Friday, 27 March 2009

Shkaku dhe pasoja


Astrit Lulushi

Të gjitha ngjarjet jane të lidhura nga një fat i pazgjithshëm. Homeri thotë se fati është superior edhe ndaj Zeusit > Zotit, sepse as ky nuk mundi të parandalonte vdekjen e birit të vet Sarpedon; aleat i trojanëve, që u vra nga Patrokli; ngjarje që solli zhvillimet e radhës, vrasjen e Patroklit nga Hektori, hakmarrjen e Akilit, vdekjen e tij, prej nga rrodhi Kali i Drunjtë që solli rrënimin e Trojës, mërgimin e Eneas, themelimin e Romes; perandori qindra vjecare, bazë e qyteterimit të sotëm perëndior. Dhe që të arrihej deri këtu, Sarpedon nuk mund të vdiste gjetkë por në fushën e Trojës dhe nuk mund të varrosej gjetkë por në Lycia (Anatolia); e njohur si federata e parë e kohërave antike me kushtetutë bazuar në parimet demokratike, nga e cila do të ndikohej më vonë edhe kushtetuta amerikane.

Në se vetëm nje nga këto zhvillime do të kishte qenë ndryshe, krejt ndryshe do të ishte edhe bota sot. Këtë zgjidhje midis nevojës dhe fatalitetit, Leibnitz (shek. XVII) do ta quante “arsye të mjaftueshme” që shkaku më i vogël, krijon pasojat më të mëdha dhe shkak pa pasojë nuk ka.

Historianë të PPSH-së e kanë pranuar se grindja midis Tiranës dhe Beogradit solli forcimin e lidhjeve me Moskën; pasojat ishin spastrimet mes përkrahësve të miqësise me jugosllavët. Po ashtu nga grindja midis Tiranës e Moskës solli aleancën me Pekinin. Në plan të brendshëm kjo solli pasoja të thella në strukturat partiake e shteterore. Vendtakimet i përkrahësve të Beogradit e Moskës, tani nuk ishin më sallat e gjyqit si akuzues e të akuzuar, por kampet e burgimit dhe internimit, si bashkëvuajtës. Ndërsa prishja me Kinën, ishte një shkak me pasoja të mundshme; aleanca të reja, ndoshta me perëndimin. Por ideologët, vepruan ndryshe, ose nuk vepruan aspak, duke injoruar parimin e shkakut dhe pasojës. Në dukje, cdo pasojë ka shkakun e vet; ato janë të lidhura. Kur shkaku nuk shoqërohet nga pasoja, kjo lidhje ndërpritet, valvola e presionit mbyllet. Parimi i shkakut dhe pasojës, ndonjëherë keqpërdoret, do të thoshte Volteri.

Mendohet se proceset në shkallë të gjere mund të ndikohen edhe nga lëvizja më e vogël, prandaj nuk ekziston aksident aq i vogël, sa të mos bëhet hallkë lidhëse në vargun e zhvillimit.

Të gjitha ngjarjet zhvillohen një-pas-një; nëse e kaluara sjell të tashmen, kjo është e mbarsur me të ardhmen; cdo prind bëhet me fëmijë, por jo cdo fëmijë mund të bëhet prind; si një Pemë Gjenealogjike ku njerëzimi, sipas Biblës, e ka prejardhjen nga Adami, por janë të shumtë njerëzit që kanë vdekur pa lenë pasardhës.

Edhe zhvillimet e popujve i ngjajnë kësaj peme. Shqiptarët rrjedhin nga arbërit, këta nga ilirët të cilët u përzien me vendasit pellazgë, sipas historisë e miteve. Por me këta vendas, u përzien edhe popuj të tjerë. Një farë prejardhjeje ilire, mendohet se kanë edhe kroatët, serbët e ndonjë popull tjetër. Prandaj mund të thuhet se megjithëse shqiptarët rrjedhin nga ilirët, jo të gjithë ilirët u bënë shqiptarë.

Për Shqipërinë, është thenë se po kalon pasojat e së kaluarës, dhe se të gjitha vështirësitë që ndesh sot jane pasojat e diktaturës 45 vjecare. Kjo është e vërtetë, pjesërisht, sepse vështirësitë e sotme nuk janë pasoja të të gjitha ngjarjeve të atyre viteve, megjithëse ato jane pasardhëse të drejtpërdrejta të tyre.
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: