës. Kësaj radhe Serbia nuk arriti dot ta mashtrojë botën duke i akuzuar shqiptarët me llo-lloj etiketash, për të arsyetuar veprimin barbar ndaj civilëve, sikur që kishte bërë shumë e shumë herë më parë, duke e filluar me një intensitet më të madh që nga 1878-a e këndej, pra qysh nga Kongresi famëkeq i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

Tashti, Serbia, për t’i hedhur hi syve qarqeve ndërkombëtare, e në rend të parë Amerikës, organizoi zgjedhjet presidenciale në Serbi. Në “zgjedhjet” e fundit fitoi “demokracia”, pra fitoi Koshtunica. Se Serbia vërtetë do të bëhet “demokratike” pas këtyre zgjedhjeve është gjë e pabesueshme. Kjo gjë u pa në vazhdimësi edhe pas shumë vitesh tashme të pavarësimit të Ksovës . Kjo është njësoj sikur të besosh se mund ta fusësh minaren në thes! Themi kështu duke e pasur parasysh se gjatë këtij shekulli që e lamë pas aq shumë është mbjellë nacionalizëm në popullin serb prej qarqeve më të ulëta, kishës serbe e deri tek Akademia e Shkencave , sa është shumë vështirë të besohet një gjë e tillë. Megjithatë le të presim e të shohim! Tani Koshtunica e kishte rastin të dëshmonte se vërtetë do të nisej rrugës së perëndimit, e prova e parë ishte t’i lironte të gjithë të burgosurit shqiptarë, që po mbante padrejtësisht në burgje serbe..
Megjithatë, me ardhjen e Koshtunicës në krye të shtetit serb, prapë u “shprush” miti për Kosovën serbe , po Koshtunica kësaj radhe u bë më i “butë” se paraardhësi i tij Millosheviqi. Në atë kohë, në një intervistë të tij dhënë gazetës amerikane “The Washington Post” ai pat deklaruar se “ ne, madje, nuk mund të imagjinojmë Kosovën të mos jetë pjesë e Serbisë”. Me fjalë të tjera tani ai, por edhe të gjithë serbët e panë se Kosova ishte e humbur për ta bashkë me mitin e krijuar me shekuj për “Kosovën serbe”.
Edhe tani 10 vjet pas intervenimit të NATO-s dhe dhe nji vit pas pavarësimit të Kosovës nga Serbia, ajo ende po përpëlitet si peshku në zall, si thotë një fjalë popullore, për të bërë të pamundurën që ta ndalojë Kosovën në rrugën e shtetësisë së saj, duke angazhuar të gjitha potencialet e saj diplomatike në botë. Kësaj ndryshe i thonë Serbia “po grin ujë në havan”, se një karavan që ka nisur të ecën në rrugën e vet të lirisë dhe të demokracisë nuk ka kush që mund ta ndaloi, pra nuk mund ta ndaloi as Serbia.
Po ç’bëri Serbia në aventurën 20-vjeçare?
E nisi vallen në Kosovë, e përfundoi aty, në Kosovë. Dhe tash, si duket, do të kënaqet me pashallukun e Beogradit, ashtu sikur edhe e kishte merituar kohë më parë, pra mbeti pa e formuar shtetin më të madh dhe më te fuqishëm në Ballkan.


Fjala e Lire - Free Speech

No comments: