Tuesday, 10 March 2009

A U NJËSUA GJUHA LETRARE SHQIPE PAS KONGRESIT TË DREJTSHKRIMIT TË VITIT 1972?


Sami ISLAMI

Nga ngjarjet më të mëdha në historinë e kulturës shqiptare, që patën karakter gjithkombëtar deri sot mund të veçohen tri: Kongresi i Manastirit të vitit 1908, kur u vendos alfabeti shqip për të gjithë shqiptarët,, Komisia Letrare Shqipe tetë vjet më vonë (filloi më 1 shtator të vitit 1916 dhe përfundoi me 22 maj të vitit 1918), si përpjekje e parë serioze për krijimin e një gjuhe standarde me bazë elbasanishten dhe Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe mbajtur në Tiranë më 1972, kur u vendos Drejtshkimi i gjuhës shqipe.
Ajo që u vendos në Kongresin e Manastirit qe hapi i parë për bashkimin e kombit tonë. Deri atëherë shkrimtarët shqiptarë shkruanin sa me alfabet grek, latin por edhe me alfabet turk. Por kongresi i rrafshoi këto kundërthënie brenda shqiptarëve përsa i takon alfabetit duke e bërë të mundur që shkrimet e shqiptarëve të lexoheshin nga të gjitha trevat ku jetonin ata. Në Kongres morën pjesë intelektualë nga të gjitha trojet e Shqipërisë, përveç intelektualëve nga arbëreshët e Italisë. Kongresi i Manastirit, që vjet shënoi edhe njëqind vjetori i tij, hapi edhe rrugë të reja drejt konsolidimit të kombit shqiptar në trojet e veta etnike.

Ngjarje tjetër me shumë rëndësi qe Komisia Letrare Shqipe e vitit 1916 kur me propozimin e Luigj Gurakuqit dhe me miratimin e ë gjithë të pranishmëve elbasanishtja do te vendosej si dialekt bazë për formimin e gjuhës letrare gjithëkombëtare. Kjo për arsye se si për nga karakteristikat e përgjithshme gjuhësore, si edhe për nga ana gjeografike, elbasanishtja ishte mu ne kufi të gegërishtes dhe të toskërishtes. Këtu të dy dialektet e mëdha të gjuhës sonë përbënin një model shumë të pranueshëm për të gjithë shqiptarët. Kjo edhe u deshmua se ishte e folmja e cila do t’i bashkonte këto dy dialekte. Këtë mendim kishte Xhuvani, Çabeji etj. Kjo gjuhë standarde për të gjithë shqiptarët u zbatua në Shqipërinë etnike deri me vitin 1946, pra 30 vjet ekzistencë, kurse në Kosovë dhe në trojet e tjera jashtë Shqipërisë më shumë se 5 dekada, gjatë së cilës kohë nguli rrënjë të thella në më shumë se gjysmën e Shqipërisë.

Hapi tjetër që, në parim do të duhej të ishte kurora e bashkimit të kombit, qe Kongresi i Drejtshkrimit i mbajtur, siç dihet, këtu e 37 vite më parë në Tiranë, pra më 1972. Këtu u mblodhën gjuhëtarë nga të gjitha trojet shqiptare: nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, nga arbëreshet e Italisë etj. Dhe ky Kongres u quajt KONGRESI I DREJTSHKRIMIT, që , në fakt do të duhej të ishte ngjarje që do të çonte më tej procesin e integrimit shpirtëror në drejtim të bashkimit kombëtar, edhe pse territorialisht të ndarë më shumë se çdo popull tjetër në botë, e mos të flasim për Evropë.
Por Kongresi i 72-ës a e përmbushi misionin e pritur?
Po të shikohet detalisht do të thoshim se jo, pasi që, sipas mendimit tonë, shumë më dobipruese do të kishte qenë, sikur që elbasanishtja të mbetej bosht i gjuhës letrare, ashtu sikur kishte qenë për më tepër se 30 vjet. Dhe ky Kongres vetëm ta forconte këtë vijë. Fundja, elbasanishtja kishte bërë një përvojë bukur të gjatë në përdorimin e saj në të gjitha sferat e kulturës së shqiptareve, si brenda Shqipërisë, (lexo: prej vitit 1916 -18 e deri me 1946 )dhe shqiptarëve në Kosovë dhe në trevat e tjera jashtë Shqipërisë etnike.
Po momenti që ia ndërroi kahjen e lumit, nuk ishte viti 1972. Ishte viti 1946 kur në Shqipëri filloi arbitrarisht të zbatohej dialekti toskë. Pse ndodhi kjo më mirë e dinë “gjuhëtarët” komunist të regjimit të Enver Hoxhës, të cilët posa e moren pushtetin e ndërruan edhe gjuhën, pra në vend të elbasanishtes e vunë toskërishten. Pse ky ndërrim radikal? A u pyt ndokush nga 70 ose 80 përqindëshi i shqiptarëve të tjerë që jetonin në pjesën veriore të Shqipërisë, a i pyti dhe a i konsulltoi ndokush shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi apo të Italisë? Kujt i pengoi elbasanishtja, e cila kishte elemente të të dy dialekteve, më shumë se çfarëdoqoftë dialekti tjetër që do të ishte më e përshtatshme për një zhvillim më të shpejtë të një gjuhe të përbashkët letrare gjithëkombëtare?
Përgjegje s’ka.
Në Kongresin e 72-ës morën pjesë punëtorë shkencorë, gjuhëtarë, akademikë nga të gjitha trojet shqiptare. Dhe kjo ishte shumë mirë e menduar nga organizatoret e Kongresit, se çfarëdo qoftë vendimi që do të merrej, ata do të thoshin se ky vendim ishte marrë nga të gjithë, edhe pse ata që shkuan nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare jashtë Shqipërisë etnike nuk mundën të bënin gjë, apo nuk deshën të bënin gjë, së paku për ta arsyetuar qëllimin se për çfarë edhe kishin shkuar atje.
Pse shkuan ateherë delegatët nga Kosova, Mali I Zi apo nga Maqedonia?

Unë them se këta përfaqësues të gjysmës së kombit, sidomos ata nga Kosova nuk bënë asgjë. Shkuan atje, e panë Tiranën, qëndruan dhe u kthyen si kofini pas të vjelit. “Gjuhëtarët” kosovarë nuk e mbrojtën (apo nuk patën fuqi për ta mbrojtur) madje as faktin kur Kongresi e hodhi poshtë paskajoren gege “me punue” si “të pa vlerë”. Dhe kur u kthyen zotërinjë në Universitetin e Prishtinës dhe kudo në Kosovë, tani duke treguar servilitetin e tyre ndaj organizatorëve të Kongresit dhe duke dashur ta arsyetonin mospunën e tyre, të cilët shkuan “si muça pas daisë”, si thotë një fjalë popullore, filluan të na “bindin” neve studentëve se paskajorja gege nuk “kishte qenë” e nevojshme të qëndronte në gjuhën e njësuar letrare.E si mund të shpjegohet kjo “perlë” që dilte, madje, nga goja e gjuhëtarëve tanë, profesorëve tanë të nderuar? Kjo tingëllon, pikërisht, sikur t’i thuash një njeriu unë po ta prej këtë krah, por mos u mërzit se do ta ngjes një tjeter që do të funksionojë shumë mire, se ai krahu yt ishte i panevojshëm!

Dhe vendimet e Kongresit qenë ato që qenë. I dimë të gjithë. Në Kongres u vendos “unanimisht”, siç merreshin gjithnjë vendimet në sistemet totalitare, që dialekti toskë të ishte bazë e gjuhës letrare me disa “plotësime” nga sfera e leksikut marrë nga dialekti gegë. Diçka sa për ta kriposur! Në rregull edhe unë pajtohem dhe nuk kam asgjë kundër dialektit toskë, bile e dua dhe çmoj shumë. Po pyetja është se a u organizua Kongresi ta bashkonte vërtetë popullin shqiptar, qoftë bile në aspektin shpirtëror dhe kulturor apo t andante atë?
Vendimet e Kongresit u panë qartë se nuk qenë në favor të bashkimit. Mbeti një vrragë në kulturën shqiptare për gati tri dekada. Dhe gjatë kësaj perudhe, çështja e gjuhës mbet, si të thuash, temë tabu. Në Shqipëri nuk guxonte më askush të kundërshtonte, në Kosovë, sado që u përqafua më tepër si përgjegje ndaj pushtetit serb, se shqiptarët, edhpse të ndarë ishin një. Kurse realiteti i ri gjuhësor në gjysmën e Shqipërisë etnike, në Ksovë e diasporë, në realitet, ishte kafshatë që nuk po kapërdihej lehtë. Kjo klimë vazhdoi deri në vitet ’90. Fill pas “demokratizimt” të Shqipërisë kjo temë, madje u bë një prej çështjeve më të debatuara për kohën. Mund të thuhet lirisht se, gjuha filloi me të madhe të bëhej subjekt fërkimesh dhe trajtimesh që nga shtresat më të ulta e deri në instancat më të larta shkencore. Këto probleme dolën në pah sidomos nga disa intelektualë të përndjekur nga regjimi komunist si Martin Camaj, Sami Repishti e ndonjë tjetër.
Nejse.
Në atë kohë në Kosovë, të ballafaquar me situatën tepër të rëndë poliktike, siç thamë më lart, por edhe kudo tjetër ku kishte shqiptarë në ish –Jugosllavi, shqiptarët e Kosovës e pranuam gjuhën letrare të re ashtu siç edhe iu servua. Më kujtohet bile që, jo vetëm studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme, por edhe i madh e i vogël ia nisën tash të mësonim gjuhën letrare, a standarde a…quaje si të duash se fundja as Kongresi nuk e kishte të qartë se çfarë ishte; a ishte Kongres i Drejtshkrimit, Kongres i Gjuhës së Njësuar, apo Kongres i Standardit? Në këtë pyetje mund të përgjigjen sot zotërinjë si nga Tirana ashtu edhe nga Prishtina. Kurrë muk është vonë.
Megjithatë, kudo në veri pra edhe në Kosovë me të madhe gjuha letrare (ta quajmë kështu) filloi të MËSOHEJ (tani ky versioni i ri), në jug, pra edhe ne Tiranë, vazhdonte të FLITEJ. Hajde tash barazohu, nëse mundesh, me vëllazërit toskë, të cilët den baba den e kanë folur atë gjuhë (lexo: dialekt).
Shpesh më ka rënë të bisedoj me intelektualë nga Kosova, poashtu edhe nga Shqipëria lidhur me këtë temë. Pse ndodhi kështu dhe a ka mundësi që gjuhëtarët të ulen edhe një herë e ta debatojnë këtë çështje më nivel kombëtar (të ftohet njëfarë lloj kongresi). Fatëkeqësisht, me sa po vërej, një gatishmëri e tillë është shumë e vogël. Fundja gjuhën e njësuar letrare nuk arritëm ta mësojmë ashtu siç duhet ( lexo: ta flasim ) , as studentët e Univeritetit të Prishtinës (lexo: studentët e gjuhës shqipe), po as professorët e mi të nderuar. Kur i dëgjon ata se si përpiqen ta flasin gjuhën e njësuar (disa sish) edhe të bëjnë për të qeshur.
Unë isha njëri nga studentët e shumtë të asaj kohe që e përjetuam këtë ndyshim në sferën e gjuhës. Që nga ajo kohë unë jam marrë vazhdimisht me gjuhën, kam qenë mësimdhënës i gjuhës shqipe dhe jam edhe sot. Thuaja gjithë karrierën time ia kam kushtuar gjuhës, por ajo që më ka preokupuar mua dhe besoj se edhe të tjerët është, se një gegë kur e flet gjuhën letrare, ai në të njëjtën kohë edhe duhet të mendojë se çfarë po thotë dhe si po e thotë, kurse ai i jugut jo. Ai e ka mendjen vetëm te tema se ai nuk di të flet ndryshe, pra nuk ka mundësi të gabojë në theks a në ndonjë çështje tjetër gramatikore, sepse ka lindur, është edukuar në atë ambient gjuhësor. Imagjinojeni për një çast, jo një njeri të thjeshtë, por një akademik nga Gjirokastra p.sh. të dali në TV e të flasë nja disa minuta në elbasanishte apo në dialektin e veriut. Çka mendoni se do të ndodhte? Cirkus!
Tani gjendja e gjuhës letrare a e Standardit është kjo që është. Por çështja është sot se a jemi të gatshëm ta shtrojmë edhe një herë çështjen e gjuhës në nivel kombëtar apo jo? Ose më mirë të themi a jemi të gatshëm t’i afrojmë këto divergjenca në kohën kur tani pas pavarësisë së Kosovës gjasat për një bashkim kombëtar janë edhe më të mëdha se kurdo herë më parë? A është duke u shkuar në mendje gjuhëtarëve se, krahas zhvillimit ekonomik dhe politik edhe gjuha do të luante rolin e saj pozitiv? Nëse mungon ky vullnet i ndërsjellë druaj se nuk do të shkojë shumë kohë dhe do të krijohet edhe një gjuhë letrare brenda trungut shqiptar, do të krijohet gjuha letrare gege, ajo që ishte deri me vitin 1968. E përgjegjësia për këtë atëherë ku do të bie? E ku tjetër pos në Akademinë e Shkencave të Tiranës dhe të Prishtinës, të cilët si duket janë duke pritur të ndodh një gërdec kulturor për t’u aktivizuar!



Fjala e Lire - Free Speech

No comments: