Monday, 16 March 2009

Poezia e Bajame Çeliku (Hoxhës), një kënd në hapësirën femërore të poezisë



Poezia e Bajame Çeliku (Hoxhës), një kënd në hapësirën femërore të poezisë

Fatmir Terziu

imagesQysh herët nga moshataret dhe moshatarët e saj, Bajame Çeliku, (Hoxha) mbahet mend si ‘vjershëtorja’, poetja e re. Më saktë poetja që kthente poezinë në këngë. Kështu është vështirë të harrosh poezitë e saj që u kthyen në këngë në Festivalin Kombëtar të Fatosave dhe Pionierëve në vitin 1974. Poezitë e Bajame Zaim Çelikut, mahnitën atë festival, i cili u zhvillua në Lushnjë. Ishte çmimi i dytë që iu dha asaj për poezinë-këngën e titulluar “Xhaxhait tim ushtar”… Ishte ndoshta çmimi që më pas i mbeti vetëm në mendje se ajo nuk ndryshoi ndonjë rrjedhë në jetën e saj, ku ajo ishte internuar për 31 vjet. Punoi nëpër kampet e përqendrimit të diktaturës për vite me radhë, duke ëndërruar krijimtarinë, poezinë. Dhe erdhi viti 1998-të kur teksti i saj “Tomi dhe Xherri” hyri në këngët më të bukura. Në Festivalin e Fëmijëve në Shkodër ajo u nderua me Fletë Nderi dhe Flamur nga Radiotelevizioni shqiptar dhe nga Festivali. Tani ajo jeton në mërgim, në Belgjikë dhe për të poezia është një detaj ende i freskët, një motiv jete. Kështu ajo krijon dhe ndjehet e qetë në rrugën e saj poetike, e cila i lë asaj vetëm hapësirën e së ardhmes dhe i fshin arsyen e së shkuarës. Është poezia tashmë, mikja dhe shoqja e saj më e ngushtë në rrugën e krijimtarisë. Është poezia e saj që kap trendet bashkëkohore, duke siparëzuar lëvrimin e poezisë feministe.

Në vitin 1974 Bajame Çeliku-Hoxha ishte një vajzë e re e internuar në Savër të Lushnjës. Në atë kohë ajo shkruante me pseudonimin, apo me emrin anonim Ama Çeliku. Ja se si e shpjegon atë kohë vetë ajo:

Punoja në punë të rënda të detyruara, kur pa pritur më vjen një ftesë nga drejtoria e Shtëpisë së Pionierit për të marrë pjesë në një mbledhje të madhe mes poetëve dhe artistëve nga e gjithë Shqipëria. Unë pasi mora leje pa treguar arsyen, disa minuta pas orarit të fillimit të mbledhjes arrita në korridorin e madh. Aty s'kishte këmbë njeriu. Një heshtje kishte përfshirë atë ambient ku përherë ziente nga gumëzhima e fëmijëve të talentuar. U mata që të ikja kur një zë femre më thërret: -Ama! unë u ktheva dhe njoha drejtoreshën e Shtëpisë së Pionierit Verën. -Ti je Ama çeliku? -më pyeti. Po, iu përgjigja instinktivisht. - Eja pas meje. U futem ne sallën ku do mbahej një konferencë per festivalin. Salla ishte e mbushur vetëm me burra dhe asnjë vajzë, apo grua. E vetmja poete isha unë, drejtoresha dhe një mësuese muzike, që asaj kohe ishte udhëheqëse e Shtëpisë së Pionierit, e cila martohej ato ditë në Elbasan. Pra e vetmja poete, midis poeteve me zë të Shqipërisë. Pasi u fol shumë, u kërkua nga ne që të shkruanim tekste për këtë festival.

Të nesërmen unë me kazmë e lopatë në dorë, duke punuar, në xhep mbaja gjithnjë një copë letër të palosur që shkruaja sa herë që më vinte frymëzimi. Pa e zgjatur, dhe pa e kuptuar shkrova 4 tekste nga të cilat u pranuan 3 kjo ishte një çudi që në një festival të pranohen 3 tekste. Kur unë po zija tre vende po poetet me emër ku ishin, sa vende kishin mbetur për ta?! Nga ky festival jeta ime do te kishte ndryshuar sepse poezitë e mia ishin pëlqyer jashtëzakonisht nga juria e cila bëri dhe interesim të mëtejshëm.

Drejtoria e Shtëpisë së Pionierit bëri një kërkesë në kamp dhe më kërkojnë mua të zëvendësoja udhëheqësen e pionierit që po martohej. E merrni me mend se çfarë relacioni negativ lëshon kampi. Pra, unë isha vajze e nje familje armike dhe si e tille duhej qe tere jetën te ndëshkohesha neper kampe. Atëherë shkruaja dhe neper gazeta dhe pa pritur te tera rrugët u mbyllen ende pa u hapur mire. Ne Lushnjë dilte nje gazete lokale dhe drejtor, redaktor ishte Gazmend Kongoli. Shkova per ta takuar por ai s'më priti ne zyre por bashke me mua zbriti shkallet e katit te trete e ne prag me tha: -Dëgjo moj vajze e mire, mos e kërko tek unë pse s’të botohen shkrimet e poezitë...pasi heshti nje cope here pa me shikuar ne sy me tha:Ti...vazhdo te shkruash vazhdo! sidomos ne proze...edhe ne poezi...me kane pëlqyer shume...ti vazhdo edhe pse ne nuk do ti botojmë dhe duke me hedhur nje vështrim nga koka te këmbët me ktheu krahët dhe u ngjit shkalleve pa me then as ditën e mire.

Nga ai çast u bëra me krenare me entuziaste drejt shkrimeve dhe aspak pesimiste. Ai me pak fjale me dha kurajo,me dha te kuptoj se nje dite do te botoheshin edhe shkrimet e mia ,se do ndryshonte gjithçka ashtu siç e kisha menduar unë dhe bashkëvuajtësit e mi.

Trendi poetik

Trendet bashkëkohore në poezinë feministe të poetes Bajame Hoxha duken qartë në poezitë e saj dhe mund të shihen si një këndvështrim origjinal për një poezi të krijuar nga poetja femër në një kohë relativisht të vonuar, përpos arsyeve objektive të cilat janë edhe një magazinim kulturor dhe një memorje artistike. Ky studim i poezisë së Bajame Hoxhës, nuk mer përsipër të argumentojë tërë krijimtarinë që depërton në botën e grave, por nëpërmjet krijimtarisë së saj në poezi kërkon të demonstrojë masën në të cilën autorja dhe poezia e saj e mëvonësuar janë jo-jashtë rrugës krijuese dhe aspak jo-konvencionale për epokën e saj dhe se si ky stil i korrespondon dy shikimeve të kritikave feministe të kohëve të fundit; Susan Bordo tek eseja: “Leximi i femrave si një organ me kuptim” dhe Page Showalter me tekstin e “Eksplorimit të ndryshimit thelbësor mes femrave dhe meshkujve; poezia e orientuar drejt teksteve letrare”. Showalter ngre idenë se të shkruarit e tyre janë të ndryshme në thelb, por ky thelb është një lloj i letërsisë, që zbulon edhe idenë se femrat kanë një përvojë krejt të ndryshme nga meshkujt dhe janë krejt tjetër nga perceptimi. Ky ndryshim sipas saj karakterizohet në stil, strukturën, gjuhën dhe temën e të shkruarit të femrave, dhe ka katër diferenca: biologjike, gjuhësore, kulturore dhe psikoanalitike. Unë do të lidhem me dy realitetet thelbësore të dala nga studimet e lartcituara, tek të cilat shihet edhe diferenca prej Showalter dhe Bordo. Susan Bordo, në studimin e saj “Femra si kristalizim i Kulturës", përqëndrohet në shumë kuptime kulturore, ku një pasqyrë të plotë të kësaj teorie e jep bazuar në të shkruarit e filozofit francez Michel Foucault. Këto diferenca janë përgjithësisht të ilustruara edhe në poezinë e poetes Bajame Hoxha, tek e cila shihet situata sociale e gruas në disa kode sociale dhe biologjike / trupore, që shihen përpos dy studimeve të realizuara nga të dyja Showalter dhe Bordo. Nëpërmjet një analize të poezisë së Bajame Hoxhës; "Vetja ime qahet" dhe "Lozonjarja", shkruar pak kohë më parë, unë do të përpiqen të tregoj se si këto qasje mund të zbatohen në poezi dhe zbulojnë se si poezia e saj është dominuar nga moria e koncepteve dhe qëndrimeve sociale biologjike / trupore dhe imazhet e ‘sundimit’ dhe ‘pushtetit mendor’.

Diskurset poetike

Si pasojë, dhe sipas asaj që diktohet nga këto studime, del se ka një dallim të qartë midis krijimtarive të meshkujve dhe femrave në shumë aspekte letrare. Këto dallime shihen edhe në diskursin, që ka të bëj me qëndrimin dhe pikëpamjen e grave në literaturë. Pra sipas kësaj del se “Një poezi e shkruar nga burrat flet një gjuhë krejtësisht të ndryshme nga ajo poezi që relativisht është e shkruar nga femrat”. Poezitë femërore, kur trajtohen si një krijimtari gjinore, përfshijnë, siç e shohim edhe në këtë studim të ngushtë të gjinisë femërore tek poezia e Hoxhës, këto dallesa si një aspekt parësor të diskursit letrar. Ky diskurs, elementin femëror në poezi e parasheh si një arsye të lidhur jo vetëm me teoritë e lartpërmendura, por edhe me vetë aspektin femëror që vjen nga situata kontestore. Në këtë situatë poezia gatuhet si një shtysë dhe jo si një element ndarës. Diskursi molekulëzon tërë funksionalen dhe ‘ndasia’ ose dypamja e krijuar nga poetja, nuk është thjesht një interpelacion rasti, por një arsye filozofike për të prodhuar dyshen, ose dy pjesët e një të tëre që formojnë të plotën. Ja si shpjegohet kjo tek poezia “Vetja ime qahet”: “Gjysma ime gjysmës i qahet,/ndihmomë e tëra të mos humbas,/ky shpirti im po plas nga vajet,/gjysma tjetër vendos ta ngasë.” Në këtë formë diskursi ndarës që konfiguron elementin e së tërës natyrshëm koncepton pikërisht edhe dykuptimësinë e elementit joshës femëror, që në gjini të ndryshme mer forma të tjera kuptimi. Më tej poetja plotëson më saktë: “Vetja ime me vete po tallet,/tek po i thotë ca fjalë seriozisht,/oh, ti e di se vetë i ke fajet,/pse dashurove ti sinqerisht?” Në këtë plotësim forma e poezisë kalon nga një diskurs në tjetrin dhe pronësia e ‘ndarjes’ vjen si një interpelim kumtues në mendjen e lexuesit, pra qartësohet ajo që gjithashtu fokusohet në çështjet shpesh të diskutueshme në diapazonin kohë, vend dhe hapësirë, se në përgjithësi poezi të tilla janë të lidhura me elementë që prodhohen nga vetë poetet femra dhe që dominojnë jashtë situatave të tilla si seksi, trupi dhe seksualiteti, apo me tema të tjera të lidhura. Tek poezia tjetër e saj “Nata lozonjare”, jashtë këtyre situatave vjen lidhja mes asaj që vjen jo vetëm nga fjalët, por edhe nga hapësira rrethuese dhe konvergjenca situatëprodhuese: “Xixëlloja dikur si xixëllinja/dhe të kërkoja ty nëpër natë,/gjersa të gjeja, të kërkoja,/dhe puthjet i kishim flakë për flakë,/Atëhere nata bëhej lozonjare,/ndoshta xheloze kur bënim dashuri/megjithatë tregohej bujare,/kur hënën dërgonte ndër ne plot yllësi./Dhe agimi kur dukej ngjyrë ari,/dhe tis i natës humbiste me yj,/lagur na gjente nga vesa, nga zjarri,/të lagur ishim, por ishim shkëndijë?” Por tek poezia “E jona” elementët lidhës të fjalës janë një arsye më tepër për të kuptuar poezinë të shkruar nga poetja femër: “E jona, thoshim, është dashuria,/e mbanim fshehur, e mbronim të dy,/e virgjër tek ne ish çiltërsia,/të virgjër ishim dhe unë, dhe ti./Na çelte buza si trëndafili,/kur flisnim,qeshnim me dlirësi,/vinte puthja pa dallgë trishtimi,/e ndjente shpirti gjithë dashuri./Prushi ndizej dhe rrinte ndezur?/me xixa zemre, me afshin në gji,/isha çapkëne nuk rrija e heshtur,/të ngisja, të puthja plot zjarr e furi./Vitet ikën dhe mbetën kujtime,/vallë rron tek ne kjo xixë ky zjarr,/Dhe sot buzëqeshim pa ndryshime,/sepse shpërthejmë si një vullkan.”

Në këtë poezi më shumë se te të parat shihet më qartë teoria e Foucalt, tek e cila të dy studiueset e lartcituara janë mbështetur. Foucault në teorinë e tij pohon se lidhjen e hapësirës me trupin e njeriut mund ta vërejmë në shumë fusha si atë të demografisë historike, asaj patologjike, fiziologjike, etj ose edhe në proceset biologjike dhe ngjarjet me të cilat ‘ambienti dhe objektet që e rrethojnë atë’ kushtëzojnë pasojat e fjalës së prodhuar për të dhënë mesazhin tek lexuesi. Kështu në situatën dhe imazhin e krijuar nga materialja ‘xixëllonjë’ vjen e kushtëzohet lidhja e saj me dashurinë që vjen përpos fjalëve “…kjo xixë ky zjarr…”. Pra ajo që sipas Bordosë është një arsye që vjen nga ‘praktikat e ndodhitë e jetës, për të prodhuar praktikat kulturore’. Dhe nëpërmjet këtyre praktikave kulturore, shihen qartë edhe diferencat që konvergojnë në ndryshimin dallues të poezisë femërore.

Personalja si shkas

Të poezia "E jona", në bazë të nivelit të kontekstit, tregohet historia e një çifti që vjen përpos një eksperience personale, për të tërhequr lexuesit dhe ushqyer me një ndjenjë emocionuese vetë-imperilmente, situatuar nga pala e asaj që në poezi quhet, “personale”. Metafora “nata bëhej lozonjare” dhe nocioni i gjithë poezisë i jep lexuesit një ndjenjë kureshtje, një veprim stimulues. Kjo poezi afron ndjenjën e arsyes, dhe largon ndjenjën e mungesës së kontrollit, duke riformuar edhe një risi të re në lidhjen dyshe, në dashurinë e pikturuar nga sy femërore. Shumë simbole pastaj formojnë aftësinë e plotë të poezisë për të dëshmuar veçoritë e saj. Kështu, parë në këtë lidhje teorike, shihet qartë se krijimtaria e Bajame Hoxhës është ende në rrjedhat e saj, në kohën e duhur, për të dëshmuar më shumë për të veçantën krijuese femërore, për të zënë një kënd nderi në aspektin e saj.

1 comment:

Anonymous said...

bajame po lexoj shkrimet e tua the me duket sikur po flas me ty
diana