Wednesday, 25 March 2009

SHEN MARIA E PARISIT


ROBERT MARTIKO


Skuqem dhe djersij kur dua të sqaroj diçka në politikë apo sociologji, ngaqë e marr atë me shumë pasion. Natyrisht, pa humbur kurrë edukatën, edhe pse kjo praktikisht, do të thotë: të hash vetvehten. Sipas meje, në ngulmimin tim fshihet gjithmonë e mira dhe e keqja. Por medet, pikërisht këtu qëndron burimi i gjithë të këqiave... Madje, edhe më e mërzitshme për mua është...kur në vetmi rikujtoj faktin se në çdo batutë gjatë bisedës kam përdorur simbole historike apo letrare...
Një herë fjala vjen, gjatë një dreke buzë detit, ditën e diel, diku në Saint Tropez, me një maketë në dorë, të vizatuar me laps, tregoja Katedralen e Shën Marisë së Parisit në një letër të milimetruar. Ju duhet ta dini: të skicoj nuk është aspak e vështirë për mua. Para rreth njëzetë vjetësh jam diplomuar inxhinier arkitekt në Universitetin e Budapestit, madje, me nota të shkëlqyera…Sa për bisedat e natyrës së mësipërme, me duhet ta pranoj qysh më parë se ato gjithmonë më kanë tërhequr fort, madje, shumë më tepër se sa bota e magjishme e arkitekturës.
Siç shkruaj më lart, atë të dielë unë iu drejtova bashkëfolësve të mij: “Ja, një katedrale e tillë duhet ndërtuar në shkretëtirën e Saharës!”…Në atë rast unë vijova menjëherë, pa humbur kohë, duke shtuar se qeshë gati të shpegoja të gjitha arësyet dhe argumentet e nevojshme për ndërtimin. Ngulmoja aq shumë për një gjë të tillë...Isha gati të hidhesha në qiell...Edhe pse hija e katedrales në fjalë në ditët e sotme nuk mallëngjen më pothuajse askënd.
Pikërisht këtë më thanë gadi të gjithë bashkëfolësit : “Katedralja e ka humbur prej kohësh atë cilësinë e saj të rrallë, gadi hyjnore për të shkëlqyer si dikur, në vitet 1177 apo 1200. Duket se ju nuk keni aspak njohuritë e duhura rreth dëmtimeve të mëdha që ajo pësoi pas rënies së Bastijës. Disa pjesë të saj u meremetuan…disa të tjera jo! Kot e ke, mos u mundo të na sqarosh!...Përse të ndërtohet një katedrale e dytë, qoftë dhe e ngjashme me të parën, përderisa sot kjo e ka humbur pothuajse gjithë magjinë dhe freskinë e dikurshme?…Madje, krejt pa e kuptuar!…Mos vallë kërkon që katedralja në shkretëtirë të ruhet edhe prej regjimentesh të shumta zuavësh me uniforma ngjyrë kaki si dhe prej rojesh koloniale!?”...Por ndërkohë, unë e kuptoj që vërejtja e fundit bëhet thjesht për të ngatërruar bisedën...për diversion. Atë bashkëfolës tendencioz unë e shikoj thjesht pa folur, sikur të dua atë çast, për aftësinë e tij prej politikani, ta admiroj...Fare bukur, po të donte ai mund të referonte simbolikisht rojet mbretërore të një kohe të kaluar, që lidhen me katedralen në fjalë...Mbasi në atë rast do të kuptohej për bukuri që donte të bënte thjesht shaka. Do të ishte diçka që do të më çlironte edhe mua nga ideja e përshtypjes së keqe, dhënë padashur ndonjë personi që e vijon atë bisedë pa ia kuptuar aspak thelbin. Në atë rast mua patjetër nuk do të më merrnin për të djathtë...kolonizator, të pashpirt, nostalgjik apo fetar fanatik.
Në të vërtetë, unë vetëm andej nga fundi i bisedës u binda disi se bashkëfolësit e mi kishin plotësisht të drejtë...Sot për sot askush nuk e çan kokën për katedralen në fjalë. Kështu, i mundur iu drejtova vehtes: “Më mirë është që Notre Dame të qëndrojë aty ku është: e lartë, e akullt dhe e ftohtë...sëbashku me syrin e dehur të Kuazimodos, që duket sikur të shikon ende prej Kullës Jugore, nga maja e kambanores Emanuel...i gatshëm të hidhet një orë e më parë në gjirin e ngrohtë të Esmeraldës.
Ndërkohë do të parapëlqeja që dikush të tregohej më i mençur...Të më thoshte: “Më falni, zoti Ferenc, ju nuk jeni aspak në rregull nga trutë!…Keni një kohë të gjatë që llomotisni e llomotisni... T’ju them të drejtën, më duket se keni lajthitur krejt!...Si mund të ndërtohet në shkretëtirë nje katedrale e tillë?...Në vizatimet tuaja paraqitet vetëm fasada e katedrales. Sa për infrastrukturën aq të domosdoshme dhe tepër të nevojshme për funksionimin e saj, ju nuk e keni paraqitur aspak në projekt!”. E, edhe po të ndërtohet ajo, kujt do t’i hyjë në punë atje?
Në të vërtetë, porsa biseda filloi të ftohet pak, unë iu drejtova vehtes të pushonte një orë e më parë dërdëllitjet...Në fund të fundit, gjithshka e kisha shkaktuar vetë thjesht ngaqë nuk jam në gjendje të duroj snobimin me sy të Madamë Sharlotës, mikesha e gruas së pronarit tim, sa herë më vështron. Ajo e bën këtë pothuajse çdo javë, kur tok me të shoqin vijnë për të kaluar aty, në breg të detit, ditën e dielë...Porsa fillon një bisedë dhe unë vendos të marr pjesë në të, do ta gjej atë përpara...Edhe kur temat nuk janë të thjeshta për të, ajo gjen rastin të më kundërshtojë. Veçanrisht snobimi i saj me sy është diçka që më ngre nervat aq shumë... E pranoj, për katedralen “time” fola pa u menduar thellë...Mendoj kështu edhe pse e di për bukuri se Sharlota nuk ka mbaruar as shkollën fillore…Për pasojë, ajo është mjaft e paaftë për të marrë pjesë në muhabete akademike...Por në praktikë, më besoni, ajo është një skifter i vërtetë, une femme terrible... veçanërisht e hedhur. Sa për snobimin me sy, këtë e bën thjesht që unë të mos të tregohem i barabartë me të tjerët, ndoshta me djemtë apo të shoqin e saj...me profesion avokat. Me pak fjalë, kërkon të më zbrazë plotësisht para të gjithëve…Sa për të dielën në fjalë, ajo më habiti: kishte arritur të kuptonte se me katedralen unë nuk doja të simbolizoja aspak madhështinë e stilit gotik, por idetë më të larta të njerëzimit…
Në vijim, kur erdhi çasti të ndante ushqimin, Sharlota më hodhi në pjatë ca zhapa mishi pule, të cilat unë për edukatë…për të mos e ofenduar atë, ia hodha fshehtas një këlyshi, që, sa herë hamë bukë, qëndron në pritje tek këmbët e mia...Vjen ashtu i panjohur, me një sy të drojtur, të mbuluar prej leshi të shumtë, të ngjitur dhe të pakrehur...diku nga plazhi i Tahitit. Ky zakonisht nuk leh, veç më ngul sytë e tij të vegjël, pa dashur të m’i heqë ato, derisa unë vendos t’i hedh për të ngrënë diçka nga pjata ime.
Por në të vërtetë, mua atë ditë Madamë Sharlota më tepër më mërziti, kur më tha se të gjithë njerëzit janë gjynahqarë. Se unë nuk qenkam aspak më i mirë nga të tjerët… Kur më bëjnë vërejtje të tilla, unë si zakonisht vihem menjëherë në mendim. Bindem se, natyrisht, përsosmëria shpirtërore nuk mund të gjejë në asnjë mënyrë zbatim tek unë. Mbasi edhe sikur të jem në gjendje të arrij një shkallë përsosmërie, do të pasojë menjëherë e dyta. Ku, nëse të parën e kam arritur me mundim, si do t’ia bëja për të arritur në shkallën tjetër?...Dhe kështu deri në infinit... Ky i fundit si gjithmonë më tremb.
Atë ditë, disa çaste më pas, pa mbaruar ende të ngrënët, shikoj të afrohet në tryezë si hije Madamë Sharlota. Mjaft serioze, më drejtohet në sytë e të tjerëve, për të më thënë me zë të lartë: “Zoti Ferenc!...Ju lutem, merrni çelsat! Duhet të shkoni urgjentisht në apartamentin Nr. 14, ku ju duhet të zhvulosni patjetër tualetën. Më pas edhe ta pastroni, ngaqë sot është e dielë dhe Babeta me Zhanën kanë marrë pushim. Të keni kujdes që deri në orën katër gjithshka të jetë gati...Vjen me elikopter një çift nga Parisi”…

No comments: