Sunday, 5 April 2009

Ekrem Kryeziu si shkas për dallimin mes kronologjisë dhe shkaqeve



Fatmir Terziu

Në fushën e filmit shqiptar, prej kohësh është ndeshur edhe një pyetje që ka krijuar debate të ndryshme në krijimtarinë filmografike. Më së shumti të asaj që u krijua në Kosovë, në kohën e të qenit nën Jugosllavi. Është fjala për filmat e “Kosova Film”, por në fakt edhe për vetë pyetjen që vjen nga ky debat se “çfarë e bën të treguarën të ketë nominancën e duhur të kuptimit në një medium viziv”. Më saktë çfarë duhet kuptuar nga ajo që Maltby thekson se “Një definicion minimal i një të treguare (skenari) kërkon që skenari i bazuar në këtë të treguar të ketë një fillim dhe një fund, për të regjistruar ndryshimet me kalimin e kohës”. (Maltby; 1995:325). Por dihet në fakt se në kundërshtim me urtësinë popullore, çdo foto nuk tregon histori. Përkundrazi, çdo figurë, ose të paktën çdo fotografi e qëndrueshme, ka nevojë për një histori që të jetë ndërtuar rreth fotos apo imazhit, që ta vendosë atë në kontekstin e duhur temporal dhe për të siguruar atë me një “para dhe pas të njohure”, një tregim në të cilin ajo, pra fotoja është një moment i rëndësishëm. Kjo mund të argumentohet se kur një filmstrip është projektuar, pra në mënyrë që përkimi i fotove të krijojë iluzionin e lëvizjes, ndryshimi me kalimin e kohës bëhet i qartë dhe minimalja në përkufizimin “para-dhe-pas” të të treguarit është përmbushur. Por, nëse kjo argumentohet për krijimtari filmike që janë krijuar në një “liri amorfe”, për filmat e krijuar nën “Kosova Film”, natyrshëm kanë arsyen të quhen sukses përpos mjeshtërisë së regjisorëve, skenaristëve dhe gjithë realizuesve të tyre. Kur vëmë theksin në këtë meritë, natyrshëm lidhja imazh-skenar, pra ‘të treguarit’ që Maltby sqaron, i anon si meritë më tepër se kujtdo atyrë që mbajtën peshë filmin shqiptar në një kohë të vështirë në Kosovë. Një nga figurat më në zë të cilës i takojnë natyrshëm shumë merita është edhe Ekrem Kryeziu. Është një figurë e tillë, pasi në tërë filmat e shumtë që ai ka realizuar në kuadrin e “Kosova Film”, pyetja e lindur në një debat të lartcituar, “çfarë e bën të treguarën të ketë nominancën e duhur të kuptimit në një medium viziv” gjen përgjigje të vendosur dhe tepër të saktë. Ajo e gjen këtë pasi mjeshtëria e Kryeziut e ka konvetuar atë në një filozofi metaforash. Vetë Kryeziu sqaron për një nga filmat e tij, sidomos për filmin "Kur pranvera vonohet", ku thekson se ky film “ishte (resh) ngjeshur me metafora, duke nisur nga ato të thjeshtat, e deri te metaforat sinestezike, të pakapshme për kokat e politikanëve serbë të asaj kohe. Kryeroli i filmit, Betim Kosova, interpretim i qëlluar i aktorit Hadi Shehu, në një skenë thotë: "Pranvera edhe mund të vonohet por, nuk mund të mos vijë." Në film ka nocione alegorike, si në planin e dialogut, edhe në zbërthimin regjisorial të premisave estetike dhe socio-filozofike, të bollshme në skenarin e Azem dhe Ymer Shkrelit. Këtë gjuhë ezopike e kam zhvilluar edhe në zbërthimin vizual të ideve në nëntekstin e skenarit. Personazhet e vrarë nuk treten në harresë, ato janë përcjellëse të të gjallëve. Këtë gjuhë te "Kur pranvera vonohet", që ishte risi regjisoriale, së paku në filmin e asaj kohe, e gjen edhe në disa drama "Lulëkuqet", "Komploti Ilir", "Kodi Shqiptar" (Kryeziu; “Shekulli” online). Duke kuptuar këtë filozofi të Kryeziut, natyrshëm sjellim ndërmend edhe atë që kritiku akademik Edëard Branigan shtjellon: “Një karakter i cili vepron, flet, vëren ose ka mendime tipike të vëna në gojën e tij nga skenaristi apo regjisori, nuk është rreptësisht duke treguar ose paraqitur ndonjë gjë për ne, për arsye se spektatorët, apo lexuesit, nuk janë charaktërë në atë botë. Karakteret ndoshta "tregojnë" ndodhinë për ne në një kuptim të gjerë, por vetëm përmes asaj "që jetojnë në" botën e tyre dhe të folurën e tyre në lidhje të tjera karakteresh. (Branigan, 1992:100).
Por shumica e analizave të narratives kërkojnë diçka tjetër lidhur me debatin rreth pyetjes në fjalë, diçka që e dallon narrativin nga lëvizja e thjeshtë e valëve të prishjes së ekuilibrit në kohë, në kinemanë tërheqëse që argëtoi shikuesit e Kosovës dhe atyre në Shqipëri, me faza dhe emocione që sot ndoshta nuk janë të barazvlershme. Për romancierin E. M. Fortster, vendimtar është në këtë pikë dallimi midis kronologjisë dhe shkaqeve. Sipas Forster deklarimi, "mbreti vdiq dhe pastaj mbretëresha mbeti vdekur", nuk është një tregim, por "mbreti vdiq dhe pastaj mbretëresha vdiq nga hidhërimi" natyrshëm që është narative. Shprehja e shkakut kërkon një pozitë të njohurive jashtë përshkrimit të ngjarjeve: folësi i fjalisë së dytë në shembullin e mësipërm, duhet të di mirë marrëdhëniet në mes të dy ngjarjeve. Kështu edhe me lexuesit e intervistës së Profesorit Kryeziu, po aq edhe me debatuesit e pyetjes në fjalë dhe ‘dyshimit’ për ‘Kosova Film’.
Por komentet që u ngjallën në këtë drejtim natyrshëm janë larg arsyes së dallimit midis kronologjisë dhe shkaqeve. Kryeziu, për më së shumti i burgosur nga rregjimi i Miloshevicit, në një gjyq fars të tij, duket se është një themel i artë në kulturën e filmit shqiptar në Kosovë. Ai është një kronometër logjik që mat deri në derivatin më të vogël tërë të shkuarën dhe rrugën e saj në brazda artistike. Kryeziu ishte ndër të parët që me filmin "Por" në festivalin e filmit televiziv të ish Jugosllavisë u vlerësua si regjisori më i mirë. Shpërblimet e tjera vetëm sa e vërtetojnë këtë. Ai dëshironte që vlerat shqiptare dhe ato filmografike t'i ngrejë në nivel evropian. Mjafton të shënojmë këtë shprehje të një lexuesi online: “Nuk dua ta mbroj dike qtë cilin e mbronë vepra e tij por duke folur ca fjalë për këtë "Mohikan të fundit" dua t'i përkujtoj artistët e rinj të mos harrojnë prej nga janë. Këto fjalë i tha edhe zotëri Kryeziu në intervisten e gjatë që e pati me krijuesin e mirënjohur dhe publicistin e devotshëm Haqif Mulliqi.”



Referenca/Bibliografi:

Branigan, E. (1992) Komprehensioni narrativ dhe filmi. London: Rotledge.
Maltby, R. (1995) Kinemaja e Hollyvudit. London: Blackëell.
Kryeziu, E. (2009) “Arti në Kosovë, as verë as ujë”. Intervistë në gazetën
“Shekulli” online. (Intervistoi: Elsa Demo, 2.03.2009).



Fjala e Lire - Free Speech

No comments: