Thursday, 2 April 2009

C'është dashuria?



Astrit Lulushi

Pyetje e vështirë. Për disa, dashuria është miqësi - si dy drunj, një-mbi-një që digjen në vatër. Për të tjerë dashuria ështe si fati, duhet udhëtuar larg që t’a takosh. Por sido që të perkufizohet, dashuria është e vërteta e vetme, pa alternativë. Njeriu dashuron ose jo. Dashuria është e duruar e sjellshme. Ajo as fryhet e as mburret. Të keqen e anashkalon, gjithmonë duke kërkuar në thellësi që s’mund të matet. Dashuria edhe krijohet. Shiko tek tjetri për anët e mira. Nëse kjo bëhet lehtë, edhe dashuria gjendet lehtësisht. Dashuria është e larmishme; ajo romantike është e thellë, e ngjeshur e pa fund, me intimen, ndërpersonalen e sensualen. Edhe dashuria që quhet platonike ështe njësoj e fortë, ndoshta më e ndërlikuar, por vetëm në ndjenja, me dëshira të pashpresa për t’u realizuar.
Ndonjëherë dashuria vihet në dyshim. Disa thonë se ajo është e rreme, pakuptim a nuk ekziston; sa urrejtje janë ndezur e tradhëti jane kryer në emër të dashurisë?, pyesin ata. Dhe kjo ngre pyetje të tjera ; a është dashuria përgjegjëse për të gjitha këto, apo janë njerëzit, që kanë harruar kuptimin e saj?
Dashuria gjithmone ka mbizotëruar në art; muzikë, poezi, pikturë, skultpurë e letërsi. Edhe psikolgjia e ka zbërthyer thelbin e saj sic ka bërë biologia, antropologjia e neuroshkenca. Psikologjia thotë se fenomeni i dashurisë – intimja, zotimi, pasioni - është shkak shoqëror. Ndërsa filozofia pajtohet me fenë kur thotë se dashuria është shkalla më e lartë e tolerancës. Por dashuria ndoshta është thjesht përputhje, që e bën të niset në udhëtim drejt së panjohurës, sepse personi pranë a përballë, mund të jetë më pak i afërt a i përshtatshëm me atë që ndodhet mijëra kilometra larg. Duaji të gjithë, besoi disave dhe mos i bë keq askujt, thotë Shekspiri.

No comments: