Sunday, 15 March 2009

Treshja e lajmërimit zinxhir



Tregim

Fatmir Terziu


Ata ishin tre. Tre vetë! Tre vetë që i lidhte lajmërimi zinxhir i alarmit. Tre vetë që lidheshin njëqindfish me njëri tjetrin, sa nga pushteti aq edhe nga krushqitë. Tre persona që kishin në dorë këtë lidhje zinxhir. Dhe ata tre ishin Postieri, Kryetari i Këshillit dhe Sekretari i Organizatës Bazë. Krushqitë i kishin bërë më të fortë në lidhjen e tyre. Katër djemtë e kryetarit kishin marë nuset tek sekretari, tek vëllai i tij, motra e tij dhe kunati. Pesë vajzat e postierit ishin martuar e fejuar me lidhjet dyshe të kryetarit dhe sekretarit. Edhe sekretari të gjashtë fëmijët e tij i kishte dhënë e kishte marë nga kjo lidhje. Dhe lidhja zinxhir ishte jo vetëm një lidhje e thjeshtë, por edhe politike. Ishin në krye të listës së lajmërimit zinxhir. Lajmëronin për zbor, për alarm, për aksione, për dolli e ballë kazane. Ishin në krye të çdo sebepi. Në krye të fshatit Ibrush. Dhe fshati natyrshëm krenohej me këta të tre. Në dasma ata vinin bashkë por në rrjesht. Në rrjesht si hallka të këtij zinxhiri. I pari ishte Kuqoja, kështu e thërisnin Kujtimin, Sekretarin e Organizatës Bazë. I dyti ishte Beroja, kështu e mzanin Kryetarin e Këshillit, edhe pse emrin e kishte Dylejman. Emrin ia kishin ngjitur nga bereta që mbante në kokë. I treti ishte Nesoja, që bënte edhe punë të tjera të lidhura me këtë zanat të dhuruar ditën kur iu fejua e bija me djalin e vëllait të Sekretarit të Organizatës Bazë. Kështu Kuqoja, Beroja dhe Nesoja ishin treshja e parë në valle dhe e fundit në dorovitje. Madje disa herë njerëzit viheshin edhe në siklet. Më së shumti të zotët e dasmave. Krahas peshqesheve për të afërmit, sipas traditës, duhej menduar edhe për treshen e zinxhirit. Se po të haroheshin ata, mjerë i zoti dasmës. Dritat do t’i fikeshin, uji do të ndalej, orkestra do të dërgohej në zbor, fshati do të ngrihej me natë në aksion për të ndërtuar bunkera, dyqani do të mbyllej, shkollat do të dërgoheshin në fushë, … dhe vetë treshja do të kishte mbledhje urgjente. Eh, sa dasma ishin shkoqitur si kokrra misri. Sa dasma! Të gjitha për hir të kësaj treshe.

***

Atë ditë Korriku mbi Ibrush dielli gati kishte marë nën pushtetin e tij, jo vetëm malet e kodrat përreth, por edhe tërë atë fushë buzë zalli, që herë jeshilonte e herë verdhëronte nga kallzat e grurit. Që herët në fushë u ndje edhe zhurma e autokombajnës. Pastaj dhjetra njerëz u ndodhën aty pranë saj. Dhe si gjithmonë nisi kënga. Kënga ishte i vetmi motiv që mbante gjallë ata njerëz. Kur kënga nisi jehonën e përcillej andej matanë grykave të Ibrushit, një këngë tjetër nisi të dëgjohej andej nga çesmat e fshatit. Dahollët, një fis i lënë pas dore nga të tjerët e fshatit, thjesht për një krushqi të prishur me një nga të afërmit dhe krushqitë e treshes, ia kishin marë këngës teksa pastronin të brendshmet e viçit të majmë, që e kishin therur për dasëm. Ata martonin djalin e tyre të vetëm. E martonin me një vajzë jashtë zonës. Vajza ishte nga një familje me biografi jo të mirë. I ati i saj kishte ndalur me forcë makinën e Ndërmarjes Tregtare të Fshatit dhe kishte marë një frigorifer, i cili i çohej krushkut të ri të postierit, që ishte xhaxhai i dhëndrit të kryetarit dhe kushëriri i gruas së sekretarit. Dhe pas kësaj ai u ndëshkua. Madje u cilësua edhe prishës rendi. Iu hoqën në mes sheshit dekoratat e mara në ndërtimin e veprave të socializmit, iu hoq edhe titulli “Mjeshtër i Hidrocentraleve”. Kaq u desh që Dahollët të liheshin vetëm edhe në gëzime, edhe në hidhërime…

***

Dan Daholli u gjend herët në PTT-në (Postë Telegraf Telekomunikacionin) e fshatit. “Më postoni këtë telegram ju lutem”, - i tha dezhurnit të radhës, që ishte një zooteknik i sjellë në atë zonë nga Korça. Ai përgjumësh, pa orën katër të mëngjezit, fshiu sytë dhe e përshëndeti. Lexoi tekstin dhe kur pa s’e bëhej fjalë për prodhim të bollshëm, tundi kokën dhe menjëherë shkoi ndërmend mbledhjen e një dite më parë. Në mbledhje bëhej thirrje që prodhimi të mos shkonte dëm. Lau shpejt e shpejt sytë, kreu adetin e tualetit dhe me penë e bojë shkroi tekstin: “Prodhim kemi boll, na mungojnë thasët”. Telegrami i drejtohej krerëve të Partisë dhe Ekzekutivit në Rreth. Kaq u desh dhe iu drejtua rrëpirrës për në shtëpi. Telegramin e kishte llogaritur që të transmetohej aty rreth orës shtatë të mëngjezit nëpër zyra dhe individë me pushtet. Kështu ndodhi. Telegrami vuri në alarm qindra vetë. Një pas një u dukën makinat. E para ishte makina BÇ e Degës së Brendshme. E dyta e Komitetit të Partisë…,dhe me rradhë nga Komiteti Ekzekutiv, nga Tregtia, nga Konsumi, nga Magazinat Qendrore e nga Qendra e Kooperativës. Fshati u mbush me njërëz. Pastaj dy zisa me thasë u shkarkuan në mes të fshatit. Dhe vetëm kaq. Fshatin e kishte pushtuar heshtja. Heshtje!
Nga larg, aty mbi pllajë, Dan Daholli, kishte mbledhur rreth vetes tërë familjen, kafshët e shtëpisë dhe disa çanta dhe disa qese me ushqime. Rrinte dhe ndiqte me kujdes si në pëllëmbë të dorës gjithë lëvizjet e të ardhurve. Pastaj tështiu me zor. Ata kthyen kokat. Morën nga ai. Në fillim ishin ushtarët e kufirit. Pastaj tre policët. Pastaj ia behu sekretari i Partisë.
“Qenke bërë gati të arratisesh, ë, ë, ë, …”- foli me mllef ai.
“Jo more shoku sekretar, jo. Për t’u arratisur nuk iket ditën more sekretar ynë, natën e kemi boll…, Por me që një djalë kam dhe sot kam dasmën e tij, e ngaqë ju nuk më urdhëronit në dasëm … thashë të dhuroj ca duhan për shtetin dhe bëri sy nga çantat e tij plot me duhan, se letra nuk kisha dhe ja që ju tani jeni a s’po e martojmë djalin njëherë?”
Ai bëri nga orkestra e fshatit… Ata panë në sy njeri-tjetrin. Të ardhurit nga Rrethi bënë të njëjtin veprim. Pastaj një telegram në duart e më të Madhit dhe … kaq u desh. Daullja u duk sikur çau qiellin… Treshja ishte këputur. Sekretari i Partisë, Postieri dhe Kryetari ishin tamam për të mbushur BÇ-në e Kryetarit të Degës së Brendshme. Atë ditë dasma vazhdoi gjatë në shtëpinë e Dahollëve.
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: