Tuesday, 31 March 2009

Një Engjëll i lodhur

Petraq Risto


Parathënia e autorit për vëllimin “Engjëlli me virus H5N1”


Një Engjëll me virus H5N1 po vërtitet nëpër botë: dikush thotë ka zbritur nga Parajsa e infektuar, dikush është ngjitur nga Ferri i rebeluar, por ne - purgatorasit, si të zënë në faj, zgjedhim e zgjedhojmë nën zgjedhë foljen VUAJ.
Një Engjëll i lodhur, jo me pamjen klasike të ngjashme me qershitë mbi tortat- piktura të Rilindjes Evropiane, por me flatra të përzhitura nga hiri i nxehtë i luftrave, me fytyrë të drobitur somnabulike dhe krela: fole vetëtimash, mund të jetë shenjë, mund të jetë pëllumbi i tretë (jo i Luftës së Tretë) i Noes së Ri, mund të jetë një mesazh zhgënjimi, apo dhe një kavie fluturake, i gatshëm të blatohet, apo të kurohet në një sallë reaminacioni, ose edhe të balsamoset si kujtim për Njerëzimin që nxiton drejt mplakjes.

Përkulur mbi një Engjëll
pastroj morrat e tij: H5N1.

Fatkeqësisht, edhe në këtë kohë, mbase si në të gjitha kohërat e historisë njerëzore, Engjëlli është me virus, kurse Djalli me imunitet. Gjithashtu, klithma është e njëjtë, shtërngimi i grushteve - i njëjtë, është i njëjtë dhe shkëlqimi i syve pas zhgënjimit të madh, madje, mundet që dhe inkuizicioni i të gjitha llojeve, si instrument, por edhe si institucion, të mos ketë pësuar evoluim të qenësishëm.
Raca njerëzore, duke pasur një jetë të shkurtër biologjike, madje një jetë tepër të shkurtër aktive, (të shkëputur nga prangat e arta të familjes dhe të përpjekjeve për mbijetesën), ende nuk ka arritur të japë zgjidhje thelbësore për përsosjen e sistemeve (!) shoqërore, brenda një brezi e natyrisht brenda këtij grushti qytetesh e katundesh, që e kemi quajtur Tok (në shqip: të jemi sëbashku). Planeti ende jeton me duart në xhepat e njeri – tjetrit. Luftrat ende shërbejnë si zgjidhje, madje thonë se Zoti, me një ligj të posaçëm, ka ngritur Parajsën e Luftës. Ende nuk e dimë nga na vjen ky Engjëll i infektuar e i përzhitur, nga Zoti, nga planetet e tjerë, apo dhe nga qiejt e shpirtrave tanë të leckosur.(!?)
Në këtë shekull e mijëvjeçar të ri, filozofia e paradoksit ka arritur në kulmet e saj; tani luftrat ndiqen nëpër ekranet mediatike si spektakle, qeniet njerëzore me intelekte të përafërta, kuptojnë, me thjeshtësinë e retinave, se agresiviteti, pabesia, dhuna, përçarja, manipulimi, marrin pjesë qetësisht në rrotullimin e Tok-ës (në shqip: të jemi sëbashku ) duke harruar se Toka rrotullohet rreth Diellit me filozofinë e gaforres (gafa + horrorre). Institucioni i zhgënjimit mbizotëron, Frika si një inkuizitor i madh, nxjerr ligje të reja, absurdi ul kokën nga pesha e fajit dhe e turpit.
E, në këto kushte, Engjëlli i përzhitur vërtitet nëpër botë fare hapur, si fillesa e një mallkimi, apo si mallkim i një fundi. Nuk shoh lotë në sytë e këtij Engjëlli, i cili tashmë nuk ka fytyrën e një fëmije, përkundrazi, ka një fytyrë me logjikën e personazheve të Kafkës (në shqip Kafka i thonë një koke pa mish, pa flokë, pa sy për të parë e, natyrisht, pa buzë për të protestuar).Kur Engjëlli të shfaqet në ëndërr me kafkë sipër flatrave, do të thotë se Liria është në rrezik.

Uitman,
Liria është një mut: e shkelim çdo mëngjes
dhe bie erë gjithë ditën
natën mbulojmë kokat me jorganë dhe qajmë për Lirinë.

“Lojë shahu me Uitmanin”

Ky vëllim i ri poetik, del gati dy vjet pas librit “Lojë shahu në shekullin XXI”, i cili u prit mjaft mirë nga kritika jonë e kualifikuar, nga miqtë e mi poetë, si dhe nga lexuesit e zgjedhur të poezisë, të cilët, sidoqoftë, në të gjitha rrethanat, vazhdimisht kanë luajtur rolin e një stimuluesi serioz. Disa nga titujt e cikleve të atij vëllimi, ( tashmë me poezi të reja), u përfshinë edhe te libri “Engjëlli me virus H5N1”, pra, ky Engjëll, hera-herës prek me krahët e tij edhe motivet e mëparshme, ose, më saktë, bëhet figurë shahistike mbi skakierën e madhe të globit (Tok-ësor) (në shqip: të jemi sëbashku, pra Tok).
Mbase ka filluar një lojë e re, le ta themi shahistike, tashmë me engjëj dhe djaj.

No comments: