Wednesday, 18 March 2009

Hymn për Jetën

Albana Lifschin

Duke lexuar librin e Rozi Theoharit "Më shumë se një jetë" -kushtuar bashkëshortit të saj , mjekut paharruar Viktor Theohari

Çdo grua që ka lindur fëmijë qoftë edhe vetëm një herë në jetë e di se ç'moment i pakrahasueshem është ai i vetedijës se të bërit nënë: nënë për herë të parë! Edhe pse akti i lindjes së fëmijës përsëritet çdo minutë, çdo sekondë në globin toksor prej mijra vjetësh, ai moment e lartëson gruan , e ve atë më lart se në fronin e një mbretëreshe. Thellë në ndërgjegjen e vet ajo e ndjen që i ka dhuruar botës kryeveprën: ' njerinë!'

Imagjinoni kur prurja e një fëmije në jetë kërkon sakrifica të jashtëzakonshme jo vetëm nga nëna, por njëkohësisht edhe nga mjeku-shpëtimtar. Përfytyrojeni atë duke udhëtuar ditën e natën nëpër monopate të ngushtë përmes orteqeve të dëborës që rrukullisen në humnerë, kur e vetmja dritë që i ndriçon rrugën është drita e hënës. Ç'është ajo ndjenjë që e shtyn mjekun të mos mendojë as për jetën e vet, për të sjellë në këtë botë një jetë tjetër? Asnjë shpërblim, asnjë çmim në botë nuk do ta lumturonte atë më shumë se sa mirënjohja në sytë e gruas së munduar .

Pikërisht këto po mendoja tek lexoja librin e ri të koleges sonë , shkrimtares së njohur Rozi Theohari, "Më shumë se një jetë" kushtuar bashkëshortit të saj gjinekologut të njohur Viktor Theoharit.

Doktor Theohari punoi disa dekada në maternitetin e Tiranës, u njoh e u respektua nga mjaft kolegë e studentë, gëzoi mirënjohjen e thellë nga shumë pacientë e familjarët e tyre, la mbresa të pashlyera për humanizmin e tij. Për doktorin, sot flitet në kohën e shkuar, sepse ai s'është më, por lexoni librin e Rozit dhe do ta shikoni Viktorin të gjallë, të kuvendojë me ju, të bëj humor me ju. Edhe në s'e keni njohur personalisht, tashmë e njihni.. Në tërë librin fryn erë jete, optimizmi. Nëpërmjet penës së Rozit , doktori komunikon me lexuesin në vetën e parë. Ai u merr për dore në qytetin e bukur të një mbi një dritareve, Beratin, në vitet e fëmijërisë; u rrëfen me hollësi deri në detaje për ato kohë,u tregon për shokët, lojrat, kremtimin e festave fetare, lidhjen e ngushtë me nënën e tij e cila drithërohej për të e s'e ndante nga vetja, pas humbjes së katër fëmijëve tjerë . Nënë Maria e merrte Viktorin shendetlig në vizitat që bënte rethin e familjeve ku ata hynin, dilnin e juve u duket se i njihni edhe këto familje , i njihni Sahatçinjtë, Tutulanët, Stefat, Haxhistasa, Pambuku, Gjika. Dhe një ditë prej ditësh, familja Theohari vendos të lerë Beratin dhe të niset për në Itali. Shkaku: shëndeti i lig i Viktorit.. Vajtja në Itali, (më pas qëndrimi i familjes në Itali do t'i përmendej doktorit si "kleçkë" në biografi) kthimi pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, hyrja e tij në lëvizjen antifashiste, përshkrimi i viteve studentore në Zagreb dhe në Sofje janë plot kolorit. Kush e lexon librin zor ta harrojë episodin e "agronomit' studentit me pantallonat si "qyngje Bostoni', të cilin e kthyen nga Sofja në Tiranë si "kartë postale" brenda 24 orëve, pasi guxoi të tallej me të sertin Shefqet Peçi , i cili po u përshkruante studentëve shqiptarë të Universitetit të Sofjes, ndërtimin e Pallatit të Kulturës në Tiranë, si të qe godina më e bukur në Ballkan. Humorin Rozi e përdor gjatë gjithë librit, madje i jep atij një vend krejt me vete .

Përdorimi i vetës së parë i jep mundësi autores të rrefejë me një penë të lirshme jetën e saj me Viktorin, atmosferen e rinisë së viteve 60 në kryeqytet.

Jetojmë e shpesh nuk arrijmë të kuptojme vlerën e pazëvendësushme të jetës, mrekullitë që na fal ajo shpesh herë nëpërmjet sakrificave të mëdha. Të gjithë e duam jetën, por na tingëllon shpesh si një nocion letraresk, deri sa kuptojmë se sa pranë është humbja e saj. Në ankthin për jetën e tij e pat zanafillën vendimi i nënës që i biri të bëhej mjek . Ç'nuk do të bënte nënë Maria për ta parë djalin të rritej i shëndetshëm. Ç'nuk do të bënte doktor Viktori, që kishte përjetuar ankthin e nënës së tij, për të lumturuar mijra e mijra nëna në lindjet e vështira. Kush më shumë se ai e ndjente kuptimin e fjalës "jetë" tek përleshej me vdekjen në sallën e operacionin. Studentit të mjeksisë,që fëmijën e parë e priti në Sofje, do t'i duhej të ecte shtigjeve të vështira për tu rritur në profesionin e vet. Mbeten të paharruara kujtimet nga vitet e punës së doktorit në Tropojë, ku ai u ndesh me jetën e ashpër që kontrastonte aq shumë me bukurite natyrore të atyre viseve.

Viktor Theoharit, jetoi "më shumë se një jetë", sepse jeta e tij afektoi jetën e dhjetra qindra njerëzve, familjareve, grave,-nënave. Mjeku i brishtë, me një shpirt aq të pasur u bë pjesë e paharruar e jetës së të gjithë atyre me të cilët punoi ai, atyre të cilëve u dha duart e arta.

Dr. Theohari, si mjek, si njeri human mbi të gjitha, inicioi dhe me këmbënguljen e tij bëri të mundur hapjen e një konsultoreje për çiftet sterile, të dëshëruar për fëmijë. Ai bëri të lumtur 300 çifte falë kujdesit te tij u bënë me fëmijë në ndonjë rast edhe binjakë. Lumturia ishte e dyanshme, e prindërve dhe doktorit e madje edhe e familjes së doktorit, e Rozit vetë me të cilën ai ndante shqetësimet e gëzimet e pacienteve të vet. Të mbetet në mend rasti i një gruaje nga Kavaja që kishte humbur shpresën për të lindur, pas 8 vjetësh që u bë nënë . Çifti erdhi në Tirane ta festonte gëzimin e tyre me familjen e doktorit para se ta festonte me farefisin e vet.

Nga fillimi në fund, nga episodi në episod ndihet krenaria që ka autorja për bashkëshortin e saj, sepse ai nuk i takonte vetëm familjes së tij. Ndërkohë që tek lexon këtë libër mendon se Viktor Theohari ka qënë po aq i bekuar në martesën e vet me Rozin. Kush më mirë se ajo, si shoqe jete, nënë e shkrimtare do ta kuptonte e do ta bënte atë të pavdekshëm?

Autorja ndërthur rrëfimet në veten e parë, me tregimin, letrat e kujtimeve të kolegëve e miqve me ato të mirënjohjes së pacienteve dhe përdor me sukses edhe ditarin në përshkrimin e kohës në të cilën vendos ngjarjen. Na bën të përjetojmë edhe një herë, "kënaqësinë" që na sillte ardhja e ujit të pijshëm apo blerja e një kilogram sheqeri që na i "mundësonin" tallonat. Ditarin e përdor gjithashtu dhe në përjetimin e ngjarjeve të viteve '90 e më tej, kohë kur ajo me familjen u vendos në Boston..

Libri- requiem, është në fakt një celebrim i jetës dhe veprës se të shoqit si mjek, si dhurues i jetës; është hymn i jetës kundër vdekjes.


(botuar tek ILIRIA, 17 mars,2009)

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: