Saturday, 30 May 2009

NË TREN



Tregim nga: ILIAZ BOBAJ

-Ka mundësi të ulem edhe unë këtu,zonjushë?
-Uluni,zonjë ! Siç e shihni,vendi është bosh !
Gruaja,aty afër të gjashtëdhjetave,e veshur më tepër me seriozitet sesa me sqimë,u ul në krah të vajzës së re.Fillimisht vuri çantën mbi tryezën e vogël të kabinës së trenit,mandej u rehatua sa mundi më mirë.I hodhi një vështrim të kujdesshëm vajzës së re,që rrinte e lirshme në krah të saj. Ajo ishte veshur më tepër sportive sesa me seriozitet.
-Se si janë këto të rejat e sotme,mendoi me vete.-Sa venë e mbulojnë gjithnjë e më pak nga pjesët e trupit.Se si më duken,si shtëpi me mure të tejdukshme.Thonë se janë produkt i kohës.Mua më duket se më tepër është koha produkt i tyre.Po nejse... Ndenji disa minuta me vështrim tej dritares së kabinës.Para syve i kalonin parcelat e tokave të punuara, të cilat,sa herë i shikonte,i kujtonin vizatimet e ngjyrosura nga duart fëminore në vitet e shkollës dhe vilat e bukura,të ndërtuara vitet e fundit,që ngjanin si shtëpitë e kukullave në përrallat e vogëlushëve. Mesa duket,ra në mendime të thellë.Paspak e shkëputi vështrimin nga dritarja dhe iu drejtua vajzës së re:
-Nga të kemi,moj vajzë ?
-Nga Tirana,iu përgjigj tjetra,pa e hequr vështrimin nga dritarja e trenit.
-Jetoni familjarisht aty?
-Po.Jam e martuar.Ose më mirë bashkëjetoj me të dashurin tim.Po ju,ku shkoni ? e pyeti nusja e re.
-Shkoj tek im bir në Tiranë. Nusja e re i hodhi sytë për herë të parë në drejtim të saj.
-Se si janë gratë e kësaj moshe,tha me vete.-I mbulon një seriozitet gati qesharak.Në pamje,në veshje, në sjellje.Rrallë e tek sheh ndonjë buzëqeshje në fytyrat e tyre,të cilat më së shumti u rrinë të ngrysura, si strehët e çative të vjetra.Edhe veshjet e tyre bëhen përherë e më të mbyllura.Thua se kanë frikë nga ngjyrat.Ngjajnë si shtëpi me mure të errët,të mbuluara me kartoserë.Edhe pyetjet i kanë standarte,si të avokatëve... E shkëputi sërish vështrimin prej saj dhe e rihodhi në ekranin e dritares së trenit.Mesa duket u kënaq me ato që mendoi për gjashtëdhjetvjeçaren,pasi në fytyrë i fshihej një nënqeshje ironike,e mbuluar me njërjetë të hollë serioziteti të përmbajtur,të cilën,duke mos dashur ta linte të çelte,e shoi me kujdes.
-Besoj se ishit tek prindërit për t'i parë,e nisi përsëri bisedën gjashtëdhjetvjeçarja.
-Jo,jo ! Nga prindërit kam vetëm nënën.Banon në Korçë.Isha në Vlorë për biznes.Jam shumë e zënë me punë dhe rrallë i bëj vetes lëshime të tilla komode.
-Nuk e besoj se është lëshim komod t'i rezervosh vetes kohë për të parë nënën tënde,u hodh në sulm gjashtëdhjetvjeçarja,duke menduar se i gjeti një pikë të dobët nuses së re. Dhe,duke e sulmuar tek kjo pikë e dobët,të cilën sapo ia zbuloi,jo vetëm që do të fitonte përparësi në bisedë,por edhe do ta detyronte tjetrën t'i përvishej më me kujdes dhe më me seriozitet bisedës,duke u kushtuar edhe më tepër vëmendje pyetjeve të saj dhe asaj vetë.Mjaft i kishte mbajtur sytë tej dritares së trenit dhe vështrimin indiferent,si ato vajzat fodulle ndaj ngacmimeve të kalimtarëve. Dhe vërtet,nusja e re u bë më e vëmendshme ndaj pyetjeve të saj.Fillimisht ktheu kokën dhe përqëndroi vështrimin mbi bashkëbiseduesen,pastaj rrotulloi përgjysmë trupin,duke u kthyer drejt saj,si nxënësja, së cilës,pasi i tërhiqet vëmendja nga mësuesja,merr qëndrimin e duhur në bankë.Kjo lëvizje nuk shkoi pa i rënë në sy gjashtëdhjetvjeçares.
-Nuk e mohoj aspak,që për mua është komode.Ashtu siç nuk e mohoj aspak mallin për nënën time dhe dëshirën për ta parë.Po kështu edhe për tim shoq.Është nga Lushnja.Të dy prindërit i ka aty.Gjatë javës që kaloi,ishte tri herë në Vlorë,por nxitonte aq shumë,sa nuk pati mundësi të ndalonte qoftë edhe një orë të vetme në Lushnjë,për të parë prindërit e vet.Tirana me Lushnjën nuk është veçse një orë larg,por ai është aq i zënë me punë,sa ka plot gjashtë muaj pa i parë.Unë nuk i njoh fare prindërit e tij.Dhe e gjithë kjo,se jeta është vështirësuar shumë.
-Po të ishe kthyer,sa për t'i njohur,moj vajzë ! Nuk do të të ishin mbytur gjemitë ! Edhe ata do të gëzoheshin kur të të shihnin.Kur hyn nusja në shtëpinë e prindërve të djalit,duket sikur hyn pranvera. -As që më shkon ndërmend.Kohën e kam më të shtrenjtë se floririn.Biznesi të do në këmbë ditë e natë. Duhet të rrish pa gjumë,të lëvizësh,të kërkosh.Të sakrifikosh.Dhe e para sakrificë,është sakrifikimi i vetes. Unë dhe im shoq lëvizim si mekanizma të sinkronizuar gjatë njëzetekatër orëve.
-Natyrisht kjo i përket anës tuaj ekonomike,prej së cilës fitoni vetëm ju.Prindërit nuk iu matin me xhepin tuaj,por me dashurinë prindërore.
-Ndërsa ne e matim veten me xhepin tonë.Të jesh me xhep bosh në këtë kohë,është njëlloj si të jesh pronar i një toke djerrë,që nuk prodhon asgjë.Dashuria është ndjenjë,leku është jetë.Duhet të jetosh,që të ndjesh.Dhe ne nuk bëjmë gjë tjetër,veçse përpiqemi të jetojmë sa më mirë.
-Të gjithë e dëshirojmë një jetesë sa më të mirë,i tha gjashtëdhjetvjeçarja,duke përdorur një frazë të përgjithshme,më tepër për ta ftohur bisedën,sesa për ta vazhduar atë. Nëse në fillim kishte dëshirë ta ndizte atë,tani nuk kishte dëshirë t'i hidhte qoftë edhe një dru të vetëm zjarrit të saj.Më mirë ta linte të shuhej. Po nusja e re vijoi pa e ulur asnjë bemol tonin e saj.
-Veçse varet sesi përpiqemi për të jetuar sa më mirë.Ne nuk lëmë rast të na shpëtojë nga dora.Po ju rrëfej njerin prej tyre.Ndërkohë që ne ishim duke blerë një sipërfaqe toke në anërrugën Durrës-Tiranë,na erdhi një informacion i sigurt se po atë ditë shitej përfaqësimi i një firme të huaj në Tiranë.Dhe po atë ditë më lajmëruan se im atë kishte pësuar një goditje kardiologjike dhe ishte shtruar urgjent në spital.Mendoni se në ç'gjendje psikologjike ishim atë ditë.E vramë mendjen thellë,si mjekët para një urgjence që nuk pret.Asnjeri prej rasteve nuk priste.Veçse kishte një ndryshim midis tyre.Ndërsa im atë mund të shpëtonte,pasi kisht përkujdesjen e mjekëve,dy rastet e tjerë kishin propabilitet shpëtimi zero për të nesërmen.Prandaj nuk i lamë të na shpëtonin nga dora.U përpoqëm gjithë ditën e gjithë natën dhe,të nesërmen,pasi i shtimë në dorë,u nisëm në drejtim të Korçës.Por ishte vonë.Kur mbërritën aty,im atë nuk rronte më.Kjo ndodhi para dhjetë ditësh.Ndërsa sot,siç më sheh,në vend që të jem pranë nënës sime,jam e detyruar të sakrifikoj për punën.Për fat të mirë,e kemi marrë veten mjaft dhe synimi ynë i vetëm është të bëhemi sa më të pasur.
-Ngushëllime për tët atë ! Të rroni vetë ! i tha me zë të butë gjashtëdhjetvjeçarja.
-Faleminderit ! Shumë faleminderit ! Po nuk më thatë,ju,zonjë,me se merreni ?
-Jam në pension së bashku me burrin.Kemi qenë të dy mësues.
-Uh,kur dëgjoj këto pensionet,më duket sikur njerzit jetojnë me thërrime ! Dhe kur mendoj që me ato dy çika lekët e pensionit edhe duhet të ushqehesh,edhe të vishesh,edhe të udhëtosh,më ndjeni,por më duket edhe e trishtë,edhe qesharake.
-Megjithatë bëjmë kujdes që me ato pak lekë edhe të jetojmë,edhe të nderojmë njerzit tanë.T'i japim secilit nga një pjesëz të vogël.Sot shkoj në Tiranë për të ngushëlluar nusen e djalit,se para disa ditësh edhe asaj i vdiq i ati.Nuk e njoh nga afër,se im bir ka vetëm gjashtë muaj që bashkëjeton me të dhe dasmën e kanë lënë për më vonë,por kjo nuk më pengon aspak për t'i shprehur asaj ngushëllimin tim njerëzor.Ndryshe jeta nuk
do të kishte kuptim.Veçanërisht në halle,njeriut tënd duhet t'i ndodhesh pranë,për ta ndarë dhimbjen me të. Nusja e re i hodhi një vështrim të papërcaktuar.Diçka deshi t'i thoshte,po ndërkohë ra zilja e celularit të saj.

-Uh,oreksin e nënës tënde kemi tani,Ermal ! Na vërtiten nëpër këmbë pesëqind punë dhe nuk kemi kohë as për të pirë ujë ! Nuk e kuptojnë këta njerëz se nuk kemi kohë të presim e të përcjellim për të na ngushëlluar për tim atë,ndërkohë që mjafton një telefonatë ? Unë nuk kam kohë të merrem me të !
E mbylli celularin dhe hodhi sytë përreth.
-Oh,mbërritëm ! tha,i hodhi një sy orës,rrëmbeu çantën dhe u ngrit.
Gjashtëdhjetvjeçarja u ngrit pas saj.
-Edhe një herë ngushëllime për tët atë ! Po nuk ma thatë emrin e tët shoqi,moj vajzë ! Ndoshta e njoh.Edhe unë nga Lushnja jam.
E quajnë Ermal.Ermal Gradishta.
Gjashtëdhjetvjeçares iu drodh i gjithë trupi,sikur i kaloi rrymë elektrike nëpër të.
-Ç'patët ? e pyeti tjetra,duke parë reagimin e saj të beftë,të papritur.
-Oh,asgjë ! Thjesht se e njoh tët shoq.E njoh shumë mirë.
-Atëhere ditën e mirë ! e përshëndeti nusja e re dhe zbriti e para.
-Ditën e mirë ! ia ktheu gjashtëdhjetvjeçarja me gjysmë zëri dhe zbriti pas saj.
E ndoqi me sy derisa nusja e re humbi midis turmës së dendur e të zhurmshme të stacionit të Tiranës.
-Domethënë kjo është nusja e djalit tim,Ermalit...! belbëzoi nëpër dhëmbë.
Ndenji disa çaste e menduar,me vështrim të përhumbur mbi turmën e njerëzve, pastaj u nis drejt e në biletarinë e stacionit.
-Një biletë për në Lushnjë,ju lutem !
-Me cilin tren,zonjë ?
-Me trenin që sapo niset.
Me biletë në dorë,hipi përsëri në tren dhe mori rrugën e kthimit.
Fjala e Lire - Free Speech

No comments: