Tuesday, 10 March 2009

Monologu shpjegues dhe filozofia e prozës së Turtullit



Fatmir Terziu

Duke patur rastin që të lexoj disa nga tregimet e autorit Kristaq Turtulli, pata arsye të “ndikohem” nga një mënyrë tipike komunikimi lexues-autor, një lloj komunikimi që vjen nga mjeshtëria e një monologu. Një monolog që thuajse ndihet i njëjtë edhe në romanet e tij. Ky monolog herë-herë filozofik kumton një mesazh të kultivuar bukur. Më saktë e gjen atë si një grupfjalësh komunikuese, tipik dhe i ri në këtë lloj të shkruari. Çfarë e bën këtë lloj një sipar të ri të monologut, është e mundësuar dhe shpjeguar nga Lakan, ku vihet në teorinë e tij në theks dhe në thelb si procedurë gjuhësore, aspekti i psikoanalizës. Pozicioni i tij është përmbledhur më së miri në esenë e Frederik Jamesonit, "fiktivja dhe simbolika në teorinë e Lakan: Kritika Psikoanalitike, dhe Problemi i subjektit." Vizatuar nga Piaget dhe Melanie Klein, sipas teorisë së Lakan, kjo shihet si një aspekt i lëvizjes të tranzicionit nga fiktivja simbolike në fazën më vendimtare duke e parë atë si aspekt të zhvillimit të psikikë, ku monologu komunikues është një aspekt i zinxhirit që mbërthen dyshen treshen lexues-kritikë-autor. Në këtë aspekt ku fjala është një arsye e plotësimit të kuptimit që vjen nga kjo treshe dhe nga lidhja zinxhir e shprehjeve dhe fjalive, artikulimi kompozohet si një tërësi. Një tërësi konceptuale që kërkon përkushtim. Tek autori Kristaq Turtulli, nuk është ky artikulim një prognozë për të rrjeshtuar krijimtarinë e tij të bollshme në prozë dhe poezi, por një fakt që vjen nga procedura gjuhësore për të rrokur aspektin e psikoanalizës. Autori i disa romaneve si “Vetmia e zërave”, “Ç’është jeta a një njeriu”, “Hani me dy Porta” etj mund të lexohet ndjeshëm duke afishuar në siparin lexues pikërisht psikoanalizën. Kjo teori e bën më kuptimplote krijimtarinë e tij. Tek romani “Vetmia e zërave” origjinaliteti i fjalisë së shkurtër paraqet njërin aspekt të psikoanalizës. Paraqitja e shkurtër, arsyeja e rekrutimit të fjalës dhe racionimi i saj natyrshëm të shpien në një proces lehtësues. Kur lexon ekstraktin e këtij romani natyrshëm pas fjalisë së shkurtër vjen filozofia e tij: “... Mistrecët gjithmonë argëtohen me rekrutët e rinj. Mbijetesa e tyre, servilizmi. Eh, është një nga elementet bazë të rekrutërisë. Servilizmi s'të lë kurrë në baltë. Servilizmi. Oh po servilizmi, mbulon me mjeshtëri tymtajën ogurzezë të mendimeve dhe qëllimeve. Servilizmi është i lashtë sa vetë jeta. Servilizmi është fillesa e fillesave. Servilizmi u përket të gjithëve dhe gjithçkaje. Bota pa servilizmin do të ishte e mjerë. Servilizmi është petku i artë, i purpurt i përbaltë, i kameleonët. Më dëgjove? Më mirë mos dëgjo. Fola për servilizmin. Mos beso. S'ka servilizëm, s'ka asgjë. Eh, kush e njeh servilizmin, kush e di. Të gjitha janë pallavra. Disa flasin për hipokrizinë. Të gjitha njeriu i ka krijuar dhe për njeriun janë. Mendjet e ditura?! S'dihet, mbase mendjet tmerrësisht të djallëzuara, të çartura ose të rrokullisura. Ndoshta është fasadë. Mbase diçka e parathënë, e parabërë, e paraparë.”
Kjo filozofi e gatuar me fjalën e zgjedhur, natyrshëm i jep romanit një rjedhë leximi poetik. Një poetikë e rrjedhshme dhe një lidhje domethënëse e fjalive që plotëson të tërën. E tëra që vjen nga komunikimi shpjegues, tërheqës dhe eseistik i rrjedhës. Po të shihet nën këtë pikë natyrshëm shihet edhe ‘lakimi’ komunikativ i lexuesit me fjalën “servilizëm”, ku shpjeguesja pas fjalëve “e pathënë”, “e parabërë”, “e paraparë” është disi një shtesë e mbiemrave “të djallëzuara”, “të çartura” dhe “të rrokullisura” që lidhet me nocionet e përfishë tek “mendjet”.


Kështu ndodh edhe me romanin “Ç’është jeta a një njeriu”, ku përshkallëzimi figurativ vjen si një argument shpjegues. Fjala e sqaruar paraprihet, dhe pasardhësja dominon dhe kërkon pasuesen. Sërrish në një zinxhir Lakanian vjen nocioni i procedurës gjuhësore. Këtu paraqitja dhe logjika e ardhur nga nevoja e kuptimit të rrjedhës formon të vecantën, nënprecedentin ndryshe të ardhur nga stili i autorit: “Në jetë luajnë të qetë ata që nuk kanë asnjë rol. Ndërsa tek ne gjithçka qëndron ndryshe. Mundohemi të jemi aktorë dhe regjisorë njëorësh, veçse në miniaturë. Dëshirojmë të luajmë, por ngatërrojmë batutat, lëvizim, skenat risillen përmbys. Atëherë fajësojmë, gërhasim, kërleshemi. Kjo kërleshje ke vite dhe vide. Dekada dhe dekada, që zhvillohet brenda vetes. Kërleshjen fillimisht e pranuam si lodër fëmijësh, se një dhuratë e vogël simbolike, por tunduese. E përtypëm me ngut, gjithë dëshirë, e cila zbriti rrëmbyeshëm, ashtu e patretur mirë në stomak. Lënda a qulltë, u përzje me aciduat e stomakut, u përhap në mënyrë të rrufeshme të gjithë qenien. Trupi e prani dhe s’e nxori jashtë....” E gjithë kjo shkëputje nga ky roman lexohet këndshëm dhe natyrshëm paraqet arsyen e sistematikës dhe kërshërisë për t’iu kthyer tërë romanit.
Tek romani “Hani me dy Porta”, prezantimi vjen disi më ndryshe. Në këtë prezantim është kompleksi i grupfjalëshit që luan një rol dominues: “… Në pështjellimin e zërave dhe të klithmave të qytetit, kërkohet zëri i lemerisur. Ngrihej rrufeshëm nga fundi i dheut. Ai zë fillimisht niste zë ulet, i ngadalë, si një qarje a lehtë, me pas merrte hov dhe oshtinte me lebeti. Me kujë to fortë, aq sa trondiste muret si tërmet...” Kështu ndodh edhe me romanin e këtij autori “Hija e Ariut”, ku akstrakti i mëposhtëm e pasqyron qartë atë: “…Të kërkosh nga vetja, me të gjitha mënyrat s’është mëkat. Dikur, babai i kishte folur për Hijen a Ariut. Ka hije të rëndë Ariu, të madhe, lemeritëse, shtypëse. Gjithsesi, kur ndodhesh përpara Ariut, duhet të jesh i përgatitur mirë qysh më parë. Dy qenie për jetë a vdekje janë përballë njëra-tjetrës. Ulërima a Ariut është e frikshme. Përpiqet të të shqyejë , të të bëjë copa-copa. Ndërsa ti, kur të hapësh pikën maksimale të klithmës, duhet të fillosh të ulurish më shumë se Ariu. Atëherë ndodh habia: Ariu tkurret, mblidhet, shtrihet para këmbëve të tua dhe i pushon zemra. Kjo e fundit ndodh një në njëmijë, por ndodh...”

Vazhdon….
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: