Sunday, 8 March 2009

LËVIZJA ILEGALE NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES KOMBËTARE



Sami ISLAMI

Burri s’matet me pëllëmbë, po me zemër.
(popullore)

(Përkitazi me librin e Ibish Nezirit “Ahmet Haxhiu- një jetë në lëvizjen ilegale”, Prishtinë, 2001, f.251)

Botuar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë, doli nga shtypi libri
“Ahmet Haxhiu, një jetë të tërë në lëvizjen ilegale”dhe do të thoshim që në fillim se autori i librit jo vetëm që hodhi shumë dritë veprës patriotike të palodhshme të Ahmet Haxhiut, por ai njëkohësisht ndriçoi edhe shumë aspekte të lëvizjes popullore për çlirimin e Kosovës. Ai bëri një punë të madhe, sepse prezentoi të dhëna të shumta, të cilat, për fat të keq kanë qenë të njohura shumë pak, ose do të thoshim fare nga qarqe më të gjera popullore. Sado që, siç thotë edhe vetë autori në parathënie të këtij libri se “për Lëvizjen dhe për figurën qendrore të saj, Ahmet Haxhiun, ka edhe shumë për të thënë”, jemi të mendimit se edhe me këto që janë prezentuar këtu, është dhënë një kontribut i madh përsa i takon aktivitetit të lëvizjes ilegale që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e deri me çlirimin e Kosovës. Dhe ky aktivitet qe ngusht i lidhur me emrin e Ahmet Haxhiut, të cilin thjesht mund ta quajmë strumbullar të lëvizjes ilegale.
Po kush ishte Ahmet Haxhiu?
Po t’ia bënim shumë kujt këtë pyetje para se të dilte kjo vepër, besoj se opinioni i gjerë lexues si në Kosovë dhe jashtë saj nuk do të kishin qenë në gjendje të japin një përgjegje sado të përafërt. Në këtë aspekt autori Ibish Neziri, me veprën të cilën e kemi në dorë, prezentoi një aktivitet ilegal me spektër të gjerë si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj, që udhëhiqej nga Ahmet Haxhiu. E Ahmeti ishte një njeri i thjeshtë. Me profesion ishte mekanik dhe rridhte nga një familje me traditë patriotike. Gjyshi e babai i tij e kishin dëshmuar shumë herë veten si atdhetarë të mëdhenj. Babai i Ahmetit, Shaip Zullufi, bile kishte qenë ushtar aktiv në ushtrinë e Mustafë Hoxhës dhe si njeri që asnjëherë nuk ishte pajtuar me regjimin serb, kishte luftuar krah për krah me Mustafë Hoxhën dhe patriotë të tjerë kundër pushtuesuit sllav.
Pas 1945-ës, kur sërish interesat e shqiptarëve tradhtohen, ai me Adem Gllavicën nga Gllavica, Ukë Gashin nga Majaci, Jashar Bicin nga Burinca dalin në mal. Për fat të keq ai në luftë me forcat çetnike vritet. Dhe fill pas kësaj ngjarjeje nisin maltretimet edhe për Ahmetin, i cili si 14-vjeçar ballafaqohet me ndjekjet e torturat e shërbimit sekret serb.
Si fëmijë, e më vonë edhe si i ri, i kalitur nga jeta, Ahmeti donte me çdo kusht të futej në lëvizje për ta luftuar regjimin serb, regjim ky i kishte sjellë, si atij dhe familjes, po ashtu edhe tërë popullit shqiptar të Kosovës, vetëm të këqia. Ai u bashkua në LRBSH (Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve), themelues i së cilësh ishte Adem Damçi. Në bërthamën e kësaj organizate përveç Ahmet Haxhiut dhe Adem Demaçit ishin edhe Zeqir Gërvalla, Azem Beqiri, Abdyl Lahu e Fazli Graiçevci. Përveç tyre në këtë organizatë qenë inkuadruar edhe shumë intelektualë e patriotë, në mesin e të cilëve edhe: Ilmi Rakovica, Enver Mehmeti, Rrustem Retkoceri, Tefik Straja, Xhafer Mahmutxhiu, Tefik Sahiti, Elhame Shala, Mejreme Berisha, Bahtie Berisha, Sabit Sveqla, Zeqir Hertica, Rushit Rusha, Vezir Uka, Tahir Shala, Sabri Novosella, Hazir Shala, Hamdi Obertinca etj. Në Pejë vepronin: Hysen Daci, Ramadan Shala, Shefqet Deçani, Mehemet Krasniqi, Remzi Baloku, Nezir Gashi, Sylë Shala, Vesel Shala, Selatin Daci, Ejup Kastrati, Ahmet Zherka etj. Në Gjakovë: Kadri Kusari, Din Spahia, Avni Lama, Hasim Vula, Besnik Koci, Hyda Dobruna, Murteza Nura etj. Në Mitrovicë: Mustafa Venhari, Arif Hoxha, Ismet Koshutova etj. që udhëhiqeshin nga Zeqir Gërvalla, i cili kishte ardhur nga normalja e Prishtinës në atë të Mitrovoicës.
Në Gjilan vepronte grupi i udhëhequr nga Rexhep Elmazi, kurse në Besianë (ish Podujevë) vepronin Sabit Retkoceri, Abdyl Lahu, Gani Mustafa, Ramadan Lahu, Sabit Lahu, Zeqir Hertica etj. Në Drenas (ish Gllogovc) vepronin Dibran Bajraktari me shokë, në Prizren, Hysen Bukoshi, Bedrush Çollaku, Bahtire Berisha etj. Në Shkup veproni: Musli Kajolli, i vëllai Mustafa, Ismail Bujaku. Në Tetovë grupi udhëheqej nga Mujedin Hadri. Ky rrjet ishte shpërndarë edhe në Shqipëri dhe Turqi e kudo në Evropë. Në Turqi. P.sh. grupi udhhiqej nga Njazi Straja , që atje e mbante mbiemrin “Saraçogllu”.
Dhe strumbullar i gjithë kesaj lëvizjeje ishte Ahmet Haxhiu, të cilit profesioni i mekanikut i ndihmonte mjaft për të pasur kontakte me njerëz , duke mos u ra në sy organeve shtetërore serbe. Madje në momente të caktuara, kur nuk kishte mjete për nevojat e organizatës, ai nuk ngurronte të bënte ç’mos që t’i siguronte ato. Me një rast bile ai e shet një pjesë të oborrit të vet. Me këto para Ahmeti do të blejë një makinë shkrimi e material tjetër për nevoja të organizatës.
Në bashkëpunim me Adem Demaqin, Zeqir Gërvallën, Sabri Novosellën merret vendim që natën në mes të datës 12 e 13 prillit të viti 1964 të vendosen flamujt shqiptarë në tërë Kosovën. Dhe pasi këta përgatiten në ilegalitetin më të madh Adem Demaqi dhe Ahmet Haxhiu ua dorëzojnë flamujt personave të caktuar dhe mëngjesi i 13 prillit të vitit 1964 e gdhin Kosovën me flamuj anë e kënd Kosovës, që falë zgjuarësisë së anëtarëve të organizatës nuk zihet asnjë pjesëmarrës.
Në qershorin e vitit 1964 UDB-ja kishte arrestuar një numër të madh patriotësh, në mesin e të cilëve, edhe pas disa përpjekesh që të ikte diku në perëndim edhe Ahmet Haxhiun. Ahmeti në burgun e Prishtinës pëson trauma të papara nga regjimi çetnik serb. Po ai as pas kësaj ngjarjeje e as pas shumë të tjerave që do të vijnë më pas, nuk e kishte ndër mend të hiqte dorë nga qëllimi i tij. Dhe pas shqiptimit të denimeve shumë të rënda me nga 3 deri 15 vjet burg për të burgosurit shqiptarë, në mesin e të cilëve ishte Ahmet Haxhiu, Zeqir Gërvalla, Adem Demaçi e të tjerë, një farë amnistimi i vie vetëm pas rënies së Rankoviqit.
Mund të thuhet lirisht se Ahmeti qe dhe mbeti njëri ndër personat të heshtur, por plot energji që ia kishte dhuruar lëvizjes ilegale, për shkëputje nga Jugosllavia dhe për bashkim me nënën Shqipëri. Ai madje shpesh thoshte :” …Pa shkëputje të Kosovës dhe pjesëve të tjera nga Serbia e bashkimit të saj me Shqipëri nuk do të ketë qetësi kurrë në Ballkan”.
Një punë të madhe Ahmeti kishte bërë edhe në bashkëpunimin e tij me organizatat e LPRK në perëndim, që bazën e kishin edhe në Kosovë, pikërisht në fshatin Dyz. Ai në perëndim kishte kontaktuar me Emrush Xhemailin, Mustafë Xhemailin, veprimtarë të LPRK-së në Zvicër, por edhe me të tjerë. E çmonte lart kontributin e simbolit të rezistencës sonë kombëtare Adem Demaçin, me të cilin kishte edhe bashkëpunim të ngushtë. Po ashtu konsiderata të larta kishte edhe për Xhavit Halitin- Zekën, i cili në atë kohë bënte bartjen e armatimit për UÇK-në nga Zvicra në Kosovë. Dhe siç i kujtohet sot Ramadan Avdiut, njërit nga bashkëpunëtorët e tij, Ahmeti aksionet më të rrezikshme i lente për vete, sepse ishte i bindur se “sa më i madh rreziku, nderi është më i madh”. Si njeri i vendosur dhe i patrembur një herë i kishte thënë Ramadanit: “ E si thua ti bacit, kur ai ( Xhavit Haliti) ka arritur t’i sjell deri në Pejë (armatimet S.I.) pa probleme e ne të biem në grackë deri në Prishtinë?!”
Dhe mund të thuhet lirisht se, ashtu siç qe njëri nga organizatorët për krijimin e organizateve ilegale për çlirimin e Kosovës, poashtu ishte njëri nga organizatorët për krijimin e qelulave të para të forcave të armatosura. Me ndihmën e tij dhe të tjerëve filluan të vinin edhe armatimet e para nga perëndimi në Kosovë. Shtëpia e tij për ca kohë ishte një bazë kryesore prej nga shpërndaheshin ato në vende të tjera. Edhe komandati legjendar i kohës më të re Adem Jashari kishte një mitraloz, të cilin ia kishte dhuruar Ahmet Haxhiu.

Ahmeti nuk prante së punuari duke gjetur gjithnjë momentet kur duhet të veprohet. Një nga shumë aksionet e organizuara nga ai është edhe momenti kur duhej të demaskohej politika anti shqiptare e Jugosllavisë. Dhe ai e kishte planifikuar atë mu në prag të konferencës së misnistrave të jashtëm të vendeve ballkanike, që do të mbahej më 14-16 shkurt 1988, në Beograd. Me këtë rast intelektuali Masar Stavileci e kishte shkruar një memorandum ,të cilin e pastaj Ahmet Haxhiu vetë e kishte shpërndarë nëpër ambasadet e vendeve të painkuadruara.
Me udhëzimet e “mekanikut” u bënë edhe demonstratat e 1989, kur u hoq edhe ajo autonomi e brisht e Kosovës, përgatitej shtypi ilegal, mbaheshin mbledhje, merreshin vendime të rëndësishme për fatin e Kosovës. Në libër mund të mësohet edhe për qëndrimet e tij për të ardhmen e Kosovës. Ai nuk e shihte çlirimin e Kosovës pa luftë të armatosur dhe gjithnjë e hedhte poshtë mundësinë e zgjidhjes me “dialog” me Serbinë.
Edhe pas burgosjes së pestë, që siç thoshte ai, që “qe ndër më të paskrupulltat” , ai vazhdoi aktivitetin e tij, si në Kosovë, ashtu edhe në perëndim, duke mos hequr dorë nga aktiviteti i tij patriotik as atëherë, edhe kur gjendja e tij sheëndetësore po keqësohej dita-ditës. Në këtë kohë ai kishte lidhje të vazhdueshme me UÇK-në dhe me disa nga udhëheqësit e saj si me Hashim Thaçin, Azem Sylën, Xhavit Halitin etj.
Ditët e fundit të jetës së tij shumë të bujshme dhe frytdhënëse, i sëmurë shkon për t’u shëruar në Zvicër, por pasi e sheh se nuk do të kishte përmirësim, si njeri që e deshi aq shumë Kosovën dhe punoi qa shumë për të, nuk dëshironte të qëndronte edhe më tutje në perëndim. Ai vendosi të kthehej dhe , siç thoshte ai, “të vdes në Kosovë”.
Dhe dëshira e tij iu plotësua. Ai erdhi në Kosovë. Jetoi pak kohë dhe vdiq, duke e lënë një vepër shumë të madhe që secili do t’ia kishte lakmi. Sepse s’ka gjë më të madhe se ta falësh një jetë të tërë vendit tënd, ashtu siq e fali atdhetari, patrioti dhe njeriu modest i dheut të Kosovës, Ahmet Haxhiu.
Mund të thuhet, më në fund, se libri “Ahmet Haxhiu- një jetë të tërë në lëvizjen ilegale” është një libër tepër praktik. Autori librin e ka ndarë në disa kapituj dhe ka përdorur edhe shumë fotografi, që librin e bën shumë më të përdorshëm për lexim.


Fjala e Lire - Free Speech

No comments: