Tuesday, 7 April 2009

“Kritika...” e Terziut




“Kritika ndryshe”, një vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare, është libri që u promovua pra disa kohësh në ambientet e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Pse kritika ndryshe?! Libri i autorit Fatmir Terziu i përgjigjet kësaj pyetjeje që në hyrje të tij. Konteksti i kësaj përgjigjeje është bashkëkohorja në kritikë dhe analizë të veprës letrare, bazuar në psikanalizë. Këtu qëndron edhe e veçanta e këtij libri studimor, ku përfshihen autorë shqiptarë në prozë dhe poezi e sipas promovuesve është pjesa e parë e këtij studimi, që premton një pikënisje në kritikën ndryshe.



Në vend të hyrjes...

Duke ndjekur prej vitesh krijimtarinë e Fatmir Terziut, në shumë fusha të medies dhe letrave kam krijuar një ide timen. Këtë ide e përforcova kur lexova në mënyrë të perceptueshme materialin e tij për botim dhe që tashmë është nën dritën e faktit të botuar me titullin domethënës “Kritika ndryshe - një vëzhgim në prozën dhe letërsinë shqiptare”. Pra, “Kritika ndryshe - një vëzhgim në prozën dhe letërsinë shqiptare” më bëri të jem edhe unë pjesë i saj, duke qenë redaktor i librit. Në këtë mënyrë, ky libër studimor dhe i veçantë i llojit të vet më bëri që të ulem e të shkruaj atë që ndjeva me kohë, atë që detyrohem në kohë për të sjellë në vëmendjen e lexuesit. Është një prurje që vjen në një kohë kur ndihet boshllëk për këtë lloj risie të re të kritikës në mbarë hapësirën shqiptare, është një studim-produkt i Terziut, si një lexues e studiues i kualifikuar perëndimor dhe një paraqitës i vlerave krijuese në prani të një numri të madh e të përzgjedhur krijuesish, që kanë për se të krenohen me arritjet dhe krijimet e tyre, pasi shpalosen me vëmendje bashkëkohore në këtë libër. Dihet tashmë se gjuha është mjeti me të cilin krijohet jo vetëm një vepër letrare, por edhe mënyra se si flet një studim. Dhe nëpërmjet asaj që është e njohur se gjuha e një studimi shkon drejt rrudhjes dhe përdorimit të shenjave apo fjalëve që simbolizojnë studimin, libri “Kritika ndryshe - një vëzhgim në prozën dhe letërsinë shqiptare” shihet si një paraqitje ndryshe në formë e në përmbajtje. E gjitha çka përfshihet te ky libër është një analizë e mirëfilltë bashkëkohore, është një komunikim pikasjesh pozitive te mjaft autorë, që kanë krijuar në vite dhe krijojnë sot. Mes kësaj pikasjeje është edhe ajo që vjen për herë të parë tek lexuesi nga kërkimet shkencore të autorit nëpër bibliotekat britanike dhe arkivave të tjera universitare. Një element ky shumë i ndjeshëm dhe i rëndësishëm që shihet në tërë prezencën e librit. Autori sqaron që në fillim hapësirën rreth së cilës ai kushtëzon tërë kritikën e tij ndryshe, rreth prozës dhe poezisë shqiptare. Duke parë krijimtarinë e shkrimtarëve me emër në letërsinë shqiptare dhe duke inkurajuar emra që premtojnë për të ardhmen e tyre, Terziu, krijon hapësira të larmishme për të parathënë më shumë sesa një rrugë e nisur krijuesish. Duke parë në brendësi kapitullin e parë të “Kritika ndryshe - një vëzhgim në prozën dhe letërsinë shqiptare”, kuptojmë se ajo që realizon autori është një gërmim i thellë në vlerë në krijimtarinë e mjaft penave shqiptare. Kështu, autori nuk paramendon askënd, as nuk qëmton ndonjë krijimtari, por vetëm i thotë lexuesit, studiuesit apo edhe akademikut se në këtë rrugë është paraqitja e ‘realitetit’, nëse ne do të lejoheshim të përdornim këtë fjalë në përdorimin efikas e të kohës për këtë lidhje. Autori këtë efikasitet e ka vënë në shërbim të asaj që Zejnullah Rrahmani thotë tek “Teoria e letërsisë”: “Kritikën letrare është pak a shumë më vështirë ta përcaktosh për shkak të natyrës së saj të gjerë dhe pranisë së subjektivizmit në të.”

Duke parë atë që poeti dhe krijuesi Kosta Qorosi ka shprehur për librin më të ri studimor të Terziut, “Kritika ndryshe- një vëzhgim në prozën dhe letërsinë shqiptare”, them se është një domosdoshmëri për t’u ndalur edhe te ndonjë hapësirë që është lënë pa dashje pathënë, ose në një farë mënyre është riskuar në paraqitjen e saj. Por natyrshëm çdo projekt ka të mirat dhe të metat e veta. Edhe ky projekt i studiuesit shqiptar Terziu është në këtë dilemë. E thënë me plot gojën, dhe kjo nga këndi i shikimit tim, duke shtuar edhe kualifikimet e mia të vazhdueshme në Britaninë e Madhe, them se “Kritika ndryshe, një vëzhgim në prozën dhe letërsinë shqiptare” rëndon më shumë nga ana pozitive e peshores, ku vlerat e këtij libri e bëjnë atë që të mënjanojë ndonjë të paarrirë apo edhe thjesht ndonjë përsëritje të panevojshme. Duhet shtuar këtu se rendja e autorit pas pozitives nuk i minimizon vlerat dhe nuk krijon ndonjë arsye për të thënë të kundërtën. “Kritika ndryshe - një vëzhgim në prozën dhe letërsinë shqiptare” vjen në kohën e tij dhe plotëson shumë duke folur qartë e bukur. Krijuesit e përfshirë dhe ata që do të përfshihen në vëllimin e dytë të autorit duhet të ndihen krenarë se nuk janë ‘ledhatuar’ apo ‘qortuar’, por vlerat e tyre që kanë krijuar janë shtruar në ‘sofrën letrare’ me penelin e bashkëkohores.
Në kapitullin e dytë të këtij studimi vëmendja i kushtohet prozës dhe natyrshëm aty zë vend edhe ajo që thuhet sot për të në tërë hapësirën e letrave. Kjo e bën librin më të shëndoshë në komunikim dhe ky komunikim e pasqyron me detaje vlerën e krijuesve të rreshtuar në libër. Parë në këndvështrimin serioz të Terziut, ky kapitull karakterizohet nga tërësia e elementeve që duhet të ketë një prozë, qoftë e shkurtër apo e gjatë në krijimtarinë shqiptare. Në kapitullin tjetër është një vëmendje e detajuar për poezinë, ku autori e kualifikon veten me zotësitë e tij profesionale në majën e kritikës shqiptare dhe në piedestalin e njohjes për të. Në këtë mënyrë libri plotëson kuadraturën e vet dhe struktura e tij është sa e larmishme aq edhe interesante, tepër e dobishme për studimin e krijimtarisë shqiptare.
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: