Sunday, 1 March 2009

“Kritika Ndryshe ...” vlerësohet në Shqipëri



Julia Vrapi


Më datë 26 Shkurt në një nga sallat e QNK-së në Tiranë u bë promovimi i librit më të ri studimor të studiuesit shqiptar Fatmir Terziu. Nën organizimin e drejtorisë së Kulturës dhe disa pedagogëve të letërsisë shqiptare të Universitetit të Tiranës, libri “Kritika Ndryshe: një vëzhgim në prozën dhe poezinë shqiptare; pjesa e parë” para promovimit të tij dhe fill pas botimit pati tërhequr vëmendjen e shtypit shqiptar. Gazetat shqiptare, “Nacional”, “SOT”, “Gazeta Shqiptare”, “Kult”, “Republika” “Shqip” e të tjera i kushtuan gati një faqe këtij libri. Të martën e datës 22 Shkurt Televizioni Publik Shqiptar, kishte të ftuar në emisionin e tij të drejtuar nga Artan Tepelena, dhe që udhëhiqet në studio nga Valbona Mezini dhe Klodi, autorin Fatmir Terziu në një bashkëbisedim të drejtpërdrejt. Televizioni shqiptar “Mediasat” dha një emision special dhe një minutazh në lajme. Disa televizione të tjera kushtuan interes gjatë promovimit të librit.
Në promovimin e librit ishin të pranishëm kritikë e studiues, profesorë të universiteteve shqiptare, shkrimtarë, poetë, gazetarë e të ftuar. Ishin të pranishëm Dr Agron Tufa, pedagog i letërsisë në Universitetin e Tiranës, Hysen Sinani, shkrimtar dhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, Pandeli Koci, studiues, kritik dhe shkrimtar, kryetar i Shoqatës së Letërsisë për Fëmijë, shkrimtari nga Kosova Agim Gjakova, i ardhur enkas për promovimin etj. Gjithashtu në këtë promovim ishin edhe media të ndryshme të interesuar. Fjalët e rastit i mbajtën Mujo Bucpapaj, drejtor i QNK-së, Pandeli Koci, Agron Tufa, Hysen Sinani, Meri Lalaj, Fatime Kulli etj. Të gjithë vlerësuan ardhjen e re dhe në kohën e duhur të veprës studimore të Terziut dhe theksuan se ajo tashmë plotëson atë mungesë të ndjeshme për studentët shqiptarë në të gjitha universitetet e vendit. Folësit theksuan se libri i Terziut ka një risi të re dhe tepër të domosdoshme në kuadrin e një analize të mirëfilltë letrare dhe bashkëkohore.
Librin e autorit Fatmir Terziu e vlerësuan një ditë më vonë edhe pedagogët e drejtuesit e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Dr Albert Riska, Pr Dr Liman Varoshi, Pr Dr Shpëtim Vyshka, As Pr Dr Abdulla Ballhysa etj. Takime të ndryshme lidhur me librin autori ka patur edhe me As Pr Dr Astrit Bishqemi, poetët Beatrice Ballici, Milianov Kallupi dhe mjaft përfaqësues të medias dhe krijues të ndryshëm në Shqipëri, si dhe me aktorin dhe regjisorin shqiptar Timo Flloko.
Botuesi i librit Abaz Veizi, presidenti i shtëpisë botuese “Arbëria” theksoi gjatë këtyre takimeve se ai kishte parë një aritje të konsiderueshme dhe tejet të arritur dhe kishte arsye të ndjehej mirë për këtë studim të autorit. Gjatë një bisede me të ai u shpeh se aritjet e Fatmir Terziut e bënin atë dhe shtëpinë botuese të tij të ndjehej krenare dhe me emra në rritje, si ky i autorit Terziu.
Për arritjet e zotit Terziu u shpreh dhe uroi edhe zëvendësministri i Arsimit të Shqipërisë dhe shkrimtar i njohur, Halit Shamata. Zoti Shamata theksoi se libri i Terziut përbënte një fakt real të asaj që arrin njeriu nëpëmjet përkushtimit dhe dijeve e njohurive që ai arrin në jetë. Ai shtoi për zotin Terziu se ishte kënaqësi të dëgjonte dhe lexonte arritje të tilla. Shkrimtari dhe poeti Qazim Shehu nga ana e tij ishte një tjetër krijues shqiptar që vlerësoi krijimtarinë e shumtë të zotit Terziu dhe librin më të fundit të tij me studime në fushën e prozës dhe poezisë shqiptare. Gazetari Halil Rama krijoi dhe pasqyroi një anë tjetër që lidhej me kritikën e hershme të Terziut.

No comments: