Wednesday, 18 March 2009

“Për Elizën”, plakat gazmore dhe Engjëllin me virus H5N1

Petraq Risto
© Autori

Tregim


Nuk e di se ç’lidhje mund të ketë pjesa muzikore e Bethovenit “Për Elizën”, hotel “Plaza” në New York, biznesmeni amerikan Trump-i dhe Taj Mahal-i në Indi, por njëkohësisht dhe kazinoja e famshme Taj Mahal-i në Atlantic City, si dhe Engjëlli me virusin H5N1, që papritmas m’u shfaq në fluturimin tim të parë drejt Kontinentit të Ri. Megjithatë, duke gërmuar, shikon se lidhja është e qenësishme, është më tepër një lidhje gjaku, por edhe lidhje shpirtrash, madje edhe një lidhje e perëndishme sipërore, ku të gjallët ndiejnë brenda vetes baticën e të vdekurve. Natyrisht që një lidhje të tillë, të ngjashme me enët komunikuese, nuk mund ta bëjë një njeri normal, aq më pak një gjysmënjeri, në kuptimin kur ai është i zhveshur nga ndjesitë. Për të qenë edhe më konkret: ky subjekt surealist si i krijuar për lexues të sofistikuar, që i njohin kodet e leximit me të gjitha ndërthurjet e tyre, lindi ditën e parë të shëtitjes sime në Manhatan. Kur shkon metrove me trenin numër 7, ose me R, për në hotelin “Plaza”, shumë pranë Broduejt, patjetër duhet të jesh i përgatitur që atje do të shohësh disa pleq dhe plaka gazmore, me fytyra që, megjithëse janë përdorur të gjitha manipulimet kozmetike, sërish duken si fytyra të vdekurish, pra, me tetëdhjetë, nëntëdhjetë e njëqind vjeçarë, të cilët, paratë e fituara mbrëmjen e shkuar në kazinon gjigande Taj Mahal të Atlantic City-t madhështor, buzë oqeanit të murrmë, i harxhojnë sot në një orgji marramendëse; një tragjikomedi e këndshme kjo, kur ke parasysh se, përveç fytyrave si maska, (mundet të jenë edhe maska), asgjë tjetër nuk është e re. Natyrisht as edhe mendimet. Ata gjithnjë kanë shkuar në kazino të famshme dhe kanë humbur dhe fituar ose paratë e njeri - tjetrit, ose njeri - tjetrin.
Sidoqoftë, mediumit tonë le t’i japim një rrjedhë më normale brenda disa ligjeve të shpikura më parë e që ne jemi të pafuqishëm t’i çbëjmë.
Pasanikja e madhe që jetonte vetëm me vajzën e saj Eliza, vendosi t’i kalojë vitet e mbetura në hotelin luksoz “Plaza”.
(Këtu vetë Bethoveni në rolin e një pianisti virtuoz, mund të filloj të luaj në tastierë masat e para të pjesës së tij “Për Elizën”.).
Bija e pasanikes, Eliza, e vockël, me një palë sandale të lehta ngjyrë rozë, a thua se ka mbathur petale pjeshke, zbret si një princeshë nga Limuzina gjigande, që vërtet i ngjan një gjarpri pa vertebra. Limuzina ikën për të varur lëkurën e vet në sytë e kalimtarëve. E shkathët, e qeshur, e lehtë, - lule e sapo shkëputur nga pema, - Eliza ngjit shkallët e hotelit, megjithëse shërbyesit i thonë të ngjitet me ashensorin e ri. Ajo shkon tek e ëma dhe i kërkon t’i porosisë një maskë të re, por në formën e kafkës. E ëma zverdhet e befasuar nga kjo kërkesë e tmerrshme për një tetë vjeçare, megjithatë përpiqet t’ia kthejë mendjen.
“Jo, e dua me fytyrën e vdekjes. Dua t’i tremb të gjithë.”, ngulmon vogëlushja dhe, më në fund, pasanikja përpiqet të mbledh veten dhe ta pranojë trillin e së bijës. Fundja, është vetëm një maskë Hallwini dhe porosia kryhet brenda pak minutash. Sakaq, Eliza e qeshur vendos të zbres në koridoret, hollet dhe restorantet e Plaza-s ku e njohin dhe e mirëpresin të gjithë
Vogëlushja hip në ashensorin çuditërisht të madh, ku ndodhen një grup plakash tepër gazmore, a thua se e ndiejnë përgjimin e vdekjes dhe hyjnë në inat me të, pra, plakat, bëjnë humor me djaloshin e shekullit 21, që shërben në ashensor, i cili thuajse s’ka asgjë më shumë se bukuroshët e para gatinjëshekulli, përveçse një pirsi të argjendtë në veshin e majtë, gjë që atyre, gjithnjë plakave, u sjell ndërmend gjysmëhënën në qiellin vjeshtak. Eh, vjeshta! Bethoveni tronditet, jo se vjeshta për të është një partiturë drurësh dhe vetëtimash, por sepse ajo, Eliza, pra, kaçurrelsja e vogël e hotel “Plaza-s”, ka vënë mbi kokë një maskë vdekjeje. Do t’u ngjajë plakave. E trishtueshme për një fëmijë. Megjithatë, plakat, moshatare të përkohshme me vogëlushen dhe pak më të reja se Bethoveni, përpiqen të shikojnë se çfarë fshihet pas maskës së vajzushës tetëvjeçare.
“Dua të luaj në Taj Mahal!”- ngulmon vogëlushja dhe plakat kakarisin së qeshuri, sikur sapo kanë nxjerrë vezët e arta. Taj Mahali vërtet është i artë, ka kube të arta, ka një arkitekt të artë nga Shqipëria me një emër tepër të natyrshëm, fatkeqsisht dhe të panjohur: Mehmet Isaj.Trump-i qesh me këtë sfidë, sepse ai mendonte që arkitekti origjinal ishte thjesht indian, siç është indiane dhe shqiptarja Gonxhe Bojaxhi, e cila, me mbiemrin e saj, ngjeu një emër të madh: Nënë Tereza. Trump-i shtanget dhe sytë i kthehen në dy ruleta, ku habia ka hedhur gjithë pasurinë e saj.
- Eh, - thotë plaka e parë, natyrisht me një maskë lepuri, që Elizës lepurin te “Liza në Botën e Çudirave”..., e cila, natyrisht, nuk është Eliza jonë.- atë ditë kur im shoq më humbi në Taj Mahal unë nuk e desha veten, i ulëria oqeanit, por Atlantiku i ka veshët të shurdhët.
- Mos e keni fjalën për mua, - foli Bethoveni, i cili aty, në pianon e vjetër të hotel “Plaza”-s, dukej si një antikuar i stërshitur.
- Jo zotëri, oqeani vërtet është i shurdhët. E kuptoni, më humbi në ruletën e lëvizshme e të shthurur si prapanicë prostitute.
- Këto janë të zakonshme, - foli plaka e dytë, natyrisht me një maskë tepër të zbehtë, aq sa Eliza, me sandale lulepjeshke, dyshoi se fytyra e së dytës nuk ishte origjinale, por me pak pudër të bardhë zhgënjimi.
- E mbaj mend, - tha plaka e tretë, - kjo ka ndodhur ditën kur i dashuri im udhëtonte përmes shkretëtirës dhe pat takuar atë leopardeshën e famshme të Mopasanit.
E treta, që vazhdonte të fliste, kish një maskë leopardi dhe qe ngujuar në idenë se Mopasani e kish shkruar një tregim pikërisht për fatin e të dashurit të saj, i cili na paskësh qenë me origjinë franceze.
Mehmet Isaj, arkitekti, u shfaq i qetë, me ca rrudha të bukura në fytyrën e mprehtë, a thua se edhe fytyrës i kish dhënë një formë trishtuese me dorën e tij, menjëherë pas vdekjes në moshë të re të Mumtazesë së dashur.
- Po kush të fitoj?- pyeti Trump-i, gjithnjë i qeshur, sportiv e natyrisht pakëz kureshtar mes këtij herbariumi plakash me fytyra tejet të zbehta, si ca pergamenë pas dritës së qiririt.
- Dikush që më humbi përsëri dhe për pesë vjet rradhazi unë vërtitesha në ruletë e tua pa i dërguar asnjë sinjal policisë.
- Ha....ha...ha...! - qeshte me gjithë shpirt Eliza dhe Bethoveni i shurdhët, si Atlantiku në dimër, përpiqej t’i shkonte pas me një pentagram vetëtimash dhe me ca nota shiu.
(Ai, gjithnjë naiv, si të gjithë gjenitë, të paktën të këtij planeti, mund të vazhdoj të luaj në tastierë pjesën “Për Elizën”)
Një çast plakat gazmore heshtën, siç duket të gjitha në një kohë ishin duke u vërvitur në të njëjtën ruletë kujtimesh, ruletë që janë pak më të shpejta se karuselet në natyrën e dehur. Të gjitha ato plaka dikur në rininë e vet qenë vërtitur në ruletë, qenë humbur nga një palë burra dhe qenë fituar nga të tjerë. Për to kjo kish qenë edhe thelbi i jetës rinore. Eliza nuk mund ta duronte këtë heshtje dhe mbase ashtu kot, si për të ngacmuar fantazinë e roitur të plakave, tha:
- Së shpejti do të vijë Engjëlli! Thonë se është duke fluturuar mbi kubenë e Taj Mahalit.
- Vërtet?! Po kjo është një mrekulli! Kemi një jetë që e presim këtë Engjëll...
Ato flisnin për Engjëllin si për një të njohur të vjetër a për një bixhozxhi profesionist në Atlantic City. Vetëm Bethoveni, i përkulur mbi tastierë, mendoi në çast: “Plakave nuk u shkon në mend se ai mund të jetë Engjëll Gabrieli.”
Nëna e Elizës, pasi kupton se në mungesë të saj flitet dhe për gjëra të rëndësishme, zbret me të njëjtin ashensor ku djaloshi që shërben, me pirs-in në veshin e majtë, i qesh bezdisshëm, si të gjithë gjallesat e shëndetshme. Plakat e presin pasaniken me rrespektin e vajtojcave. Plaka e katërt, e cila ngulmon se në rininë e saj ka parë një alien, pikërisht diku në tre male të Oregonës së largët, madje ishte pikërisht ai, alieni, që i mori virgjërinë, pra, e katërta, nuk të lë përshtypjen e një të lajthiture dhe nuk ngulmon që alieni luante në ruletë. Pasanikja ulet në një stol të vjetër dhe i thotë të parës, asaj me maskë lepuri, se fituesi i rulesë kish hapur një shtëpi publike të posaçme me maska dhe se të gjithë meshkujt që e frekuentonin ishin bashkëshortë në dukje shembullorë e që natyrisht hiqeshin hamshorë të famshëm.
“Nuk e di pse oqeani është i shurdhët”, mendonte Bethoveni, gjithnjë i ulur në pianon e vjetër, me sytë nga vogëlushja me sandale petalepjeshke.
Plaka e pestë, gjithnjë me maskë, një diçka si xhungël të vizatuar në fytyrën e tharë si peksamidhe, e ka pasur të dashurin ushtar në Vjetnam, madje ai i gjorë atje ka lënë edhe kockat dhe ajo, e pesta, një shtatlartë që Trump-i nuk e kupton pse shoqet e thërrasin “Avioni”, çdo darkë vjen këtu pasi ushqehet në një restorant modest vjetnamez, ku kërkon të zakonshmen: një supë karakteristike të servirur në një tas të madh si helmetë, një supë të thjeshtë me makarona e barishte, të cilën ajo, si gjithnjë, e krahason me një kënetë xhunglash, nga ku pritet të dalë nëna e atyre makaronave të gjata: një anakondë e vërtetë prej brumi. Ajo flet pak, por gjithnjë rrëfen të njëjtën histori, aq sa edhe Bethoveni tregohet i lumtur për shurdhërinë e vet; edhe oqeani, gjithashtu.
(“Për Elizën” mund të vazhdojë të luhet)
Pastaj, plaka e dytë, e joshur nga bisedat lozonjare dhe nga kureshtia e meshkujve të pranishëm: Bethoven-it, Trump-it, Mehmet Isaj-t dhe djaloshit të ashensorit, (me hënën e argjendtë në veshin e majtë), tregon historinë e mbesës së saj me një djalosh besimtar që megjithëse në shekullin e 21-të, natyrisht pas Krishtit, mbeti e virgjër, kurse besimtari përfundoi në shkollën e priftërinjve, gjithnjë i virgjër. Eliza, e cila do të rritet e ushqyer nga këto fjalë, nuk mund ta kuptoj këtë absurd, (GJITHNJË AMERIKAN), siç nuk do të kuptoj shumë vite më vonë se pse nuk lejohet që në klube e pub-et amerikane të mos hyjnë të rinj nën moshën njëzetëenjëvjeçare; madje që, nën njëzetëenjë vjeç, të mos lejohet pirja e alkoolit, kur mund të lejohet marrëdhënia seksuale edhe në moshën pesëmbëdhjetë vjeç!...Plakat e tjera qeshin, e quajnë të pabesueshme një gjë të tillë, pra, që edhe vajza edhe djaloshi prift, tanimë janë të virgjër dhe, ato, plakat, diçka përshpërisin në veshët e njera - tjetrës, pa menduar se Bethoveni, i cili vazhdon të luaj në piano pjesën e tij, mund të mbetet i fyer, njëlloj si oqeani, megjithëse TË DY PALËT - BINJAKË TOKËSORË, janë të shurdhët.
- A keni provuar të ushqeheni me aragosta në Taj Mahal?- i pyeti arkitekti i famshëm shqiptar dhe plakat me maska u përpoqën të zbulonin se çfarë kërkonte të ndërtonte gjithë ky arkitekt me këtë pyetje tejet naive.
- Natyrisht, - tha plaka e katërt, e veshur me një mantel ngjyrë aragoste - madje, unë, kam filluar një kurë speciale me kuaj deti, ose më saktë me ilaçe që bëhen me kuajt e detit. O, sa e mrekullueshme që është! Natyrisht trokojnë, por mbytyrazi. Kuptojeni, mikeshat e mia, kuptojeni: kuajt e detit janë ëndrrat e kuajve të tokës.
( Bethoveni, megjithëse i zhgënjyer, mund të vazhdoj të luaj në tastierë pjesën “Për Elizën”, po në këtë rast s’kupton pse gishtërinjtë i kthehen në dhjetë kuaj deti, natyrisht tepër të shkathët: mundet që edhe në oqean të organizohen gara me kuaj deti!).
- Si vdiq gruaja juaj? - Pyeti Trump-i arkitektin Mehmet Isaj, a thua se i kishte ndonjë borxh që ia kish kopjuar Taj Mahal-in pa leje...e që për këtë “vjedhje” artistike, do t’i duhej të paguante, në mos arkitektin, ndonjë pinjoll të tij...
Një plakë tjetër, (a thua se ishte e padukshme, një tog dheu i shkrifët trëndafilash, apo varri të freskët, diku në qoshe të ashensorit), rrëfen historinë e saj, apo më saktë dashurinë e saj për fatin tragjik të të shoqit, të cilit i paskësh rënë në kokë një vazo lulesh, e që natyrisht koka, si me magji, i qe zhdukur dhe, në vend të saj, i patën mbirë trëndafila. Plakat gajasen, qoftë nga mënyra e të treguarit, qoftë për surealizmin e rrëfimit, qoftë dhe për faktin se, në këtë mes, prania e trëndafilave qe e domosdoshme, aq më tepër në një kafkë-vazo.
E ç’mund të bëj Bethoveni i gjorë në një gjendje të tillë apokaliptike? Ai vazhdon të luaj masat e fundit të sonatës “Për Elizën”
- Më duket se ti Elizë na gënjeve kur na the se Engjëlli po fluturon për në hotel “Plaza”.- thotë njëra nga plakat, teksa përpiqet të lyhet me pak pudër aromatike.
- Unë nuk ju kam kam gënjyer asnjëherë, por ju jeni të padurueshme...Mos harroni se edhe Engjëlli është plakur...Nga ju vetëm unë mbeta vogëlushe.
Sapo ashensori i ri ndali, të gjithë panë se në tapetin e kuq të hollit, qe shtrirë me fytyrë nga lampadarët, një engjëll i madh, natyrisht i bardhë, me pendët e mëdha e të hapura; fytyrën nuk e kish me tipare njerëzore, por diçka në mes të pëllumbit, mjellmës dhe pulëbardhës, veç me një trup shumë të madh. Ashtu i shtrirë dihaste me vështirësi. Djaloshi me pirs te veshi, i pëshpëriti Elizës :
- Ti mos u afro, Engjëlli ka virusin H5N1.
- Nuk ka mundësi. Ky lloj virusi ka përfshirë vetëm shpendët në Evropë dhe Azi...-foli vogëlushja, duke ecur lehtas mbi sandalet prej lule pjeshke, duke iu afruar Engjëllit që, siç duket, po jepte shpirt.
- Po ama ka përfshirë edhe këtë engjëll amerikan, i cili mund të jetë edhe burimi i virusit, sepse engjëjt vijnë nga shtresa qiejsh, mbase dhe të infektuar.
Plakat i hoqën maskat thuajse në një kohë, si për t’i dhënë të njohur Engjëllit të shtrirë, por Engjëlli i gjorë, mbase i përfshirë në ethet e pragvdekjes, nuk njihte asnjërën prej tyre. Dukej sikur kish vendosur të ikte vetë. Plakat panë njera- tjetrën në sy. Ndërkohë që arkitekti i Taj Mahal-it, Mehmet Isaj, po mendonte se Parajsa i ngjante shumë kubesë së ndërtesës së tij, kur Trump-i përpiqej të ujdiste një biznes me balsamosjen e këtij engjëlli mbi kazinonë e tij gjigande buzë oqeanit, natyrisht pasi t’i merrte leje e të paguante arkitektin shqiptar, Engjëlli i madh hapi sytë e vegjël, pastaj hapi krahët e mëdhenj dhe plakat, thuajse në një kohë, u përkulën mbi ato krahë dhe nisën që me gishtërinjtë e rreshkur t’ia shpupursin puplat dhe pendët, a thua se donin të qëronin morrat e atij Engjëlli të sëmurë.
- Mirupafshim Eliza! –foli plaka e madhe, ajo që shumë vite më parë kish qenë viktimë e rulosë.
- Mirupafshim! – folën dhe të tjerat dhe Eliza e vockël, mbeti e shtangur në atë holl të madh si të përgjakur...
Të gjitha plakat që kishin qenë me të në ashensorin që zbriste, kaq të gjalla dhe gazmore, papritur kishin humbur në pendët e atij Engjëlli të shtrirë, i cili pas pak sekondash, sikur u gjallërua, u rrotullua si një rulet kazinoje, pastaj u ngrit, u shkund dhe në çast, sa një pulitje sysh, u zhduk. Eliza ktheu kokën mbrapa, majtas e djathtas, por nuk pa as nënën e saj, e cila, siç duket, ose kish ikur me Bethovenin dhe arkitektin, ose, po me Bethovenin dhe arkitektin, kishin shkuar në anën tjetër të Engjëllit, te krahu, gjithashtu i shtrirë, dhe qenë futur lehtësisht nën pendët e tij
- Nëna iku pa më përshëndetur, - tha Eliza me lotë në sy, duke mbledhur maskat e plakave që i buzëqeshnin të hedhura në tapetin e kuq të hollit.
Tramp-i i vuri vogëlushes dorën në sup si për ta qetësuar, kurse djaloshi i ashensorit, preku pirsin në veshin e tij, pa u habitur aspak që para tij një vajzë e vockël po kthehej në plakë, gjithnjë me sandale lulepjeshke. Jashtë disa djem e vajza thërrisnin:
- Shikoni, shikoni mbi qiellin e Broduejt po fluturon një Engjëll!
- Do ta shes Plaza-n,- vendosi Tramp-i.
(Tashmë në simfoxhaz sërish dëgjohet pjesa “Për Elizën” e Ludvig Van Bethovenit).


Fjala e Lire - Free Speech

No comments: