Saturday, 28 March 2009

Perceptimi në tregimin e Izet Shehut



Fatmir Terziu

Perceptimi në tregim është një metodë që krijon një “varietet letrar” që ndikohet nga ambienti, rrethanat, kushtet dhe mjaft arsye të tjera që shihen nga syri i shkrimtarit. Ndërsa, Izet Shehu përdor të gjitha senset e tij për të realizuar mesazhin e duhur nëpërmjet perceptimit. Ai krijon duke formuar imazhin e plotë të asaj që percepton dhe ndihet i qartë në dhënien e perceptimit të karakterit, rrethanave të jetës së tij, të cilat i di mirë lexuesi pasi e lexon dhe kupton thelbin që ‘ne mund të jemi gabim në lidhje me atë që ndodh rreth nesh” (F.H. George:1962:12). Në tregimin e Izet Shehut, “Dino”, karakteri është një njeri-urë e dy kohërave, që sillet nëpërmjet perceptimit për të realizuar jetën e përditshme. Autori e sheh këtë si një arsye filozofike të tejkalojë perceptimin e tij, nëpërmjet pamjes vizuale të karakterit, nëpërmjet perceptimit nga sytë e të tjerëve. Dhe këtu pikërisht është fakti i shtruar nga tregimtari: “Dino ishte një plak rreth të shtatëdhjetave, i thinjur dhe i shogët, por faqekuq. Kush e shihte për herë të parë, nuk e besonte se ai kishte bërë në kohën e diktaturës komuniste plot njëzet e një vjet burg politik. Fytyra e tij shprehte gatishmërinë për të marrë pjesë në gëzimin dhe hidhërimin e kujtdo.” Në këtë perceptim, tregimi luhatet arsyeshëm për të diktuar një pasqyrë, ndoshta të ndikuar nga faktori kohë e për të tejkaluar normën e perceptimit. Një karakter i tillë si Dino, i tregimit me të nëjtin titull të autorit, Izet Shehu, duket se është një kontekst teorik për të treguar dyzimin logjik me anë të perceptimit. Kjo natyrshëm shihet qartë në një mori fjalësh që lidhen jo vetëm me përshkrimin e tij fizik, që nis me ‘fytyrën’ e tij dhe përfundon me ‘gatishmërinë’ e karakterit për të qenë sërish aktiv në jetën e përditshme. Këtë autori e percepton. Natyrshëm që ai e di se ‘molla e kuqe e ka krimbin brenda’, por këtë detaj e flirton me një preambulë të bukur filozofike që vjen nga postulati m-l i kohës që e mbylli karakterin e tij për 21 vjet vjet e që lidhet me gatishmërinë e tij, pra “Gjithmonë Gati!”.
Pika e fundit ngre një arsye më shumë për të kuptuar këtë ‘varietet letrar’ që vjen përpos perceptimit në tregim. Kjo pikë ndricohet në tregim ngadalë. Gjuha merr një karakter të qetë, por nervozues në mendjen e lexuesit. Perceptohet çdo detaj. Fjalia është e saktë dhe e shkurtër. Komunikuese deri në detaj! Është një tregim që dallohet nga kompozicioni i tij i jashtëm, edhe pa u lexuar. Është një prozë që ka strukturë të jashtme model. Me një hyrje, mes dhe fund të përsosur. E gjithë kjo strukturë e perceptuar krijon mesazhin e fuqishëm që përmbyllet me një pyetje retorike, por tejet kuptimplote e filozofike. Kompozicioni i brendshëm i këtij tregim është më i ndërlikuar. Futja e motivit është e arsyeshme dhe zhvillimi në dy kohë i motivimit kompozicional e bën atë të dallojë në llojin e vete. Tregimi duket si një arsye sqaruese në të lexuar ku naratori, (tregimtari) është njësuar plotësisht me tregimin, pra aty ku ai shfaq unin e tij brenda tregimit, dhe më tej ku karakteri duket paksa i çliruar nga ky un. Dhe heroi kryesor, Dino, është një rritje dhe zbritje në kurbën jetike të perceptuar nga Izet Shehu. Në këtë kurbë vepron thuajse tërë filozofia perceptuese. Autori sqaron në tregimin e tij: “…Aty, mu tek këmbëza e parë e urës, një qen i zi e leshtor i lehu.
- Qelbës i fëlliqur! – i thirri plaku me një ton të trembur.
- Qeni u step dhe mori tutje nëpër kaçubet e dendura në breg të lumit. Dino kishte vite që mundohej dhe ushqehej me përralla. Në vitin 1992 mori gruan dhe ia mbathi për në kryeqytet. Fëmijë s’kishte. Kur u arrestua, e la gruan të re së bashku me nënën e tij. E gjora e priti për vite me radhë. Kur Dino u lirua, gruaja s’lindtte më, ndaj s’u gëzuan që s’u gëzuan me një bimëz të ngjizur me shpirtërat e tyre. Në kryeqytet, në fillim , u futën thuajse forcërisht në një dhomë të lagësht në katin e parë tek ish-shkolla e partisë. Pastaj, po forcërisht, i larguan prej andej. Ngritën një çadër në oborrin e shkollës. Edhe këtu i larguan…”
Pa perceptuar më tej, por vetëm me ‘qenin’ tek ura, thuajse kuptohet qartë e tërë fabula. Është jo më kot ky qen në tërë këtë perceptim letrar të autorit. Është një qen që ende ndikon, pengon, kafshon, zvarrit, dëmton, gjuan, qëllon, siglon dhe të nxjerr jashtë, pra të bën të shtosh retorikën e jetës duke të ndikuar tërësisht në jetën tënde, atë që autori e plotëson në perceptimin e tij: “- Ku të mbytemi, moj grua, ku?
- Në lumin tonë, - ia priti me një ton të përmortshëm e shoqja.” Dhe “në lumin tonë” është sërrish një term filozofik që ndërlidh me anë të ‘urës’ perceptuese në dy kohë. A nuk është kjo edukatë që ndikohej dhe tentohej me fjalën ‘tradhtar i Atdheut’, për çdo njeri që kërkonte arsyet e jetës gjetkë?! Këtu filozofia gjen më shumë arsye për të qëmtuar në shenjë. E gjithë kjo shenjë qëmtuese sjell e përcjell qenin, urën, lumin, fatin e jetës, shtëpinë, lirinë, premtimin, kuadraturat e vuajtjes, bodrumin, listat, zyrtarët, letrat e gënjeshtrën…

…..vazhdon

Në tregimin “Tapitë”, autori shkon më tej. Përvec elementëve pak a shumë të jashtme, karakterizimi, ose perceptimi i karakterit bëhet nëpërmjet gjuhës, fjalëve, stilit të të folurit etj. Përshkrimi është më i detajuar dhe mjedisi kryesor funksion në bllok. ..

vazhdon
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: