Saturday, 21 March 2009

THULLA DHE DYQANXHIU.

Miri Dhrami.


Thulla Gjeri, ishte një vajzë e thjeshtë fshati, që asnjëherë nuk i kaloi nëpër mendje, se vetëm për një fjalë goje, do të ngelej në histori. Ajo deri ditën që u martua, nuk dallonte nga vajzat e tjera. Po kur bëri fëmijën e katërt, ndryshoi. Jo vetëm në shëndet, por edhe në veshje. Petkat e mbulonin deri lart. Kuptohet, ishin vitet kur varfëria u bë mikesha jonë e mirë.

Thulla dhe Lolua, ose grua e burrë, duke mbledhur herë ullinj, herë portokalle, rropateshin gjithë ditën për ata fëmijë. Rroba grisur e këpucë shqyer, vraponin andej-këndej të ftohtë në trup, por të valët në shpirt, nga gëzimi i vogëlushëve. Kështu i kalonte ditët familja Gjeri, për të mos shpresuar tek ndonjë më e bardhë.

Veç një mëngjes, kur Thullla dëgjoi se makina e konsumit solli “konfeksione,”vendosi që t’i blinte familjes, të paktën nga një palë mbathja të reja. Zuri radhën para banakut dhe priste. Të shumtat e brekëve shiteshin nën banak. Shitësi, vetëm nga e prekura me gishta, kuptonte se sa brekë i jepte njërës, apo tjetrës. Thulla, fukaresha, që shikonte gjithë këtë skenë, nuk iu durua.

-Ej, shok, jemi dhe ne këtu! –i foli dyqanxhiut, që tregohej i qetë.

-Prisni radhën..! –ia ktheu ai, pa e shikuar në sy.

-Kur të më vijë radha, brekët kenë mbaruar! -vazhdoi në çast Thulla, duke i nënkuptuar shitësit, se bënte ndarje të keqe.

-Prisni radhën!-i përsëriti ai, i bindur se e dinte mirë seç bënte.

-Ta dish! -ia ktheu Thulla, -unë nuk largohem që këtu, pa mbathje. (d.m.th, pa blerë brekë)

-Mos u nxitoni, moj shoqe!-këmbënguli zë ulët shitësi, duke u treguar se qe teper i rregullt në ndarjen e brekëve. Atëherë Thulla, nga frika mos ngelej pa marrë konfeksione, u zgjat dhe i pëshpëriti në veshë me një ton lutës, madhësinë dhe sasinë. “I kemi shumë nevojë, jemi fare zhveshur!-U dëgjua në fund e fortë fjala e saj, e dalë plot duf prej ankthit dhe pritjes.

Shitësi i qetë, duke vazhduar punën, ia ktheu; "Thulla, ti merakosej veç për brekët e tua, kurse unë merakosem për brekët e të gjithëve në fshat!"

Pas kësaj fjale, fukaresha e humbi. S’mundi të thoshte gjysmë fjale. Qe e vërtetë, se fshati krejt qe bythpabrekë.

Qysh nga ajo ditë, shprehja “Ti di brekët e tua, por unë di të te gjithëve ne fshat,” u shtua si proverb i ri në ato anë. Sot, nuk jam i qartë, kujt i shkon dorashkë ky proverb, mbase...

Fjala e Lire - Free Speech

No comments: