Saturday, 7 March 2009

NJË NGJARJE E JASHTËZAKONSHME


- humor-



Pilo Zyba
autokarikature
Të dashur lexues!
Miq të klubit dhe “Fjales se lire” armiq të njëri tjetrit!

Një ngjarje jo e zakonshme ka ndodhur këto ditë.Në shtëpinë e shkrimtarit dhe poetit Grigor Jovani i cili jeton në qytetin e Athinës për më shumë se 17 vjet, kanë hyre në mënyrë të dhunshme qënie të pa njohura dhe...
Shkrimtari dhe botuesi ynë i nderuar në orën e ngjarjes në fjalë nuk ndodhej në vënd ngjarje.Kishte dalë të egzekutonte një pulë të pjekur të cilën ja kishte bërë kurban sipas zakonit një shok e mik i tij nga fshatrat e Përmetit.Pasi e spërkatën me pak limon, për ta bërë më të shijshme dhe pasi e dizifektuan me raki, e operuan duke i ndarë kockat nga mishi.Operimi doli me sukses.Për këtë sukses përshëndeti miqtë e tij dhe Vaid Hyzoti e Roland Gjoza nga Amerika, Nue Lazri nga Italia,Faruk Myrtaj nga Kanadaja. Pak si e zëmëruar, por këtë sukses e urojë dhe Englantina Diamanti nga Athina, dhe tha:lë të hanë e lë të pinë deri sa tu vejë kolesterini 4oo e tensioni 25.Zonja Albana, nuk e përshëndeti këtë sukses sepse “ ky operim u krye pa vendimin e krijuesve të klubit, si i tillë ai i përket një pakice.Ç’far suksesi mund të quhet kur nuk ka brënda një organizator e një kryetar”.
... Por ti lëmë këto për një herë tjetër dhe, të kthehemi në ngjarjen që bëri bujë në rrethet gjitonore, krahinore dhe deri në ato kombëtare e më tej.
Zoti Grigor, që në greqisht do të thotë “I shpejtë, grigoros”, por që në fakt nuk është i shpejtë, si rezultat i peshës, (ka dhe raste që është i shpejtë) ,mbeti i befasuar nga dhuna, pasi, ai vetë dhe fisi i tij nuk kanë gjak marrje. Për gjak dhënie e di, ka dhënë disa herë për të ndimuar.Ai, nuk ka gjakmarrje me ndonjë individ apo fis tjetër pasi, në marrdhëniet farefisnore e shoqërore shkrimtari në fjalë është shumë i kujdesshëm.
Ai nuk i bie kujt në qafë.E pra dhe nuk kishte pse ti binte njeri në qafë pronës së tij të cilën e kishte rregulluar me drjersë e mund.Grigori, që është mbledhës dhe i fjalëve të urta u përmbahet vlerave të tyre.Fjalët e urta si “Duaje shokun si veten”“Trimi i mirë me shokë shumë” “Aty ku s’ka male mburren dhe kodrat” etj. nuk e ndimuan dot për të mos dhunuar shtëpinë e tij.
Policia që u paraqit shpejt në vënd ngjarje “Pas tre- katër orësh” pasi ata gjithnjë vinë shpejt në ndimë të pronës private e shtetërore thanë se; dhunuesit e pronës së shkrimtarit në fjalë ishin zhdukur në drejtim të pa ditur, duke marrë me vete dhe të fshehtën e kësaj ngjarje të hidhur për të gjithë ata që e dëgjuan.Shumë miq e shokë i binin vazhdimisht telefonit të tij por, ai heshte sikur e kish lidhur njeri në grykë “në fakt atë e kanë zgjidhur nga linja, për të lidhur me telin e tij një dëng me libra që i kanë vjedhur shkrimtarit”.Policia tha gjithashtu se; Dhunuesit, hajdutët, keqbërësit shumë ëmra për veprimet e tyre, nuk kanë bërë shumë dëme.Ata kanë çjerrë e grisur shumë libra me pozi të autorit dhe më pak libra të tjerë dhe të shokëve të tjerë shkrimtarë që librat e tyre ua kishin dhuruar Grigorit pasi nuk i blen njeri.Në një cep të dhomës pranë banjës kishin mbledhur një dëng me libra me fabula të fabulistit Pilo Zyba,Bujar Muça,Foto Malo e disa të tjerëve dhe i kishin përmjerrë.Libra me lirika të Nase Janit e Vasil Vasilit,Vaid Hyzotit i kishin lagur me ujë dhe i kishin nxjerrë në dritare ti thante era lirike që frynte nga thellësia e Jonit.Libra me kritika për artin nga Miho Gjini apo tregime nga A.Lifcing nuk i kishin luajtur se ishin voluminozë e të rëndë.Me ca të tjera që nuk po i përmënd ëmrat i kishin çjerrë e lerosur në banjë.
Në dhomën e leximit dhe punës së shkrimtarit, ka ndodhur një tragjedi e vërtetë.Ajo ështe bërë lesh e li.Duket, ata, diçka kanë kërkuar dhe nuk e kanë gjetur, në mungesë të asaj që kërkonin nga inati i janë lëshuar kompjuterit.Por, duke mos pasur njohuri të bollshme për teknologjinë e re në tension e sipër u ka lindur dëshira të bëjnë dëme.Kanë ngrënë me dhëmbë dhe kanë këputur të gjitha fijet “Telat” e kompjuterit.Kanë marrë disa çmime e lavdërime të shkrimtarit dhe i kanë hedhur e i kanë shkelur me këmbë për të treguar që ato nuk vlejnë.Pastaj kanë shkarë nëpër shkallë me kujdes për të mos i parë njeri dhe janë zhdukur pa lënë gjurmë.
Por policia e kreminalistikës që ka ardhur më pas ka deklaruar se;
Kreminelët ordinerë janë treguar të pa kujdesshën në veprimet e tyre dhe kudo që kanë vënë këmbët dhe duart kanë lënë shënjat e tyre.Dhuna e veprimeve të tyre do të zbardhet shumë shpejt e ata do të dalin përpara drejtësisë.Shtojmë këtu se dhuna e ushtruar në shtëpinë e shkrimtarit të njohur nuk ka lidhje me dhunën që ndodh sot në Greqi.Pra, nuk ka asnjë lidhje në mes atyre që djegin, vjedhun e shkatërrojnë greqinë dhe, të tjerë janë ata që kanë hyre në shtëpinë e zotit Grigor..
Policia thirri në rajon zotin Grigor i cili ishte zverdhur e bërë dyllë nga kjo ngjarje që më tepër turpëronte figurën e tij se sa dëmët e krijuara.Kur e pyetën se çfar mendonte, ai tha se; nuk i shkonte mëndja asgjëkundi.Ata e pyetën për marrdhëniet shoqërore, farefisnore e dashurore. Por Grigori u shpreh; nuk kam unë të tillë miq e shokë, këtu fshihet dora e armikut të klasës i cili duke më djegur mua i jep një goditje të madhe letërsisë dhe punës së ndërtuar me shumë kujdes në mërgim.Lufton shoqatat tona të shkrimtarëve, që do perëndia janë shtuar si kërpudhat pas shiut dhe, vazhdojnë të shtohen.Ata çjerrin e djegin librat por nuk do t’ja arrijnë qëllimit pasi çikërrimtarët tanë do mbushin faqe të tjera me fletra, më falni me vepra. Policia hetimore mori kompjuterin dhe një dëng me letra që u kishte shpëtuar hajdutëve dhe, hapi procesin dhe dosjet e nevojshme.
Pas një kohe relativisht të shkurtër hetimet dhanë rezultatet e para.Hetuesit të cilët bënë dhe egzaminimet e duhura në vëndin e ngjarjes dolën në konkluzion se; Sipas gjurmëve të lëna nëpër shtëpi, sipas erës së trupit, qimeve të ndodhura kudo nëpër dhoma del se dhunuesit nuk janë njerëz.
Të gjithë njerzit që shikonin në ato çaste ekranet mbetën të habitur.Shefi i hetusisë si për të provuar durimin e tij nuk foli më por iku nga ekrani duke i lënë të gjithë me gojë hapur.Kishin parë hajdutë xhevahiresh, parash, rrobash, etj por të gjithë kishin qënë njerëz, të paktën nga pamja se nga veprimet kishin pak a shumë lidhje me veprime kafshërore që nuk i përshtatej kulturës së kohës në të cilën jetojmë.”Të themi të drejtën kultura e korrektësia kanë marrë rrugën....”.Të gjithë prisnin me padurim ditën e nesërme kur shefi të dilte përsëri.Gazetarët rendnin lart e poshtë për të kërkuar të dhëna për shkrimet e tyre për të mbushur gazetat, nga dëshira dhe ankthi më tepër për të bërë bujë lëshonin
kumbulla pa pjekur të cilat u mpinin dhëmbët dëgjuesve dhe shikuesve.
Grigori për të mbajtur lart vlerat e tij, zgjodhi një nga juristët më të mirë të greqisë.Është një i njohur me mbiëmrin Ku-je?Kuja, vendos drejtësi dhe atje ku nuk ka, ky është shteti i së drejtës.Të drejtë ka ai që paguan më shumë.Duket dhe mbiëmri i tij ndihmon duke kërkuar të drejtë, ku- je, ku- je? Dhe së fundi e gjën.Drejtësia me sa duket është për të vënë kujën, apo ulërimën siç thonë nga zona e Grigorit.
Në ditët në vazhdim ngjarja u zbardh.Vandalët u zbuluan, pasi gabimet e veprimeve të tyre nuk i kishin mbuluar mirë. Çfar kishte ndodhur, do thoni ju?
Mos u shqetësoni, asgjë e jashtëzakonshme.
Grigor Jovani, shkrimtar, poet e botues i një reviste letraro-artistike boton në të fabula e ngacmon kafshët.Mirë të parat, po kjo e fundit ç’i duhej?Kaq kohë që shkruante nuk u muar vesh me njerzit, pse u përzie me kafshët? Ç’i duheshin uqrit, luanët dhe dhelprat?Por e keqja nuk qëndron këtu!Për më shumë se tridhjet vjet, zoti Grigor studjon jetën, veprimet, veshjen dhe gjuhën e kafshëve.Kur e pyeta më tha; Po studjoj kafshët për tu marrë vesh me njerzit.Ai gjatë gjith këtyre viteve ka mësuar zakonet e tyre, gjuhën, vendbanimet, vënd pushumet, mënyren e të dashuruarit të tyre.Për këtë ka botuar shumë studime, dhe ka mbajtur shumë kumtesa.Ka gjurmuar gjurmët e tyre, në Tomorr, në Korab, në Bjeshkët e Nëmura e deri në pyjet e gjelbër të Lurës,të dhënat thonë se ka arritur deri në Thkellë të Epërme.Nga studimet e tij kanë dalë çudira.
Kohët e fundit, sipas studimit të tij, në Bjeshkët e Nëmuna, kafshët nxjerrin një gazetë me titull “Në xhunglën njerëzore”, e botojë kafshët dhe ua kushtojnë njerzve.Kjo gazetë shpërndahet me korjerë, dhe ata janë lepujt.Në të bëhet propagandë kundër njerzve.Grigori i cili ka vite që studjon gjuhën e tyre na i bie të përkthyera.Ja disa nga mendimet e kafshëve për njerzit:
Ne, thonë ata, nuk ishim të egër por, të tillë na bënë njerzit.
Me prapagandë të shfrenuar, ata, bënë për vete gomarin që hyn në fisin tonë.E zbutën dhe e ngarkuan.Bënë për vete dhe zbutën dhinë, lopën, pulën.Atherë ne të nevrikosur, jo me njerzit por me kafshët, ju lëshuam
dhisë, lopës, gomarit për ti shqyer.Ashtu siç bëjnë sot dhe njerzit, që i nxjerrin sytë njëri tjetrit.Ne nuk ishim mishngrënës por nga pabesitë e tyre, donim që ti hanim mish të gjallë nga inati.Më von ky na u kthye në zakon dhe kështu u trashëgua nëpër breza.
Ne kafshët që na quajnë “të egra” protestojmë dhe jemi gati të pëlcasim nga inati, kur ca, si një farë fabulisti që quhet P.Zyba, që është në këmbë i gjithi në gjatësi sa një ujk i shtrirë, godet me majën e penës më keq se gjuetarët me çifte.Gjuetarët ne i njohim dhe u ruhemi por këtyre fabulistëve si tu ruhesh?Ata kanë një të keqe të madhe se, propogandojnë dhe te të tjerët mendimet e tyre.Ashtu siç bën dhe ai malukati nga Selaniku ...Bujar Muçaj.Thonë që na qënka dhe kryetar zotëria e tij, e ç’ë pastaj? Kryetar është për shoqatën e njerzve dhe jo të kafshëve.Më keq ky farë Grigori, që grin në mullirin e mendimeve të tijhashashin për të vënë në gjumë veprimet tona.!
Por nuk janë vetëm këta por dhe të tjerë që i ndihmojnë.Te ajo “Gazeta e Athinës” është shefja Sonila dhe ajo vajza tjetër Ira.Do të na duhet që të dyja ti kafshojmë me dhëmbë në vesh, që të marrin vesh e të rrinë urtë.Ndërsa kryeredaktorin e “Albania pres”Ramadanit, duhet tia presim veshin e tia japim ta hajë, ujkut më të vogël të kafshëve, që kur të rritet të dëgjojë më mirë e të mos harrojë luftën kundër tyre.
Grigori ka përkthyer dhe një cikël me epigrame të tyre kushtuar njerzve.Ato janë zbukuruar me karikaturat e fabulistëve dhe politikanëve për ti bërë më praktike.Kafshët i kanë mësuar këto përmëndësh dhe, i këndojnë, i pëllasin, i hungërijnë e ulërijnë luginave e lëndinave me zë të lartë.Këto u gjetën në kompjuter.Ndonse kafshët goditën dhe dhëmbo-
sën kabllot dhe kompjuterin, nuk arritën të mërrnin mbrapa materialet që botojnë në gazetën e tyre.Ja disa prej tyre:






DHELPRA

Për një kotec, për një patë,
Fabulisti gjuhën – shpatë.

Harrojnë veten.Për vogëlsira,
Haen e grinden si egërsira.

Fabulistët, si çdo herë
Me urinë tonë bëjnë karjerë.


UJKU

Ne qimen ndërrojmë
Një herë në vit.

Njerzit: kostum
e gravatë për ditë...

Sikur t’i kishin kaq të shumta
Dituritë!


KANARINA

Fabulisti nuk është si të tjerët,
Grisiani, mos ia lexoni defterët.

Ç’vlerë mund të ketë e tija vezë,
Kur me çiften fabul vret shpezë...

Por ç’pret prej tij, deri sa krimet
I mbulon me rimat dhe vjershërimet.


BLETA

Kur mjaltin ma do ta hash me kuntalë,
Për thumbin, pse më thur gjithë ato fjalë?



FLUTURA

-Trupin veshjen i ke të përkryer,
Ndërsa shpirtin brënda shumë të përlyer.

- Gjërat janë të ndara, mos folë kuturu,
Ne morëm ngjyrat, trutë i morët ju.

Veçse, me ç’dëgjoj dhe lexoj unë,
S’e shikoj t’i vini në punë!


DERRI

Nga balta ku ishte shtrirë,
U shpreh dhe ai gjithë dëshirë:

- Ky frut s’përtypet, është i vështirë,
Të qe lënde lisi, do ishte më mirë.





GJARPRI

Ah! Këta njerzit,
Sa të çuditshëm që janë!

Të urtë e babaxhanë
Hiqen gjithmonë.

Por helmin nën gjuhë
Si ne e kanë,

E fshehin dhe nuk e thonë!


MACJA

Njerzit na shajnë
Se gjoja minj e mijushë,
S’i shohim si pre,
Por si vogëlushë.

Vetë plasën çdo ditë duke luftuar,
Të futen në Europën e bashkuar...

Iku dhe shekulli i madh i njëzetë...
Bashkim kafshëror
Nuk do të ketë?




ÇAKALLI

Në mbrëmje von zbriti nga mali,
Mendimin e tij në debat dha çakalli:

“ Tërshërën e mbjellë në letrën e bardhë,
S’e hajmë, ne çakenjtë
Për mollë e dardhë.

Fabulisti njeri, si qënie e lashtë,
Metoda të hershme përdor me kafshë.

Por si qënie moderne,
Ne nuk dimë ç’është inati,
Jetojmë me ato që na bie fati...”


NJALA

- Thonë gjithnjë: “Rrëshqet si njalë,
Kush, njerzit që kurrë s’lidhen në fjalë”:


LAKURIQI NATËS

- Ne fshihemi shpellave,
Jemi lakuriq pa rroba në trup.

Njerzit kanë, i heqin e dalin në rrugë,
Nuk u vjen turp?




Ditët në vijim procesi u zbardh i tëri.Ngjarja u ndoq nga afër me të gjithë lëvizjet e saj.Ajo ishte thjeshtë një hakmarrje e kafshëve kundër njerzve në përgjithësi dhe fabulistëve në veçanti.Ja rrjedha e saj:
Një grup i organizuar kafshëror hyri në kufirin grek në mënyrë ilegale, pasi nuk ishin të paisur as me leje qëndrimi dhe sa me vizë.”Në doganë i ndaloi vetëm Dino Buzzati”*.Të gjithë këtë, ata e quajtën një skenë teatrale me titull “Një jetë me teatrin dhe për teatrin”*.I thanë njëri tjetrit “ Jemi të pandehur”* dhe morën tatëpjetë në “ Udhën pa fund”*.Kjo shtuan do jetë një “ Aventurë për lirinë”*.Morën rrugën pa lënë “Gjurmë në rërën e nxehtë”* dhe ju afruan “Qytetit që kërkon muzikë” *Athinës.U futën fshehur në shtëpinë e zotit Grigor dhe bënë të gjitha ato që u thanë më lart.Pastaj të gëzuar për hakmarrjen zbritën shkallëve me një pikë “Lot Shprese”* në qerpik se, e kishin kryer më së miri detyrën dhe humbëm mes natës.Më duket se “Udhëtoj brënda vetes”*, tha njëri prej tyre.Të tjerët pohuan me kokë, duke mos ndaluar ecjen.”Një fizarmonikë mes malesh” *luante meloditë, tingujt e të cilës përkundeshin mes gjethesh e flladit duke harmonizuar gurgullimën e krojeve me “Dritëhijet”* që krijonte drita e artë e hënës.Ata ishin të kënaqur se e kishin kryer detyrën e tyre dhe nuk u tha njeri “Ku po shkon o devolli”.Kjo tregonte se ata kishin vepruar në konspiracion të plotë.Kapërcyen “ Urë mbi oqean”dhe fshehur u futën në pyllin e dëndur. Dhelpra që drejtonte veprimet në ilegalitet nënqeshi nën buzë duke thënë “ Sado i zgjuar që të jetë qënia njeri, ka mënd sa kafsha më budallaqe”.Të tjerët qeshnin me ulërima e hungërima.Hëna hidhte dritën e artë e u praronte rrugën e kthimit.Tregimet, poezitë e fabulat e botuara në gazetën e tyre, do ti lexoni në numurat e ardhshëm.


Miku i Grigorit



Shënim....
Fjalët e vëna në thonjza janë vepra të letrarëve dhe shkrimtarëve shqiptarë që jetojnë e krijojnë në emigracion.Shkrimi ka për qillim humorin.Materiali vazhdon dhe autori mendon që ta botojë të përmbledhur në një libër, që mendohet të ketë vlera më shumë shoqërore se sa letrare.
autori


Fjala e Lire - Free Speech

No comments: