Tuesday, 17 March 2009

Interpretimi Lacanian i poezisë së Lindita Agollit



Fatmir Terziu

Dyvlershmëria në poezi, ose ‘ambivalenca’ poetike është tipar që rradhë ndeshet në poezi. Më së shumti në poezinë e krijuar nga poetet femra, dyvlershmëria poetike kuptohet si një simetri që realizohet mes fjalës për të paraqitur botën personale në lidhje me botën në të cilën ekziston realisht qënia e poetes. E tillë është edhe poezia e poetes Lindita Agolli. Poetja Agolli krijon ambivalencën poetike në poezinë e saj si një kumt filozofik për të rritur komunikimin me lexuesin. Në poezi të tilla si “Një ketër në pyllin me pisha”, “Loja e flakës”, “Epilog”, “Jam vjeshtë e s’jam njeri” etj., poetja komunikon nëpërmjet vargut të saj me botën e vet dhe njëherazi krijon edhe hapësirë të duhur për të njohur ambivalencën e botës që e rrethon. Tek poezia “Një ketër në pyllin me pisha”, ajo zgjedh ketrin e bukur në pyll, ndërsa tek poezia “Loja e flakës” përdor flakën si një mënyrë për të argumentuar ndjesinë dhe lidhjen e saj me atë ambient ku ndodh veprimi. Kështu edhe me poezitë “Epilog” dhe “Jam vjeshtë e s’jam njeri”. Në të parën është gjethja që luan rolin e përzgjedhur të poetes, ndërsa tek e dyta është vjeshta me tërë kuptimin e saj dhe ‘lojën’ me gjethet. Por, në poezinë e Agollit, ndeshim kryesisht një prishje të kësaj simetrie që vjen si pasojë e dyvlershmërisë. Ky ç’ekuilibrim në poezinë e saj krijon ndryshimin e linjave dhe nëpërmjet kontrasteve që vijnë nga kombinacioni logjik poezia mer një dimension tjetër logjik. Po të shikojmë poezinë “Kishim shumë gjëra të bukura për të thënë”, që në hyrje të poezisë kuptojmë këtë ç’ekuilibrim, që herë - herë vjen si monolog e herë – herë si një pushtet retorik, ku ekziston vetëm pyetja pa arsyen e përgjigjes. Në këtë ç’ekuilibrim vjen në ndihmë teoria e Lacan. Lacan e sheh këtë si një domosdoshmëri të lidhjes poezi-psikoanalizë. Dihet tashmë në kritikën dhe analizën letrare perëndimore se për vite me radhë shumë psikoanalistë e kanë shpjeguar poezinë sipas kuptimit të psikoanalizës, ndërsa Lacan e shpjegon psikoanalizën nga kuptimi i poezisë. Kështu mund të shihet më kuptueshëm edhe poezia e Agollit. Nga kuptimi i poezisë së saj ne shohim dhe shpjegojmë psikoanalizën, si një arsye për të mirëkuptuar ambivalencën e poezisë së saj. Gilbert D. Chaitin (Xhilbert D. Çatin) në librin e tij akademik “Retorika dhe kultura tek Lacan” (Rhetoric and Culture in Lacan), botim i Kembrixh University Press, thekson se “një teori e tillë ndoshta mund të vijë si një alien tek kritikët dhe analistët tradicionalë, por ajo është thelbi i një kuptimi të analizës bashkëkohore” (Chaitin; 2005:I). Mendo poezinë e poetes Agolli ndryshe. Natyrshëm do të ishin po ato fraza, po ato reçensa që fokusojnë dhe ripërsërin figurat e gjetura, komentet gjithëfarësojesh dhe argumentat që shpeshherë lexohen njëherë dhe lihen aty ku kanë mbetur. Të paktën kështu mendon Chaitin, që në teorinë e Lacan gjen simptomën si një parantesë për të larguar rutinën dhe riorganizuar analizën. Më tej është vetë ajo që kuptohet qartë nga teoria e Lacan. Lacan thotë se “simptoma është metaforë”, “Dëshira është metonimi” dhe “subjekti është një krijimtari poetike”. Le të shohim se si këto tre argumenta të Lacan kanë një lëvrim tek poezia e Agollit. Pikërisht tek poezia “Kishim shumë gjëra të bukura për të thënë”, dalin qartë nëpërmjet këtyre vargjeve: “…e mban mend filxhanin e kafesë/që më dhurove atë ditë të bukur shtatori/kur çuçurisja “Të dua” në shtrat, nën mbulesë?”. Simptoma vjen nga grupfjalëshi ‘shumë gjëra për të thënë’ dhe krijon metaforën, po këtu del edhe dëshira që sjedh metoniminë dhe subjekti që pason tërë këtë poezi të realizuar bukur nga Agolli. Gjithashtu duke lexuar këto poezi të poetes Agolli, nën dritën e teorisë së Lacan ne mësojmë se edhe ‘dashuria është metaforë’ dhe gjendet në vazhdimin e kësaj poezie, “transferenca e përsëritjes është një proces poetik” dhe këtu krijohet nga ripërsëritjet e pyetjeve retorike, ndërsa ajo që është më kryesore është se sipas teorisë së Lacan ‘interpretimi psikoanalitik është metaforik’. Dhe mbi bazën e këtij interpretimi del edhe kuptimi metaforik i poezisë së Agollit dhe ambivalenca poetike: “Kur çuçurisja “Të dua” në shtrat nën mbulesë?/Për shembull, kur fjalë këmbyem në trotuar/për ngjyrën e flokëve dhe shijet e tua/kur kokën ma afroje, në vesh më pëshpërisje/ “por ty mbi të gjitha më shumë të dua!”

VAZHDON...

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: