Saturday, 14 March 2009

E verdha te Xhois-i : Idhull i shpirtit vetëshërbyes

Sidorela Risto
© Autorja




Xhejms Xhois-i te Portreti i një artisti në rini pikturon trupin tregimtar me një rapsodi ngjyrash, që gjallërojnë portretin e brendshëm të heroit, Stefan Dedalus. Çdo ngjyrë çkyç dyert e dhomave të shpirtit të paformuar të Stefan-it dhe e sfidon të piqet. E gjelbra dhe ngjyrëgështenja, janë të parat që e shtyjnë Stefanin të kërkojë vendin e tij përkatës në botë:
Shfletoi fletën e bardhë dhe vështroi i lodhur tokën e gjelbër të rrumbullakët në mes të reve ngjyrë-gështenjë. Mendoi cila zgjedhje ishte e drejtë, të përqafonte të gjelbrën apo ngjyrëgështenjën. (13)
Vështrimi i këputur i Stefanit drejt dy ngjyrave, paraqet krizën e parë të identitetit. “Toka e gjelbër e rrumbullakët” është e palëvizshme dhe solide në kontrast me retë e gështenjta, avuj në lëvizje dhe transformim të pandërprerë. Prandaj, zgjedhja më e sigurtë është e gjelbra konstante dhe jo e gështenjta me karakter të paparashikuar. Stefani, megjithatë, vendos t’i shkëputet shoqërisë, apo tokës dhe, i izoluar në vetminë e tij, bashkohet me rrugën e avullit, me retë. Ai nuk e përqafon plotësisht identitetin e tij irlandez, i cili përfaqësohet nga e gjelbra, dhe shpesh, i turpëruar ndaj kombësisë së tij, si një fëmijë i kaosit, lejon ta karakterizojnë ngjyra të tjera. Bota e gjelbërt vyshket. Ngjyra e verdhë në jetën e Stefanit simbolizon rrënimin ekonomik dhe shpirtëror, si dhe luftën e tij për të pranuar identitetin irlandez.
Në kapitullin e parë, e verdha prezanton burgosjen dhe vdekjen. Kur Stefani i sëmurë mendon për vdekjen dhe ferrin, e verdha ushqen ngushëllimin e errësirës që e rrethon:
Duhet të zhvishej pastaj të gjunjëzohej dhe të shprehte lutjet e tij dhe të binte në shtrat para se të ulej gazi, kështu t’i shmangej vajtjes në ferr kur të vdiste…Përqëndroi vështrimin për një moment jashtë kuvertës dhe pa perdet e verdha përreth dhe përballë krevatit, të cilat e kyçnin nga të gjitha anët. Drita u ul qetësisht. (15)
Fjalia e parë e paragrafit është një progres detyrash që të lë pa frymë. Mund të krahasohet me rrahjet e shpejta të zemrës së Stefanit. Vështrimi sugjeron frikën e djalit kundrejt një lloj pushtimi, ndoshta të vdekjes. Imazhi i perdeve ngjason me retë që rrethojnë tokën e gjelbër. Në këtë rast Stefani, si toka, gjen veten në mes të këtyre perdeve të paparashikueshme, të cilat ngjallin frikë. Si hekura burgu, ato, përderisa “e kyçnin nga të gjitha anët”, e izolojnë Stefanin në pasiguritë e tij, të cilave nuk mund t’u shmanget. E verdha, në këtë rast, predikon rënien e tij drejt errësirës.
Ndërsa Stefani imagjinon meshën e organizuar për nder të vdekjes së tij, ai përfshin përshkrimet e famullitarin “në një raso të zezë dhe të artë” dhe “qirinj të gjatë të verdhë mbi altarin dhe arkivolin” (20). E vedha sërish pushton vendin ku do të vendoset kufoma e Stefanit. Qirinjtë ironikisht ndriçojnë udhën e vdekjes. Mbiemri “të gjatë” tregon autoritetin e qirinjve. E arta në rason e famulltarit, gjithashtu, sugjeron fuqi, përderisa lutjet e famulltarit përcaktojnë vendin e Stefanit në jetën e përtejme. Kjo ngjyrë kontrollon fatin e karakterit në jetë dhe vdekje.
Ndryshe nga shmangia kundrejt shoqërisë në jetë, Stefani i përket një grupi në vdekje, “me të gjithë të rinjtë të pranishëm.” Kënga në fillim të librit për vendin e vogël të gjelbër (3), e cila përshkruan nevojën e djaloshit për t’u pranuar në rrethin irlandez, rishfaqet si një motiv muzikor në funeralin e imagjinuar. Nga teksti i këngës mund të arrijmë konkluzionin që trupi i djaloshit do të varroset në një varr të gjelbër. Duket sikur Stefani e konsideron veten fëmijë të Irlandës, botës së tij, vetëm kur është trup pa jetë.
Në kapitullin e dytë, Stefani rrezikon shëndetin e shpirtit tek kthehet në një bashkudhëtar me prekjen fizike. E verdha shfaqet si gjurmë e shembjes së statutit ekonomik të familjes. Kjo inkurajon ftohjen e Stefanit nga ngrohtësia shoqërore dhe zvetënimin e shpirtit të vetmuar nga prostitucioni. Në fillim hasemi me “dy furgonë të mëdhenj të verdhë” të cilët “qëndruan një mëngjes para derës dhe burra hynë në shtëpi me hapa të rëndë për ta zhveshur” (56). Ashtu si gjatësia e qirinjve të verdhë kërcënon trupin e vdekur, madhësia e furgonëve të verdhë, sundon mbi gjendjen e pambrojtur e të cënueshme të shtëpisë. Gjuha në këtë pasazh është e dhunshme. Një nga përcaktimet e fjalës angleze tramp (ec me hapa të rëndë), sipas Fjalorit Anglez të Oksfordit është “të shfrytëzosh pa vend,” ndërsa dismantle do të thotë “të zhveshësh dikë, striptizë.” Shtëpia është dhunuar nga burra pasi ka duruar keqtrajtimin e shkaktuar nga alkoolizmi i babait të Stefanit, zotit Dedalus.
Xhois-i përshkruan rënien ekonomike si rezultat të alkoolizmit nëpërmjet metaforës së zbrazjes shpirtërore, ku ngjyra e verdhë vazhdon të përhapë kundërmimin intoksikues të mëkatit:
Ai kaloi i pakundërshtuar midis dokeve dhe pranë skelave, duke menduar për shumicën e tapave që kërcenin mbi sipërfaqen e ujit në një zhul të trashë të verdhë. (57)
Tapat që notojnë në shkumën e verdhë, simbolizojnë shishet e pafund të alkoolit të zbrazura nga babai i Stefanit, zoti Dedalus. Stefani zbulon në këtë zhul pasojat e alkoolizmit dhe në një mënyrë joshet nga vetmia e tij të ndjekë gjurmët e babait dhe të përqafojë një lloj tjetër drogimi. Ai e lejon shkumën e verdhë ta ndotë, të ringjall tek ai “trazirën që e kishte çuar mbrëmjeve nga kopshti në kopsht në kërkim të Mercedesit” (57), figurës së femrës të frymëzuar nga Konti i Monte Kristos. Dëshirat e tij seksuale kërcejnë si tapa shishesh në sipërfaqen e verdhë; epshe që ecin përherë mbi themele uji, jo mbi një tokë të qëndrueshme.
Udhëtimi i Stefanit përmes dallgëve emocionale udhëhiqet nga fenerë, të cilët nuk shërbejnë si objekte sqarimi, por si ciceronë të errësirës. “Trazira e tij u shfaq si një dallgë tingulli: dhe në baticën e muzikës së rrjedhshme arka udhëtonte, duke zvarritur pas litarët e fenerëve në tragën e saj” (65). Folja trailing (duke zvarritur) përshkruan fustanin e nusërisë që tërhiqet drejt altarit. Ndërsa folja wake përveç tragës mbart kuptimin e vajtimit për të vdekurit. Në këtë rast marshimi i fenerëve na shpie në ujin e shkumëzuar të lënë pas nga anija ose, siç e shpreh përcaktimi i dytë i foljes wake, në vajin e vdekjes. Arka mund të krahasohet me trupin e djaloshit që noton drejt rrugës së shkatërrimit, përderisa i mbushur me dëshira seksuale ai ngjason me një dallgë që nuk mund të kontrollohet. Kësaj rradhe “fenerët e pakët (që) lëkundeshin në flladin e natës dhe ragëtinin me trishtim” paralajmërojnë stuhinë në afrim. Dallgët e mëdha të dëshirave të Stefanit do të përmbysin arkën, objektin e vetëm stabël.
Stefani zhytet në “zhulin e trashë të verdhë” tek merr rrugën drejt degradimit shpirtëror. E di që një lloj vdekjeje e pret:
Një shtresë e hollë i mbulonte sytë…Ai qëndroi palëvizur dhe vështroi sipër drejt hyrjes së zymtë të morgut dhe në rrugicën e errët me kalldrëm anash saj. Pa fjalën Ngastra në murin e rrugicës dhe ngadalë thithi ajrin e rëndë. -Është shurrë kali dhe kashtë e kalbur, mendoi. Një erë e mirë për t’u thithur. (76)

Kjo skenë predikon humbjen e pafajsisë së Stefanit. Në këtë paragraf, Xhois-i ka paracaktuar takimin e karakterit të tij me prostitutat. Na ka dhënë një përshkrim të shkurtër të morgut shpirtëror të së ardhmes së Stefanit, si rezultat i devijimit të tij nga rruga e pastër. Këmbët e prostitutës “shkojnë në vdekje; hapat e saj të çojnë drejt e në varr” (Proverba 5:5). Sytë e tij të mbuluar nga një perde e hollë shpjegojnë që ai nuk zotëron mprehtësinë të zgjedh midis të drejtës dhe të gabuarës.
Fjala Ngastra mund të përshkruaj pjesën e tokës të ngjashme me vendin e vogël të gjelbër ku Stefani do të varrosej në meshën e imagjinuar. Gjuha sugjeron Stefanin e varrosur të gjallë, i cili me ngadalë thith “ajrin e rëndë,” oksigjenin e pakët brenda arkivolit. Ai pëlqen të shijoj ajrin e funeralit të shpirtit të tij. E verdha, e pranishme në urinën dhe kashtën, tani një simbol epshi, gudulis dëshirat e Stefanit për çlirim seksual.
Më vonë, kundërmimi i urinës kthehet në neveri për Stefanin pas shmangies së mëkatit seksual: “Në fund ai zbuloi që e vetmja erë kundër së cilës shqisa e nuhatjes revoltohej ishte një lloj kutërbimi peshku bajat i ngjashëm me urinën e ndenjur” (131). Për të rivendosur besimin te Zoti dhe për të provuar veten të denjë, Stefani duhet të mposht këtë kutërbim që i kujton gratë, objektet e tij të adhurimit. Ndërmjetësit e Stefanit dhe prostitutave janë flakët e verdha të gazit, të cilat e udhëheqin drejt flakëve të ftohta të një ferri tokësor.
Fenerët e verdhë rishfaqen në fund të kapitullit të dytë, ku ai takon gratë “e parfumosura pa ngut.” E verdha, si ngjyrë ngashënjimi, hyjnizohet:
E pushtoi drithërima dhe sytë iu errësuan. Flakët e verdha të gazit u ngritën përpara shikimit të tij të shqetësuar kundër qiellit me avull, duke u djegur si përpara altarit…Ishte në një botë tjeter: ishte zgjuar nga një gjumë i thellë shekujsh. (88)
Stefani gjashtëmbëdhjetë vjeçar verbohet nga epshi, i mrekulluar nga flakët e verdha. Imazhi i flakëve “duke u djegur si përpara altarit” sugjeron që ato janë objekte sakrifikimi, ndërmjet të cilave Stefani mund të hyj në vendin e bekuar të kënaqësive tokësore. Ndërmjetësit e verdhë e shpien Stefanin në “një botë tjetër,” atë të hyjneshave apo prostitutave. Kjo skenë ështëe ngjashme me atë të vdekjes ku “qirinjtë e gjatë të verdhë” rrethojnë trupin e tij si udhëheqës të nëntokës. Stefani ecën në qiellin me avull të emocioneve, në një themel resh, nga i cili, përfundimisht, bie si shi. Ai e percepton këtë eksperiencë quasi-fetare si një rizgjim nga vdekja, por ironikisht në këtë moment vdes shpirtërisht. Kjo botë tjetër është një lloj ferri që të ngrin shpiritn. Flakët e verdha mund të krahasohen me flakët e ftohta të ferrit.
Ato rifuten në skenë si kujtimet e aromave të këndshme të parfumeve, kur Stefani i penduar diskuton me drejtorin e shkollës, i cili e inkurajon të bëhet prift, kuptimin e fjalës les jupes. Tigulli i kësaj fjale, i ngjashëm me zbërthimin e zinxhirit apo heqjes së rrobave, prodhon te Stefani “ndriçimin e zbehtë të verdhë që fshehu flakën shumë të vogël ndezur mbi faqen e tij” (135). Shkëlqimi rishfaqet si një objekt kënaqësie kur Stefani shikon “qiellin në rënie”, gjithashtu, i përshkruar si “qielli me avull.” Kjo tregon që ai është endacak në botën e paqëndrushme të ndienjave. Dëshira e karakterit për gratë nuk është mundur. Në të kundërt, fjala les jupes “solli në mendjen e tij një parfum delikat dhe mëkatar” (135). Stefani është njëkohësisht i joshur dhe i neveritur nga kjo erë, e cila në momente maskohet si kundërmim epshi – si në shembullin e urinës – ose si temjan para altarit, siç janë vetë prostitutat e parfumuara pranë flakëve të verdha (88). Kujtimi i dritave të verdha e ndalon Stefanin nga përqafimi i plotë i doktrinës kristiane.
Gjithashtu, ngjyra e verdhë ka lidhje me mospranimin e rrënjëve të tij irlandeze. Në skenën e darkës (në kapitullin e parë) në dhomën e Dedalus-it, e gjelbra shfaqet si simbol patriotizmi irlandez në objektet e pranishme si një “drethkë e gjelbër” dhe një “flamur i gjelbërt që valëvitej” (25). Në kapitullin e fundit, për të treguar turpin e Stefanit drejt identitetit të tij irladez, dredhka e gjelbër kthehet në të verdhë:
Dredhka qahet mbi mur…
Dredhka e verdhë mbi mur. (157)
Vyshkja e bimës është simbol i neglizhimit të rrënjëve kombëtare. Stefani e adhuron të verdhën që haset sërish te fildishi i verdhë: “fjala tashmë shkëlqeu në trurin e tij, më e qartë dhe me e shndritshme se sa fildishi i pëpunuar nga dhëmbët lara-lara të elefantëve” (157). Sërish, dëshmojmë ekzaltimin e objektit si një iluminizëm shpirtëror “shkëlqeu në trurin e tij.” Duke kthyer fildishin e verdhë në idhull, ai kundërshton rrënjët e mirëfillta irlandeze.
Stefani i përulet çdo gjëje, veç Zotit. Ngjyra e verdhë shërben si urë në ajër që e shoqëron te idhujt e tij. Megjithëse nga rruga e verdhë Stefani përfiton lirinë individuale si një artist, ai humbet lidhjen shpirtërore me fenë dhe krenarinë kombëtare. Kujton se ëshë zgjuar në një botë tjetër, por një gjumë i thellë mbërthen shpirtin e vetmuar, krenar që thërret “non serviam.” Ngjyrat janë doktrina e tij; e ndihmojnë të piqet duke shkaktuar rënien dhe ngjitjen si shigjetë në fluturimet e egërta.

New York, 2006

Ezra Pound - det i thellë në dallgëzim


Ezra Pound është një nga poetët më me shpirt dhe ambicioz i periudhës moderne (gjysma e dytë e shekullit XX). Mund ta krahasojmë me një det të thellë imazhesh, që dallgëzon ndjenja dhe figura të kripura e të ëmbla, mund ta krahasojmë dhe me një filozof, që u buzëqesh me sarkazëm ligjeve të jetës, të pasjetës dhe atyre të politikës.
I lindur në Hailey të Idahos, më 30 tetor 1885, biri i Homer Loomis-it (i cili ishte përgjegjës i prodhimit të parave dhe monedhave në këtë qytet), Pound-i krijoi miqësitë e para me gjendjen e thatë dhe të nxehtë të natyrës, klimë e Idahos, si dhe klimën e monedhave të shkrira nga nxehtësia e furrave në dhomëzat e punës së babait. Kjo nxehtësi mund të ketë qenë shkaku i pasionit të tij për gjuhën e shkruar dhe i mundimeve të shumta që pësoi për faj të pasionit ekonomik dhe politik.
Identiteti i tij si poet, u krijua tek po largohej nga Amerika për në Venecia më 1908, me një anije të ngarkuar me bagëti. Ndërmori këtë udhëtim për shkak të humbjes së punës si profesor i gjuhëve romantike në Kolegjin Presbiterian Webash, pasojë e një skandali, pasi kishte ftuar një aktore në dhomën e tij, gjatë një shtrëngate. Tek luftonte me gjendjen e varfër financiare, në Venecia krijoi një përmbledhje me 45 poezi dhe e publikoi nën titullin A Lume Spento. Vendosi të udhëtonte për në Londër, qendrën e jetës letrare, ku, si çdo poet tjetër, nisi t’i dërgonte poezitë nëpër revista. Ishte me fat, pasi editori i revistës New Age bëri të mundur publikimin e herëpashershëm të artikujve dhe poezive të tij; gjithashtu, ai e njohu me një rreth artistësh dhe intelektualësh. Pound adhuronte poetët modernë si Yeats (me të cilin punoi për disa kohë), Eliot-in, (të cilit i redaktoi poemën Toka e Shkretë), William Carlos Williams-in dhe James Joyce -n.
Më 1912 Pound-i themeloi një instrument të ri letrar, lëvizjen Imazhiniste, e cila buroi nga pakënaqësia e tij për stilin e vargjeve me rima, vargje të cilat, sipas tij, “kanë humbur muzikën e tyre për shkak të ndjekjes së përpiktë të hapit të strukturës metrike, e cila zëvendëson modelin intirkant të kompozimit me vesh, me rregullin e metronomit.” Kjo lëvizje ndërthuri krijimin e imazhit me kërkesën e rreptë të shkrimit të paepur. Manifesti i Imazhinizmit, apo Vorticizmit, siç u emërua me vonë, u jepte rëndësi tre elementëve më kryesorë të poezisë: lojës me imazhin, muzikës dhe kuptimit. Poeti i jepte rëndësi çdo fjalë dhe, si pasojë, poezia “përshfaq një kompleks emocionues dhe intelektual në një çast të kohës.” Vargu i lirë dhe estetika e imazhit, u ndikuan veçanërisht nga poezitë klasike kineze, sidomos stili Hokku (poezi dy vargëshe), një dashuri letrare kjo, të cilën Pound-i e adoptoi, sidoemos, në përkthimet kineze të përmbledhura në librin Cathay, (vazhdimi i dorëshkrimeve të Fenollozas), në vitin 1915. Gjithashtu, shumica e poezive të Lustres (1916), veçanërisht poezia Në një stacion të metrosë, përmbajnë një shpirt të thellë imazhi të thjeshtëzuar në pak fjalë.
Një karakteristikë tjetër e poezisë së Pound-it, e cila duket sidomos në librin Personae (1926), është qëndresa e tij filozofike dhe sarkazma që shfaq, jo vetëm ndaj subjektit, por edhe ndaj folësit të shpikur nga vetë Pound-i, një karakter ky me të cilin Pound-i nuk mund të identifikohet. Në poezinë “Cantico del Sole” me vargjet “Mendimi se si do të ishte Amerika nëse klasikët do kishin një qarkullim të gjerë, më turbullon gjumin”, poeti kritikon fenomenin se arti qe hedhur poshtë nga kultura amerikane. Folësi i kësaj poezie, është “gjykatësi, i cili aprovon turpin në artin klasik, përderisa auditori i artit klasik është shumë i vogël. Poeti me tallje përsërit shprehje të censurës, megjithatë, ai zëvendëson fjalën “pornografi” me fjalën “klasikët.”
Megjithëse këto stile i japin krahë personalitetit dhe gjuhës origjinale dhe të veçantë të Pound-it, thesari i tij më i madh gjendet në stilin epik të Kanto-ve, të cilat nga viti 1924 dhe deri në fund të jetës së tij, zotëruan pasionin, mendjen dhe frymën e tij jetësore dhe letrare. Kanto-t, për të cilat punoi thujase pesëdhjetë vjet, janë meditime mbi historinë e së kaluarës, mbi Homerin, Virgjilin, Danten, për t’i dhënë kuptim kohës së Pound-it, kohë e trazuar nga lufta dhe e turbulluar nga gjaku. Synimi i Pound-it mund të ketë qenë që, nëpërmjet këtyre Kanto-ve, të krijonte një frymë të përbotshme ankthi. Kjo ide është e simbolizuar nga gjuhët e ndryshme që ai përdor (kineze, italiane, franceze, spanjolle) për të thyer vargun e rregullt anglez, një teknikë që të stimulon ndjenjën e kaosit në botë gjatë shekujve.
Në këto poezi epike, Pound-i luan me fragmente historie, me citime librash, poetësh, politikanësh, me biseda të përditshme, duke e kthyer Kanto-n në një poezi idesh, veç rregulli i prishur nga ngjeshja e këtyre ideve, lëmohet nga tingulli dhe lirika antike e gjuhëve në kullën Babel. Ky kaos në vargun poetik, lindi veçanërisht nga kaosi që ekzistonte në mendjen e Pound-it, që nga izolimi në një kafaz pranë kullës së Pizës, ku poeti i burgosur kaloi gjashtë muaj nga jeta e tij. Çmendia dhe gjeniu i tij lulëzojnë nga Kantot e Pizës (1948).
Imazhi i tmerrshëm i Luftës së Parë Botërore, ndikoi shumë te Pound-i dhe nxiti interesin e tij mbi politikën dhe teoritë komplote. Pas lëvizjes së tij në Rapallo të Italisë, më 1925, Pound-i nisi të shkruante ese rreth teorive ekonomike të fashizmit, si autoriteti kryesor. Adhurues i Musolinit dhe urryes i çifutëve, Pound-i kyçi pasionin e tij për gjuhën e ëmbël letrare dhe hapi pasionin e kripur politik dhe ekonomik, pasion që e çoi drejt rrënimit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Pound-i dha transmetime nga Radio Roma, fjalime në të cilat ngrihej kundër trupave amerikane dhe kundërshtonte pjesëmarrjen e Amerikës në këtë luftë dhe ekzaltonte idetë fashiste të Musolinit.
Një nga shënimet më të errta të historisë amerikane ishte trajtimi që Pound-i mori si i burgosur. Në pranverë të vitit 1945, i dënuar nga ligji amerikan si tradhëtar, u arrestua nga partizanët dhe iu dorëzua forcave amerikane. Për gjashtë muaj, poeti i madh u burgos në një kafaz me kushte kafshore. Jetonte në një kafaz me rrogozë metali, me batanije si shtroje për krevat, një kanaçe si nevojtore dhe një dritë që nuk shuhej kurrë. Dalëngadalë u thith nga kaosi i çmendisë. Më pas, doli para ligjit në Uashington D.C., por nuk u dënua për shkak të dëmtimit nervor. E transferuan në spitalin e çmendisë “Shën Elizabeta”. Aty kaloi 15 vjet në vetmi dhe thuri vargjet e Kantove të Pizës, pjesët e titulluara Gërryerja e Gurit (1955) dhe Thronet (1959). Pasi u lirua nga spitali, më 1972, u kthye në Itali dhe vdiq në Venecia.
U shua poeti i madh, një Homer modern, ( çuditërisht dhe babai i tij quhej Homer) dhe një Dante modern, ( dhe ai e provoi ferrin dantesk, madje brenda në Itali).
Tingëllon ironike, por çmendia e çoi Ezra Pound-in drejt mendjes së shëndoshë. Ky poet - luan, prozator, përkthyes, politikan, që jetoi jetën e njeriut dhe të kafshës, që këndoi vargjet e historisë si bilbili dhe shau me gulçime dragoi përsëritjen e historisë, i dhuroi ekzistencës njerëzore një botë të re ngjyrash, figurash, ndjenjash dhe, nëpërmjet radikalizmit, triumfoi.

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: