Sunday, 29 March 2009

Universiteti i Elbasanit vendos lidhje me kolegjin “Thomas Hunter” në New York

Kaption:Rektori Liman Varoshi, gjatë intervistës në redaksinë e gazetës “Illyria”

Intervistë me rektorin e Universitetit ”Aleksandër Xhuvani” Prof. Asoc. Liman Varoshi, i cili vizitoi redaksinë e gazetës “Illyria”

Nga Dalip Greca


Prof. Liman Varoshi është rektor i Universitetit të Elbasanit. Ai erdhi në këtë post pas zgjedhjeve konkuruse të vitit 2008.Është një ndër historianët e njohur të vendit, i specializuar për historinë e Ballkanit. Ka dhënë leksione edhe në univesitetet e shteteve të tjera të Ballkanit, përfshi Universitetin e Prishtinës dhe atë Tetovës. Prof. Varoshi ka ardhur për një vizitë punë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke synuar një binjakëzim të Universitetit të Elbasanit me Kolegjin “Thomas Hunter ” në New York. Universiteti i Elbasanit sjell një përvojë interesante, sidomos në fushën e mësuesisë. Ai vjen si vazhdimësi e Institutit të Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani”, i cili qe themeluar në vitin 1971. Instituti i Lartë Pedagogjik kishte si fillim këto degë: mësuesi për gjuhë dhe letërsi shqipe, për matematikë e fizikë, histori e gjeografi, biologji e kimi. Me vendim të Këshillit të Ministrave, Nr. 44, më 12 nëntor 1991, Institutit të Lartë Pedagogjik iu dha Statusi i Universitetit. Sot Universiteti ka një trupë mësimore prej 200 pedagogësh dhe frekuentohet prej rreth 15 mijë studentësh.
Prof. Varoshi tha për Illyria-n se ky universitet i ka rrënjët e përvojës 100 vite të shkuara tek ish Normalja e parë shqipe, që u çel më 1909. Le të ndjekim intervistën për më shumë informacion:
Prof. Varoshi, a mund të sillni për lexuesit e Illyria-s një informacion rreth historikut të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit”?
- Faleminderit për mudësinë që më jep Illyria, që të informoj bashkatdhetarët. Universiteti “Alkesandër Xhuvani” e ka marrë statusin në vitin 1991. Ai është vazhdimësi e ish Institutit të Lartë Pedagogjik, që funksiononte në Elbasan që nga viti 1971 dhe kishte status kombëtar. Në të vërtetë, historia e trashëguar e Universitetit të Elbasanit duhet kërkuar që 100 vite të shkuara, tek e famshmja shkollë Normale, kontributi i së cilës është i njohur jo vetëm për Elbasanin, por edhe për Shqipërinë, madje edhe për Kosovën, po të kemi parasysh inisiativën e mësuesve dhe studentëve të kësaj shkolle, të cilët me inisiativë në vitet e Luftës së Dytë Botërore shkuan dhe hapën shkolla shqipe në Kosovë. Normalja e Elbasanit i pat hapur dyert e saj që në vitin 1909, ajo pra luajti rolin jo vetëm të një shkolle që përgatiste mësues, por ishte më shumë se kaq, ishte një universitet, ishte një akademi për Shqipërinë, që i mungonin institucione të tilla.Universiteti i sotëm i Elbasanit përbën një institucion me autoritet shkencor, që padyshim mbart edhe vlerat e trashëguara gjatë një shekulli të traditës pedgogjike të Elbasanit.
Linja historike e krijimit të Universitetit të Elbasanit, përkon me shumë përvoja botërore, ku një vatër, si shkolla Normale, ka çuar deri tek universiteti. Kjo përvojë është evidente në shumë shtete të Evropës Perëndimore, por edhe në Shtetet e Bashkuara. Veçanërisht kjo linjë përkon me Universitetet që përgatisin mësues.

Nga cilët fakultete dhe departamente përbëhet Universiteti “Aleksandër Xhuvani”?

Universiteti ynë ka këto fakultete: shkencat e edukimit, shkencat humane, shkencat e natyrës dhe fakultetin ekonomik. Departamentet janë: matematikë, metodologji mësimore, histori dhe gjeografi, sdminsitrim biznesi, biologji dhe kimi, departamenti i fizikës, departamenti i infermerisë, gjuhësia, letërsi dhe gazetaria, departamenti i gjuhës së huaj dhe departamenti i edukimit qytetar.

Për informacion, sa studentë ndjekin studimet në Universitetin e Elbasanit dhe çfarë përmasash ka trupa mësimore?

Fluksi i kërkesave për të vazhduar studimet në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” njeh rritje të vazhdushme. Për momentin që flasim, në të tre sistemet e studimit, në Universitetin e Elbasanit, ndjekin studimet rreth 15 mijë studentë, duke u renditur në vendin e dytë në shkallë Republike, pas Universitetit të Tiranës. Ndërsa trupa mësimore përfshinë rreth 200 pedagogë.

Prof. Varoshi, ju erdhët në krye të Universitetit përmes një konkurimi platformash e vlerash dhe fituat bindshëm me mbi 70 për qind përballë dy konkurentëve të tjerë. Çfarë përparsishë kishte platforma juaj dhe cili është fati i saj një vit pas fitores tuaj?
Pika të forta të platformës së ekipit që kryesoj i sigurojnë universitetit cilësi institucionale dhe standarde bashkëkohore. Mandati ynë po udhëhiqet nga ajo platformë të cilën po e respektojmë. Ne e kemi cilësuar katërvjeçarin tonë si mandat i arritjes të standardeve. Jemi udhëhequr nga filozofia që më parë ta sigurojmë cilësinë e pastaj të kërkojmë që të na e vlerësojnë të tjerët. Në platformën tonë ne synojmë që përmes reformimeve dhe standarteve të sigurojmë atë ç’ka pret shoqëria shqiptare nga shkollat e larta në kushtet e shekullit 21. Kemi krijuar standarde në fushën e vlerësimit, çka buron edhe nga platforma jonë me të cilën konkuruam gjatë zgjedhjeve.
Si duhet kuptuar standardi në vlerësim?
Standarti në vlerësim është jetik në institucionet universitare se ai jo vetëm mundëson transparencën në vlerësimin e studentëve, por mbi të gjitha mundëson objektivitetin në vlerësim. Studentët kur binden se vlerësimi është objektiv, bëhen më të motivuar për të studiuar. Vlerësimi fillon që me frekuentimin fizik të studentit në leksione e seminare, pjesëmarrja në projekte, hartimi i eseve, pjesëmarrja dhe shlyrja e punëve në laborator apo ushtrime etj. Kur studenti shkon në ballafaqimin final, në provime, ai është i ndërgjegjshëm se ka deri në atë çast edhe vlerësimet që ka merituar gjatë procesit mësimor semestral ose vjetor. Pra provimi nuk trajtohet më si më parë, kur ishte elementi i vetëm vlerësues për studentët.
Po në lidhje me trupën e profesoratit, a aplikohen standarde në Universitetin e Elbasanit?
Pa dyshim që edhe në këtë drejtim ne kemi luftuar për standarde. Thithja e profesoratit bëhet përmes një konkurimi rigoroz; nuk vlen vetëm CV, krahas saj kandidati për pedagog i nënshtrohet edhe një interviste të drejtëpërdrejtë.
Hapa që çojnë në ekuvalimin me universitetet perëndimore janë hedhur edhe në pasurimin e elementëve të CV, të cilët realisht duhet të konfirmojnë integritetin moral, qytetar, intelektual dhe profesional të kandidatit. Më pas vjen intervista, e cila ballafaqon kandidatin me vlerat që mbart. Një juri me përfaqësues edhe nga rektorati, pasi e interviston kandidatin vendos nëse ai është i përshtatshëm apo jo.
Nëse do të kërkonim shifra, cila është gjendja e trupës mësimore në Universitetin”Aleksandër Xhuvani”?
Për vitin akademik 2008-2009, ne kemi punësuar 18 pedagogë të rinj, të cilët janë përzgjedhur sipas standardit që ju përshkrova. Krahas doktorëve dhe profesorëve të asociuar, që ne i përfshijmë në radhët e trupës mësimore, nuk u mor asnjë i ri që nuk kishte mbaruar master. Në trupën mësimore të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, nga momenti që unë jam në postin e rektorit, janë tërhequr 14 doktorë shkencash, që sapo i kanë fituar gradat shkencore.
Universiteti i Elbasanit ka kualitete, me të cilat krenohet. Kështu, për shembull, do të përmendja fushën e didaktikës, traditën, ku vihet re një kombinim i natyrshëm moshor, kemi pedagogë të brezit të vjetër, të mesëm dhe të rinj. Është një harmonizim i natyrshëm, që Elbasanit ia ka falë përvoja e vet 100 vjeçare pedagogjike.

Çfarë përvoje jep Universiteti i Elbasanit në fushën e infrastrukturës?
Ka një infrastrukturë bashkëkohore, funksionale e tepër koherente që e veçon atë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajonin ballkanik. Invetsimet kanë njohur vazhdimësi. Universiteti ka thithë fonde sepse ka qenë përherë i gatshëm për të hartuar projekte bashkëkohore, tepër të argumentuara. Pra, të kuptohemi, jo se jemi privilegjuar nga shteti, por kemi qenë të zot që projektet t’i hartojmë funksionalë dhe bashkëkohorë. Kemi konkuruar të tjerët me projekte dhe fakti që kemi marrë suport financiar, tregon se projektet kanë qenë të studiuara mirë. Sot infrastruktura e Universitetit të Elbasanit ofron një përvojë origjinale. Më 14 mars, qeveria shqiptare na ka akorduar fonde për të ndërtuar një bibliotekë dixhitale, në të cilën ne synojmë që me sistemin dixhital të librave dhe literaturës për mësuesinë të fitojmë statusin e një biblioteke kombëtare për mësuesinë. Biblioteka dixhitale do t’i paraprijë një projekti ambicioz, por real, të kthimit të Universitetit të Elbasanit në një qendër kombëtare të trajnimit të mësuesve në funksion.Po ashtu ne morëm fonde për ndërtimin e një korpusi universitar në zonën e Krastës, ku do të ndërtojmë një korpus qendror atje. Fillimisht do të ndërtohet një godinë që do të shërbejë për një fakultet, një godinë për fjetore dhe një qendër kreatimi. Synojmë që në perspektivë për të ardhmen të dërgojmë atje dhe fakultete të tjerë, pasi numri i fakulteteve në universitetin tonë do të zgjerohet në të ardhmen.
Si janë marrëdhëniet e universitetit tuaj me ato rajonalë dhe europianë?
E kemi pasë si një ndër pikat e platformës tonë për ta integruar universitetin në rajon dhe kontinent, madje duke synuar dhe daljen jashtë kontinentit. Konkretisht po punojmë për një lidhje të mundshme në SHBA. Jemi përpjekur të lidhemi me ato universitete që i përshtaten natyrës së universitetit tonë. Në rajon jemi të lidhur me universitete si ai i Tetovës, Prishtinës, Tiranës etj. Kujdes kemi treguar për të siguruar lidhje dhe kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me universitetin e Barit të Italisë, e Bolonjës, me Universitetin e Leçes, jemi në lidhje për të nëshkruar marrëveshje me Universitetin e Bochumit në Gjermani, kemi shkuar atje me ekip, presim të vijë ekipi gjerman në Elbasan dhe në prani të rektoratit të nënshkruhet marrëveshja. Jemi në pritje për të nënshkruar një marrëveshje me Universitetin e Potje-s në Francë, si dhe synojmë një afrim të shpejtë me Universitetin e Vjenës, është fjala për t’i rifreskuar marrëdhëniet që kemi patur. Jemi gati për një marrëveshje bilaterale me interes reciprok me fakultetin e edukimit të Kolegjit Thomas Hanter në New York (Thomas Hunter College).
Pra vizita juaj synon që t’i paraprijë një marrëveshjeje bilaterale mes Universitetit tuaj dhe Kolegjit Tomas Hunter?
Po unë jam në këtë vizitë për këtë qëllim. Isha në mjediset e kolegjit dhe mbeta i habitur. Të hënën me 23 mars pata dhe një takim zyrtar me dekanin e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Dr. David Steiner. Biseda u përqëndrua pikërisht në ato fusha ku bashkëpunimi do të ketë interes të ndërsjellë. Me dr. Steiner biseduam lirshëm për fushat e bashkëpunimit. Unë e informova atë dhe ekipin e tij se çfarë përvoje kemi në Elbasan, sidomos në fushën e mësuesisë. Përmes një materiali filmik, CD, përgatitur nga studentët tanë, unë iu prezantova atyre Universitetin e Elbasanit përmes një tabloje të plotë. Më pas u bë një ekspoze e Fakultetit të edukimit të Kolegjit amerikan. Biseda më pas u përqëndrua në pikat e mundshme të bashkëpunimit. Mësova edhe për lidhjet e kolegjit me pushtetin lokal. Pas diskutimeve u arrit në një marrëveshje konkrete në fusha të caktuara, duke arritur deri edhe në dhënien e diplomave të përbashkëta, që do të mbajnë vulën edhe të Universitetit të Elbasanit edhe të Hunter-it, për dy ose tre programe të përbashkëta. Psikologjikisht, përfitimi i Universitetit të Elbasanit nga kjo marrëveshje është shumëplanësh edhe për faktin se i bën studentët tanë shumë të interesuar. Nga ana tjetër, Universiteti ynë i ka potencialet intelektuale dhe infrastrukturore, për të përballuar 2 ose 3 programe të përbashkëta, veçanërisht në Fakultetin e Shkencave Humane dhe në Fakutetin e Shkencave të Natyrës.
Sa ekuvalente janë diplomat e Universitetit të Elbasanit me ato të Evropës dhe të Amerikës? Një student i diplomuar tek ju, si do të pritej në Perëndim?
Këtu po synojmë, të prodhojmë diploma që i mirëpret tregu lokal dhe ai global i punës dhe i jetës së përditshme. Tek tregu lokal kemi arritur tregues pozitiv: mbi 50 për qind e diplomave që kemi lëshuar është e zënë me punë. Këtu veçojmë ekonomistët, mësuesit dhe gazetarët. E ndjejmë se kemi shumë rrugë për të bërë, por pozitiv është fakti që po ecim asaj rruge.

No comments: